Iborjan Fezullahu, një emigrant shqiptar me banim në Britaninë e Madhe, është arrestuar në ishull pas disa sulmeve të përsëritura seksuale ndaj grave.
34-vjeçari ka deklaruar se ka kryer 12 vite burgim në Shqipëri pasi kishte qenë i përfshirë në një sherr mes bandave dhe ka arritur në Britani në korrik të këtij viti, duke bërë edhe një kërkesë për azil, në pritje të së cilës endej në rrugët e ishullit pa një banesë fikse.
Mediat britanike raportojnë se Fezullahu trokiste në shtëpi të ndryshme në Teesside me pretekstin se kishte nevojë të karikonte celularin e tij, por në banesën e viktimës së parë ka hyrë me dhunë dhe ka filluar ta prekë e ta puthë për gati 30 minuta derisa gruaja është shpëtuar nga bashkëshorti i saj.
Ai ishte në dijeni se rasti i tij ishte dërguar në polici pasi është thirrur nga Gjykata e Teesside teksa dëgjonte një përkthyes shqiptar në një lidhje online të transmetonte çështjen e tij, raportojnë mediat britanike.
Në gjykatë thuhej se ai kishte parë gruan teksa merrte një porosi tek dera e shtëpisë dhe më pas i ka kërkuar asaj në mënyrë agresive që të futej brenda për të karikuar telefonin e tij.
“Ai i hodhi dorën në qafë filloi ta puthte dhe ta prekte në pjesë intime. Ajo tentoi ta shtynte dhe ta largonte ndërsa ai e tërhoqi me dhunë drejt vetes”, u tha në gjykatë nga prokurorët e çështjes.
Rasti i dytë me protagonist Fezullahun ka ndodhur po në Teesside. Ai ka trokitur në një tjetër banesë dhe i ka kërkuar një tjetër gruaje të futet brenda për të karikuar telefonin e tij.
Pasi ka komunikuar me viktimën e dytë përmes “Google Translate” duke i thënë asaj se ishte i ri në Angli, nuk kishte një shtëpi dhe flinte keq gjatë netëve, 34-vjeçari është lejuar të hyjë brenda. Aty ai ka nisur t’i afrohet viktimës, ndërsa ajo ka reaguar menjëherë teksa ka shkuar në katin e dytë të banesës për të thirrur bashkëshortin e saj.
Iborjan Fezollahu është identifikuar menjëherë pas këtij rasti nga kamerat e sigurisë në vend të sekuestruara nga policia e Cleveland. Ai u arrestua nga forcat e policisë dhe akuzohet tashmë për dy sulme seksuale.
Në gjykatë, Fezullahu është mbrojtur duke thënë se në Shqipëri i kërcënohet jeta dhe për këtë arsye ka kërkuar azil në Britaninë e Madhe.
Gjyqtarja Deborah Sherëin ka deklaruar se autori e ka sulmuar në mënyrë të përsëritur viktimën e tij të parë. Fezullahu e ka pranuar fajësinë e tij duke pohuar se i ka prekur por nuk ka kryer marrëdhënie me to.
“Po i kam prekur në zona intime, por vetëm kaq. Ju lutem më ndihmoni, vuaj nga ankthi”, ka thënë ai para togave të zeza.
Gjithashtu avokatja mbrojtëse, Kelleigh Lodge, ka thënë se i pandehuri vuan nga çregullime të stresit post-traumatik për shkak të ngjarjes që është burgosur në Shqipëri.
Fejzullahu është dënuar me 30 ditë burg nga autoritetet angleze ndërsa akoma nuk dihet se çfarë do të ndodhë me shqiptarin pasi të kryejë dënimin e tij.