Departamenti i Vrasjeve të Atikës ka arrestuar dy persona nga Shqipëria për vrasjen gjakftohtë të një shtetasi grek, 47-vjeçar, me origjinë shqiptare, dhjetorin e kaluar në Thrakomakedones.
Sipas mediave të huaja, ata i organizuan atij një pritë, gjatë së cilës plagosën rëndë edhe një burrë tjetër.
Sipas informacioneve të para, të arrestuarit janë të moshës 42 dhe 43 vjeç dhe kishin qëlluar nga brenda një makine, të cilën e kishin vjedhur para krimit.
Informacionet nga burime policore bëjnë të ditur se Heraklis Davelas, i cili humbi jetën, ishte grek, me origjinë shqiptare, pronar lokali në Peristeri. Policia që në momentin e parë vlerësoi se bëhej fjalë për larje hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të krimit, të cilët janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafies greke.
Gjithashtu, në vitin 2009 kundër viktimës ishin ngritur akuza për organizim kriminal, zhvatje dhe veprimtari të tjera, ndërsa pas kësaj ai duket se nuk ka pasur më probleme me autoritetet.
Mirëpo, person i rëndësishëm në fushën kriminale ka qenë edhe njeriu që ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe në bark. I plagosuri kishte shkuar së fundi në Greqi nga Dubai, dhe hetuesit besojnë se mund të ketë qenë edhe ai objektiv i sulmit.
Me fjalë të tjera, ata vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga.