Shtatëmbëdhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës në komunitetin shqiptar të Landskrones në Suedi

Diaspora

Shtatëmbëdhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës në komunitetin shqiptar të Landskrones në Suedi

Nga: Qerim Kryeziu Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 20:07
Pamje nga festa

Mbrëmë, më 16 shkurt 2025, në qytetin e Landskrones, u vlerësua me shumë respekt shtet bërja e mundimshme e Kosovës dhe u festua me shumë hare pavarësia e saj. Këto tipare dalluese të manifestimit u shfaqen në fjalimet që u ligjëruan, në poezitë që u recituan dhe në këngët që u kënduan. Programin artistik e realizoi Qendra Kulturore Shqiptaro- Suedeze “Okarina” në bashkëveprim me mësimdhënësit e shkollave shqipe nga Landskrona, Helsingborg-u e Åstorp-i, klubin e futbollit të qytetit të Landskrones “Besa”, Qendrën Rinore “Albakos” dhe shoqatën “Dituria”.

Rrjedhave të programit festiv

Shteti i Kosovës, paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit – thanë moderatorët dhe vazhduan: Shtetësia e Kosovës përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindësve, që etnia shqiptare, në përmasat e katër vilajeteve sa ishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet Europës së sotme me dy shteteve shqiptare në Ballkan.

Pozicioni i sotëm juridik ndërkombëtar i Kosovës, nuk ishte rrugëtim i lehtë historik, përkundrazi, ishte refuzim i përhershëm politik e luftë e pandërprerë ndaj pushtuesit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999.

Image
Pamje nga festa

Prandaj, sot kemi njëmijë arsye për të festuar, ngase e thoshte me bindje

Ismail Kadare, Kosova vuajti shumë por, çlirimi i saj, erdhi fatmirësish si

mrekulli, si një mrekulli që popujve me fat historik u ndodh vetëm njëherë

në njëmijë vjet.

Drejtori i “Okarinës” Bashkim Jashari përshëndeti publikun, vlerësoi bashkëpunimin me “Albakos-in”, “Besën” e shoqatën “Dituria” dhe shpalosi planet e mëtejme të bashkëveprimit kulturor me këto shoqata. Pavarësinë e Kosovës ua uruan mërgimtarëve të shumtë në sallë deputeti i parlamentit suedez Arbër Gashi dhe nënkryetari i qytetit të Landskrones Fatmir Azemi. Referatin shkencor mbi rrugëtimin e vështirë të Kosovës drejt lirisë e pavarësisë e lexoi magjistri i historisë Muhamet Muriqi. Ditën e pavarësisë ua uruan të pranishmeve dhe gjithë shqiptarëve edhe “Albakosi”, “Besa” e shoqata “Dituria”.

Poezitë dhe këngët e nxënësve

Nxënësit shqiptarë që përveç mësimit të rregullt suedez ndjekin edhe mësimin e gjuhës shqipe në shkollat suedeze, recituan disa poezi dhe kënduan disa këngë. Këngën “Abetare” e këndoi grupi i nxënësve të klasës së dytë të qytetit të Landskrones me mësuese Shukrie Jashari; Rinesa recitoi vjershën “Kosovë, më i bukuri vend” dhe këndoi këngën “Pranë burimit”; Nxënësit Armin Hajrizi, Leotrim Imeri e Trim Ferizi të Landskrones recituan vjershën “Kosova”; Nxënësja Emeli Selimaj nga shkolla e Helsingborgut (me mësuese Emine Thaç)i recitoi vjershën që e kishte shkruar vetë me titull “Kosova ime”; Motrat Elea dhe Arnela Elshani nga shkolla e Ängelholmit (me mësues Xhevat Isufi) recituan vjershat “Djemtë e humbur” dhe “Pritni more pritni”; Lejla dhe Vanesa , nxënëse të klasës së tretë të Landskrones recituan vjershat “Shqiponja” dhe “Ç`ke harruar moj Valbonë?”; Tri nxënëse të komunës së Åstorp-it (me mësues Qerim Kryeziu) recituan këto vjersha: Floresa Hasani “Luftëtarët e lirsë”, Sara Iballaj “17 Shkurti” kurse Diana Gërguri luajti vallen e “Rugovës”.

Të gjithë fëmijët e veshur bukur, me flamuj kombëtar e shtetëror të Kosovës në duar, defiluan si zogj shqiponjash në skenën e Folketshus të Landskrones duke lënë në kujtesën e publikut hijeshinë e fytyrave engjëllore të fëmijëve dhe ëmbëlsinë e ligjërimeve të bukura shqipe.

Këngët

Buqetën tematike të këngëve për pavarësinë i interpretuan rapsodët Arbënor Berisha, Driton Krasniqi, Raif Hasani dhe Naim Voca. Kënduan këto këngët: “Vëllezërit Gërvalla”, “Dardani e vjetër” dhe “Ti na erdhe pavarësi”. Në fund të programit u paraqit edhe rapsodi i mirënjohur Enver Ismaili. Ismaili, i shoqëruar nga Islam Ibrahimi, këndoi këngën lapidare “Ti Kosovë je vetë flamur”. Enver Ismaili erdhi (si gjithherë) nga Danimarka për të kënduar kësaj radhe në festën e pavarësisë. Bashkë me rapsodin Ismaili erdhën edhe veprimtarët tjerë shqiptarë nga Danimarka, zotërinjtë Ibrahim Xhemaili dhe Bedri Bytyqi. Bytyqi madje bëri edhe transmetimin e gjithë programit në faqen e Facebookut të Televizionit “Zëri i Kosovës” nga Kopenhaga. Në pjesën e tretë të programit këndoi Sadik Krasniqi në përcjellje instrumentale të Mërgim Gashit.

Pjesa teatrale humoristike

Amatorët e qytetit të Landskronas interpretuan një pjesë të shkurtër humoristike që kishte për tematikë jetën e mërgimtarëve në Suedi. Pjesa teatrale u realizua nga Islam Ibrahimi dhe u interpretua nga Bashkim Mustafa, Astrit Krasniqi dhe vetë regjisori Islam Ibrahimi. Pjesa teatrale u pëlqye shumë nga publiku.

Një Post Scriptum si refleksion

Në manifestimin e djeshëm në nderim të përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të pavarësisë së Kosovës morën pjesë mjaft fëmijë/nxënës shqiptarë që jetojnë në Suedi. Pjesëmarrja e tyre ishte simbolika më e bukur që shfaqej aty. Por, do të duhej të vinin edhe më shumë nëpër festa, të shoqëruar nga prindërit e tyre. Ngase prindërit do t`u jepnin një mesazh dhe do të bënin veprimin më kuptimplotë në dobi të vetëdijesimit rreth të qenurit shqiptarë të rinj, shqiptarë e krenarë kudo në botë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat