Me datë 1 shkurt 2025, para pak ditësh, bashkëkombasi ynë, lojtari i vitit 2024 në Shqipëri, Berat Gjimshiti nga Tërnoci i Luginës së Preshevës, i cili ka shënuar golin e parë sezonal në Serinë A kundër Torinos dhe çka është më e veçanta, mbrojtësi i kombëtares i dha përparësinë Atalantës ndaj Torinos në minutën e 35-të, duke i dhënë gol portierit serb Milinkovic-Savic, portier që na kujtohet të gjithëve në lojën Zvicër-Serbi në incidentin me futbollistin e kombëtares zvicerane Granit Xhaka.
Berati ia plotëson dëshirën një bashkëkombasi të tij që jeton në Zvicër, i cili ka prejardhje nga Presheva, 11 vjeçarit Adi Hebibi, i cili është në shkollën e futbollit në Kloten të Cyrihut, që t`ia dhurojë ate fanellë, me të cilën ka shënuar po atë gol historik. Fanelën ia solli babai i Beratit, një bëmirës e atdhetar, i njohur jo vetëm në Zvicër, z. Ridvan Gjimshiti.
Fanellën e nënshkruar nga Berati, për të cilën Adi nuk kishte fjetur gjithë natën nga gëzimi, sepse ia përcjell të gjitha lojët që i zhvillon Berati dhe krenohet me te se është emblema e sportit e Luginës së Preshevës. Kur e pyetëm Adin se ku do ta ruash këtë fanelë, ai tha se do t'ia tregojë shokëve të tij dhe pastaj do ta ruajë si sytë e ballit dhe e falënderon shumë Beratin, pastaj babain e tij, xhaxhin Ridvan që ia ka sjell fanelën. Edhe kur luan Shqipëria, Adi atë ditë ka shumë emocione, sepse dëshiron të fitojë padyshim Shqipëria, por edhe Berati të shënojë gol, sepse siç thotë edhe Adi 'ne krejt e dimë se Berati është zemra e kombëtares'.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/06/auto_1-11738852580.jpg)
Takimi ishte shumë miqësor, ku prindi i Adit e falënderoi pafundësisht z. Ridvan që ia kanë plotësuar këtë dëshirë djalit të tij Adit, ku gjithmonë e përmend Beratin dhe është lojtari numër një për të. 'Ky rast është për t'u përmendur', na tha për helveticALforum, z. Dashnim Hebibi, duke e ditur se mundet po kjo fanelë të ndikojë për frymëzim, jo vetëm në sport për të pasur suksese, por edhe për profesione të tjera, ngase e fiton besimin se me punë e shumë përkushtim arrihet. Mërgimtarët kanë me çka të krenohen edhe sot e kësaj dite, ngase dita ditës sukseset po shihen nëpër shumë drejtime të mira të jetës.
Berati e zgjodhi kombëtaren kuq e zi dhe është njëri ndër lojtarët kryesorë të kombëtares, ku edhe për z. Ridvan është një dëshirë e madhe e plotësuar jetësore, që djali i tij po i mbronë ngjyrat kuq e zi dhe që Tërnocin e Luginën e Preshevës po e ngritë lart e më lart.
Shpresojmë shumë se do të shohim edhe suksese të tjera të Beratit, sepse ai, përveç se e ka treguar veten në futboll me suksese, ai e ka treguar edhe me karakter dhe është shumë i dashur, jo vetem me prindërit e tij e familjen e ngushtë, por edhe me bashkëkombas të tjerë, pa harruar asnjëherë Tërnocin e krejt Luginën e Preshevës. E rinia e Luginës së Preshevës ku po shihet edhe sot nga Adi e kanë e do ta kenë shembull frymëzimi gjenerat pas gjenerate.