Na kujtohen fjalët e mërgimtarëve, që sot janë seniorë në moshë të thyer, kur kanë ardhur nëpër vende të ndryshme të Evropës e kudo nëpër botë nga situatat e rënda që ka përjetuar kombi ynë nga shtypja e regjimit të egër serbo-sllav në tokat shqiptare. Rruga e vetme për të mbijetuar ishte dera drejt mërgimit. Duke lënë prindërit e disa të tjerë edhe fëmijët e tyre. Me maltretime të ndryshme me tren drejt mërgimit, drejt asaj rruge të pakthim. Falë kontributit të tyre, sot kemi shumë të mira në atdhe edhe ate në të gjitha tokat shqiptare, edhe pse kanë vuajtur shumë. Loti i mërgimtarit është përfshirë në krijimtari të shumta të krijuesve. Shumë prej mërgimtarëve nuk e kanë parë pleqërinë e tyre e të prindërve. Lotët e tyre kurrë nuk janë hequr nga sytë. Mall e kujtime.
Nga 3 e më shumë persona në një dhomë. Nga 8-9 muaj në vit duke punuar me punë fizike e të rënda e disa më të lehta me problemet e shumta të kohës, të mos njohjes së gjuhës, etj. Ishin mërgimtarët që lobuan për Kosovën në ditët e rënda. Ishin mërgimtarët që ndanin nga goja bukën për tu çliruar nga regjimi i egër. Pak kush nga mërgimtarët e ka menduar se do të plaken në vend të huaj. Të mos flasim se do ti kenë fëmijët e tani edhe nipat e stërmbesat. Mërgimi sot nuk është mërgim, por është jetë, kështu na thonë shumë seniorë, ose ata të gjeneratës së parë, ngase tani e kemi gjeneratën e katërtë të mërgatës.
Na duhen shumë për të thënë për mundin e madh e kontributin e gjeneratës së artë të mërgimtarëve që kanë shkrirë jetën. Ishin e do të mbeten ambasadorët më të mirë të tokës shqiptare, që janë djegur e përvëluar me mall për atdhe. Shumë prej tyre nuk kanë shkuar me vite të tëra, duke mos mundur as një grusht dhé të hidhin mbi varr të prindërve e të dashurve të tjerë të familjes. E dhimbshme. Sa e sa dyer të diplomacisë janë hapur falë mërgimtarëve, falë punës së ndershme të tyre dhe imazhit të mirë që e kanë krijuar ata para vendit pritës. Por, mërgata, pavarësisht vuajtjeve, ata i janë mirënjohës deri në qiell shteteve pritëse, si SHBA-së, Gjermanisë, Zvicrës, Belgjikës, Italisë, Austrisë, Francës, Holandës e kështu me radhë. Gjatë muajit prill, verës e dimrit, nëpër rrugët e Evropës të duket se vetëm për shqiptarë janë ndërtuar, po besa edhe nga duar të mërgatës sonë. Sa e sa tunele janë hapur nga duart e sinqerta të mërgimtarëve që sot përmes rrudhave të tyre e sheh mallin e vuajtjen. Po, po e dhimbshme e krenari shihet në sytë e tyre kur po shohin që bijtë e tyre e nipat me mbesa kanë arritur majat e suksesit. Kush nga ata e kanë menduar që do të kemi ambasadorë, konsulj, etj., shqiptarë nëpër Evropë, e besa pak kush e ka menduar se do të vije koha që do të kemi edhe kryeministra shqiptarë në Maqedoni e Mal të Zi, ministra e ambasadorë. Ka ardhur koha e shqiptarëve, ashtu siç kanë besuar të parët tanë.
