Në kuadër të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit dhe homologëve të huaj, është finalizuar nga autoritetet britanike operacioni policor i koduar “Another”, ku është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit Edison Muceku, 34 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Muceku ishte i kërkuar nga autoritetet shqiptare për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg”.
Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e Mucekut drejt Shqipërisë.