Në shekullin XX, gazetari amerikan Cyrus Sulzberger nga “Neë York Times”, në reportazhin e tij për Shqipërinë në vitin 1938 shpall një zbulim më vete. Sulzberg, qysh në krye të përshtypjeve të tij, shkruan se do të kishte qenë më e udhës që Shekspiri të mos e vendoste në Iliri, domethënë në Shqipërinë e sotme, ngjarjen e “Natës së mbretërve”, por një tjetër dramë, “Hamletin”.
Atmosferën e tragjedisë gazetari mëton se e ka ndjerë njëlloj si në oborrin mbretëror, edhe në jetën e përditshme shqiptare. Ishte e vërtetë që gjakmarrja asokohe bënte kërdinë, por përtej se një element të kufizuar dhe vetëm shqiptar, le ta shtrijmë edhe më shumë hapësirën e tij të veprimit. Ekziston një zonë në jug të Europës, Korsikë, Sardenjë, Sicili, Mali i Zi, Kretë, Shqipëri, e më tutje, në rrafshnaltën e Kaukazit, aty ku gjakmarrësit, në kohë të caktuara dhe rrethana të caktuara, nga një pakicë e sunduar janë kthyer, befas, në sundues. Ka ndodhur një proces ende i pastudiuar mirë, ku nga magma e errët e hakmarrjes vetjake është nxjerrë një kod i tërë zakonor, një kod penal dhe civil bashkë, madje njëfarë kushtetute, siç është cilësuar shpesh. Kjo ngrehë paralele me shtetin, pesha dhe autoriteti i së cilës nuk bazohet as mbi policinë, gjyqet apo burgjet, por mbi opinionin publik, rreh në të gjitha rastet ta shpërfillë shtetin, madje, kur ai dobësohet, ta zëvendësojë krejt.
Ndryshe nga ç’shihet sot si një mbetje ekzotike, në zonat që përmendëm më lart, dukuria është e vjetër dhe universale. Në këtë këndvështrim, edhe duhet trajtuar, pavarësisht se nuk ndodhë asnjëherë një gjë e tillë. Përkundrazi, sa herë që bëhet fjala për integrimin shqiptar, për ëndrrën e këtij vendi për të hyrë në Europë, jo pa një mëdyshje, përmendet, ndër të tjera, edhe Kodi i vjetër zakonor. Po ndërkaq, dy vende themeluese të Europës, Franca dhe Italia, e përjetojnë pa bujë këtë kod, e para në Korsikë, dhe e dyta në Sicili.
Për të hyrë akoma dhe më thellë, le të trajtojmë njërën nga veprat më të njohura dhe të debatueshme të letërsisë europiane, asaj tragjedie të “Hamletit” që Shekspiri e ngjizi, bazuar te disa prej studiuesve të tij më të njohur, në sagat veriore dhe ato islandeze e keltike, të cilat pasi zbritën së bashku me vikingët nëpër Europën Qendrore e gjer në Ballkan, janë ngjitur përsëri drejt veriut, të pasuruara dhe të gufmuara prej xixave dhe gjenisë a të marrëzisë së trevave tona mesdhetare, nëpër mënyrën e rrugëtimit që e njohin vetëm epet e moçme. Jiriçek, një emër i njohur, i kërkon gjurmët e tij deri në Iran, ndërsa një tjetër studiues, C.Fries, ka folur për një Hamlet Indian, por gjithsesi, shumica gurrën zanafillore të mitit e gjejnë te burimet romake e greke të vjetra.
