Dr. Bedri Beqaj (1963-1999)
Biografia e shkruar nga bashkëshortja e dr. Bedri Beqajt.
Të flasësh për Dr. Bedri Beqaj ka shumë por po mundohem sado pak të përshkruaj vitet e tij. Dr.Bedriu ka qenë njeri shumë i mirë dhe me shpirt të pastërt. Edhe për kundër kushteve të vështira që kishte në familjari arrit të shkollohej dhe të përmbushte ëndrrën e tij të fëmijërisë. Ai u bë mjek i përkushtuar në detyrën e tij jo vetëm gjatë orarit që e kishte obligim, por ai nuk ndalej duke ju ardhur në ndihmë të gjithë atyreve që kishin nevojë. Kur them se ishte njeri i mirë po e filloj në aspektin si djalë, si vëlla, si nip, si bashkëshort dhe si një prin i shkëlqyer.
Me fillimin e luftës Bedriut iu shua çdo ëndërr që sapo kishte filluar sepse ishte shumë e vështirë ta shihnim në shtëpi qoftë për pak si nëna, fëmijët apo unë si bashkëshorte e tij pasi që vazhdimisht rrinte në gatishmëri të pacientëve, ushtarëve të luftës, civilëve që ishin të plagosur dhe që kishin nevojë për ndihmën e Dr. Bedriut. Ai nuk hezitonte as edhe një herë që t’iu delte në ndihmë në kushte të pa mjaftueshme në të cilat punonte si nëpër podrume të shtëpive ose nëpër male, pra kudo që e kërkonte puna Dr.Bedriu ishte i pari që papritesë vraponte për t’ju dal në ndihmë popullit për të cilët qysh i vogël ëndërronte me i ndihmuar dhe me i shpëtuar jetë. Kur vinte në shtëpi në orët e para të mëngjesit nuk e pyesja se ku ishe sepse e tregonte lodhja e trishtimi në fytyrën e tij, në sytë e mbushur me lotë, e mos të flasim për qëndrimin e tij në shtëpi ku nuk qëndronte gati asnjë herë më shumë se një orë. Gjatë kësaj kohe i ledhatonte fëmijët që ishin në gjumë dhe thoshte më kaloj lodhja. Merrte gjërat e nevojshme që i nevojiteshin një mjeku dhe u përshëndeste me mua dhe vazhdonte pas njerëzve që kishin nevojë. Nëna e Bedriut ( vjehrra ime) e kërkonte në mëngjes e më pyeste se as sonte nuk paska ardhur? I thosha po ka qenë e ka pushuar dhe prapë ka shkuar, e çfarë ti thosha një nëne të brengosur për djalin e saj. Edhe fëmijët, Dafina atë kohë ishte 10 vjeçare, Kaltrina 8 vjeçe, Rinori 6 vjeç dhe Shqiprimi 4 vjeç, të cilët e dëshironin ta kishin babain e tyre pranë por ishte e pa mundur për shkak të angazhimit të punës së tij.
Bedriu së bashku me vëllezërit e tij ishte vazhdimisht në sytë e milicisë serbe për arsye se të gjithë ishin të shkolluar dhe me profesione të ndryshme. Kjo ishte e ditur që armiku nuk i donte njerëzit që i ndihmonin shtetit të Kosovës për të mirë: si në shkollim, në mjekësi apo në zgjidhjen e problemeve të popullit Kosovar.
Në një mëngjes sapo kishte aguar drita qysh në orën 6 hynë të tërbuar ushtarët e armikut në shtëpi dhe të gjithë anëtarët e familjes i vendosen në një dhomë të vetme dhe filluan të bëjnë rrëmujë gjithë shtëpinë. As një send nuk e lanë në vendin e vet duke kontrolluar për barna mjekësore apo për ushtaret e UÇK-ës të plagosur apo edhe të pa plagosur. Edhe pse nuk gjetën asnjë gjë për t’i fajësuar apo për të dyshuar prapë se prapë e morën Bedriun së bashku me dy vëllezërit, Imerin dhe Bajramin dhe i dërguan në stacionin policor ku i mbajtën deri në orët e vona të asaj dite ku edhe i maltretuan. Në shtëpi lanë vëllain e Bedriut, Rasimin i cili kishte punë të vështirë që ti qetësonte të gjithë familjarët në shtëpi sidomos nënën e tyre që ishte e moshuar dhe kishte frikë për djemtë e saj për të cilët thoshte se janë drita e syve të mi pasi i kishte rritur gati pothuaj e vetme për arsye se i kishte vdekur burri dhe e kishte lënë të vetme me 9 fëmijë. Bedriu ishte më i vogli dhe ishte 4 vjeçar kur mbeti jetim.
Bedriu nuk ka ndihmuar vetëm jashtë shtëpisë njerëzit që kishin nevojë, por edhe brenda shtëpisë së tij ku kishte pranuar refugjat të shumtë si pleq , plaka e fëmijë e që kishte shumë që kishin nevojë të një mjeku. Nuk donte të dinte a ka vend më shumë në shtëpi, ai me vëllezërit dilte në fashat (Rracaj) merrte refugjat të tjerë dhe ju ofronte strehim në po të njëjtin kulm ku ishin edhe familjarët e ti.
Me 27.04.1999 forcat paramilitare Serbe dëbojnë nga shtëpitë të gjithë banorët e Lugut të Çarrnagojes dhe ju dalin në pritë në Meje të Gjakovës. Të gjithë meshkujt mbi 15 vjeç i ndaluan dhe i vranë.
Ka qenë një kohë shumë e vështirë si për fëmijët ashtu edhe për mua sepse fëmijët mbeten pa baba kurse për unë isha vet nënë dhe vet baba. Bedriun e vranë bashkë me tre vëllezërit, Imerin, Rasimin, Bajramin, dhe tre nipërit e tij, Brahimin, Mentorin 17 vjeç dhe Dritonin 16 vjeç. I mbeti vetëm një vëlla që ishte në Gjermani. Vitet kalonin dhe dhimbja vetëm sa shtohej dhe më datën 18.06.2005 për ne ishte një ditë edhe më e dhimbshme sepse u bë rivarrimi i Dr. Bedri Beqaj prandaj ishte shumë e rëndë për ne të bëhej pas sa e sa vitesh pasi që ishte vrarë. Por, respekti dhe fjalët e mira nga të gjithë njerëzit që e kishin njohur si mjek apo edhe si person na kanë lehtësuar sado pak dhimbjen ku edhe sot pas kaq vitesh ndihemi krenar që kemi qenë pjesë e jetës së tij. Unë bashkëshortja dhe katër fëmijët të një njeriu shembullor siç ka qenë dr. Bedri Brahim Beqaj.