Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, të premtën, më 21 shkurt 2025, në ora 19.30, promovoi librin dy vëllimësh me titull: Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare me autori Phd. Dashnim Hebibi. Në këtë ngjarje kulturore, për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, së bashku me autorin, ishte redaktori /recensenti z. Jeton Arifi, M.A, që kishte ardhur enkas nga Kosova dhe z.Rafet Ademi nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore me qendër në Cyrih të Zvicrës.
Dy librat janë botuar nga Shtëpia Botuese: 'Libri Im' në Qytetin e Pejës në vitin 2024 dhe janë sponzorizuar nga z. Adem Osmani me familjen e tij, afarist, bëmirës e atdhetar nga Kosova që jeton e vepron në Zvicër si dhe z. Sabit Abazi nga Medvegja me disa miq dhe Besnik Hebibi vëllau i autorit.
Këta dy libra janë përkrahur nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore dhe nga Platforma Mediale 'helveticALforum.ch'. Në këtë promovim ishu prezent disa personalitete të njohura nga komuniteti ynë që jetonë e vepronë në Zagreb.
Në mesin e të pranishmëve ishte: Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Shkëlsesia e tij, z. Martin Berishaj, me bashkëshorten znj.Floren dhe vajzën e tij, Ambasadori i Maqedonis së Veriut, Shkëlqesia e tij Milaim Fetai, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kroaci, znj.Alma Kasa, ish ambasadorja e Shqipërisë në Kroaci, znj. Mirjam De Ponte, Emirat Asipi, kryetar i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagreb, Gentiana Lleshdedaj, kryetarja e SHKSHK Shkëndija, Kryetar i Klubit i të të Rinjëve Shqiptarë të Zagrebit, z. Rinor Bugujevci, shumë anëtar të shoqatës së grave të Zagrebit DRITA ( Melihat Krasniqi, Mira Perlleshi, Marija Perlleshi, Antoneta Kokot Mjeda, Vera Posavec, Antoneta Oroši), Anëtarë të Këshiliit të pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit (Dr.Shoip Shoipi, Dr.Zurap Raifi, Ing.Shuip Ziberi, Dr. Gentiana Fana, Mafis Zendeli, Vildana Xhemaili), anëtarët e SHKSHK SHKëNDIJA ( Hamdi Dobruna, Shukran Dobruna, Ardian Krasniqi), moderatore Kaltrina Krasniqi, mediat, RTL dhe HRT dhe shumë bashkatdhetarë të komunitetit tonë shqiptar. Salla ishte e përmbushur përplot edhe pse këto ditë ka pasur disa aktivitete për nder të 17 shkurtit, 17 vjetorit të shtetit të Kosovës.
Moderatorja, zonjusha Krasniqi e filloi programin me këto fjalë, duke i përshëndetur të pranishmit dhe mysafirët nga Kosova e Zvicra që kishin ardhur me autorin. Gjuha e shpirtit e ka fjalën nënë. Përqafimi i nënës kurrë nuk vdes! Ti duam nënat tona! Nuk ka përqafim më të mjaltë se me nënën! Ti duam prindërit! Gjuha e shpirtit e ka fjalën nënë! Na mbajti nëntë muaj në trup, na ushqeu, na rriti dhe atëherë kur e morëm frymarrjen e parë të kësaj bote, na la me vete edhe një shenjë që quhet kërthizë, që dikur ishim së bashku me një zemër! Gruaja është elementi struktura më e fortë brenda familjes, nëna- gruaja është ajo e cila gatuan një komb. Fjala nënë, nuk është vetëm fjalë, shkronja, por janë copa shpirti.
Nëna është gjithçka në këtë jetë. Ajo është ngushëllimi në trishtim, shpresa në dëshpërim dhe forca në dobësi. Ajo është burimi i butësisë, dhembshurisë, dashurisë dhe faljes. Kush humb nënën e tij humbet një kraharor ku mbështet kokën, një dorë që e bekon dhe një sy që e ruan. Fjala nënë e dritëzon botën. Zot, beko nënat shqiptare dhe të gjithë botës! Shkruan ndër të tjera në librat e tij që po prmovojmë sot nga autori Dr.sc.Dashnim Hebibi që është në mesin tonë. Është ndër librat e parë që i kushtohet femrës shqiptare në emigracion. Edhe ate në dy libra me një punë e përkushtim të pashoq. Çka ti themi tjetër përveçse respekt, shëndet dhe besojmë shumë se janë projektet e tjera nga aristokracia e shpirtit të z.Dashnim, tha në przentim znjsh.Krasniqi. Ajo vazhdoi moderimin me fjalët se kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të këshillit organizativ t`ju falënderoj për prezencën tuaj të gjithëve që jeni prezent dhe më lejoni që ti jap fjalën kryetarit të Këshillit të Pakicës Shqiptare në Kroaci z.Emirat Asipi për një fjalë përshëndetëse dhe të hap këtë promovim libri. Z.Asipi pasi përshëndeti të pranishmit dhe uroi autorin për librat e shkruar, uroi që të gjithë edhe njëherë për pavarësinë e Kosovës dhe nuk deshti ti mar kohë shumë mysafirëve i cili gjatë tërë ditës me mikun e tij Ardian Krasniqi dhe Gentiana Lleshdedaj i nderuan mysafirët. E Ardian Krasniqi ishte ai që me të ardhur mysafirët është përkujdesur që të ndahen mirë me këtë ftesë organizimi.
Zonja Krasniqi vazhdoi prezentimin e programit duke thënë se sigurisht se tani me gjithë zemër po e presim fjalën e redaktorit, njëherit mikut si vëlla të autorit, që e njeh më mirë se gjithkush edhe anën joverbale të autorit dhe të na flas për librin.
Fjala për Ju i nderuar z. Jeton Arifi, redaktor i librit, ku ai ndër të tjera me një profesionalizëm si gjithmonë ndër të tjera tha:
“Libri me përmbledhje intervistash të zhvilluara enkas për jetësimin e këtij projekti kaq fisnik, të cilin autori ia kishte vënë vetës si synim të patjetërsueshëm, në thelb është një hulumtim i karakterit empirik, i realizuar me grup fokusi. Kategoria e përzgjedhur nga autori është vajza dhe gruaja shqiptare e mërguar jashtë territorit autokton shqiptar. Nga një këndvështrim sipërfaqësor të lexuesit, mund të dallohet se autori ka aplikuar një mostër të gjerë, heterogjene, pa kriter moshe, profesioni, origjine (nga hapësira gjeografike mbarëshqiptare).
Për ta bërë më tërheqës për lexuesin, si dhe me qëllim të shaplosjes së këndvështrimeve origjinale të secilit personazh të këtij libri, intervistat janë lënë të plota, pa ndërhyrje, sepse kështu është synuar pasqyrimi autentik i gruas shqiptare të diasporës, ca prej tyre të përvuajtura nga peripecitë e migrimit, integrimit, mbijetesës e kultivimit të gjithçkaje që përfaqëson origjinën e tyre - etnokulturën shqiptare.
Pavarësisht mostrës së kufizuar prej 187 personazheve, personaliteti i të cilave paraqet një ndryshore prej karakteresh nga një divë ndërkombëtare e një sopranoje lirike, me pasqyrim figurash të ndërmjetme, në kuptim profesionesh, deri te një amvise, në përceptim fillestar të thjeshtë, por jo më pak të rëndësishëm, sepse secila prej këtyre vajzave e grave fisnike të pasqyruara në këtë libër dyvëllimësh, gjatë ciklit të saj jetësor, ka shërbyer si frymëzim për të tjerët. Disa prej tyre frymëzuan botën rreth tyre e më gjerë, duke dridhur skenat më të njohura të operas; disa të tjera duke mohuar luksin e mundshëm që u ofronte përditshmëria, për ta vënë veten e tyre në shërbim e mbështetjes së kauzës kombëtare (çlirimit të Kosovës), disa të tjera duke e mbajtur familjen e duke mbështetur bashkëshortin luftëtar për këtë kauzë, shumë të tjera duke shkëlqyer në profesionin e tyre në tregun e ashpër e konkurues të punës në tokën e re premtuese, ku kishte mërguar, e shumë të tjera duke iu përkushtuar një misioni të shenjtë, kultivimit të gjuhës, traditës, kulturës shqiptare nga gjenerata e re përmes mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Qëndrimet dhe mendimet e shprehura të grave frymëzuese të diasporës shqiptare do të mund të shërbejnë si referenca e rekomandime konkrete për hartimin e një strategjie të qendrueshme të qeverive të shteteve të origjinës. Elementi karakteristik që ia shton laryshinë këtij libri është edhe fakti që një numër i vogël i intervistave të zhvilluara me gra frymëzuese të diasporës shqiptare, të cilat, për shkak të mungesës së elokuencës për tu shprehur në gjuhën shqipe, me qëllim të ruajtjes së origjinalitetit e përmbajtjes gjuhësore, është lënë në versionin origjinal, qoftë në gjuhën angleze, kroate apo në ndonjë gjuhë tjetër të folur nga e intervistuara përkatëse.
Tërësia e intervistave të pasqyruara brenda këtij libri, i sjellë në dy vëllime përnjëherë, përcillet me veçantinë se mes tyre ka edhe personazhe, të cilat, përmes përgjigjeve të ofruara enkas për këtë projekt, kanë kontribuar dallueshëm për afirmimin e një numri të konsiderueshëm të grave shqiptare, të shquara në fushat e tyre përkatëse.
Autori i këtij libri, i cili, për ata që e njohin, shquhet për përkushtimin e tij ndaj veprimtarisë së diasporës shqiptare, të cilën e ka ndjekur dhe pasqyruar në veprimtarinë e tij gazetareske dhe publicistike, për më shumë se dy dekada, ka treguar një kujdes të posaçëm në përdorimin e termit diasporë. Ai, atë e përdorë, shumë me vend dhe racionalisht, si përkufizim e term social, jo gjeografik, sepse me diasporë duhet kuptuar tërësia e komunitetit të shpërndarë jashtë trungut të shtetit amë të origjinës, e jo si hapësirë gjeografike. Andaj, kryefjala e përmbajtjes së këtij libri është gruaja shqiptare e diasporës, pra, e bashkësisë së vajzve, grave e nënave shqiptare të zhvendosura jashtë atdheut, qoftë për të iu shmangur dhunës së kohës të ushtruar nga aparati shtetëror kolonizues i trojeve shqiptare ku ajo është lindur e rritur, qoftë në kërkim të një jete më të mirë, apo me synimin për të gjetur hapësirë më të përshtatshme, më premtuese e më me perspektivë për ta zhvilluar e dëshmuar veten.
Gjuha e përdorur nga shumë gra të përfshira në këtë libër, mund të tingëllojë e thjeshtë, me raste, por fjalët e tyre bartin porosinë e ngrohtësisë shpirtërore, të përkushtimit vetmohues e të mallit të pashuar për vendlindjen, i cili, nuk shprehet domosdoshmërisht me retorikë të nivelit të lartë, por me fjalë zemre e shpirti.
Përmes publikimit të këtij libri në dy vëllime, nuk besoj që autori t'a ketë përmbushur vizionin e tij për të hedhur dritë mbi figurën e pakontestueshme e të ndritur të gruas shqiptare të mërgatës shqiptare të shpërndarë nëpër Evropë e Amerikë. Ky libër duhet parë e pranuar nga lexuesit si fillimi i një përpjekjeje të vazhdueshme për ta ndihmuar memorien kolektive lidhur me rëndësinë e peshën që bartë me vete gruaja/nëna shqiptare e 'syrgjynosur'. Ky libër është një projekt i hapur, fazat e përmbushjes së të cilit mund të plotësohen nga kushdo tjetër, në cilësinë e një autori vijues të një misioni kaq fisnik e faqebardhë“, ku nga të pranishmit u mirëprit me duatrokitje.
