Edhe pak ditë na ndajnë nga Festivali i 20-të me radhë i poezisë dhe muzikës krijuese shqiptare në diasporë, që do të mbahet në qytetin e Malmös, në Suedi, ku pritet të prezantohen me veprat e tyre, poetë muzicientë, kompozitorë dhe krijues, që veprojnë dhe jetojnë në Suedi, si dhe nga shtetet e ndryshme të Evropës. Krahas tyre pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur të muzikës suedeze, si dhe përfaqësues të filhamonisë, të cilët pritet të interpretojnë arie nga muzika klasike suedeze dhe ajo shqiptare, si Ahmet Bella, kompozitor dhe muzikolog, ideator dhe nismëtar i këtij festival, Maria Herrlin, nga opera suedeze, si dhe poetët e njohur si Rizah Sheqiri, Qerim Raçi e shumë të tjerë.
Edhe kësaj radhe nuk do të mungojnë emra të njohur të muzikës klasike shqiptare nga Kosova, si profesorët Kreshnik Aliçkaj, Sami Piraj dhe solistet e talentuara, motrat Çarri nga Kosova. Përpos pjesës artistike do të këtë edhe promovime të librave, të botuara gjatë dy viteve të fundit.
Gjithashtu pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, si dhe ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë, të akredituar në shtetet skandinave.
Ky eveniment i rëndësishëm (i vetmi i ëtij lloji në diasporë) organizohet nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi i mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës dhe qyteti i Malmös.
Festivali mbahet më 16 nëntor 2024, duke filluar nga ora 16:00, në sallën impozante ( Lanstingssalen) në shtëpinë mbretërore (Rådhuset), Storgtorget 2 në Malmö.
Ndërkaq, për dashamirët e muzikës popullore do të përkujdesen këngëtarët e mirnjohur, Lindita Kryeziu e Beqir Shaqiri, të shoqëruar nga instrumentisti Mit’hat Nikezi.