Policia e Italisë dhe Greqisë në bashkëpunim me policinë shqiptare kanë bërë të mundur arrestimin e tre personave. Ata akuzohen për vepra të ndrsyhme penale. Mes të arrestuarve është edhe një 49-vjeçar i cili sipas njoftimit të policisë, ka 4 emra.
Për operacionin “Triplet” është vënë në pranga Altin Merdani.
Për operacionin “Dënimi”, në pranga Elsjabo Dikolli.
Për operacionin “Masa”, në pranga Nerim Klosi alias Nerim Taci alias Ardit Klosi alias Astrit Klosi.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Greqi dhe në Itali, mbi vendndodhjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, përkatësisht për llogari të autoriteteve gjyqësore në Gjirokastër, në Korçë dhe në Mat, policitë partnere finalizuan 3 operacione policore për kapjen dhe ndalimin e tyre.
-Në kuadër të operacionit “Triplet” u arrestua nga policia greke, shtetasi A. M., 45 vjeç, i lindur në Memaliaj. Në vitin 2017, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Gjirokastrës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Në vitin 2015, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, transportonte 100 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, me qëllim trafikimin. Nga dënimi total, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burgim.
-Në kuadër të operacionit “Dënimi” , u arrestua nga policia greke, shtetasi E. D., 31 vjeç. Në vitin 2023, ai u dënua nga Gjykata e Korçës, me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi total, 31-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 3 vjet e 8 muaj burgim.
-Në kuadër të operacionit “Masa” u arrestua nga policia italiane, shtetasi N. K. alias N. T. alias A. K. alias A. K., 49 vjeç, i lindur në Mat. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai akuzohet se më datë 31.12.2021, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit në banesë Policia i gjeti armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Greqi dhe në Itali, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.