E tash, ne duhet të ecim së bashku drejt sukseseve për të ruajtur brezin e ri që të mos shkëputet nga vendi i të parëve. Ka shpresa se nuk do të shkëputen. Përveç se janë të lidhur me atdheun, me gjuhën, traditën, historinë, kulturën, ata janë të lidhur edhe me besimin e tyre fetar, qoftë mysliman apo krishter. Sa e sa mërgimtarë kanë pritur para ambasadave për një vizë e të përbuzur. Por, tani më jo. Tani ka ardhur koha jonë me shumë sakrificë, duke sakrifikuar skajshmërisht, duke i dhënë flamurit tonë kombëtar gjak e jetë që ai të valojë i lirë, që ne sot të shkojmë nga vendet e ndryshme të Evropës e botës me vetura milionëshe e duke e ndërtuar Kosovën tonë ashtu siç duam. Janë fjalë zemre që i dëgjon seniorët, ata që dhanë shumë për Kosovën e tokat tjera shqiptare dhe gëzon shumë dhe thonë, „edhe nëse vdesim sot, nuk na dhimbset jeta, sepse kemi Kosovën tonë të pavarur e kemi arritur suksese edhe në shtetet fqinje shumë, që edhe ato janë historikisht shqiptare“.
Kjo temë ka fjalë shumë, por po ndalemi kësaj here në një reportazh përmes disa fjalëve në platformën mediale helveticALforum, ku është e pamundur të përfshihen në fjalë gjithë ato që i përjetuam dje. Ka ardhur koha që Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër të jetë një shqiptar edhe atë shqiptar i madh me vepra, një Shef të Misionit Konsullator të Kosovës në Cyrih me modesti të veçantë, një afarist që di të bashkojë afaristë të tjerë shqiptarë, një personalitet që nuk di të pushojë dhe kur është në pyetje uniteti, ai le të gjitha punët që i ka pasur ndërmend ti realizojë për atë ditë.
Përbesë, është pak e pashme, reale, që të shohësh dy diplomatë që janë gjithnjë afër mërgatës dhe miqve të shtetit pritës e në këtë rast Zvicrës. Orari i tyre i punës nuk ndalet sipas programit, por ata vazhdojnë dhe habiten se si shkoi dita aq shpesh e në fakt e dëshirojnë të jetë dita më e gjatë. E në sytë e tyre shihet lodhje, por shpirti i tyre është i mbushur, sepse bardhësia e tyre shihet nga veprat. Është fjala për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut, z. Rexhep Demiri dhe Shefin e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, që i sheh së bashku nëpër shumë takime të mërgatës sonë edhe ate së bashku.
Duke e nderuar njëri tjetrin, duke bashkëpunuar në të mirë të komunitetit tonë. Të gjithë mërgimtarët tanë që jetojnë në Zvicër i njohin që të dy diplomatët e lartëpërmendur. I njohin nga afërsia e tyre që i japin mërgimtarëve, nga modestia, nga puna e sinqertë e profesionale që po e bëjnë. Kemi shkruar edhe më herët e nuk po ndalemi tani për punën e tyre të madhe që po e bëjnë, por po ndalemi përmes pak rreshtave të këtij reportazhi edhe për disa takime që i realizuan përmes pak orëve në pjesën e Zvicrës franceze, konkretisht në Lozanë.
Dy diplomatët tanë, njëri nga Vitia e Kosovës e tjetri nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, bashkojnë shqiptarët, ata në takime të shumta që po bëjnë e që kanë realizuar, ata me vete kanë edhe tashmë miq të tyre mërgimtarë të suksesshëm. Padyshim se edhe këta janë prindër e ju mugon dashnia ndaj fëmijëve të tyre, sepse dalin herët nga banesa dhe vonë kthehen, pra i lëjnë në gjumë fëmijët e tyre dhe në gjumë i gjejnë, por kur e dijnë detyrën që e kanë, ata me shumë përgjegjësi po e kryejnë, saqë mërgata shqiptare i ndjenë se janë të sofrës së tyre. Çdo ngjarje e mirë që organizohet duan ti kenë në ate takim. Mërgimtarët siç shkruajtëm më lart, ishin të etur që një ditë të kemi diplomatët tanë që do t`na përfaqësojnë.
Dje, me datë 31 janar 2025, ditë e premte, Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z.Rexhep Demiri, së bashku me Shefin e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha, të shoqëruar nga z. Florim Useini, afarist dhe njëherit kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, Ph.D. Dashnim Hebibi, President i Institutit Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih të Zvicër, njëherit kryetar i Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“ në Zvicër, vizituan në mesditë Qendrën Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion. Z. Fehim Abazi, imam dhe njëherit Nënryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, i shoqëruar me kryesinë dhe veprimtarë të devotshëm me dekada për çështjen kombëtare e fetare. Takimi ishte i përzemërt dhe së bashku bashkëbiseduan për ruajtjen e kulturës dhe traditës sonë kombëtare e fetare dhe kontributin për paqe e bëmirësi në përgjithësi. Qendër e njohur në gjithë Zvicrën dhe jo vetëm me punën e madhe që e ka bërë dhe që po e bën e që vizitohet nga personalitete të ndryshme zvicerane.
Qendër që ka edhe disa libra përmbledhës të aktivietete të tyre që i kanë pasur. Qendër që rreth vetes ka 600 kryefamiljarë dhe 155 nxënës që mësojnë. Z. Abazi gëzon autoritet të madh në Zvicër, sepse përveç që kryen detyrën e caktuar në xhami e qendër, ai mban kontakte të shkëlqyera edhe me autoritetet zvicerane dhe i është mirënjohës për jetë për mundësinë që ka krijuar shteti dhe kantoni ku veprojnë. Z. Abazi ka një eksperiencë të madhe në fushën e tij profesionale, duke shërbyer njëherë në Kosovë dhe tashmë në Zvicër. Me të ardhur në Zvicër ka gjetur mbështetje nga komuniteti ynë, falë sinqeritetit të tij. Ka marrë pjesë nëpër shumë konferenca shkencore e seminare, organizator i shumë tribunave, thënë shkurt e shqip, veprimtar e atdhetar me plot kuptimin e fjalës.
Për këtë personalitet, sigurisht se do të kemi një intervistë speciale. Përveç disa mërgimtarëve që ishin në tryezën e kësaj qendre, pas faljes së namazit të xhumasë dhe pas dëgjimit të ligjëratës së z. Abazi që ishte ligjërat profesionale që kishte të bëjë me përditshmërinë tonë, që të jemi të mirë, jo vetëm për familjen, por edhe për rrethin, atij iu ndanë edhe dy mirënjohje në cilësinë e Nënkryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar të Zvicrës. Njëra nga ambasadori dhe tjetra nga shefi i misionit konsullor, që i mirëpriti me shumë emocione e duke u mirëmbajtur nga lotët, meqë ishim në faltore e në praninë e më shumë se një mijë bashkatdhetarëve. Fjala përshëndetëse e ambasadorit dhe shefit të konsullatës u mirëpritën nga të pranishmit dhe secili donte të bashkëbisedonte dhe të ketë një foto kujtimi, sepse nuk ishin mësuar që të kenë diplomatë edhe pse dihet kontributi i tyre ishte dhe është i madh për të mirën e kombit.
Edhe imami i xhamisë e njëherit nënkryetari i qendrës e përsëriti se nuk ka më mirë se mos t`i ikim asaj që jemi apo të fshihemi, sepse edhe të tjerët do t`na respektojnë ashtu siç jemi, kështu që sot për ne, në këtë muaj të madh Shaban që po hyjmë në muajin Ramazan edhe pak ditë, na kanë motivuar mysafirët dhe u jemi mirënjohës. Më pastaj u bashkëbisedua në zyrën e z. Abazi edhe me zonjën Luljeta Hajzeraj nga ‘Heks’ për tema të ndryshme dhe mundësi basehkëpunimi, meqë zonja në fjalë kishte pasur edhe disa bashkëpunime më herët me këtë qendër islame në Lozanë të Zvicrës. Bashkëbisedimi ishte shumë miqësor.
Siç e dimë se janë të shumtë mërgimtarët tanë që kanë ngritur biznese dhe kanë dëshmuar aftësitë madhore duke e përtërirë imazhin e biznesit që kanë ndërtuar dhe duke e ngritur në nivel të barabartë me kompani e biznese vendëse, delegacioni në fjalë i shoqëruar nga z. Abazi, vizitoi tri firma shqiptare në këtë pjesë edhe pse dëshira ishte të vizitohen edhe të tjera, por koha ishte shumë e kufizuar. Mërgimtarë të suksesshëm janë të shumtë tani, të gjithë ata janë të denjë, të respektuar, të cilët po shijojnë suksesin dhe po motivojnë shumë të rinj duke i shërbyer progresit.
Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri dhe Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i shoqëruar me z. Florim Useini, afarist dhe njëherit kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore në Zvicër dhe Ph.d. Dashnim Hebibi, mbetën pa koment nga tri takimet që i patën. Në çdo takim ishin momente të papërshkrueshme, sepse ishin këta diplomatë të parët që i kanë vizituar.
Takimi i parë u bë te firma ‘Vuichard Sa’, firmë nga viti 1964 e tash drejtohet nga dy bashkëkombës, njëri nga Deçani e tjetri nga Peja. Dy miq të mirë, dy miq të fjalës dhe padyshim suksesi tregon vet.
Kjo firmë ishte zvicerane, por është blerë nga këta dy bashkëkombës. Është interesant fakti se firma ‘Vuichard Ventlilation SA’ është emër, emër i djalit të pronarit të firmës që e ka drejtuar firmën dhe për respekt e ruajtën emrin edhe dy bashkatdhetarët tanë.
Milaim Berisha nga Deçani dhe Atdhe Jasiqi nga Peja, firmën në fjalë e kanë blerë në vitin 2019. Bashkëpunojnë me 8 firma të njohura zvicerane në fushën e tyre të ventilimit, nxemjes-santiare dhe klimës. Vlen të përmendet se vitin që e lamë pas kishte 10 milionë hyrje dhe pritet që brenda këtij viti të shkojë në 20 milionë franka. Është vërtetë madhështore dhe pa koment. Edhe ambasadori dhe shefi i misionit konsullor me miqtë tyre z. Useini dhe z. Hebibi i përgëzuan për sukseset e tyr . Pas një kafeje dhe një gote uji, ashu siç e do zakoni, u drejtuan drejt firmës tjetër, gjithashtu të një bashkatdhetari e në këtë rast nga Shkupi, por me prejardhje nga Kaçaniku, te Familja Alimi.
Dy vëllezërit e kishin ngritur këtë firmë FFA SA (Fadil, Fatmir Alimi) e që tash po drejtohet nga të rinjtë e tyre, djemtë, Jetmiri dhe Artani, të shkolluar në Zvicër, padyshim me përkrahje të z. Fadil dhe Fatmir.
Vëllezër shumë të lidhur mes vete. Firmën e kanë hapur në vitin 2005. I kanë hiç më pak se 180 punëtorë. Artani është edhe inxhinier. Jetmir Alimi është administrator i FFA SA.
Vëllezërit Fadili dhe Fatmiri duan që të rinjtë të mos ndalen. Kujtojnë fjalët e babait të tyre që tashmë është i ndjerë, që të punojnë me pastërti, hakun punëtorëve të mos ua hajnë, vëllazërinë ta ruajnë, një kuletë të jetë e jo më shumë dhe të ruajnë gjuhën e traditat tona. Edhe Jetmiri na tha se paraja duhet të jetë në duar e konto, por jo në zemër. Duhet të krenohemi e respektojmë punën, jo të krenohemi se kemi arritur suksese. Kemi edhe shumë për të shkruar për këto dy takime, por do ia lëmë kohës, që do të bëjmë ekskluziv nga një reportazh firmave në fjalë, por edhe firmës që do të shkruaj pas pak rreshtave.
Pas dy takimeve të frytshme e që u kënaqëm me atë që pamë, iu drejtuam rrugës për 5 km larg nga kjo firmë e fafmiljes Alimi, për te Familja Ameti nga Kumanova. Firma ‘Varrin SA’ që dikur ishte zvicerane, poashtu është blerë komplet nga Familja Ameti.
Me të hyrë në oborrin e Firmës ‘Varrin SA @ TADZO’, na priti Shqipërimi, djali i z. Taxhedin dhe menjëherë ishte edhe z. Taxhedin. Z.Taxhedin Ameti themelues i grupit TADZO. Me mikpritjre si në Kumanovë. Z. Ameti, me dy djemtë e tij, Shqipërimin dhe Shkodranin, i kanë 180 punëtorë. Firmën e kanë hapur në vitin 2012. Është firma më e madhe e këtij biznesi në kanton. Merren me fasadë, ngjyrë, e kështu me radhë. Me të hyrë në konakun e kësaj familjeje, ashtu si te dy konaqet tjera, kafja e uji e mirëseardhja. Respekt e nder i madh për dy diplomatët dhe miqtë e tyre shoqërues. Bashkëbisedimi ishte shumë vëllazëror dhe me shumë emocione. Në këto takime ishte edhe z.Hatim Mazreku, menaxher i M-Montage Sàrl. Se këto firma shqiptare janë të lidhur edhe me atdheun, treguan edhe të rinjtë e tyre, që e dinë mirë gjuhë shqipe dhe kanë njohuri të përgjithshme, pa e harruar kulturën e traditat tona kombëtare. Ashtu siç e do rendi, nuk u lëshuan mysafirët, meqë ishte edhe koha e darkës, pa bukë e zemër. Shqipërimi na tha, ndër të tjera: “Aq jam i lidhur me vendin e të parëve, sa që gjyshi im, po të më thërriste tani, në këmbë do të nisesha për në Kumanovë”. Vlen të përmendet, sepse në konakun e z. Ameti ishin edhe dy drejtuesit e firmave të lartpërmendura dhe u bashkëbisedua për tema të ndryshme, për investime të mundshme dhe për investimet që i kanë në atdhe dhe për të ardhmen e kombit tonë.
Krejt në fund, me foto kujtimi e duke shpresuar se do të takohemi përsëri, afaristët tanë bën edhe foto kujtimi dhe nuk do ta harrojnë kurrë që për herë të pare, personalitete të shteteve tona i vizitojnë, edhe pse ata kanë shumë takime edhe me personalitete të ndryshme të larta zvicerane. Si z. Abazi që ishte shoqërues dhe inicues i takimeve dhe mysafirët u ndanë të kënaqur me ato që panë dhe dëgjuan e mbi të gjitha që janë bashkë shqiptarët nëpër takime të ndryshme dhe bashkëpunojnë në mes vete. Përshtypjet e Ambasadorit Rexhepi dhe Shefit të Misionit Diplomatik në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, z. Berisha ishin të papërshkrueshme, si dhe të dy miqve të tyre, z. Useini dhe z. Hebibi.
Të krenohemi me arritjet e mërgatës shqiptare dhe të punojmë të gjithë së bashku, që ti jipet hapësirë më e madhe investimeve nga mërgata me lehtësime të shtuara, sepse suksesi i tyre po shihet në Zvicër në një shtet të punës e korrektësisë. Z. Abazi, pasi i përqafoi mysafirët vëllazërisht, i bekoi për shëndet të mirë, suksese dhe për të qenë sa më shumë unikë mes vete dhe të mbajmë miqësinë e madhe me Zvicrën dhe popullin e saj.
Krejt në fund të këtij reportazhi, për dikë i gjatë e për dikë i shkurtë dhe i mirë, le të shëbejë për frymëzim për ata që janë në mëdyshje, a të fillojnë apo jo një biznes. Pra filloni se me punë e përkushtim arrihen sukseset.