Historia e panjohur e mjekut nga Mati, që u sakrifikua për miqtë e tij

Dokumentare

Historia e panjohur e mjekut nga Mati, që u sakrifikua për miqtë e tij

Më: 28 maj 2024 Në ora: 07:25
Foto ilustrim

Nuk është rastësi që për shumë nga burrat e ditur dhe të spikatur të vendit tonë, që jetuan dhe vepruan në gjysmën e parë të shekullit XX-të, gjen pak ose aspak të dhëna. Komunizmi jo vetëm i vrau dhe shumë prej tyre i la edhe pa varre, por “u kujdes” në vitet e vazhdimit të terrorit të kuq, që të zhdukë gjithçka nga trashëgimia dhe vlerat e tyre. Kjo ka ndodhur edhe me Isuf Allmanin, fisin e tij të Allamanëve në Kurdari, e shumë e shumë atdhetarë të tjerë të shkolluar nga Mati. 

Kush ishte Isuf Allamani?

I lindur në vitin 1907, në fshatin Kurdari, në fisin me emër të Allamanëve (njëra nga katër familjet që kishin zotëruar për qindra vite Matin – Zogolli, Allamani, Çela e Bozhiqi), ai do të spikaste për dashurinë e tij për dijen. Bir i një familje të pasur, që trashëgonte sipërfaqe të mëdha tokash dhe numër të shumtë bagëtish, nuk është çudi që ai zgjedh të bëhet veteriner.  Shkollohet në Itali, për atë profesion ku merr një diplomë nga Universiteti i Firences. Kthehet në atdhe si një intelektual i ditur dhe spikat mes shumë të tjerëve, të cilët kishin përfunduar studimet e larta në universitetet më të mira europiane të kohës.

Provë për këtë janë me dhjetëra shkrime e studime të botuara në shtypin e kohës, posaçërisht në revistat “Ekonomia Kombëtare”, “Buletini Teknik” dhe “Bujqësia”. Ai është thellësisht i përqendruar në profesionin e tij dhe materialet e botuara e tregojnë këtë. Por siç do të shikojmë në një shkrim të sjellë më poshtë, si një intelektual i vërtetë, ai bën thirrje për të vlerësuar bujkun dhe blegtorin, pasi tek ata ai sheh njerëzit që ushtrojnë “mjeshtërinë më të shenjtë nga të gjitha”.

Në të njëjtën kohë ai kërkon të ndërgjegjësojë edhe vetë ata për rolin e madh që kanë në shoqëri. Si një patriot i vërtetë ai shkruan; “Blegtorë e bujq! Në qoftë se nuk e dini duhet të mos harroni se ju jeni ma të begatshmit për njerëzinë, për Atdhen, për Kombin. Pa ju e pa zanatin tuaj, nuk asht e mundun jetesa as në luftë, as në paq. Ju e vetëm ju jeni ata qi mbroni njerëzinë, racën, gjuhën, zakonet”. Kështu që nuk është çudi që një njeri i ditur dhe profesionist i zoti si ai, të shërbejë “direkt në prodhim”, duke qenë njëri prej drejtuesve kryesorë të fermës së Xhafzotajt, e cila në atë kohë ka qenë ekonomia bujqësore më pararojë dhe më moderne në vend.

A pati ndikim Mbreti Zog, në karrierën e tij? Kjo nuk mund të përjashtohet në përzgjedhjen e tij për shkollim. Ndonëse marrëdhëniet e Allamanëve me Zogollët, gjatë shekullit XX-të, shpesh kishin qenë të acaruara, Mbreti që ka spikatur për një trajtim njerëzor edhe të armiqve të tij më të egër, sigurisht që nuk do të përjashtonte nga shkollimi, as Isuf Allamanin. Më tej do të fliste vetë zotësia e tij. I martuar me një grua italiane, Lonela, me të cilën pati një djalë (e quajti Allaman), ai do të vijojë të shërbejë në fermë edhe gjatë pushtimit italian, për t’u bërë drejtori i saj, gjatë viteve të pushtimit gjerman.

Pushkatimi mes intelektualësh

Isuf Allamani, pati fatin tragjik të të gjithë intelektualëve të spikatur të kohës: U pushkatua nga komunistët. Në ato kohë të trazuara ai i përqendruar thellë në profesionin e tij, nuk ishte përzier fare me politikë, por kjo nuk do ta shpëtonte atë. Nga rrëfime të ndryshme për mënyrën se si u vra, ka tre variante për të cilët nuk mund të themi se cili është më i besueshmi. Ajo që dihet me siguri është se ai është pushkatuar në kulmin e pjekurisë së tij, kur ishte vetëm 37 vjeç. Kjo ka ndodhur më 3 nëntor 1944. Ishte koha e terrorit komunist në Shqipërinë e Mesme, e veçanërisht në kryeqytet.

Në një shkrim të tij për vrasjet e kësaj kohe, Uran Butka, sjell këto fakte; “Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës, tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit – sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vet-largua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi, Deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit”.

Ka një version që thotë se ata u arrestuan në vende të ndryshme dhe më pas u dërguan në Pezë dhe prej aty në fshatin Sharrë të Tiranës, ku u pushkatuan. Nuk është për ta përjashtuar këtë version, pasi komunistët e dinin mirë se kush ishte Isuf Allamani dhe se nga çfarë familje vinte. Një version tjetër i sjellë në një shkrim të Xhevahir Gradicës thuhet se; në shtëpinë e Isuf Allamanit në Xhafzotaj, shkojnë për darkë miqtë e tij, Jakup e Kapllan Deliallisi. Shtëpia e Allamanit rrethohet nga forcat partizane të cilat më pas rrëmbejnë forcërisht dy burrat e Deliallisëve. Por Isuf Allmani nuk mundi ta përballonte tundimin e marrjes me forcë të miqve të shtëpisë. Kështu ai vendos të shkojë me Deliallisët.”

Por ka edhe një version të tretë sipas të cilit Isufit i ishte kërkuar nga komunistët që të sillte për një takim në Pezë miqtë e tij Delialllisët. Është fakt që ai i kishte miq ata, ashtu siç është një fakt tjetër, se drejtori i fermës gjatë kohës së italianëve, ka qenë Medar Shtylla. Ai do të bëhej një nga drejtuesit e lartë komunistë, dhe nuk është habi që duke qenë se e njihte shumë mirë Isufin, t’ja këtë kërkuar atij atë “nder”. Pasi shkojnë në Pezë, atij i thonë se Deliallisët do të pushkatohen. –

“Kjo punë nuk ka si bëhet – thotë Isufi – pa më pushkatuar edhe mua. Nuk i pres në besë miqtë”. Por komunistët se njihnin besën. Bashkë me miqtë e tij të parin pushkatojnë vetë Isufin. Sali Verdha, që thuhet se ka qenë njëri nga anëtarët e skuadrës së pushkatimit, pas rënies së komunizmit u ka treguar Allamanëve se; “Isufi është vrarë i pari, tek Ura e Beshirit, duke mbrojtur miqtë e tij, Jakup e Kapllan Deliallisi”. Ata janë varrosur të tre së bashku dhe eshtrat e tyre u gjetën po aty, në vitin 1992.

Allamanët, pre e terrorit komunist

Pushkatimi i Isuf Allamanit, sido të ketë qenë nuk ishte një rastësi. Fisi i tij në Mat, e në mënyrë të veçantë, vëllai i madh që drejtonte familjen, Dyl Allamani, do të kishte të njëjtin fat, në pranverën e vitit 1945. Mik me Abaz Kupin, kulla e tij do të ishte strehë për forcat nacionaliste por, edhe misionet britanike gjatë viteve të Luftës. Kjo e kishte vënë atë përballë forcave partizane të Haxhi Lleshit, i cili nuk do ta falte, edhe pse Dyl Allamani, ishte bërë byrazer me Myslym Pezën, të cilin e kishte njohur në Dibër të Madhe, në vitet kur të dy fshiheshin atje pas përplasjeve që kishin patur me Mbretin Zog. Kështu që gjatë viteve të Luftës, Haxhi Lleshi me forcat e tij, u përpoq të djegë kullat e Allamanëve, por pa mundur të bëjnë diçka të tillë.

Pas çlirimit, në pranverën e vitit 1945, do të jetë Brigada V-të partizane (terroriste) e Shefqet Peçit, që do të djegë kullat, pasi ka vrarë 20 burra (ata ishin: Rushit Allamani, Sulë Allamani, Hysen Allamani, Dudie Kadiu, Abdi Totraku, Sejdin Totraku, Ali Hoxhë Gjurra, Abaz Gjurra, Ahmet Kuleni, Beqir Neli, Veli Neli, Hakik Pelati, Ismail Sela, Mehmet Topalli, Mustafa Hoxha, Sabri Fizmani, Riza Kurtagja, Xheladin Dibra, Hasan Bufi dhe Hakik Leka) dhe do të marrë me vete të arrestuar 50-vjeçarin Dyl Allamani (ai u vetë-dorëzua për të shpëtuar të tjerët), i cili më pas është ekzekutuar në ditën e festës së Bajramit, në Breg Lumit në Tiranë. Eshtrat e tij, nuk u gjetën kurrë.

Të vrarët e Matit

Në ato ditë të terrorit komunist, mes intelektualëve më të shquar të vendit, do të jenë edhe mjaft matjanë të shkolluar. Të konsideruar si njerëz të regjimit të Zogut, ata pushkatohen dhe më pas familjet e tyre, futen në vitet e gjata të persekutimeve. Në listën e të vrarëve në më pak se tre javë, bashkë me Isuf Allamanin, janë edhe Mehmet Dada nga Mati, ushtarak i diplomuar në Itali, Selman Shtjefni nga Mati, kalorës në Gardën Mbretërore, Bajram Cuka nga Mati, komandant xhandarmërie në Durrës.

Ata konsiderohen “armiq”, njëlloj si vëllezërit Deliallisi, si Seluadin Korça, i biri i të famshmit Hafiz Ali Korça, si vëllezërit Kokalari nga Gjirokastra, si botuesi e gazetari Nebil Çika apo edhe teologu i njohur tiranas, Selim Brahja. Në dhjetor të vitit 2009, Presidenti i Republikës i ka dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”, të 36 intelektualët e vrarë në periudhën 28 tetor-16 nëntor 1944, me motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës II-të Botërore”.

Shkrimi në revistën ‘Ekonomia Kombëtare’

Dr. Isuf Allamani

Ka shumë njerëz – natyrisht njerëz qi nuk gjykojnë thellë – të cilët me të drejtë Terenc Toçi, i quan xhahilë e gjysmakë, që nuk dinë t’a çmojnë fare vleftën e madhe të mjeshtërisë bujk e blegtor. Për këta zotni, bujqësia e blegtoria janë për katundarin e pa dijtun qi nuk ka haber nga dynjalleku (nuk merr vesh nga bota); si mbas mendimit tyne, kush asht njeri qi ban tenezyl (pranon) pose nji budalIa për me u djegë gjith ditën në diell tue punue tokën e për me pasë afër shpis ahurin e gjasë së gjallë ku gjindet plehni, koteci i pulave e koshat e bletve, në vend të dyqaneve me levande e me lule e në vend të kafes me karta bixhozi e me raki.

Xhahilat e gjysmakët, nuk kishin me u marrë me të tilla punë edhe sikur të vdisnin për bukë, mbasi për ta me e kalue jetën nëpër fusha e në mes të bagëtisë e, larg dëfrimeve te qytetit, asht nji budallallëk i madh, edhe “gjynah ke Zoti”! Te tilla bisedime e gjykime për shumicën e bujqve e të blegtorve, nuk kanë as ma të voglën rëndësi, mbasi ata e dinë fare mirë se sa vleftë ka e se sa i dobishëm asht zanati i tyne; por për disa të tjerë, përbuzja qi i bahet mjeshtëris së tyne, mund të prishi shumë zellin e katundarit të drejtë e të ndershëm e, të shkaktoj emigracionin e tyne, nga fusha e bukur e pjellore e, nga bagëtia e dobishme, pa të cilat nuk asht e mundun jetesa, as në qytetin e mbushun me mikrob e me badakçilliqe, ku edhe njeriu ma i shenjtë, nuk mund t’u ç’manget punëve të këqija e të turpshme.

