Mossos d’Esquadra finalizoi një operacion të madh policor në disa pjesë të Katalonjës, duke arrestuar anëtarët e një organizate kriminale me origjinë shqiptare, e cila grabiste apartamente dhe lokale.
Që prej orës gjashtë të mëngjesit, oficerët e policisë u vendosën në Barcelonë, Cunit, L’Espelt, Òdena dhe Montmaneu (Anoia) dhe gjithashtu në Tàrrega e Urgell, për të arrestuar të dyshuari.
Sipas mediave spanjolle, dyshohet se anëtarët e grupit kriminal kanë grabitur rreth 20 apartamente dhe lokale. Hetimi ka zgjatur disa muaj dhe ka qenë i ndërlikuar, pasi hajdutët, të gjithë me kombësi shqiptare, kishin përsosur teknikën e kryerjes së grabitjeve dhe kishin marrë shumë masa mbrojtëse.
Disa nga sendet e grabitura, autorët i kishin fshehur në një zonë pyjore.
Operacioni, në të cilin kanë marrë pjesë ekipet e ndërhyrjes si ARRO dhe Brigada Mobile ka synuar arrestimin e disa personave, të gjithë anëtarë të bandës së hetuar. Në mesin e të arrestuarve që DIC i Mossos kërkon të nxjerrë para gjykatësit janë drejtuesit e komplotit, kriminelë të rrezikshëm të kombësisë shqiptare.
Nga hetimet policore rezulton se grabitjet kryheshin për sigurimin e fondeve për ti financuar më pas në plantacionet e marijuanës. Gjatë operacionit policia ka gjetur edhe 220 bimë marihuanë në Montmaneu, ndërsa në L’Espelt u gjetën 50 kilogramë sytha marihuanë.
Biznesi fitimprurës dhe në të njëjtën kohë i paligjshëm i marihuanës në Katalonjë kontrollohet kryesisht nga shqiptarë, të cilët e kanë kthyer vendin në kopshtin e Evropës, pika nga ku prodhohet dhe dërgohet droga në veri.
Vetëm këtë fundjavë u mësua se dy gjermanë po blinin marihuanë nga trafikantët e drogës.