Një shqiptar i shpallur në kërkim për vrasje në Itali është arrestuar teksa fshihej në Slloveni. Shqiptari akuzohet se rreth tre muaj më parë ka vrarë një 46-vjeçar të pastrehë ukrainas. Ai gjithashtu akuzohet edhe për një krim tjetër që kishte kryer në Slloveni.
I dyshuari, emri i të cilit nuk u publikua, ishte ndaluar në Lubjanë më 5 janar të këtij viti dhe nga verifikimet e kryera rezultoi i kërkuar edhe nga Interpol Roma. Shqiptari dyshohet se goditi me dy të shtëna Vadym Usatyi në “Via Varese”, në Saronno, në mbrëmjen e 27 tetorit të kaluar.
Gjyqtari hetues i gjykatës në Busto Arsizio kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar më 12 dhjetor të 2024. Autoritetet italiane për momentin nuk mund të konfirmojnë ende se i arrestuari dhe personi i shpallur në kërkim janë i njëjti person, sepse do të duhet të priten rezultatet e testeve të gjurmëve të gishtave të kryera nga autoritetet sllovene, të cilët për momentin nuk u kanë dërguar diçka konkrete kolegëve të tyre italianë.
I kërkuari është një kriminel i njohur për policinë italiane, me precedentë të shumtë penalë dhe dhjetëra pseudonime, pasi mbante dhe lëvizte me dokumente false.