Muhamet Idrizi nga shoqata “Oda” në Hamburg, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Lajmet e Fundit” në RTK, ka shprehur pakënaqësitë lidhur me organizimin e procesit zgjedhor për diasporën.
“Jemi të pakënaqur se si KQZ e realizon procesin dhe mendojmë që numri 107,000 apo 108,000 është numër qesharak në krahasim me qytetarët që kanë shtetësi të Kosovës. Kjo tregon për një menaxhim të dobët teknik dhe komunikim jo transparent nga KQZ, duke mos dhënë shpjegime pse nuk janë regjistruar më shumë njerëz,” deklaroi Idrizi.
Ai kritikoi gjithashtu kompaninë që ka marrë përgjegjësinë për mbledhjen e votave me postë, duke ngritur pikëpyetje mbi përzgjedhjen e saj.
“Sot në mëngjes, kur u publikuan adresat, pati një debat të shumëanshëm. Si është e mundur që një kompani, e cila ka fituar një licencë të ‘Deutsche Post’, por që nuk është institucion zyrtar, të marrë një punë kaq të rëndësishme dhe një detyrë shtetërore për mbledhjen e votave?” pyeti ai.
Idrizi nënvizoi rëndësinë e menaxhimit korrekt dhe profesional të procesit zgjedhor për të siguruar një përfaqësim të drejtë të diasporës në zgjedhjet e Kosovës.