Moderatorja vazhdoi me prezentim të programit me fjalët se e di se autori nuk ka dëshirë të flas, sepse ka folur në libër, por besoj shumë, se ka dëshirë të na falënderoj dhe të na përshëndes të gjithëve sepse është i njohur për të gjithë ne, sepse ka pasur edhe promovime të tjera në Zagreb e në qyetete të tjera të Kroacisë dhe Kroacinë e ka në zemër. Para se të mer fjalën po lexoj një letërnjoftim të shkurtërt të tij.
PhD. Dashnim Hebibi, pasi i përshëndeti ambasadorët ai ndër të tjera tha:
“Të nderuar miq, lexues dhe dashamirës të librit,
Më mirë po lexoj ate që e ndajta nga shpirti im sepse po frigoj se nuk di të ndalem duke folur gjate. Fillimisht do të kërkoj nga ju një minutë heshtje për të gjithë ato gra shqiptare që kanë dhënë jetën për të mirën e kombit. Me zemër plot mirënjohje, ju përshëndes dhe ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj sot. Është një emocion i veçantë të jem këtu, mes njerëzve që e duan fjalën e shkruar dhe që ndajnë të njëjtën dashuri për librin.
Ky libër që po ndaj me ju nuk është vetëm një krijim i imi, por një pjesë e shpirtit tim, një rrugëtim mes mendimeve, ndjenjave dhe përvojave që më kanë frymëzuar. Nuk e shoh veten si dikë të veçantë, por thjesht si një njeri që ka dashur të shprehë diçka që ndoshta edhe ju do ta gjeni të afërt, të sinqertë, apo edhe frymëzuese.
Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë udhëtim – familjen, miqtë, sikur vëllaun jeton Arifin, sikur xhaxhain tim dhe njeriun më të afërt që e kam z. Rafet Ademi, familjen Krasniqi këtu në Zagreb me zonjën Melihat një pejane e bashkeshortja e atdhetarit Bajrush që pranoi medalje nga presidenti kroat dhe shqiptar, lavdi jetës dhe veprës, pastaj botuesin mikun tim Berat Thaçi, sponsorizuesit z. Adem Osmani që jeton në Zvicër, z.Sabit Abazi, Besnik Hebibi dhe, mbi të gjitha, ju lexuesit, sepse pa ju, fjala e shkruar nuk do të kishte kuptim. Shpresoj që ky libër të jetë më shumë se një histori e treguar, por një ftesë për reflektim, ndjenjë dhe bashkëbisedim.
Gruaja shqiptare ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e familjes dhe shoqërisë. Nëpër kohëra të vështira, ajo jo vetëm që mbajti familjen në këmbë, por u bë pishtare e dijes dhe ruajtëse e identitetit kombëtar. Me përkushtimin e saj, ajo edukoi breza të tërë, duke i mësuar fëmijët gjuhën, traditat dhe dashurinë për atdheun.
Sakrifica e gruas shqiptare nuk duhet kurrë të harrohet. Ajo ka përballuar sfida të panumërta, qoftë në kohë lufte apo paqeje, duke qëndruar e fortë përballë çdo vështirësie. Që nga nënat që rritën fëmijët me mund dhe sakrificë, deri te gratë që luftuan për liri dhe arsim, secila ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për shoqërinë tonë.
Sot, është detyra jonë të vlerësojmë, respektojmë dhe mbështesim gratë shqiptare, duke iu dhënë vendin dhe nderimin që meritojnë. Pa to, as gjuha, as kultura dhe as traditat tona nuk do të kishin mbijetuar me aq krenari e dinjitet.
Gruaja është shtylla e çdo shoqërie, dhe një popull që e harron apo e neglizhon atë, është i dënuar të humbasë rrënjët e tij. Historia na ka treguar se roli i gruas nuk është vetëm në familje, por edhe në kulturë, arsim, shkencë dhe çdo aspekt tjetër të jetës. Ajo ka qenë gjithmonë forca e heshtur, por e pamposhtur, që ka mbajtur shoqërinë gjallë.
Jam thellësisht mirënjohës për mundësinë që kam pasur të kontaktoj me shumë gra të jashtëzakonshme nga e gjithë bota, të cilat më kanë dhënë mbështetje dhe kanë ndarë me mua përvojat e tyre. Falënderoj secilën prej tyre për përgjigjen pozitive dhe për gatishmërinë e tyre për të ndarë një pjesë të historisë së tyre me ne.
Natyrisht, ka ende shumë gra të tjera që meritojnë të përfshihen dhe të dëgjohen. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi më të gjatë. Do të vazhdojmë me pjesë të tjera të librave për të sjellë edhe më shumë zëra, histori dhe dëshmi të forcës së gruas. Sepse çdo histori e tyre është një testament i fuqisë, qëndresës dhe dashurisë që ato kanë dhënë për botën.
Është një mision fisnik të përpiqesh të lësh një gjurmë pozitive dhe të shprehësh mirënjohje për gratë që me mund, sakrificë dhe dashuri kanë rritur breza të tërë dhe kanë dhënë kontributin e tyre për një botë më të mirë.
Secila grua që ka rritur një fëmijë, që ka punuar dhe që vazhdon të punojë për të mirën e njerëzimit, meriton falënderim dhe respekt. Përkushtimi, qëndresa dhe dashuria e saj janë shtylla mbi të cilat ndërtohet shoqëria jonë.
Jeta është e shkurtër, por gjurmët që lëmë mund të jenë të përjetshme. Prandaj, le të nderojmë më shumë gruan, të vlerësojmë sakrificat dhe përpjekjet e saj dhe të mos e harrojmë kurrë rolin e saj të pazëvendësueshëm.
Femra shqiptare është ikonë e qëndresës, simbol i forcës dhe krenarisë, dhe shembull i gjallë se si dashuria dhe sakrifica mund të ndërtojnë një komb të fortë.
Të dashur miq, të pranishëm dhe dashamirës të librit,
Nuk do të flas më shumë për librin, pasi për të foli redaktori dhe do të flisni ju si lexues. Por ajo që më mbetet mua, është të vazhdoj të përmirësohem aty ku mund të kem gabuar dhe të mos ndalem kurrë së kontribuuari për të mirën, deri në momentin e fundit të jetës.
Nga zemra, ju falënderoj secilin prej jush që keni ardhur. Çdo sekondë që ma keni dhuruar sot është një dhuratë e çmuar, dhe lutem që të shpërbleheni për kohën dhe përkushtimin tuaj.
Një falënderim i veçantë shkon për këshillin organizativ, Këshillin e Pakicave kombëtare në Zagreb me kryetar z.Emirat Asipi me stafin e tij për të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij eventi dhe, natyrisht, për miken time të dashur, Kaltrinën. Moderimi yt ishte si dallëndyshet që prekin butësisht degët e qershisë – i hijshëm, i natyrshëm dhe plot elegancë. Faleminderit nga zemra dhe ju uroj lexim të këndshëm.
Pas fjalës të autorit u bashkëbisedua me autorin ku me modesti autori falënderoi për prezencë të gjithë edhe ate duke ju shkuar te karrikat ku ishin ulur gjë që sipas të pranishmëve nuk kishte ndodhur ndoj here. Edhe mediat kroate që ishin të pranishime siguruan intervistë me autorin. Kishte disa pyetje nga disa zonja që ishin prezent si nga z. Melihat Krasniqi dhe znj.Mirjam De Ponte. Autori me maturi e me shumë respekt dha përgjigje të shkurta e të qarta sa që të gjithë u ndanë të kënaqur.
Krejt në fund edhe pse edhe moderatorja i shtroi një pyetje duke e parë, se autori nuk do të ndalet vetëm me këto dy vepra për gruan shqiptare në diasporë.
Zonja Krasniqi vazhdoi me këto fjalë:
“Tani të nderuar të pranishëm, ngjarjet e mira përfunfojnë shpejt dhe na dha mesazhe të mira, se femra shqiptare e diasporës është e nderuar edhe me libra dhe ka lënë gjurmë. I dëshirojmë shëndet dhe të na sjell edhe projekte të tjera z.Dashnim. Kisha nderin që e moderova këtë promovim, të mikut të shtëpisë sonë dhe të shumë atdhetarëve që jetojnë jo vetëm në Zagreb por gjithandej Kroacisë. Suksese. Ju ftoj që ta merrni librin gratis nga autori dhe pse jo të keni edhe ndoj foto kujtim dhe e keni edhe një koktej rasti. Deri në takime të tjera mirupafshim e gjitha të mirat.
KONKLUZION
Gruaja shqiptare e diasporës ndjehet e harruar dhe pret bashkëpunim e mbështetje nga atdheu. Ajo dhe kontributin e saj për ruajtjen e gjuhës amtare, e cila vlerësohet se është jetike për ruajtjen e identitetit kombëtar. Është kjo grua, e cila ka kontribuar te gjenerata e re që sot të krenohemi me sukseset e tyre në tregun ndërkombëtar të punës. Gjuha shqipe do të ruhet brez pas brezi. Kontributi i LAPSH-së është i madh, pastaj i shoqërive kulturore artistike, shoqatave të tjera humanitare që veprojnë në diasporë.
Edhe degët e partive që kanë vepruar e veprojnë përmes përfaqësuesve të diasporës shqiptare, janë të mira, sepse takohen mes vete e flasin shqip mes vete, megjithëse, deri në një masë, ky element ka shkaktuar edhe përçarje. Gruaja e diasporës shqiptare mendon se është çështje e ngutshme që shteti të kontribuojë me konferenca shkencore dhe ti japë hapësirë femrës shqiptare në vendimarrje në atdhe, sepse sjell përvoja evropiane, pra të shteteve ku është lindur e ku është duke vepruar.
Në cilësinë e autorit të këtij libri, jam i bindur që ka pasur edhe shumë gra të tjera që është dashur të jenë pjesë e këtij libri. Mbes me shpresë se do të kemi një vazhdim tjetër apo vëllime të tjera, brenda të cilëve do të pasqyrohet jeta dhe vepra e shumë grave meritore, të cilat, në saje të veprimtarisë së tyre, kanë shërbyer si frymësuese të gjeneratës së re të femrës shqiptare, veçanërisht të atyre që jetojnë jashtë trungut të vendit të origjinës.
Mbi të gjitha, ato që i keni lexuar në trungun e këtij libri, janë fjalët e këtyre grave shqiptare të cilat kanë sakrifikuar shumë që të ruhet, mbi të gjitha, gjuha shqipe. Vetëm dokumentet mbesin me fakte e referime për gjeneratat që do të vijnë. Edhe atëherë kur shumë prej nesh të mos jemi më, këto janë dokumente, gjurmë të pashlyera, të cilat dëshmojnë përkushtimin jetësor të shtyllës së familjes e shoqërisë shqiptare të mërguar.
Në fund të promovimit që zgjati një orë e njëzet minuta të pranishmit siguruan edhe foto kujtimi dhe librin me nënshkrim të autorit. Që të gjithë të pranishmit u ndanë shumë të kënaqur e duke e uruar autorin dhe redaktorin për punën e tyre shumë të mirë që e kanë bërë dhe do të mbetet kujtim brez pas brezi. Mikpritja e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare e qytetit të Zagrebit ishte e veçant dhe dëshmuan edhe kësaj here, se me shumë përkushtim kryejnë projektet e tyre. Siç mësuam nga z.Hebibi përmes helveticALforum, librat do të promovohen së shpejti edhe në Zvicër dhe disa qytete të tjera të evropës, ndërsa për në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës apo në Mal të Zi, mbetet të dihet në ditët në vazhdim.