Për me i dëftue bujkut e blegtorit vendin e nalt qi kanë e, për me i lajmërue për rrezikun e transferimit në qytet, për me u tregue xhahilave e gjysmakve se gjykimi i tyne për mjeshtrin bujqësore e blegtorale, asht krejt i gabuem e pa vend, e ma në fund, për me mbrojt edhe zenatin e vërtetë të shqiptarit me themel, kam shkrue këta pak radhë, qi shpresoj do të jenë të mjaftueshme, për me provue titullin e këtij artikulli.

Mjeshtëria bujk e blegtor, asht ma e shenjta

Të gjitha librat fetare janë të nji mendimi qi njeriu i parë u krijue prej balte e si dillet trupi i jonë mbas vdekjes kthehet e bahet prap dhe; kjo do të thotë se njeriu i vërtetë apo ma mire njeriu ma i afërt ke Zoti asht ai qi merret e rron me dheun, me tokën, d.m.th bujku. Në kohnat e vjetra si e vërtetojnë të gjitha historitë e botës, njeriu i parë rronte tue hangër pemet qi gjinte nëpër pyjet; ma vonë, në nji kohë të dytë, njerzija filloj me zbutë bagëtinë e me u ushqye, e me u veshë me prodhimet e tyne (delja qe shtaza ma e parë qi u ba shtëpiake, mbasi delja asht ajo qi rrehet, ma lehtë nga të gjitha); ma në fund, në nji kohë të tretë, njeriu filloj të punojë tokën e deri më sot, pos ruejtjes së bagëtisë e punimit të tokës, nuk asht ba as nuk mund të bahet ndonjë përparim, për ushqimin e njerëzisë.

Nga sa thamë këtu ma sipër vërtetohet se mjeshtëria bujk e blegtor asht ma e vjetra nga të gjitha e, kurse thohet për nji familje të vjetër, qi asht shpi e parë, asht oxhak, kështu mund të themi dhe për mjeshtërin, bujk e blegtor, qi asht mjeshtëria ma e parë e, ma shenjtë nga të gjitha.

Mjeshtëria bujk e blegtor asht ma e dobishmja 

Nuk mund të besoj se as xhahilat e gjysmakët, mbasi të kenë mendue pak, mund të thonë se mjeshtëria bujk e blegtor nuk asht ma e dobishmja nga të gjitha. Në kohnat e vjetra, pamë se kanë mund me jetue vetëm me bujqësi e blegtori, pa pas as nji gja nga sendet e bame nga mjeshtëritë e tjera; deri tash vonë, kjo gja ndodhte edhe në shumë malsina të vendit tonë.

Por për me mbushë mënden ma mirë atyne qi mendojnë ndryshe, duhet t’u themi se dhe në kohën e sotme për jetesën e ç’do njeriu e, në ç’do rast, janë te domosdoshëm prodhimet qi na nep bujqësia e blegtoria. Misri, gruni, elbi, tërshana, thekni, grosha, orizi, sheqeri, kafja, zarzavatet, mishi, bulmeti, pemët, vena, uthulla, rakia, duhani e ç’do gja tjetër qi shërben për ushqimin e njeriut a nuk na vijnë nga mjeshtëria e bujkut e e blegtorit?

Po përveç ushqimeve qi na shërbejnë për me rrue, rrobat për me u veshë prej kapellës deri ke këpuca me ç’farë bahen? Leshi, mëndafshi, lëkura, pambuku, lini, kanapa, etj. etj. ku mund t’i gjejmë po të mos ishte bujku e blegtori? E shpija ku banojmë a nuk ndërtohet ma të shumtën me dërrasa e me drunj të mjellun e të mbrojtun, nga bujku e blegtori? Mobilat e bukura bashk me qylymat, sexhadet e salltanetet e tjera a nuk e kanë rranjën e ardhjes prej bujqësije e blegtorije?

Bujq e Blegtorë! Duhet të jeni kryenalt e të mburri sa të mundeni për mjeshtërinë e lartë qi keni pasë fatin të trashëgoni bashk me zakonet, me bujarin, me besën, me trimnin nga prindit e juaj, shqiptarë të thjesht e të pa përziem me gjak të huej; duhet të mos harroni asnjëherë se pa ju bota nuk mund të qëndroj e se ç’do njeri, në ç’do anë qi t’i hedhë sytë, shef përfundimin e punës së juaj; nuk duhet t’u vij keq sepse derdhni shumë djersë mbasi djersa juaj asht derdhë me vend e ç’do njeri me gjykim ua din vleftën e pashoqe qi keni e u asht mirënjohës për të mirat e pa numërta qi i sjellin njerëzisë, kombit, atdheut.

Në qoftë se me të vërtetë ka xhenet, vendi i parë do të jetë për ju qi punoni me drejtësi e qi hiqni kaq keq për me na mbajt ne të tjerëve të gjallë, e në qoftë se ka njeri në botë qi të jetë i lumtun ay jeni ju qi e keni ndërgjegjen e pastër për detyrën qi kryeni me nder të pashoq. Mos lakmoni qytetet e mjeshtëritë e tyne; ndër qytete ç’do gja asht si nji mollë e kalbëlt qi ka nji lëkurë të bukur kuq e bardhë e qi brenda asht gjith e zezë e nuk vlenë për kurgja. Toka nuk ju tradhton kurrë.

Mjeshtëria bujk e blegtor, asht ma e vështira

Kush nuk e ka provue duhet t’a dijë se mjeshtëria e bujkut dhe e blegtorit asht ma e vështira nga të gjitha. Nuk asht nevoja me i tregue të gjitha arsyet këtu për me vërtetue kët gja, mjaftojnë disa prej tyne: bujku ka lë baj me tokën punimi i të cilës han shumë mundime, don shumë mend, “don shumë terezi” si e thotë bujku vetë. Mjeshtëria e bujkut asht e lidhun ngushtë me ndryshimet e natyrës; ka të bajë me kohën e keqe e të mirë, me shin e me borën, me të ftohtit e me të nxehtit, me murranin e me diellin.

Mjeshtëria e bujkut nuk asht si ajo e të tjerëve ku punëtori punon 7 a 8 orë në ditë e pastaj shtrihet në kafe për me luejtë bixhoz a me pi raki ose shkon në kinema për me u dëfrye; bujku, qoftë verë, qoftë dimën zgjohet tue zbardhë drita, e, në kohën e lavrimit me qetë përpara e me parmendë në krahë, në kohen e lëkimit e të shartuemit me gërshanë në dorë, në kohën e prashitjes e ujitjes me shatë në krahë, në kohën e të kositunit me kosë në qafë, në kohën e të korrunit me drapën nën sqetull, në kohën e qitjes se plehnit me kosha të ngarkuem në kalë ose gomar a me qerren e tërhjekun nga buajtë a qetë përpara, ja nis punës me qetësi pa e dijtë edhe aqë mirë sepse mundohet kaqë tepër, e nuk e len deri në mbramje kur dielli me rrezet e tija i hedhun nga ana e detit nuk leion me pa ma.

Kur nuk ka ç’ka me ba jashtë a kur nuk asht e mundun, bujku i vërtetë punon brenda e ban merentimet e veglave bujqësore a shtëpis e merret me sherbimet e bagtis së tij. Me kalue kohën pa ba kurgja për bujkun e zellshëm asht mërzitje, pasi ai nuk mendon me shkue nëpër vendet e dëfrimit të qyteteve. Dëfrimi i tij asht puna dhe prehja ma e madhe e tij asht shtrati ku, i kthyem nga puna i lodhun siç asht, flenë menjiherë pa pasë nevojë që të sillet e të përsillet tue mendue gjana të kota e të damshme për të tjerët.

Bujku asht shumë guximtar e i durueshëm e nuk tutet as nga puna e as nga lufta, asht trim e trimnin e tij e vërtetojnë të gjitha luftat nder të cilat i asht turr anmikut si luan. Në mjeshtërin e tij shpesh herë i qëllon, për shumë arësye që këtu asht e kotë ti numërojmë, që të mos marri gjith prodhimin e punës që ka ba; mirpo ay nuk smbrapset e nuk e humb shpresën; vazhdon të luftojë kurdoher me kurajë kundër ç’do rreziku që mund t’i sjelli vjeti i keq me paksimin e prodhimeve; kënaqet me atë pakicë që merr e asht i sigurtë se herën e arthëshme do të shpërblehet ma mir për shërbimet qi i ban tokës.

Posi mjeshtërija bujk ashtu dhe ajo blegtorit asht një nga ma të vështirat; blegtorija asht lidhun ngushtë me bujqësinë e bujqësia me blegtorinë; as njena nuk mund të rrojë pa tjetrën: si dihet shtazët ushqehen me prodhimet e bujqësisë e toka nep prodhimet bujqësore sepse punohet me fuqinë e shtazëvet e plehnohet me plehnin e tyne. Blegtorija pra mvaret nga bujqsija e në qoftë se kjo asht e vështirë si mjeshtëri ashtu dhe motra e saj do të jetë pa tjetër.

Blegtori po si bujku ka të bajë me ndryshimet (fenomenet) e natyrës që nuk varen as pak nga vullneti i njeriut; ka të bajë me bagëti, miku ma i ngushtë i njeriut po pa gojë për me u këshillue në rastet e përditëshme me të. Edhe blegtori, si bujku, për kafshët e tija vuen shumë: për rujtjen e tyne ay lypset të kalojë shumë kohë të jetës së tij në shi, në borë, në të ftohët, në fushë, në mal, disa herë me opinga disa herë me kambë zbath e me një copë bukë misri e nji koqe qepë në calik.

Por me gjithëkëtë ay asht njeriu ma i lumtun në botë, e fyelli e kanga e tij, i vlen një mijë herë muzikat e operat e theatrovet; asht i kënaqur për zanatin e vet mbasi e din se begtija që ai ruen ka me ia shpërblye të gjitha vuejtjet, e atij i mjafton me pa pjellsin e vogël tue bredhë nëpër livadhe e nëpër fusha për me harrue ç’do të keqe. Blegtorë e bujq! Në qoftë se nuk e dini duhet të mos harroni se ju jeni ma të begatshmit për njerëzinë, për Atdhen, për Kombin. Pa ju e pa zanatin tuej nuk asht e mundun jetesa as në luftë as në paqë. Ju e vetëm ju jeni ata qi mbroni njerëzinë, racën, gjuhën, zakonet.

Mjeshtërija bujk e blegtor asht ma e ndershmja 

A ka kush qi të thotë se mjeshtërija bujk e blegtor nuk asht ma e ndershmja nga të gjitha? Nuk e besoj.  Bujku e blegtori e fitojnë jetën e tyne jo tue u mundue me rrejtë njani tjetrin për me fitue ma tepër e tue veprue si mos ma keq, por tue punue tokën e tue ruejtë bagtin nga të cilat po nuk veproj si duhet nuk merr kurgja. Bujku e blegtori nuk mund të gënjejë veçse veten e vet në qoftë se nuk bajnë detyrën e tyne si lypet.

Lexuesi mos të kujtojë se me këtë që shkrova këtu sipër, kam dashtë të përkrah për së tepërmi bujkun e blegtorin, sepse pak a shumë bujqsija e blegtorija, janë mjeshtërija e jeme e sepse unë, kam një dashuni të madhe, për këto të dyja. Jo, kurrë nuk e baj një gja të tillë, po të mos ishte e vërtetë gjithç’ka u tha këtu, ma nalt. Memorie.al 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat