Irlanda duke filluar në vitet 1990 me plotë sukses arriti të inkurajonte emigracionin e vet që ta kthente besimin në shtet me një seri masash tërësisht të kundërta me ato që kishin prodhuar ikjen masive në dekadën e fundit.
Në këtë shkrim nuk dua të merrem me shkaktarët e emigrimit, por do të fokusohem të kthimi i diasporës shqiptare në vendin e origjinës dhe do përpiqem ta bëjë një krahasim me irlandezët.
Pse është i rëndësishëm kthimi i trurit?
Në një kohë kur globalizmi dhe ndryshimet shoqërore po bëhen gjithnjë e më të theksuara, për zhvillimin e një vendi është shumë e rëndësishme që njerëzit e shkolluar në perëndim të kthehen për të kontribuar në vendin e origjinës. E gjithë shoqëria duhet ta inkurajojmë këtë kthim në atdhe, sepse ne duhet të promovojmë një kulturë të ndërgjegjshme, të nxitim shkëmbimin e ideve dhe të mbështesim krijuesit, intelektualët dhe investitorët e shpërndarë gjithandej për të krijuar një botë më të mirë për të gjithë ne. Ka shumë arsye pse ata duhet të kthehen, por unë do t’i numërojë disa.
Së pari, këta njerëz, të lindur, të rritur dhe të shkolluar me arsim të lartë në perëndim me inovacionin dhe kreativitetin e tyre kanë aftësi shumë të mira për të ndihmuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi.
Së dyti, kanë përvojë dhe njohuri nga vendet e zhvilluara në fusha të ndryshme, si shkencë, teknologji, biznes dhe shërbime sociale. Kthimi i tyre në atdhe mund të sjellë një transferim të kësaj ekspertize duke ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësisë dhe zhvillimin e sektorëve tjerë.
Së treti, që është jashtëzakonisht e rëndësishme, ata do të ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një kulture perëndimore të punës dhe menaxhimit. Ata do të sillnin praktikat më të mira nga perëndimi në bërjen e biznesit dhe do të kontribuonin fort në rritjen e konkurrueshmërisë së ndershme ekonomike, si lokale, ashtu edhe asaj ndërkombëtare.
Do e përmendi edhe faktin e katërt që ata do të bënin maksimumin për përmirësimin e kushteve jetësore, por edhe për ndryshimin e pozitiv të mentalitetit shoqëror, sepse nuk do të ndiheshin rehat në shpirtin e tyre, nëse nuk e ngrinin vendin në nivelin e vendeve ku janë rritur dhe zhvilluar. Prandaj, është shumë e rëndësishme që qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile të krijojnë ambiente dhe politika të favorshme, për të inkurajuar jo vetëm kthimin e trurit, por për hir të zhvillimit të vendit, sepse veç kësaj, së bashku me ta sofra do të ishte e mbushur plotë.
Irlanda krijoj kushte dhe mbështeti kthimin e trurit me gjithë kapacitetin financiar që kishte.
Historia dhe përvojat e shteteve të zhvilluara na tregon se shtetet e begata krijojnë sisteme politike gjithëpërfshirëse, ku shteti siguron pronësinë private dhe konkurrencën e ndershme. Ekonomia e një vendi nuk mund të përparojë pa një rend efektiv në të gjitha sistemet, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, drejtë sistemeve ligjore ekonomike, politike dhe juridike.
Emigrimi i Irlandezëve ishte gjithmonë në nivele më të larta, madje edhe më i lartë sesa i shqiptarëve sot. Për shkak politikës së gabuar që solli vështirësi të mëdha ekonomike, vetëm në vitin 1988 emigruan mbi 80.000 irlandez, për shkak të mungesës së një strukture të ndershme administrative, për shkak të selektimit në punësim dhe mungesës së përgjithshme të zhvillimit ekonomik shumë qytetarë irlandez morën botën në sy.
Mirëpo, pas dy viteve, kur pa rrezikun e shpopullimit kryetarja Robinson me një mesazh si bombë ndërhyri guximshëm duke ja kërkuar qeverisë që të ndryshoj qasje menjëherë për të sjellë njerëz të rinj dhe të talentuar, të shkolluar nga Britania, Amerika, Kanada dhe Gjermania. Nga këtu u hap një kapitull i ri, diaspora irlandeze solli në vendlindje Google dhe Microsoft duke punësuar me mijëra qytetarë. U entuziazmuan të gjithë, qeveria ndërmori masa shtesë për ta kuptuar diasporën e saj anembanë botës, sesi jetonte dhe çfarë krijonte. Veç kësaj qeveria irlandeze ngriti ca fonde për të mbështetur qytetarët e vet që kishin potencial për zhvillimin e vendit. Shumë prej tyre i angazhoj në politik, në ekonomi, shëndetësi, sport,.... dhe sot Irlanda ka kthimin më të madh të qytetarëve të vet që ishin shpërndarë gjithandej. Madje një numër i madh i atyre që kishin emigruar para 150 viteve u kthyen në vendin e origjinës. Irlanda, jo vetëm që është zhvilluar ekonomikisht, por është bërë vend i dashur për shumë vende tjera, saqë në dhjetë vitet e fundit ka një rritje të popullsisë mbi 20%.
Kthimi i trurit dhe mentaliteti
Përderisa shumica e irlandezëve emigruan në shtetet anglisht folëse, (sikur Shqiptarët të emigronin në Kosovë apo anasjelltas), populli ynë emigroj në shtete të ndryshme gjuhësore dhe kulturore. Pra, secili intelektual shqiptarë për të kapur një vend pune në profesionin e tij e kishte shumë të vështirë. Kjo e vërtet tregon se vetëm një numër i vogël, simbolik ka mundur të vijojë një karrierë akademike në vendet ku kanë shkuar. Ndryshe nga irlandezët pjesa dërmuese e emigrantëve shqiptarë është angazhuar në nivele të ulëta, ose tërësisht jashtë profesionit që kanë studiuar dhe përpjekja për të rikthyer këta njerëz nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe, meqë duke mos ushtruar profesionin njohuritë e tyre nuk janë përpunuar, përkundrazi janë vjetërsuar dhe mendoj se janë të padobishme. Kjo i bie që brezi i parë dhe vendorët, që nuk kanë arrit me ngrit vendin një tjetër nivel, kanë të njëjtin mentalitetet dhe të njëjtën qasje për vendin, i cili është tërësisht i kundërt nga perceptimi i irlandezëve.
Megjithatë, ne kemi armën tjetër të fortë, janë fëmijët e emigrantëve shqiptarë potenciali që duhet hulumtuar edhe atëherë kur ata nuk e flasin gjuhën shqipe, sepse zhvillimi i vendit është prioritet i prioriteteve, ku ata mund të luajnë rrol vendimtar.
Pjesa dërmuese e intelektualëve në vendlindje kanë kontakte vetëm me gjeneratën e parë që është shumë e zhurmshme në rrjetet sociale dhe që nuk mund të ofrojë më shumë sesa remitencat. Mirëpo, është gjenerate e dytë në mërgim e cila me pa të drejtë është anashkaluar nga vendi i origjinës, pasi politika, akademikët, intelektualët nuk komunikojnë dhe nuk i njohin intelektualët e kësaj gjenerate, të cilët për shkak të mentalitetit të ndryshëm dhe paragjykimeve janë orientuar tërësisht në komunikim me shtetet pritëse dhe këtu kërkohet ndërhyrje e brendshme nga të gjithë faktorët relevant për të ndriçuar mundësitë e bashkëpunimit.
Një pjesë e madhe akademikëve dhe intelektualëve në vendlindje nuk kanë shfaq as gatishmëri t’i pranojnë këta njerëz si pjesë e barabartë e shoqërisë, duke aluduar tek gjuha, pastaj tek mentaliteti i ndryshëm, pasi gjenerata e dytë që ka arrit të përfundojë nivele të larta akademike në perëndim ka mentalitet perëndimor prosperues që garant do ta ngrinin zhvillimin e vendit në tjetër nivel. Shtrohet pyetja, pse intelektualët nga vendlindja akoma edhe sot nuk e kanë kuptuar që gjithëpërfshirja dhe korrektësia janë çelësi i zhvillimit të një vendi? Pse ne nuk i bëjmë punët sikur e gjithë Evropa? Përgjigja është e thjesht, sepse nuk e din atë kulturë! Edhe pse flasin për korrektësi, gjithnjë veprojnë kundër. Kjo fjali që thash tani ma kujton një fjali për shqiptarët nga leksikoni i vitit 1844, ku thotë: “Shqiptarët vjedhjen publike e konsiderojnë legjitime, kurse vjedhjen sekrete si të turpshme.” Kemi shumë gjëra që nuk shkojnë bashkë, disa mendojnë se niveli i pagave do të ishte pengesë për t’i inkuadruar këta njerëz, kurse disa tjerë e shohin mungesën e vendeve të punës si problemin kryesor dhe të tretët nuk kanë dëshirë t’i kenë në zyrat e tyre kolegët me mentalitet gjerman, sepse besojnë se ashtu mund ta humbin vëmendjen dhe me humbjen e favoreve nuk mund të jenë interesant as për rrethin as për shtetin.
Bie fjala për një çmim simbolik letrar, qoftë poezi, apo prozë këta njerëz të letrave me emër akademik bien shumë lehtë pre, e interesit personal, e inateve, por edhe e politikës duke ngrit antivlerën në piedestal. Pra, këto detaje negative sado të vogla që janë i has në secilën pore të jetës dhe janë burim emigrimi dhe pengesë kryesore e zhvillimit të vendit. Imagjino çfarë manipulimesh bëhen nga intelektualët elitar të vendit për një çmim deri në 500 €, të pakënaqurit nuk e kanë guximin as të deklarohen, sepse frikësohen se do të degradohen dhe do të linçohen nga kolegët dhe pastaj në heshtje ky avaz vazhdon pandërprerë. Anomali, pastaj njerëzit e tillë i kërkojnë Evropës investime të mëdha, të cilat kurrë nuk do të vinë me mentalitetin çfarë kemi.
A mund të ngritët standardi i jetës nga vendorët?
Në realitet pos infrastrukturës, si rrugët, rryma, uji, që vetëkuptohet se duhet të ekzistojnë, nevojitet funksionimi dhe ngritja e cilësisë në arsim, shëndetësi, gjyqësi dhe pastaj është primare që të arrijmë t’i kthejmë këta njerëz, në të kundërtën është utopi të flasim për këtë temë.
Nëse gjithë këto vite nuk kemi arrit të ndërtojmë një sistem cilësorë të arsimit, nuk kemi arrit të kemi sigurime shëndetësore, nuk kemi arrit t’i eliminojmë nepotizmin dhe interesin personal, vërtet për të ngritur standardin në nivel evropian do të jetë detyrë herkuliane për secilën qeveri.
Vendet që nuk arrijnë t’i nxisin qytetarët e talentuar gjithmonë mbesin të varfra dhe pastaj ata që nuk arrijnë të emigrojnë ju drejtohen grupeve ekstremiste fetare. Askush nuk na e ndërton shtëpinë tonë të quajtur Kosovë, jemi ne ata që duhet t’i përvishemi punës dhe të garantojmë, ndershmërinë, respektimin e ligjit, të drejtën e pronës dhe tregtinë e lirë. Kosova është po aq e vendorëve sa edhe mërgimtarëve.