Manifestimi filloi me intonimin e himnit kombëtar.
Në sallën, të stërmbushur me mërgimtarë, të stolisur me flamuj, piktura dhe foto të burrave të mëdhenj të kombit, kushtuar kësaj feste, moderatorja hapi manifestimin me një urim përshëndetës drejtuar të pranishmëve. Më pas, në pika të shkurtra, ajo foli mbi rëndësinë e 28 Nëntorit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ditën e 28 Nëntorit të vitit 1912, e lumtur dhe e paharruar për Vlorën heroike, patrioti i mençur i kombit tonë, heroi i popullit Ismail Qemali, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti të lirë dhe me krenari flamurin kuq e zi. Si çdo vit, kjo ditë madhështore e flamurit kombëtar përkujtohet si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët, kudo ku jetojnë, festojnë 28 Nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, daljen e parë publike të pjesëtarëve të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Moderatorja pastaj ia dha fjalën Kryetarit të Shoqatës Kulturore Sportive Shqiptare “Shqiponja” në Traisen, Austri, zotit Haki Berisha, i cili po ashtu u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve dhe i përgëzoi për këtë festë.
“Të nderuar vëllezër e motra, zonja dhe zotërinj, të dashur fëmijë, të rinj dhe të reja, familje dhe veprimtarë, mirë se keni ardhur në festën e madhe të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe të vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
Të nderuar udhëheqës dhe anëtarë të kryesive të shoqatave shqiptare që veprojnë në Austri, ju faleminderit që jeni të pranishëm këtu dhe që këtë kremte të 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit Kombëtar, ta kalojmë së bashku, duke e përcjellë urimin tonë të përbashkët për të gjithë mërgimtarët shqiptarë kudo që janë. Falënderojmë Kryesinë e Shoqatës Kulturore Sportive Shqiptare “Shqiponja” në Traisen. Një falënderim i veçantë për shoqatat dhe aktivistët e diasporës shqiptare në Austri.” – theksoi zoti Haki Berisha. Në emër të Shoqatës Kulturore Sportive Shqiptare “Shqiponja” në Traisen, ai përshëndeti gjithashtu mysafirët e nderit që ishin të pranishëm, si publicisti z. Miftar Zagragja, poetja Violeta Allimuça, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri, z. Osman Ademi dhe z. Ismet Sinani, etj. Po ashtu, një falënderim i veçantë u dedikua gazetarit të RTV-21, z. Bahtir Cakolli, kamermanit të RTV-21, z. Ilir Gorani, dhe znj. Remzije Berisha, nga shoqata e grave fermerë “Alba” nga fshati Prugovci, e cila në këtë manifestim paraqiti ushqime tradicionale.
Të pranishmit i përshëndeti edhe stafi i Komunës së Traisen në Austri, znj. Monika Feichtinger, e cila në emër të stafit të komunës falënderoi për këtë prezencë kaq madhështore. Në fjalën e saj, ajo theksoi se ndihej e lumtur që ishte në këtë mjedis dhe shprehu simpati për punën dhe aktivitetin e mërgatës shqiptare. “Uroj që kjo ditë kremteje të jetë një mesazh për angazhim më të madh në çështjet madhore drejt progresit dhe interesave të shqiptarëve në Austri, të cilët janë një komunitet relativisht i madh dhe janë mirë të integruar në shoqërinë austriake.”
Të pranishëm ishin gjithashtu Këshilltarët Komunalë shqiptarë në Traisen, nga Partia Socialiste e Austrisë (SPÖ), z. Fidan Limani dhe z. Naim Salihu, si dhe mësuesja e shkollës fillore në Traisen në gjuhën gjermane për fëmijët tanë.
Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu z. Monika Feichtinger, kryetarja e Komunës së Traisen, dhe Inxhinieri Gerhard Fügl.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm edhe znj. Triera Kasumi, Shefe e Kabinetit të Ministres, dhe z. Burbuqe (Thaqi) Matoshi. Më pas iu dha fjala edhe znj. Kasumi dhe z. Burbuqe (Thaqi) Matoshi, e cila përshëndeti të pranishmit në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në fjalën e saj, ajo theksoi se ndihej e lumtur që ishte në mesin e mërgimtarëve dhe vuri në pah se roli i mërgatës shqiptare për Kosovën dhe trojet shqiptare ka qenë dhe mbetet shumë i fuqishëm.
Znj. Kasumi mes të tjerash tha se ndihej krenare për punën dhe aktivitetin e mërgatës shqiptare dhe shtoi se Kosova ka marrëdhënie të mira me Austrinë.
"Falënderojmë sponsorët dhe biznesmenët shqiptarë në Traisen që me përkrahjen e tyre financiare na ndihmojnë në vazhdimësi," tha ajo.
Në vazhdim, iu dha fjala z. Antigonë Elshani, i cili mes të tjerash tha se ndihej krenar për punën dhe aktivitetin e mërgatës shqiptare. Ai uroi që kjo ditë kremteje të jetë një mesazh i fuqishëm për të gjitha forcat politike të kombit tonë, për angazhim më të madh në çështjet e mësimit të gjuhës amtare nga fëmijët në emigrim, që është një nga çështjet më të rëndësishme për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Mirëpo, ai vërejti se, fatkeqësisht, duke mos e njohur rëndësinë e njohjes dhe të folurit drejt të gjuhës amtare, shumë prindër bien pre e manipulimeve të ndryshme që janë në dëm të identitetit tonë kombëtar.
Manifestimi vijoi me një program të pasur kulturor-artistik të përgatitur nga Shoqata “Shqiponja” në Traisen, si dhe me një program të mësueses së mësimit plotësues në gjuhën shqipe, znj. Antigona Elshani. Ky ishte një program artistik i nxënësve të shkollës shqipe, me recitime, këngë dhe valle.
Programi vazhdoi me instrumentalistin dhe këngëtarin e mirënjohur, z. Ekrem Imeri dhe Dixheni, së bashku me orkestrën, të cilët i dhanë ton të veçantë programit dhe morën duartrokitje të shumta nga të pranishmit, të cilët mirëpritën prezantimin e një thesari të çmuar kulturor të trashëgimisë sonë kombëtare.
Aktivistët nga mërgata, të tubuar në Shoqatën Kulturore Sportive Shqiptare “Shqiponja” në Traisen, meritojnë respekt për punën e tyre me shumë përkushtim dhe për kontributin konkret për t’i bashkuar shqiptarët nga shoqatat shqiptare të tërë Austrisë, për nder të festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar. Fakti se salla ku u organizua ky manifestim ishte e mbushur përplot (kishte mbi 380 bashkatdhetarë) dhe atmosfera gazmore që mbretëroi, dëshmon se organizimi i shqiptarëve kudo në diasporë është i domosdoshëm si parakusht tejet i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm pjesëmarrës nga treva të ndryshme shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore, Mali i Zi, etj.
Prindërit shqiptarë nuk hezituan t’i dërgonin fëmijët e tyre në një program kulturor, për t'i njohur ata me historinë, kulturën dhe traditat e mrekullueshme nga të cilat ata kanë rrënjët e të parëve të tyre, që është më themelorja: ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë dhe hapja e shkollave shqipe kudo ku ka emigrantë. Roli i mërgatës shqiptare për trojet shqiptare ka qenë dhe do të mbetet shumë i fuqishëm, gjithçka që ata kanë bërë është në emër të përkushtimit për atdheun.
Kërkojmë falje nga të tjerët që nuk i kemi përmendur. Moderatorët e shpallën të mbyllur manifestimin.
Në fund, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej modest dhe ushqimet tradicionale shqiptare nga Sofra Dardane dhe Shoqata Kulturore Sportive Shqiptare “Shqiponja” në Traisen, Austri.