DEA amerikanë në bashkëpunim me oficerë të anti-drogës së policisë greke, kanë goditur një grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke vënë në pranga 4 persona dhe sekuestruar rreth 46 kg kokainë.
Grupi kriminal rezulton të jetë hetuar prej fillimit të nëntorit të këtij viti, lidhur me trafikimin e drogës përmes konteinerëve të vendosur në anije. Nuk dihet ende se si, por mesa duket policia ka zbuluar komunikime të tyre edhe në aplikacionin “Signal”, pasi në dosjen hetimore rezulton se janë ende të paidentifikuar disa bashkëpunëtorë, ku një rast përfshihet sipas dosjes “një person i paidentifikuar në aplikacionin “Signal” me kodin “Hajsk”, një tjetër “person me zë femre spanjolle” apo “përdorues i numrit të telefonit “+31……..5, ndoshta shtetas shqiptar”.
Prej datës 8-11 nëntor, grupi kriminal ka arritur të vendosë në një konteiner në portin e Guayaquil në Ekuador një sasi prej 45 kg dhe 958 gram kokainë me destinacion Greqinë, e cila ka mbërritur në 13 dhjetor në Selanik në një konteiner me banane. Policia greke ka ndjekur gjithë lëvizjet në marrjen dhe dorëzimin e drogës duke arrestuar edhe trafikantët e përfshirë. Në pranga kanë rënë një venezuelian, një slloven, një shtetas nga Republika Domenikane dhe shtetasi nga Kosova Muj Morina 44 vjeç.
Shtetasi venezuelian është kapur në tentativë për t’u larguar përmes aeroportit të Selanikut ndërsa tre të tjerët janë kapur gjatë dorëzimit të drogës në adresën “L. Niki” dhe “Ionios Dragoumi 1” të Selanikut. Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe sekuestruan edhe 35 gram kokainë. Përveç drogës, policia greke sekuestroi edhe 1450 euro, 658 dollarë, 4 celularë, si dhe GPS e POWERBANK.