Një shqiptar u vra këtë të diel nga një atentat në Athinë ndërsa një tjetër u plagos. Sulmi ka ndodhur jashtë një dyqani në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotinit e për rrjedhojë ka mbetur i plagosur Edi Lolo ndërsa Irakli Davella 47-vjeç ka humbur jetën.
Ndonëse ende nuk është zbardhur motivi i atentatit, nga policia greke mendohet që gjithçka të ketë qenë një “larje hesapesh”.
Emri i viktimës Irakli Davella përmendet në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në vitin 2013, ku përmenden personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobvënie, vrasje, pastrim parash.
Ky i fundit rezulton të jetë një personazh kontrovers, me lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës, madje edhe pronar i pasurive të paluajtshme në këto vende.
47-vjeçari Irakli Davella nga Mesopotami i Finiqit, rezulton të ketë rregjistruar me vendim të Gjykatës së Sarandës në vitin 20006, një biznes “Kafe-Bar-Restorant, si dhe tregëtimin e e artikujve të ndryshëm dhe ushqimor e pije alkoolike me pakicë dhe shumicë” në Delvinë, biznes i cili rezulton ende aktiv me NIPT K66424544U me qendër në Mesopotam, Bashkia Finiq.
Ndërkohë bëhet me dije se i plagosur Edi Lolo disa ditë më parë kishte shkuar nga Dubai në Athinë, pasi e kishte ndërtuar jetën mes këtyre dy vendeve. Momentalisht ai ndodhet ende në spital në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra.