Vjollca Hajdari: Diaspora ka një ndikim të madh në procesin zgjedhor

Diaspora

Vjollca Hajdari: Diaspora ka një ndikim të madh në procesin zgjedhor

Më: 11 janar 2025 Në ora: 00:18
Vjollca Hajdari

Vjollca Hajdari, njohëse e zhvillimeve politike, ka theksuar rëndësinë e diasporës kosovare në procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si një faktor të fuqishëm në politikën e Kosovës.

Në një intervistë me Skype për "Lajmet e fundit" në RTK, Hajdari ka shpjeguar ndryshimet që kanë ndodhur në perspektivën e diasporës, e cila, sipas saj, nuk është më "diaspora klasike".

"Ky proces është i rëndësishëm sepse diaspora nuk është më ajo diaspora klasike, sepse kjo perspektivë ka ndryshuar. Tani mërgata është aktive, është pjesëmarrëse dhe kontribuon në zhvillimet politike, si në vendin ku jeton, ashtu edhe në veçanti në vendin e origjinës," ka thënë Hajdari.

Ajo ka theksuar lidhjet e forta që diaspora ka me Kosovën dhe ndikimin që ka kjo lidhje në pjesëmarrjen e mërgatës në zgjedhje.

"Ata kanë lidhjet e tyre familjare, janë të lidhur emocionalisht me vendin e tyre, dhe kanë krijuar edhe perspektiva të reja. Ata janë bërë faktorë të rëndësishëm ekonomikë," ka shtuar Hajdari.

Ajo gjithashtu ka theksuar se interesimi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje është rritur.

"Interesimi është shumë i madh nga mërgata që të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor," ka thënë Hajdari, duke vënë në dukje se lehtësimet e bëra në krahasim me vitet e kaluara kanë mundësuar një pjesëmarrje më të madhe të mërgatës, jo vetëm përmes rrugës postale, por edhe me udhëtime drejt Kosovës për të votuar.

"Përpos rrugës postale, pritet që edhe këtë herë mërgata të marrë pjesë në zgjedhjet e drejtpërdrejta," ka thënë ajo.

Hajdari ka përmendur edhe rolin e rëndësishëm të ambasadave dhe konsullatave, si dhe përparimin në digjitalizimin e procesit zgjedhor.

"Digjitalizimi ka luajtur një rol shumë të madh, ku mërgata ka pasur mundësinë të aplikojë përmes sistemit digjital. Janë krijuar pika të caktuara ku ata mund të votojnë, dhe kjo bën që diaspora të jetë më e mobilizuar," ka shtuar ajo.

Sipas Hajdarit, kjo është një dëshmi e lidhjes së fortë që ka krijuar diaspora me vendin e lindjes, dhe dëshirës së saj për t'u angazhuar aktivisht në proceset politike të Kosovës.

"Kjo tregon se mërgata dëshiron të angazhohet dhe të jetë aktive në çdo proces. Është me rëndësi që mërgata të jetë më e involvuar në këto procese," ka theksuar ajo.

Megjithatë, Hajdari ka përmendur edhe dyshimet e ngritura për mundësinë e manipulimeve gjatë procesit zgjedhor.

"Po është dëgjuar për dyshime mbi manipulimet. Megjithatë, kanë qenë raste të izoluara. Siç kam dëgjuar nga mërgata, gjithçka ka shkuar në rregull. Ka pasur ankesa, dhe kanë pasur prononcime edhe disa kandidatë politikë që kanë shprehur vërejtjet e tyre për parregullsi të vogla, por që për këto raste është raportuar," ka thënë Hajdari.

Ajo ka shtuar se mekanizmat politikë janë të angazhuar në mënyrë të intensifikuar për të garantuar transparencë në këtë proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat