Një homazh muzikor për të kujtuar dhe nderuar jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës në të famshmen Carnegie Hall të Nju Jorkut, ditën e shtunë, 22 Shkurt 2025. Për të kujtuar dhe për të vënë në dukje bamirësinë vetëmohuese, pa kushte e pa interesa personale ose të tjera, të murgeshës me origjinë shqiptare – e njohur botërisht për veprën e saj në shërbim të më të varfërve të botës. Ky koncert ishte i pari i tillë që mbahet në Carnegie Hall, kushtuar Nënë Terezës.
Në njoftimin e Carnegie Hall për këtë homazh në nder dhe kujtim të saj, thuhet se Shën Nënë Tereza është, edhe për botën aktuale moderne, një shembull i bamirësisë vetmohuese dhe pa kushte. Ky celebrim frymëzues muzikor me katër premiera amerikane të muzikës tradicionale dhe moderne, u drejtua nga Maestro Dante Anzolini. Ai drejtoi Orkestrën e Shën Lukës në auditoriumin që mban emrin e violinistit të famshëm Isaac Stern. Dashamirës të shumtë të muzikës dhe adhurues të Nënë Terezës ndoqën homazhin e veçantë të kësaj nate, titulluar “Shtegtim Feje” (A Journey of Faith), kushtuar Nënë Terezës shqiptare.
Ishte një program që përshkoi vendet që karakterizuan jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës anë e mbanë botës, duke filluar nga vendlindja e saj në Shkup, deri në Irlandë dhe më në fund shërbimi i saj 50-vjeçar në Indi. Ishte një program dedikuar kësaj dëshmitareje të humanizmit për njerëzimin, mbresëlënës, madje edhe për njerëzit që nuk besojnë në Zot, sipas organizatorëve të këtij homazhi në sallën prestigjoze të shfaqjeve e koncerteve, Carnegie Hall të Nju Jorkut!

Repertori për këtë koncert ishte përzgjedhur ashtu që të pasqyronte jetën dhe veprimtarinë e plotë, përfshirë edhe shërbimin vetmohues ndaj njerëzve në nevojë – por duke pasur gjithmonë parasysh nevojën që ky program të shërbejë, njëkohësisht, edhe si frymëzim në shtegtimet individuale të jetëve dhe veprimtarive tona në botën aktuale ku jetojmë.
“Nëse nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit!” – Nënë Tereza
Homazhi muzikor, “Shtegtimi i Fesë” ose (The Journey of Faith), kushtuar Nënë Terezës, ishte një ide e konceptuar nga mjeshtri i madh, Dante Anzolini, dirigjent dhe kompozitor i njohur. I pyetur nga Radio Vatikani se si i lindi atij kjo ide për të organizuar një homazh muzikor në nder të Nënë Terezës, kompozitori Anzolini tha këto:
“E krijuam këtë koncert në shenjë nderimi për një nga qeniet njerëzore më të rëndësishme në histori: Nënë Tereza ka qenë shembull i mirëkuptimit, i ndihmës për të varfërit, të pastrehët, të uriturit. Kështu që sapo menduam, së bashku me zotin Wethington, drejtues i këtij koncerti, të bënim një lloj shtegtimi në vendet ku ka jetuar kjo Grua e jashtëzakonshme. Prandaj, programi përfshin muzikë shqiptare dhe muzikë irlandeze, e më pas edhe muzikë që të kujton traditën hindu. Pas Indisë, udhëtimi përfundon në Nju Jork, ku zhvillohet pjesa e fundit e koncertit me tre kompozitorë: Nico Muhly, Missy Mazzoli dhe Philip Glass”, u shpreh dirigjenti dhe kompozitori Dante Anzolini.

Ndër kompozitorët pjesëmarrës në këtë koncert ishin të pranishëm edhe dy kompozitorë të njohur shqiptarë: Thoma Gaqi dhe Genc Tukiçi. Programi i hartuar me pjesëmarrjen e kompozitorëve të njohur shqiptarë, Genc Tukiçi dhe Thoma Gaqi, të njohur në Shqipëri, por edhe më gjerë, kontribuan për homazhin në nder të Shën Nënë Terezës: Thoma Gaqi me “Vallja me Dajre” nga Valle Simfonike dhe Genc Tukiçi me “Vals Hyjnor” (Hymn for Mother Teresa) – kishte për qëllim të tregonte respekt për traditat e ndryshme për të cilat ka kaluar Shën Nënë Tereza, por veçanërisht për të treguar edhe për trashëgiminë dhe origjinën shqiptare të preardhjes së Nënë Terezës. “Po, pikërisht kështu është,” i tha Radio Vatikanit, kompozitori Anzolini, “sepse ajo ishte shembull për ne. Jo vetëm që ajo kishte respekt, por edhe ofronte ndihmë për të gjithë. Duke programuar këto pjesë, krijuam një lloj metafore për jetën e saj,” tha ai. Prandaj, si rrjedhojë, vazhdoi ai, “Kombinuam stilet e ndryshme me një valle shqiptare nga Thoma Gaqi - shembull shpërthyes, që e nxit publikun të lëvizë e gati-gati të vallëzojë, me energji të madhe – edhe himnin e Genc Tukiçit kushtuar Nënë Terezës, që këndohet në gjuhën shqipe dhe shoqërohet nga një orkestër e madhe dhe një kor i madh, pasuar nga një fragment i Johann Sebastian Bach, shkëputur nga Mundimet e Krishtit, sipas Gjonit,” i ka thënë Radio Vatikanit, kompozitori Dante Anzolini, dy ditë para koncertit.
Në program janë përfshirë edhe tre kompozitorë amerikanë, të cilët me këngë kanë ftuar publikun të kërkojë paqen në botë, midis njerëzve. Ky ishte edhe synimi i kompozitorëve pjesëmarrës në këtë koncert: për të kërkuar paqen duke ndjekur gjurmët e Nënë Terezës, ka thënë Anzolini. Pjesa e dytë e programit paraqiti një larmi stilesh, duke pasqyruar se e gjithë kjo lidhet me, “Historinë, sjelljen dhe respektin e Nënë Terezës për mbarë botën. Propozimi im që, ashtu siç ishte ajo shembull për të gjithë ne, për t’i kuptuar dhe për t’i ndihmuar të varfërit, secili prej nesh të bëjë diçka të ngjashme me synimet e këtij koncerti. Nuk mjafton vetëm të dëgjosh muzikë, por duhet të kuptosh edhe mesazhin e saj,” është shprehur kompozitori dhe drejtori Dante Anzolini, duke vlerësuar koncertin që u mbajt të shtunën mbrëma, kushtuar Shën Nënë Terezës, mbajtur në Carnegie Hall në Nju Jork, të shtunën më 22 Shkurt 2025.
Është thënë se muzika ishte shumë e rëndësishme në familjen e Nënë Terezës në vitet e para të jetës së saj në Shkup. Thonë gjithashtu se muzika është gjuhë universale që zhduk ndasitë dhe që na bashkon pa marrë parasysh ndryshimet krahinore, gjuhësore, raciale, fetare e të tjera. Prandaj, pikërisht, mesazhi i koncertit në Carnegie Hall në Nju Jork u organizua dhe zhvillua në frymën dhe porosinë e Nënë Terezës: se secili prej nesh mund të ndihmojë të varfërit në nevojë dhe se për të realizuar këtë objektiv, le të ecim në rrugën e treguar nga Nënë Tereza. Koncerti me muzikë në sallën madhështore Carnegie të Nju Jorkut, për të nderuar Nënën tonë Terezë, vërtetë ishte ashtu siç ishte programuar nga organizatorët: një rrugëtim ose shtegtim feje, besimi, bamirësie e vetmohimi. Por homazhi muzikor për Nënë Terezën të shtunën mbrëma ishte, në të njëjtën kohë, edhe një ngjarje e veçantë kulturore me rëndësi për dashamirësit e artit, kulturës dhe muzikës në Nju Jork.