“Flinte në stacion treni kur erdhi në Milano”, media italiane artikull për shqiptarin e suksesshëm

Diaspora

“Flinte në stacion treni kur erdhi në Milano”, media italiane artikull për shqiptarin e suksesshëm

Më: 18 janar 2025 Në ora: 23:30
Endrit Rustemi

I lindur në Fier në vitin 1991, Endrit Rustemi mbërriti në Itali në moshën 9-vjeçare me nënën dhe 2 motrat e tij. Muajt ​​e parë i kaloi në Milano duke fjetur në stacionin qendror të trenit, më pas falë ndërhyrjes së shërbimeve sociale, ai shkoi të jetojë në një komunitet të miturish në Brescia derisa arriti moshën madhore.

Më pas ai, u josh nga brumi dhe filloi të punonte si kuzhinier picash në moshën 17-vjeçare, derisa hapi restorantin e tij në Brescia pasi kishte punuar në qytete të ndryshme të Italisë.

Tani në moshën 33-vjeçare ai ka treguar për median prestigjioze italiane “Tgcom 24” historinë e tij të dashurisë me kuzhinën dhe me picat në veçanti. Në intervistë, Endrit Rustemi ka treguar me detaje se si nisi dëshira e tij për kuzhinën.

Pyetje: A e ndryshoi vërtet pica jetën tuaj?

Endrit Rustemi: Po, më shpëtoi siç u ndodh shpesh shumë njerëzve që i afrohen botës së kateringut.

Pyetje: Por si u bëtë picajol?

Endrit Rustemi: Mendoj se ka qenë fati sepse që në fëmijëri, në Shqipëri me gjyshen, më pëlqente të përgatisja ato ushqimet që mund të përballonim atëherë në një situatë shumë të vështirë. Dhe menjëherë rashë në dashuri me ato brumëra, ato aroma. Më pas mundësia e punës sime të parë, pas 8 vitesh në një komunitet për të mitur në një piceri, ishte një përvojë profesionale që la gjurmë tek unë përgjithmonë.

Pyetje: E mbani mend “takimin” e parë me picën?

Endrit Rustemi: Po, këtu në Itali. Njohja me atë pjatë aromat dhe shijet që ndjeja me gjyshen. Ishte një zhytje në të kaluarën, në kuzhinën e fëmijërisë sime, kështu që menjëherë rashë në dashuri me të. Dhe jam ende super i dashuruar me të.

Pyetje: Por cili është sekreti i një pice të mirë? Po në veçanti për picën tuaj, a mund të na thoni?

Endrit Rustemi: Vetë brumi i picës është shumë i thjeshtë. Sigurisht që në nivel profesional ka studime për brumërat, produktet, miellrat, por për mendimin tim duhet të punohet gjithmonë për thjeshtësinë sepse thjeshtësia është gjithmonë gjëja më e vështirë për t’u arritur.

Pyetje: Cila është pica juaj e preferuar? Cila është më e kërkuara në menunë tuaj?

Endrit Rustemi: E preferuara ime është marinara. Një picë e thjeshtë në vetvete, siç është stili im. Po ashtu edhe margarita. Më e kërkuara nga klientët e mi? Margarita është gjithmonë mbretëresha.

Pyetje: Po të mos kishte qenë shef picash, kush do të ishte Endriti sot?

Endrit Rustemi: Gjithmonë e pyes veten edhe këtë. Nuk kam bërë asnjë punë tjetër në jetën time. Mund të vazhdoj dhe të provoj përsëri në botën e kateringut dhe pastiçerisë. Më pëlqen të eksperimentoj, por gjithmonë dua t’i kem duart me brum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat