Historia e trishtë e gazetares austriake në Shqipërinë komuniste: Pas torturave Blanka, që u akuzua nga Sigurimi se kishte vrarë burrin e saj, u...

Dokumentare

Historia e trishtë e gazetares austriake në Shqipërinë komuniste: Pas torturave Blanka, që u akuzua nga Sigurimi se kishte vrarë burrin e saj, u...

Më: 19 maj 2024 Në ora: 08:04
Gazetarja investigative, Blanka de Corvin

Gazetarja investigative, Blanka de Corvin, që kishte shëtitur Evropën dhe fliste pesë gjuhë, mund të ishte një profesioniste e vlerësuar në çdo vend, por në Shqipërinë komuniste, u bë menjëherë e dyshuar, si “spiune e anglo-amerikanëve”. Me këto akuza të pavërtetuara kurrë, atë e arrestuan, e torturuan dhe e dënuan me 10 vjet burg, ndërkohë që bashkëshortin e diplomuar në Perëndim, e pushuan nga puna dhe e lanë në mjerim. Shkatërrimi rrëqethës i dy jetëve, që kishin nisur aq mbarë…!

Jeta e Blanka de Corvin, mund të kthehet lehtësisht në roman, ku heroinës dhe fatit të saj nuk është e nevojshme t’i ndryshosh diçka, për ta bërë më tërheqës apo më goditës. E madje as emrit, tingëllues e të pa ngatërrueshëm që, për më tepër, duket si produkt i një pagëzimi artistik nga ana e autorit, që ia njeh jetën personazhit të vet: një jetë e përbërë nga dy pjesë po aq kontraktuese, sa e bardha me korbin.

Blanka u lind në Stamboll, nga një baba austriak dhe një mama ruse. I ati ishte diplomat dhe me shumë gjasa atë tetor të vitit 1900, kur erdhi në jetë Blanka, ishte në Turqi, me një nga misionet e tij diplomatike. Elementin kozmopolit që ia shënjoi jetën që në lindje, Blanka do e zhvillonte edhe më shumë gjatë viteve të mëvonshme edhe për shkak të profesionit të gazetares, duke vizituar shumë vende: Austrinë e saj, po se po, por edhe Italinë, Gjermaninë, Jugosllavinë dhe duke mësuar disa gjuhë: plot pesë, bashkë me shqipen, që për të u bë gjuha e dashurisë, por jo vetëm…!

Adem Balliçin e njohu në Romë, megjithëse disa burime thonë në Vjenë. Në atë kohë, gazetarja ishte e veja e një konti austriak. I riu elbasanas ishte larguar që herët nga vendlindja, për të kryer shkollën e mesme dhe më pas universitetin.

Megjithëse vinte nga një familje muzikantësh, kishte zgjedhur të studionte Financë, por me siguri muzika, nuk do ketë qenë një faktor i heshtur për ta afruar me Blankën, e cila ishte shumë e dhënë pas arteve në përgjithësi e, muzikës dhe pikturës në veçanti. Madje në Shqipëri, ajo njihej për talentin në pikturë dhe familjarët e bashkëshortit e kujtojnë edhe duke luajtur në piano, në vitet e para, kur jeta e saj kishte ende muzikë.

Sipas një pasardhëseje të familjes Balliçi, që i ka kushtuar një shkrim historisë së Ademit dhe Blankës, ata u martuan në vitin 1942. Për disa vite, Ademi ishte shef i Buxhetit dhe Monopolit në Ministrinë e Financave dhe bashkë me Blankën, jetonte në shtëpinë që ndërtuan përballë legatës amerikane, në “Rrugën e Elbasanit”.

Adem Ballici

Ishte një shtëpi e madhe, rreth një mijë metër katrorë, që ata do ta gëzonin vetëm disa vite. Kur në vend u vendos regjimi komunist, siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, kjo shtëpi iu dha me qira misionit të UNRRA-s dhe pas vitit 1947, aty jetuan familjet e zyrtarëve komunistë. Ndërkohë, të zotët e saj, kishin nisur rrugën e mundimeve, një pjesë të së cilës, për më tepër, do e përshkonin vetëm.

Mbijetesa e Blankës

Blankën e arrestuan më 28 tetor 1946. Akuzohej se bënte pjesë në grupin agjenturor të “sabotatorëve” të Maliqit. Roli i saj, në këtë rrjet imagjinar, ishte ai i ndërlidhjes së inxhinierëve që punonin për tharjen e kënetës, me Harry Fultz-in. Ata ishin të bindur për këtë përfshirje, megjithatë, siç shkruan Kastriot Dervishi, hetuesi Delo Balili; “e torturoi çmendurisht” Blankën, për ta vërtetuar akuzën edhe me fjalët e saj.

Stërmbesa e bashkëshortit, shkruan që Blankën e zhytën në një fuçi me ujë të akullt, në mes të dhjetorit dhe kjo nuk ishte tortura e vetme. E megjithatë ajo rezistoi. Shumë njerëz janë dorëzuar, kanë pranuar të firmosin çdo gënjeshtër, vetëm e vetëm që torturat të merrnin fund për pak, të bindur se jeta e tyre kishte marrë fund për fare, por Blanka nuk e arriti atë pikë. Ndoshta besimi në Zot, e bëri të mos thyhej, ndërkohë që Zoti kujdesej që edhe trupi i saj, të rezistonte.

