Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, pasi u kapën duke vjedhur në banesa dhe biznese. Mediat vendase shkruajnë se dy shqiptarët ishin të pajisur me çdo mjet të mundshëm për të realizuar plaçkitjet e banesave dhe bizneseve.
Gjithashtu autoritetet italiane ndërhynë në fshatin Tor San Lorenzo, pasi morën sinjalizimin se po kryheshin vjedhje shtëpish. Sapo hasën efektivët, të dyshuarit lanë në mes grabitjen, por u kapën në ndjekje e sipër.
Të dy ishin me precedentë të mëparshëm penalë. Si prova u sekuestruan jo vetëm sende të vjedhura, por edhe valixhe profesionale, me të gjitha veglat e mundshme.
Media italiane raporton se shqiptarët u përpoqën me çdo kusht të arratiseshin, duke kërcënuar me kaçavida karabinierët. Ndërsa në automjetin e vjedhur disa muaj më parë karabinierët gjetën një arsenal të vërtetë mjetesh për vjedhje, si leva, pinca, trapano, troko, madje edhe një mjet pune kazmë dhe një ndezës për shpërthim të lokalizuar.