Policia zbuloi një strehë ku ruhej e përgatitej kokaina që shpërndahej në Italinë e Veriut, në një apartament në Sorisole, provinca e Bergamos. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, agjentët sekuestruan 40 pako kokainë me peshë rreth një kilogram secila, të vendosura mbi tryezën e kuzhinës, si dhe 25 pako të tjera të fshehura në strukturën e divanit të dhomës së ndenjes.
Po ashtu u gjet edhe një shumë prej 6,570 eurosh. Policia ndoqi lëvizjet e një 37-vjeçari shqiptar, i cili përdorte furgonë të marrë me qira për të transportuar drogën.
Të martën e kaluar,me ndihmën e policisë rrugore të Arcore, ai u ndalua pranë daljes së autostradës A7 Milano-Gjenova, afër pikës së Assagos në Milano. Brenda një kompresori ajri, i cili ishte ngarkuar në automjet, agjentët gjetën një pako një kilogramëshe me kokainë.
Shoferi kishte me vete një çelës, që i çoi hetuesit në apartamentin e Sorisole-s, ku, përveç drogës dhe parave, gjetën edhe pajisje për paketimin e drogës, një makinë vakumi, një peshore precize, një peshore tjetër më e madhe, një bllok shënimesh me kontabilitetin e trafikut të drogës dhe një makinë për numërimin e parave.
Gjatë kontrollit në oborrin e ndërtesës, agjentët panë një person të dytë, një shqiptar 30-vjeçar, i cili nuk mundi të shpjegonte praninë e tij aty, por mbante një çelës të apartamentit. Për këtë arsye, edhe ai u arrestua.
Në total, u sekuestruan rreth 76 kilogramë drogë, të ndarë në pako me logo të ndryshme. Me urdhër të prokurorëve përkatës nga Prokuroritë e Milanos dhe Bergamos, 37-vjeçari u dërgua në burg në Milano, ndërsa 30-vjeçari në Bergamo. Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e të dyve.