Arsimtari Bajram Emërllahu ishte burim drite i arsimit shqip dhe madhështi e kauzës kombëtare

Dokumentare

Arsimtari Bajram Emërllahu ishte burim drite i arsimit shqip dhe madhështi e kauzës kombëtare

Nga: Sami Arifi Më: 2 korrik 2024 Në ora: 17:07
Bajram Emërllahu (1928-1962)

Bajram Emërllahu u lind, më 17.08.1928 në fshatin Vërban të Komunës së Vitisë, rrjedhë nga një familje bujare; nënë Hazrie Hyseni Teneqja dhe babai Rexhep Emërllahu. Arsimtari Bajram Emërllahu njohurit e para i mori në gjuhën serbe si autodidakt nga vëllai i tij Halimi i cili kishte ndjekur mësimet në gjuhën serbe të ciklit të ulët për tri vite në Gërmovë.

Arsimtari Bajram, mësimet në gjuhën shqipe i mori në fshatin e tij të lindjes që nga 01 qershor të vitit 1943, ku, mësuesi i tij i parë, Jetish Vishi, kishte hapur shkollën e parë në gjuhën shqipe në Vërban me lejen e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.

Arsimtari Bajram në fshatin e tij të lindjes e përfundoi ciklin e ulët, ndërsa klasën e V dhe të VI i kreu në qytetin e Ferizajt, derisa klasën e VII dhe të VIII i kreu në qytetin e Gjilanit, në vitin 1947, së bashku me bashkëvendësin e tij të fshatit, e më vonë bashkëpunëtorin, Ismajl Sokolin.

Bajram Emërllahu për herë të parë e merr ditarin në dorë më: 23 tetor të vitit 1952, në shkollën e Stubllës së Epërme, ai pastaj vazhdoi punën e misionarit të arsimit në Sadovinë të Jerlive, ku ai, ballafaqohet me vështirësi të ndryshme që ishin mjaft të rënda për zhvillimin e mësimit, meqë nxënësit ishin me një klasë në diferenca të mëdha në moshë.

Arsimtari Bajram në vitin shkollor 1954-1955 kalon me punë në shkollën e Gushicës në ciklin e lartë, ai ligjëronte lëndën e gjuhës shqipe dhe të biologjisë, ndërsa në vitin shkollor 1956-1957 zgjidhet drejtor i kësaj shkolle. Bajrami bëri shumë për çështjen kombëtare duke filluar përmes aktiviteteve të lira në shkollën e Gushicës, duke formuar grupin letrarku në të cilën u nxorën disa numra të fletushkës “Filizat”.

Bajrami kishte dhënë maksimumin për emancipimin e femrës shqiptare, ai i kishte shpallur luftë pa kompromis shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, duke e ndalur tragjedinë e popullit shqiptarë nga armiqtë serbo-sllav...

Arsimtarin Bajram, e mundonte jo vetëm halli i shkollimit të shqiptarëve, që ishin pothuajse e tërë popullata analfabet, por ai në të njëjtën kohë dilte në ballë të rezistencës kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, tepricave të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, aksionit për grumbullimin e armëve, burgosjet pa farë shkaku: këto të tëra kërkonin guxim dhe forcë fizike duke shkuar shtëpi për shtëpi për t’iu dhënë kurajë për të qëndruar, dhe kësaj pune ia doli për mrekulli.

Arsimtari Bajram Emërllahu, ndërroi jetë më 08.12.1962, ai la pasardhësit e tij: Shahadijën, Azizin, Fidajetën dhe përplot nipa e mbesa të cilët me shumë sukses vazhduan dhe po vazhdojnë përgatitjet profesionale, atëherë për çlirimin e atdheut, tani për ndërtimin dhe madhështinë e shtetit tonë...

Mungesa e arsimtari Bajram në ato kohë të vështira, ishte dhe mbetet zbraztësi e veprimit shumëdimensional në rrafshin edukativo-arsimor dhe në atë kombëtar... Qoftë i paharruar kujtimi për arsimtarin, Bajram Emërllahu, Perëndia e pastë shpërblyer me Parajsë, pushoftë i qetë në dritën e pashtershme në amshim, në atdheun e tij arbëror që aq shumë e dashti...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat