Për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 19 shkurt 2025, Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit organizoi një pritje zyrtare në Tel Aviv, ku morën pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Izrael, institucioneve shtetërore izraelite, politikanë izraelitë, miq të tjerë izraelitë, si dhe bashkëkombas të profileve të ndryshme.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Shefja e Misionit të Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit, znj. Ines Demiri theksoi rëndësinë e kësaj dite për qytetarët e Kosovës, ditë kjo e cila përkon gjithashtu me katërvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Ajo tha se kjo ditë është një moment krenarie dhe reflektimi për përpjekjet, vendosmërinë, sakrificat dhe ëndrrat e atyre që kontribuan në rrugëtimin e gjatë drejt lirisë dhe sovranitetit.
Znj. Demiri theksoi rëndësinë e nderimit e të gjithë atyre që kontribuan në realizimin e kësaj ëndrre, si brenda Kosovës ashtu edhe ndërkombëtarisht. Ajo e përgëzoi Kosovën për përparimin e vazhdueshëm dhe të gjithmbarshëm që po e shënon, si dhe nënvizoi kontributin e Kosovës për paqen dhe sigurinë në botë.
Po ashtu, znj. Demiri theksoi se Kosova në mënyrë të qëndrueshme i ka përshtatur politikat e saj me ato me shtetet perëndimoredhe se mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve të saj për anëtarësim në NATO, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre në pritje Ministri i Absorbimit dhe Integrimit, z. Ofir Sofer, Shefi i Grupit Parlamentar të Miqësisë Izrael Kosovë, z. Erel Malul, Shefi i Protokollit të Shtetit të Izraelit, Shkëlqesia e Tij Ambasadori z. Gil Haskel, anëtarë të Knessetit, përfaqësues të organizatave hebraike, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Në fjalën e tyre të rastit, ministri Sofer dhe z. Malul përgëzuan Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë dhe për katërvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, duke theksuar gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe. Për ta bërë mbrëmjen edhe më të këndshme, nën tingujt e muzikës dhe me interpretimet e tyre të jashtëzakonshme u përkujde çifti i mrekullueshëm artistik, z. Kastriot Xhon Marku dhe znj. Pagarusha Roliel Marku.
Në kuadër të programit artistik në pritjen e organizuar zyrtare u prezantua edhe ekspozita e dy autorëve, z. Naser Thaçi nga Kosova dhe znj. Ella Ëaldman nga Izraeli, ekspozitë kjo e titulluar “Kosova dhe Izraeli përmes syve të njëri-tjetrit”.
Për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë Kosovës, Fondi Kombëtar Hebre Keren Kayemeth LeIsrael (KKL-JNF) ka mbjellë 17 pemë në pyjet Otef. Gjithashtu, u mboll edhe një pemë në nderim të shefes së misionit, znj. Ines Demiri. Kjo ishte një nismë nga Prof. Yehuda Hamovitz, një mik i shquar i Kosovës i cili mbetet i përkushtuar për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe Izraelit.