A ka nevojë Kosova për një muze të diasporës?

Diaspora

A ka nevojë Kosova për një muze të diasporës?

Nga: PhD. Dashnim HEBIBI Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 07:53
PhD. Dashnim HEBIBI

Kontributi shumëdimensional i diasporës shqiptare për çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës meriton të shpaloset para qytetarëve të saj dhe të gjithë vizitorëve të jashtëm, përmes ekspozimit të materialeve arkivore, fotografike, faktografike, etnografike e dokumentare

Kam bindjen që nuk është vetëm obligim i shtetit ndaj mërgatës shqiptare (të prejardhur nga Kosova) të shpërndarë nëpër botë, por edhe vizion i qartë e fisnik për të shpalosur vlerat e pamohueshme të degëve të shpërndara të trungut të kombit, brenda një kulmi, respektivisht në hapësirat një muzeu të munguar në kryeqytetin e Kosovës.

Përveç vënies në dispozicion të aspektit material (të dukshëm e të prekshëm, të ekspozuar brenda hapësirës së muzeut) të kontributit të mërgatës shqiptare të Kosovës, të shpërndarë nëpër botë, muzeu mund të ketë edhe faqen e vet zyrtare (si pjesë përbërëse të faqes zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit), vegëza e të cilës do të mund të shfaqet edhe në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për t’u bërë më leht e identifikueshme dhe e qasshme për përfaqësuesit e mërgatës.

Artikujt e ekspozuar në muze, në versionin e fotografuar, do të mund të publikoheshin brenda kësaj faqeje të internetit, ‘vizita virtuale’ në të cilat, do të mund të bëhej me pagesë, me qëllim të mbështetjes financiare të pasurimit të vazhdueshëm të fondit të artikujve (eksponateve) meritorë për ekspozim brenda muzeut. Brenda përmbajtjes së faqes zyrtare të muzeut, do të mund të bëheshin publike edhe shkrimet publicistike e akademike, kushtuar rolit e kontributit të diasporës shqiptare në çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës.

Ngritja e një muzeu të këtij lloji do të mund të ndikonte pozitivisht edhe në turizmin kulturor. Meqë Prishtina, në cilësinë e kryeqytetit, është hapësira gjeografike më e vizituar nga qytetarë të jashtëm (turistë), selia e muzeut mund të jetë në një objekt ekzistues në pjesën e vjetër të qytetit.

Objekti aktual ku janë të vendosura institucionet publike, si: Agjencia për Informim dhe Privatësi; Autoriteti i Aviacionit Civil; Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale; Agjencia e Statistikave e Kosovës, duke u nisur nga fakti që ka një arkitekturë të vjetër, afërsisht të ngjashme me Muzeun e Kosovës, do të mund të ridestinohej si adresë e përhershme e Muzeut të Mërgatës Shqiptare të Kosovës.

Për t’i krijuar një identitet këtij muzeu në kuptimin heraldik, logo e tij mund të jetë ‘lule diaspora’, e cila vazhdon të përdoret si simbol ndërkombëtar për diasporat e kombeve.

Realizimi grafik i ‘lule diasporës’ [Taraxacum Erythrospermum] për t’u përdorur si simbol heraldik në logon e Muzeut të Mërgatës Shqiptare të Kosovës

Duke shprehur gatishmërinë e parezervë të intelektualëve dhe mbështetësve të Institutit Helvetik të Studimeve për Evropën Juglindore për të kontribuar në çdo fazë dhe dimension të themelimit dhe eventualisht pasurimit të vazhdueshëm me eksponate të muzeut, shpresoj që institucionet e Republikës së Kosovës, më në fund, do të fillojnë punën për jetësimin e një projekti fisnik si ky.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat