Të anashkalojmë gjithçka dhe të bëhemi miq – jemi vëllezër nga kombi e gjaku, kështu mund të kemi një komb të bashkuar dhe të jemi faktor

Diaspora

Të anashkalojmë gjithçka dhe të bëhemi miq – jemi vëllezër nga kombi e gjaku, kështu mund të kemi një komb të bashkuar dhe të jemi faktor

Nga: PhD. Dashnim HEBIBI Më: 30 janar 2025 Në ora: 10:31
Meti Krasniqi

“Rrjeti i Miqësisë është një hapësirë e dedikuar ekskluzivisht për shqiptarët, me fokus në ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve mes tyre. Ky rrjet nuk është vetëm një emër apo një strukturë organizative, por një hapësirë ku individët mund të krijojnë kontakte, të ndajnë vlera të përbashkëta dhe të ruajnë trashëgiminë e tyre kulturore”, na tha ndër të tjera për helveticALforum z.Krasniqi.

Ne e shohim këtë rrjet si një mundësi për të forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të ndihmuar në krijimin e një komuniteti më të lidhur. Miqësia këtu nuk është thjesht një koncept, por një mjet për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis brezave dhe për të mbështetur zhvillimin e një identiteti të fortë shqiptar.

I nderuar z. Krasniqi, ju falenderojmë për kohën që po ndani për këtë intervistë. Jeni kryetar i Rrjetit të Miqësisë. Ju lutem na tregoni se kur është formuar ky rrjet?

Ju falenderoj nga zemra, i nderuari z. Dashnim Hebibi, për këtë mundësi të veçantë për të ndarë historinë e Rrjetit të Miqësisë me lexuesit tuaj! Njëkohësisht, ju përgëzoj për platformën e juaj më se të nevojshme në kohën e sotme.

Rrjeti i Miqësisë mori formën e tij fillestare në mënyrën spontane gjatë vitit 2021, duke u krijuar mbi bazën e një shoqërie të sinqertë dhe të hapur.

Fillimisht, ai lindi si një rrjedhë e natyrshme nga disa shokë të Rrjetit Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, ku përtej bashkëpunimit profesional, u ndërtuan edhe lidhje të forta miqësore. Kjo afërsi u reflektua veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit, kur ne, përveç angazhimeve tona të përditshme, ndanim kohë të çmuar së bashku në iftare të përbashkëta dhe vizita të xhamive shqiptare në tërë Zvicrën, për të forcuar më tej marrëdhëniet tona.

Me kalimin e kohës, kjo traditë e përbashkët u zgjerua dhe filluam të organizonim iftare me pjesëmarrjen e një rrethi më të gjerë shoqëror dhe afaristësh shqiptarë. Këto takime u pritën jashtëzakonisht mirë dhe krijuan një ndjenjë bashkimi mes nesh. Ndërkohë, komuniteti filloi të na identifikonte me emra të ndryshëm dhe një nga më të përdorurit ishte "Grupi i Iftarit."

Në vitin 2024, duke parë zhvillimin dhe ndikimin e këtij grupi, e konsideruam të domosdoshme ta formalizonim dhe ta zgjeronim më tej këtë iniciativë. Kështu, morëm vendimin që ta quajmë zyrtarisht "Rrjeti i Miqësisë," një emër që përfaqësonte më së miri atë që tashmë ishim dhe atë për të cilën qëndronim.

Cili ishte qëllimi i formimit të këtij rrjeti?

Qëllimi ynë është të ndërtojmë ura miqësie aty ku ato mungojnë dhe të forcojmë lidhjet aty ku janë të brishta. Ne besojmë se miqësia nuk është vetëm një marrëdhënie personale, por një mekanizëm i rëndësishëm për ndërtimin e një komuniteti më të fortë dhe më të lidhur.

Kombi shqiptar ka një traditë të gjatë të mikpritjes dhe bashkëpunimit dhe është detyrë e jona që këto vlera të mos mbeten vetëm pjesë e historisë, por të zbatohen në praktikë. Kufinjtë dhe distancat nuk duhet të jenë faktorë ndarës, por një arsye më shumë për të ruajtur dhe forcuar solidaritetin mes shqiptarëve.

Miqësia, në këtë kontekst, nuk është vetëm një lidhje mes individëve, por një mënyrë për të krijuar një rrjet të besueshëm dhe funksional që mund të kontribuojë në afrimin e shqiptarëve, si në aspektin personal ashtu edhe në atë profesional. Një komunitet i organizuar dhe i bashkuar ka më shumë mundësi për të përparuar dhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë për shqiptarët fillon me forcimin e lidhjeve mes tyre. Kjo arrihet duke krijuar hapësira për bashkëpunim, duke ndërtuar besim dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin në mënyrë konkrete. Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të sigurojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe një komunitet më të fortë.

Sa anëtarë i ka rrjeti?

Ne nuk kemi thjesht anëtarë – ne kemi miq. Nga dita e parë, nuk kemi synuar thjesht të rrisim numrin, por kemi qenë të përkushtuar që të ndërtojmë një komunitet të vërtetë, të mbushur me pozitivitet, mirëkuptim dhe vlera të pastra miqësore.

E kemi nisur këtë udhëtim me shtatë miq dhe sot jemi nëntë. Nuk është një numër i madh, por është një lidhje e fortë, një rrjet i ndërtuar mbi besim dhe respekt të ndërsjellët. Sepse sot, më shumë se kurrë, nuk është e lehtë të krijosh miq të vërtetë – miq që të qëndrojnë pranë në çdo hap, miq që ndajnë të njëjtat vlera dhe që e kuptojnë thellësinë e kësaj fjale. Pikërisht për këtë arsye, ne nuk e përdorim termin 'anëtar' në kuptimin e zakonshëm, sepse miqësia është diçka shumë më e madhe se një status apo një emërtim. Miqësia është një ndjenjë, një përkushtim, një rrugë që e ecim së bashku.

Cilat janë kushtet që ti bashkohet një bashkadhetar rrjetit?

Për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti të veçantë, nuk mjafton vetëm dëshira, por kërkohet një angazhim i sinqertë dhe një mirëkuptim i thellë për vlerat që ne përfaqësojmë. Çdo bashkatdhetar që dëshiron të bëhet pjesë e rrjetit duhet të jetë i gatshëm:

Të ndajë miqësi me nder – të jetë i hapur për të ndërtuar marrëdhënie të sinqerta, të mbështetura mbi respekt dhe vlera të larta morale.

Të pranojë miqësi me nder – të jetë i gatshëm të mirëpresë çdo miqësi dhe të vlerësojë sinqeritetin e lidhjeve që krijohen.

Të mbajë miqësi me nder – të ruajë dhe të kultivojë miqësinë si një vlerë të shenjtë, duke e mbështetur me veprime, jo vetëm me fjalë.

Keni edhe anëtarë nga kombësi të tjera apo janë vetëm shqiptarë?

Rrjeti i Miqësisë është një hapësirë e dedikuar ekskluzivisht për shqiptarët, me fokus në ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve mes tyre. Ky rrjet nuk është vetëm një emër apo një strukturë organizative, por një hapësirë ku individët mund të krijojnë kontakte, të ndajnë vlera të përbashkëta dhe të ruajnë trashëgiminë e tyre kulturore.

Ne e shohim këtë rrjet si një mundësi për të forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të ndihmuar në krijimin e një komuniteti më të lidhur. Miqësia këtu nuk është thjesht një koncept, por një mjet për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis brezave dhe për të mbështetur zhvillimin e një identiteti të fortë shqiptar.

“Ne i inkurajojmë miqtë tanë, kudo që ndodhen, të hedhin hapat e parë drejt këtij vizioni dhe të ndërtojnë ura miqësie në çdo cep të globit ku jetojnë shqiptarët”

Rrjeti është edhe në ndonjë shtet tjetër të Evropës, apo vetëm në Zvicër?

Aktualisht, Rrjeti i Miqësisë vepron vetëm në Zvicër, por horizontet tona shtrihen shumë më larg. Ne nuk e shohim këtë rrjet si një kufizim gjeografik, por si një frymë, një vizion dhe një model suksesi që mund të lulëzojë kudo ku rrahë zemra shqiptare.

Dëshira jonë është që kjo ndjenjë e fortë e bashkimit dhe miqësisë të mos mbetet vetëm brenda kufinjve të Zvicrës, por të frymëzojë shqiptarët anembanë botës për të krijuar rrjete të ngjashme, ku vlerat tona të përbashkëta të ruhen, të forcohen dhe të përcillen te brezat që vijnë. Ne i inkurajojmë miqtë tanë, kudo që ndodhen, të hedhin hapat e parë drejt këtij vizioni dhe të ndërtojnë ura miqësie në çdo cep të globit ku jetojnë shqiptarët.

Çfarë aktivitetesh keni pasur?

Aktivittet tona kanë qenë shumë spontane dhe jo me ndonjë protokoll specifik.

Kemi organizuar takime apo si që i quajmë ne ndenja, duke menduar se njoftimi dhe komunikimi i lirë në kohë të qetë mund të jetë një forcim miqësie apo një krijim i ri, prandaj aktivitete të këtilla kemi pasur shumë dhe rregullisht.

Çdo vit kemi pasur nga një iftar, nga çdo mik në rrjetin tonë, duke e organizuar në xhamia apo restorane shqiptarësh për të njohur dhe miqësuar shqiptarë të tjerë.

Çdo vit kemi organizuar nga një iftar të përbashkët me shumë personalitete, si për shembull ai i vitit të kaluar që kishim filantropin e madh dhe mikun tonë Lazim Destani, ambasadat, konsullatën, afaristë nga rrjeti i biznesit dhe jashtë saj, kryetarë të xhamive dhe imamë të njohur.

Kemi vizituar Abasadën e Maqedonisë së Veriut në Bern, z. Rexhep Demiri.

Në një takim të përbashkët me shoqata të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, organizuar nga Ambasada e Maqedonisë.

Konsullatën e Republikës së Kosovës, z. Vigan Berisha

Ishim në House of Kosovo në Davos.

Çka planifikoni të realizoni gjatë vitit 2025?

Viti 2025 është një vit që e presim me shumë entuziazëm dhe plane të mëdha. Projektin organizativ që e kemi më të madh është një iftar me kryetarët dhe imamëve në Zvicër dhe disa personalitete të larta, duke e organizuar në bashkëpunim me DAIGS Komuniteti Musliman shqiptar në Zvicër, duke e organizuar me një debat apo një minikofernce. Pastaj, në çdo vit do të organizojmë me struktura të ndryshme organizative.

Përfshihen edhe shumë vizita të shoqatave të ndryshme, ambasada, shkollat shqipe, mediume të ndryshme dhe shumë të tjera, sipas nevojës.

Nga kush keni përkrahje?

Nuk kemi kërkuar ndonjë përkrahje specifke dhe nuk kemi ndërmend diçka të specifikojmë. Përkrahja miqësore vazhdon dhe të kemi derën e hapur kudo që të trokasim.

Ka politikë në rrjet, apo politika nuk ka vend?

Ne jemi një rrjet që nuk përfaqësojmë një parti politike, por nuk do të themi që ndalojmë bisedat politike, sepse që të gjithëve na intereson vendlindja jonë dhe duhet të jemi në rrjedha me ecurinë. Por, ne dëshirojmë nëpërmjet miqësisë debatet në ndenjat tona të trajtohen tema të ndryshme, por me debat miqësor, duke pasur mirëkuptim për çdo mendim. Diskutimet janë këmbim mendimesh që njeriun e futë në mendim, analiza, mëson ngjarje të reja dhe e mbanë në lidhshmëri me vendin.

“Shpresojmë që brezi i ri të mos ketë nevojë për një rrjet miqësie, duke besuar se gjenerata e re rritet me disa sfida të tjera dhe nuk e kanë në thelb xhelozinë apo kokëfortësinë”

Mendoni se rrjeti do të bëhet edhe më i zgjeruar në të ardhmen nga brezi i ri që po rritet nëpër shtete të ndryshme të botës?

Shpresojmë që brezi i ri të mos ketë nevojë për një rrjet miqësie, duke besuar se gjenerata e re rritet me disa sfida të tjera dhe nuk e kanë në thelb xhelozinë apo kokëfortësinë, por janë më të hapur dhe shumë shoqërues, por ne do të përgatitemi që të ua dorëzojmë për tu shërbyer. Ne kemi rininë më të mirë në botë dhe prandaj shumë kombe na kanë zilinë.

Pse mendoni se do të jetojë gjatë ky rrjet?

Rrjeti i Miqësisë është ndërtuar mbi themele të forta, që burojnë nga vlerat e përbashkëta të shqiptarëve: respekti, solidariteti dhe dashuria për njëri-tjetrin. Ajo që e bën këtë rrjet të veçantë është fakti që ai nuk është thjesht një organizatë apo një grup shoqëror, por një familje e madhe, ku çdo anëtar ndjen përgjegjësinë për ta mbajtur gjallë dhe për ta zhvilluar më tej.

Ne besojmë se lidhjet e ndërtuara mbi vlera dhe qëllime të sinqerta janë të qëndrueshme dhe kalojnë çdo sfidë. Rrjeti ynë nuk është një projekt i përkohshëm; ai është një trashëgimi që do të vazhdojë të rritet në hapa të vogël e të sigurtë dhe të lulëzojë, duke frymëzuar brezat e ardhshëm për të ruajtur dhe për të forcuar identitetin dhe solidaritetin shqiptar.

Për më tepër, angazhimi ynë për të përfshirë brezin e ri dhe për të ruajtur lidhjet me trashëgiminë tonë kulturore dhe kombëtare na jep sigurinë se ky rrjet do të jetojë gjatë dhe do të ketë një ndikim të thellë në komunitetin shqiptar, jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë.

Keni menduar që të luani edhe rolin e pajtimtarëve?

Ne do të luajmë çdo rol që mundemi për të mirën e shoqërisë shqiptare. Është koha të anashkalojmë gjithçka dhe të bëhemi miq – jemi vëllezër nga kombi e gjaku. Vetëm kështu mund të kemi një komb të bashkuar dhe të jemi faktor, si komb.

Çka prisni nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova?

Ne nuk presim asgjë – përkundrazi, synimi ynë është të kontribuojmë. Rrjeti i Miqësisë nuk është krijuar për të kërkuar përfitime, por për të ofruar një vlerë të shtuar në komunitetin shqiptar.

Një shtet është ndërtuar për t’u mbajtur dhe zhvilluar nga qytetarët e tij, jo për t’i mbajtur ata. Prandaj, ne besojmë se secili prej nesh, duke dhënë kontributin e tij, sado të vogël, mund të arrijë rezultate të mëdha. Fillimisht, ne kemi përgjegjësi ndaj komunitetit tonë në mërgatë – të jemi të organizuar, të vetëdijshëm dhe të përmbushim detyrimet tona. Ndërkohë, ata që jetojnë në trojet shqiptare kanë detyrat e tyre. Kur të dyja palët të kenë ndërtuar një bazë të fortë, atëherë mund të bashkojmë forcat për të forcuar shtetin dhe për t’i lënë një trashëgimi më të qëndrueshme gjeneratave të ardhshme.

Ne besojmë se shteti ynë po ecë në drejtimin e duhur, megjithëse ky është një proces gradual. Historia ka treguar se zhvillimi kërkon kohë, përpjekje dhe përvojë. Zvicrës i janë dashur dekada për të arritur nivelin e saj të sotëm, duke kaluar nëpër sfida dhe mësime të shumta. Po ashtu, edhe ne duhet të kemi durim dhe të punojmë vazhdimisht për të ndërtuar një të ardhme më të fortë dhe më të qëndrueshme.

Si e shihni gjeneratën e re që po rritet larg vendit të të parëve?

Gjenerata e re është një histori suksesi që bie në sy kudo në botë. Të lindur dhe rritur jashtë vendit të tyre, ata mbajnë me krenari simbolin e shqiponjës në zemër dhe flasin shqip aq sa munden, duke ruajtur një lidhje të fortë me identitetin e tyre. Ansamblet kulturore janë të mbushura me të rinj, shkollat shqipe vazhdojnë të funksionojnë, universitetet kanë studentë shqiptarë në çdo fushë, dhe shumë prej tyre tashmë janë të integruar në administrata shtetërore dhe sektorë të rëndësishëm në vendet ku jetojnë. Për më tepër, ata mbeten të lidhur ngushtë me familjet dhe traditat e tyre, duke treguar një ekuilibër mes integrimit dhe ruajtjes së identitetit.

A duhet të presim që ata të kthehen në vendlindje? Realiteti është se shqiptarët sot janë të shpërndarë në të gjithë botën dhe për nga numri tejkalojnë kufinjtë e trojeve tona. Kjo nuk duhet parë si një dobësi, por si një mundësi. Me një koordinim të mirë, komuniteti shqiptar mund të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik të hapësirës shqiptare.

Gjenerata e re do të mbetet gjithmonë shpresa jonë më e madhe. Me bindje të plotë, ata do të vazhdojnë të na bëjnë krenarë dhe të forcojnë identitetin shqiptar në çdo cep të botës.

Si Rrjet i Miqësisë, ne e shohim si detyrë mbështetjen dhe frymëzimin e tyre për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat tona.

Dëshirojmë që ata të ndjehen krenarë për rrënjët e tyre dhe të kuptojnë se, pavarësisht se ku jetojnë, ata janë pjesë e një komuniteti të madh shqiptar. Roli ynë është t’i ndihmojmë të ndërtojnë ura lidhjeje mes origjinës dhe të ardhmes së tyre, duke u krijuar mundësi për të kontribuar në mënyra të ndryshme për kombin dhe kulturën tonë.

Sigurisht se kemi edhe shumë tema të tjera të bashkëbisedojmë, por shpresojmë se do të kemi mundësi edhe në të ardhmen. Ju urojmë suksese dhe punë të mbarë. Si e keni pasur përkrahjen do ta keni edhe në të ardhmen të platformës mediale helveticALforum.ch

Ju falenderoj përzemërsisht për këtë mundësi dhe për mbështetjen tuaj të vazhdueshme! HelveticALforum.ch është një platformë e rëndësishme për komunitetin shqiptar dhe një zë i fuqishëm që pasqyron arritjet dhe përpjekjet tona. Po bëni një punë profesionale me etikë ku nuk e keni synim fitimin material, por si zakonisht që e ke pasur me dekada në këtë profesion fisnik për të mirën e komunitetit tonë. Respekt.

Jemi mirënjohës për çdo bashkëpunim dhe shpresojmë që së bashku të vazhdojmë të frymëzojmë shqiptarët, kudo që ndodhen, për të ruajtur dhe forcuar lidhjet tona kombëtare dhe kulturore. Rrjeti i Miqësisë do të jetë gjithmonë i hapur për bashkëpunime dhe për t’i shërbyer komunitetit tonë me përkushtim dhe krenari. ( Foto nga disa takime nëpër Zvicër si me Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesinë e TIj, z.Rexhep Demiri, z. Vigan Berisha Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih dhe me disa miq afaristë e veprimtarë të z.Krasniqi) (helveticALforum)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat