Një 36-vjeçare shqiptare është arrestuar në Itali, pasi iu gjetën mbi 1 kg kokainë të fshehura në zyrën e saj në provincën e Firences. Operacioni ishte pjesë e një hetimi nga Skuadra e Sienës për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës në zonën e Val d’Elsa. 36-vjeçarja e njohur tashmë për lidhjet e saj me persona me precedentë penalë, është vëzhguar dhe ndjekur nga efektivët, të cilët kanë vendosur të kontrollojnë shtëpinë e saj.
Gjatë kontrollit, ndonëse nuk u gjet drogë, efektivët gjetën mbi 16.000 euro para të gatshme dhe material për paketimin e dozave.
Kjo vërtetoi dyshimet se 36-vjeçarja e fshihte drogën diku tjetër. Oficerët, falë intuitës që buronte nga vëzhgimet e mëparshme, e shtrinë kërkimin në vendin e punës së gruas, një kompani e vendosur në kufi me Val d’Elsa.
Aty gjetën, të fshehur në sirtarin e tavolinës së saj, një çantë shpine që përmbante afërsisht 1.2 kg kokainë, të ndarë në pjesë të vogla dhe një peshore precize. Gruaja u arrestua për posedim me dashje të drogës dhe, me urdhër të prokurorit publik, u dërgua në burgun Sollicciano. Hetimi është ende në vijim dhe provat e mbledhura do të shqyrtohen nga gjyqtari.