Në kronikën nordike të Saxo-s, ku historia e Hamletit zë rreth dyzet faqe, ka dy ngjarje që përkojnë përkimërisht dhe në mënyrë të çuditshme me motërzimin shqiptar, Kanunin. I pari lidhet me paktin e habitshëm midis Horvendillit, atit të Hamletit, me mbretin norvegjez Koll, pak çaste përpara dyluftimit. Ja teksti i Saxo-s: “U bëftë pra, midis nesh një pakt devotshmërie, sipas të cilit fitimtari do të marrë pjesë në varrimin e të mundurit”. Për të vazhduar më pas me një shpallje akoma dhe më të madhe: “Është një bëmë e tillë ku dëshmohet një kulm fisnikërie që asnjë njeri i devotshëm se ka mbërritur gjer më sot” (Libri 23, Kreu 6). Mirëpo, kjo bëmë e pazakonshme dhe aq befasuese sa të quhej e denjë për të kaluare shekujt nga saga në sagë, në Kodin shqiptar përbën një nyje të thjeshtë e të detyrueshme: Vrasësi është i detyruar të marrë pjesë në varrimin e të vrarit.
Përkimi i dytë ka të bëjë me mbretin e Anglisë, strehues, mik dhe vjehërr i Hamletit. Gjikthçka shkon për mrekulli në martesën e bijës së tij, deri në çastin kur mbreti mëson nga goja e Hamletit se ky i paska bërë gropën ungjit të vet, Fengo. Mirëpo mbreti e ka pasur mik të ngushtë Fengon, madje i ka dhënë fjalën se në rast vrasjeje, secili t’ia merrte gjakun mikut.
Në këtë pikë jemi, as më pak e as më shumë, te besa, te fjala e dhënë, gur themeltar i Kodit shqiptar. Më saktësisht jemi te besa e gabuar, e cila edhe si e tillë, quhet e shenjtë. Kodi ynë është i mbushur me shembuj kur i ati, pasi ka marrë gabimisht në besë vrasësin e të birit, është i detyruar të mbajë besën, madje duke shkaktuar dhe tragjedi. Si përfundim mund të themi se fakti që epet e vjetra kanë arritur të shtegtojnë sa nga veriu në jug e sa nga lindja në perëndim, sot është jashtë çdo dyshimi. Polemikat për Hamletin, zhbirimet psikoanalitike për libidon e shtypur apo për kompleksin e Edipit, janë shumëfishuar nga shekulli në shekull. Ndaj kalimi nga gjithë ajo mjegull që mbulon personazhin më të mistershëm të teatrit në një botë të njëmendtë, ku vërtiten njerëz të njëmendtë, që i shëmbëllejnë gjakmarrësit danez, që janë njëfarë dyzimi, një farë sendërgjimi i tij, të pjellë jo nga arti, por as nga jeta normale, duket i pabesueshëm. Një përkëmbim i teatrit me jetën i një popullsie Hamletësh parakë, por epikë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. E kjo sepse këtu nuk mund të flasim kurrsesi për një gjendje barbare, po përkundrazi, për një mentalitet që i nënshtrohet ligjeve.
Po cilat vallë janë argumentet që e mbështesin këtë pohim? Në Shqipëri ata quheshin “gjakës” dhe shfaqeshin gjithkund. Të heshtur, ndiqnin rrugën e tyre. Me mosha të ndryshme, me pamje serioze dhe pa kapardisjen e njohur shqiptare, sepse Kodi ia ndalonte gjakësit qoftë ngazëllimin, qoftë kapardisjen. Në gjuhën shqipe fjala gjakës vjen nga fjala gjak dhe duke marrë një “s” në fund, ajo kthehet në “gjaks”. Në mendësinë e vjetër shqiptare, fjala ka qenë asnjanëse, pa kurrfarë ngarkese. Ndonëse vjen nga gjak, ajo s’ka asnjë lidhje me fjalën “gjakësor” e të tjera si këto, përcaktuese të barbaritetit. Gjakësi është thjesht një njeri që ka një marrëdhënie me gjakun. Ashtu si farkëtari me farkën, si zbuluesi, si prijësi, si ndërtuesi apo prishësi. Nuk quhet vrasës. Është thjesht dikush që duhet të kryejë një detyrim, një lloj përmbarimi. Ai nuk e fsheh, e dinë të gjithë atë që do të ndodhë. Shenja dalluese, një rub i zi i qepur në mëngë të setrës, e bën të njohur programin e tij, edhe në rrugë të madhe mbushur me njerëz të panjohur. Për këtë arsye, askush nuk e pengon, as e nxit e aq më pak e përçmon. Përkundrazi, ai ka marrë një urdhër që nuk vihet në dyshim. Pas shpinë së tij ai ka një mbrojtje të sigurt, më të fortë se ajo e shtetit, e ligjeve, ka mbrojtjen e kodit. Bën pjesë vërtet në popullsinë e “gjaksve”, por ndryshe nga pakicat, që zakonisht merren nëpër këmbë, kjo pakicë jo vetëm që nuk nëpërkëmbet, por ka statusin e një elite.
Nga ana tjetër, përballë popullsisë së “gjakësve” ndodhet një tjetër popullsi, ajo që duhet të japë gjakun. Janë pikërisht këto dy popullsi ato që duhet të “jenë në gjak”. Edhe kjo është një tjetër shprehje krejtësisht asnjanëse në gjuhën shqipe. Tregon, as më pak e as më shumë, një gjendje, një marrëdhënie. Dhe kjo gjendje është e qartë, e ftohtë, si një ditë e ngrirë dimri. Pra epike, jo barbare. Nuk ka mllefe që e shoqërojnë, nuk ka mëdyshje, pengje të mbetura për t’i mbushur mendjen gjindjes se kush ka të drejtë e kush nuk ka. Kodi e ka përcaktuar gjithçka, një mijë, dy mijë vjet më parë. Ndaj dhe respektimi i tij është një respektim ligjësie. Aq më tepër që kahet ndryshojnë shumë shpejt. Ndërsa shprehjet gjuhësore janë të ftohta e asnjanëse, statusi i të dy popullsive është i ndryshëm. Mund të krahasohet me dy faqet e hënës: te dukshmen dhe të padukshmen. Qysh në çastin që “gjaksi” e kryen detyrimin e vet, gjendja përmbyset. Gjaksi pushon së qeni gjaks. Ai çhamletizohet dhe kalon në pjesën e padukshme të hënës, për të ndenjur në pritje të mortit të vet. E bashkë me të ndërron gjendje i gjithë klani i vet.
Kjo popullsi që merr dhe jep gjak, duket që është e pjellë nga kushte jonormale, e për pasojë është popullsi jonormale. Hapësira e shtrëngimit, diktimit të kushteve të jashtme. ka mbyllur drastikisht hapësirën e lirisë së jetës së brendshme. Ajo bën një jetë paralele, me ligje të tjera, por që duhet t’i zbatojë me një përpikmëri proverbiale. E kjo është një shenjë e rrallë e përulësisë përpara rregullave. Është një opinion i tërë publik që e vëzhgon me të gjitha detajet. Gjaksi, përpara se të qëllonte me armë, a ia ka thënë me zë të lartë viktimës formulën e detyrueshme? A mos e ka zëvendësuar atë me ndonjë sharje të padenjë? Pas vrasjes, a ia ka kthyer trupin mbarë dhe a ia ka vënë pushkën përbri, siç e kërkon Kanuni? A ka shkuar në varrimin e orëligut dhe a qenë kryeulët dhe pa krenari? Duket se kemi të bëjmë me një manual rregullash që i ngjajnë më shumë një shfaqjeje, një teatri, edhe pse kudo mbizotëron një ndërgjegje tragjike.
Një gjë të tillë e provon edhe një episod domethënës, madje në shekullin XX. “Gjaksi” përpara se të jetë një njeri prej mishi e gjaku, është një aktor që kurrsesi s’duhet të gabojë. Në kronikën shqiptare ka mbetur i famshëm atentati kundër mbretit të ardhshëm Zog, i bërë në shkallët e parlamentit, më 23 shkurt 1924, nga njëfarë Beqir Valteri, i cili mëtonte t’i merrte gjakun ungjit të vet. Për shkak se i mbahej goja, atentatori e shqiptoi tepër ngadalë “formulën kanunore”, gjë që i dha mundësi mbretit t’i shmangej plumbit fatal. Historia midis mbretit Zog dhe nënshtetasit të vet për një gjak, nuk ishte veçse njëra ndër qindra ngjarjet që dëshmonin ngadhnjimin e kodit zakonor, ose më saktë, të anës së tij teatrore, mbi gjithçka tjetër, madje edhe me ligjet e mbretërisë. Zogu, nga ana e tij, as ia fali e as nuk u ngut t’ia merrte gjysmëgjakun mbretëror. Vazhdimi i teatrit i voliste dhe i kujtonte kodin e moçëm. Ndonëse i ndaluar, ai ishte ende më i fortë se ligjet moderne, dhe mbretit i parapëlqente ta quanin tiran, se sa shkelës kodi. Është sall kjo anë teatrore që ia heq shumë tragjicitetin dhe barbarinë kodit, për ta sjellë më tepër në kufirin e një mendësie që i njeh dhe i respekton me jetë, jo vetëm ligjet, por edhe të gjitha rregullat e tij. Madje ai u përdor shumë herë edhe për arsye krejt të veçanta. Psh., dekretin e tij tepër delikat, me anë të të cilit ua ndaloi myslimanëve shqiptarë uljen në gjunjë, ai e përligji pikërisht me anë të Kanunit, i cili rreptësisht ua ndalonte burrave shqiptarë gjunjëzimin. Përsëri me anë të Kodit, në një sferë tjetër tani, ai përligji refuzimin ndaj kërkesës së mikut të tij të çmuar Adolf Hitler, që në rast lufte trupat gjermane të kalonin përmes tokës së shqiptarëve. Nuk dihet reagimi i Hitlerit, por kjo nuk i ndaloi aspak gjermanët të kalonin përmes Shqipërisë, 4 vite më pas, më 1943.
Sado e pabesueshme, të duket, do të ishte një tjetër qeveri shqiptare, ajo kuislinge progjermane, e drejtuar nga Mehdi Frashëri, që do t’i drejtonte Hitlerit një kërkesë shumë të rrezikshme, duke e përligjur përsëri me anë të Kodit. Është fjala për çështjen më tabu ndër tabutë e nazizmit, atë të mbrojtjes së hebrenjve. Nisur nga kodi mijëvjeçar, qeveria shqiptare i kërkonte Fyhrerit gjerman atë që s’do të guxonte t’ia zinte në gojë askush: mosngacmimin e hebrenjve në Shqipëri. Në letërkëmbimet e zbuluara pjesërisht vitet e fundit, spikat arsyetimi themelor: meqenëse kodi zakonor ua ndalonte shqiptarëve dorëzimin “e njeriut në besë”, qeveria shqiptare për të shmangur prishjen e miqësisë mallëngjyese midis shqiptarëve dhe gjermanëve, i kërkonte shtetit mik të mos ngulmonte në kërkimin e hebrenjve të strehuar te vendësit. Përsëri nuk dihet reagimi i Hitlerit ndaj qeverisë. Ashtu siç nuk dihet se ç’rol ka luajtur ky letërkëmbim, që është mbajtur aq shumë i fshehtë e qëtingëllon i jashtëzakonshëm. Ajo që dihet është se, ndonëse hebrenjtë ishin të paktë në Shqipëri, në mbarim të luftës ata, jo vetëm nuk u pakësuan, por u shtuan gati dhjetëfish, gjë për të cilën shqiptarët, këtë herë në të drejtën e tyre, gjetën një shkak më shumë për t’u ndjerë krenarë.