Procesi i Maliqit, ishte zhvilluar që në nëntor të 1946-ës, kur edhe u ekzekutuan pesë veta, mes të cilëve, Zyrika Mano, mikesha e Blankës, të cilën nuk e nxorën në atë gjyq sepse, ajo nuk pranoi të kishte të bënte me grupin që po gjykohej. Si përfundim, hetuesit e përpiluan raportin përfundimtar më 16 janar 1948. “Ai i dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme. Blanka ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke mos pranuar asgjë nga ato që ka mbajtur raporti i përmendur nga Sigurimi”, shkruan Kastriot Dervishit. Megjithatë ajo nuk u lirua. Ishte e qartë që dënimi i Blankës, ishte një kërkesë e prerë e cila duhej plotësuar me çdo kusht. Shkurt, me sajimin e një akuze tjetër.

Si përfundim, më 16 dhjetor të 1948-ës, dy vjet e dy muaj pas arrestimit, e dënuan me 10 vite burg, për mos denoncim arme. Qëndroi në burg katër vjet të tjerë dhe u lirua me amnistinë e 28 nëntorit 1952, pasi kishte marrë mundimin t’i shkruante edhe një letër diktatorit, Enver Hoxha, që e mbyllte me lutjen, për ta lejuar të kthehej te burri i saj. Më në fund Blanka dhe Ademi, u ribashkuan. Sigurisht tanimë jeta e tyre ishte shumë më ndryshe. Ata vetë kishin ndryshuar edhe më shumë, por të paktën ishin bashkë.

Dënimi i heshtur i Ademit

Blanka i kishte pasur shumë më të rënda mundimet gjatë atyre gjashtë viteve, por as për Ademin nuk kishin qenë të lehta. Ai u pushua nga puna dhe u çua si llogaritar në fermën e Sukthit. Punoi një vit aty dhe u pushua sërish. Nuk kishte shtëpi, nuk kishte pasuri dhe tani nuk kishte as punë. Ky do të ishte dënimi më i rëndë për Ademin.

Që nga dita që komunistët morën pushtetin, mbështetur në të dhënat e familjarëve të tij, Ademi punoi vetëm një vit e gjysmë: një vit në Sukth dhe 6 muaj në Bibliotekën e Elbasanit dhe pastaj, financieri i diplomuar në Perëndim, do të ishte një i papunë, që jetonte falë mbështetjes së familjes së të vëllait.

Në këtë familje do të gjente ngrohtësi edhe Blanka, tashmë që gjithçka tjetër rreth e rrotull, ishte bërë kërcënuese dhe armiqësore. E megjithatë, edhe pse e rrënuar fizikisht dhe mendërisht, siç tregojnë fëmijët dhe nipërit e vëllait të Ademit, kjo grua nuk e humbi zemërgjerësinë. Nuk e humbi as besimin në Zot dhe tani, duke menduar që ishte përsëri e lirë, iu rikthye praktikimit të fesë, e cila ishte ende e lejuar në Shqipëri.

Blanka udhëtonte shpesh nga Elbasani ku jetonte me bashkëshortin, për në Tiranë, për të shkuar në Kishën Katolike, por shumë shpejt këto udhëtime, do të interpretoheshin si lëvizjet e një agjenteje, siç ishin interpretuar më parë të gjitha udhëtimet e saj në shtete të ndryshme, si gazetare.

Dokumentet e zbuluara nga studiuesi dhe historian i njohur Kastriot Dervishi, tregojnë që në vitin 1960, Blanka ishte sërish në përpunim si; “agjente angleze”, ndërkohë që bashkëshorti, survejohej si; “agjent gjerman”. Për jetët e tyre gjithmonë e më të zbrazura, ndërtoheshin skenarë gjithmonë e më të komplikuara, në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Më 25 dhjetor 1962, Ademi ndërroi jetë. Një goditje shumë e rëndë për Blankën, që u pasua me një pasgoditje edhe më të hidhur. Komunistët e akuzuan atë, si; “vrasëse të bashkëshortit”.

Edhe një herë tjetër, Blanka duhej të përballej me akuza të pavërteta, por kjo ishte më e rënda nga të gjitha. Blanka u arrestua për herë të dytë. Trupi i Ademit iu nënshtrua ekspertizës ligjore. Të afërmit e tij, duhet të gjenin mes dhimbjes, forcën për të mbrojtur Blankën e pafajshme. Pasi nuk gjetën asnjë provë për akuzën makabre, Blankën e lejuan të dilte nga biruca dhe Ademi u përcoll për në banesën e fundit, dy ditë pasi kishte ndërruar jetë.

Pas një viti, Blanka u rikthye në vendin e saj. Arriti të ri takonte të ëmën dhe të rivendoste kontaktet me dy motrat, që jetonin njëra në Argjentinë e, tjetra në Kroaci. Në vitin 1965, për Krishtlindje, në familjen e Shefqet Balliçit, vëllait të Ademit, mbërrin një kartolinë. E dërgonte Blanka.

Kishte shkruar emrat e marrësve dhe vetëm një rresht pas kartolinës, pjesa më e madhe e së cilës, ishte bosh. Më shumë sesa një kartolinë urimi, ishte një kartolinë kujtimi, për Ademin e saj dhe të tyre, që ishte ndarë nga jeta, tre vjet më parë, më 25 dhjetor.

Blanka jetoi edhe 20 vite të tjerë. Në dimrin e 1985-ës, ajo ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, në një aksident automobilistik gjatë një udhëtimi për në Zagreb, te e motra.

I ishte rikthyer jetës së mëparshme, pjesë e së cilës ishin udhëtimet, kalimi i kufijve, takimi me të afërmit në shtete të tjera, por sigurisht ajo vetë, nuk ishte më si më parë./Kujto

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat