“Pohoni se Zoti nuk ekziston, e do ta fitoni lirinë!’ Si u masakruan me vdekje dy klerikët! Krimi makabër më 31 korrik 1948

Dokumentare

“Pohoni se Zoti nuk ekziston, e do ta fitoni lirinë!’ Si u masakruan me vdekje dy klerikët! Krimi makabër më 31 korrik 1948

Më: 1 gusht 2024 Në ora: 09:48
ALEKSANDËR SIRDANI dhe PJETËR ÇUNI

Arkivi i Shtetit përkujtoi dje klerikët Sirdani dhe Çuni. Duke filluar nga vitit 1944, kur u shënua vala e parë e spastrimit të klerikëve, gjatë instalimit të komunizmit në vendin tonë, e duke vazhduar më pas në vitin 1967, kanë humbur jetën shumë klerikë e besimtarë.

Dom Aleksandër Sirdani dhe dom Pjetër Çuni janë vetëm dy nga figurat e shquara të Kishës Katolike që janë pushkatuar pasi u torturuan të gjallë në një gropë të ujërave të zeza, në Koplik. Dokumentet tregojnë se klerikët i arrestuan për veprimtari armiqësore dhe pas torturave i hodhën në një pus ku vuajtën deri sa u shuan, ditën e fundit të korrikut, të vitit 1948. Dom Aleksandër Sirdani dhe dom Pjetër Çuni ishin dy figura të shquara jo vetëm të Kishës Katolike, por edhe të kulturës, sidomos Sirdani që botoi në shumë organe të shtypit të kohës dhe në revistën e jezuitëve “Leka”.

ALEKSANDËR SIRDANI

U lind në Gurëz të Bregmatës më 1 mars 1891, i biri i Dakës dhe Marie Smajlit, me prejardhje nga Boga. I ngelur jetim herët nga e ëma, i ati i kërkoi ndihmë hoxhës së Gucisë, i cili e mori me vete në Shkodër së bashku me të vëllanë, Nduen dhe i çoi te kleri katolik ku të vazhdonin rrugën e priftërisë. Qysh në vogëli i takoi të pësonte humbjen e së ëmës. I ati, Dakë Sirdani, mbetur i vejë e duke mos dashtë të martohej përsëri iu përkushtua edukimit të të bijve, Marinit dhe Lekës. Shpërngulen për në Gucí ku kishin miq e të afërm. Varfëria e madhe e bëri Dakën me lypë ndihmë nga hoxha i Gucisë. Me të marrë vesh se djemtë i përkisnin një familje katolike, zbret me to në Shkodër duke trokitur ndër institucionet katolike. Ku Leka 7 vjeçar pranohet në kolegjin Saverian. Më tej vijoi studimet në Innsbruck, Austri. Me të ardhur në Shqipëri, çoi meshën e parë më 24 prill 1916. Shërbeu si famullitar në Malësi të Madhe, Reç, Shkrel, Bogë.

U përkushtua për mbledhjen e pasurisë shpirtërore kombëtare: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, traditat deri tek besëtytnitë e lashta që ndesheshin nëpër malësi. Bashkë me miqtë e tij klerikë, Donat Kurtin dhe Nikollë Gazullin mblodhën një pasuri shpirtërore që do ishte korpusi i vërtetë etnografik i popullit shqiptar. Më 1945 Dom Lekë Sirdani ishte famullitar në Bogë, kur dhe nisi hatashëm persekutimi dhe përndjekja. Me datë 26 korrik 1948 duke parë rrjedhën e ngjarjeve pas çlirimit, në meshën e së dielës, atje në Bogën e tij, u tha besimtarëve: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”. Më 27 korrik 1948, duke gjetur si pretekst fjalët e predkut të një dite më parë, e arrestuan, e tërhoqën rrëshqanë mbas kalit prej Boge në Koplik, sa arriti në burgun famëkeq të Koplikut pa këpucë e veladon saqë nuk dallohej çfarë ishte, ku filluan mbi të, ashtu si edhe mbi meshtarë të tjerë, torturat më çnjerëzore. Prej torturave gjatë hetuesisë, së bashku me Dom Pjetër Çunin e futën në një gropë septike dhe i lanë aty deri kur ndërruan jetë.

DOM PJETËR ÇUNI

Klerik katolik. Dom Pjetër Çuni lindi në Shkodër, më 9 korrik të vitit 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide në Romë. U shugurua meshtar më 23 mars 1940 në Bazilikën e Shën Pjetrit. Pasi u kthye në Shqipëri, shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç, Lohe (Shkrel) e Rrjoll. Dha një ndihmesë të vyer për revistën dioqezane «Kumbona e së Dielës». Me të mbaruar shkollën pranë Seminarit Papnor në Shkodër, arqipeshkvi, Imzot Gaspër Thaçi, e dërgoi në Romë në Kolegjin Urban. Aty mbaroi studimet dhe më 23 mars 1940, së bashku me rreth njëqind të rinj të tjerë seminaristë, u shugurua meshtar në Romë nga kardinali Francesco Marchetti Selvaggini.

Meshën e tij të parë në Shkodër e kremtoi në Kishën Katedrale më 29 qershor të atij viti. Pas kthimit në Shkodër, arqipeshkvi e emëroi famullitar në Shkrel e më 1942 në Rrjoll, ku qëndroi deri në arrestimin e tij. Më 1946, krahas famullisë së Rrjollit, iu besua edhe administrimi i Lohes dhe Reçit. I ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për misionin për të kumtuar të vërtetën, nuk i kursente fjalët për t’i paralajmëruar njerëzit për rreziqet e kobshme të një diktature të tillë që kishte hyrë në Shqipëri. Terrori ishte i tillë sa edhe ai priste të arrestohej nga çasti në çast dhe ishte i gatshëm për një gjë të tillë. Më 27 korrik 1948 u arrestua në Rrjoll në të njëjtën kohë me Taro Keçin dhe me dom Lekë Sirdanin.

Më pas, dy meshtarët i vunë mbi një gomar shpinë për shpinë dhe kështu i sollën nëpër Koplik duke i tallur dhe duke i akuzuar si tradhtarë, si armiq të popullit. Dom Pjetri qëndroi i qetë. Në fakt, disa ditë më përpara, në familje kishte thënë se kishte frikë të shkonte në Rrjoll, sepse druhej se mos e vritnin komunistët por se, në të njëjtën kohë, e ndiente për detyrë të shkonte, sepse ai ishte bariu i asaj grigje. U arrestua pa motiv në Rrjoll më 27 korrik 1948, prej nga u dërgua i lidhur në Koplik. Këtu, së bashku me Dom Lekë (Aleksandër) Sirdanin , i lidhën dhe i hipën mbi gomerë.

I shëtitën kështu nëpër të gjithë qytetin, ndërsa i fyenin dhe akuzonin pareshtur. Në fund, më 26 dhjetor 1948, i hodhën të dy në një gropë septike dhe aty i mbytën duke i shtyrë me sfurk. Ndër akuzat qesharake që iu bënë, ishte edhe ajo se kishte përkthyer enciklikën shoqërore të Papës Luani XIII, “Rerum Novarum”, enciklikë e 57 viteve më përpara. Dom Pjetri nuk iu nënshtrua asnjë hetimi e aq më pak gjykimi. Ajo kazermë në Koplik nuk ishte as hetuesi, por vetëm vend torturash. E mes torturuesve që u sulën me turr mbi të dhe mbi dom Lekë Sirdanin, ishte edhe i “famshmi” Asllan Lici, që ushtronte pushtet të plotë në emër të regjimit. Dom Pjetri, si Krishti, u torturua mizorisht deri në vdekje.

Nuk iu kursyen shqelmat, rrahjet me çdo lloj mjeti. Mes të tjerash pësoi edhe torturën me energji elektrike duke ia vënë dy fijet e korrentit në veshë; gjë vërtet e tmerrshme. Gjatë torturave u la të vdiste së bashku me dom Lek Sirdanin. Ende i gjallë, megjithëse pa ndjenja, i sfilitur prej torturave, u hodh në gropën e zezë të kazermës së Sigurimit të Koplikut, ndërsa policët, duke e shtyrë thellë me sfurk, u thoshin të dyve: “Ku është Krishti juaj, përse nuk ju ndihmon?”.

Sigurisht kjo qe edhe tortura më e neveritshme dhe e përbindshme. Ishte 34 vjeç. Për pesë muaj me radhë familjarët kanë vazhduar të çojnë ushqim dhe veshmbathje, deri në dhjetor 1948, kur një punonjës i policisë i tha të atit plak të dom Pjetrit, që të mos i çonte më asgjë, sepse ai kishte vdekur në korrik. Por populli, që e mbante si shenjt në tokë, aq më shumë e mbajti shenjt dhe martir pas këtij fundi mizor, duke kujtuar, siç ka dëshmuar Palokë Vecaj, fjalët profetike që dom Pjetri përsëriste shpesh: “Sikurse Krishti pësoi për fe, po vjen koha që do të pësojmë të gjithë ne, por duhet të qëndrojmë sikurse qëndroi Ai”.

DËSHMITË

Në të gjitha dëshmitë, Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni, kujtohen përherë së bashku, sepse së bashku pësuan të njëjtat mundime, gjetën të njëjtën vdekje, dhanë të njëjtën dëshmi për Krishtin. Në kujtimet Atë Gjergj Vatës, jezuit shqiptar, lexojmë: “Odiseja e vuejtjeve vazhdon. Dy meshtarë të tjerë, dy burra të butë si qingja të pafajshëm, dom Aleksandër Sirdani dhe dom Pjetër Çuni, u martirizuen në burgun e Koplikut. I dogjën me hell të kuqun, ua ropën lëkurën e mandej, ashtu gjysë gjallë-gjysë vdekun, i hodhën në gropën e ujnavet të zeza.”

Françeskani Atë Konrad Gjolaj shton: “Mizorët, mbasi i kishin hedhë gjallë në gropë, i pvetshin: ‘Flisni, hë, ku është Krishti, që s’po ju ndihmon?’. Vdekja e tyne heroike asht ndër ma të shëmtuemet e kryeme prej komunistave të shekullit XX. A thue e beson bota këtë? Kam frigë se jo. E pra edhe kjo ka ndodhë, në një komb, ku njerëzit duhet të ishin vëllazën, jo bisha”. Atë Anton Luli kujton: “Dom Pjetër Çuni e Dom Alesandri nuk u tundën deri në çastin e fundit. Mbasi i kishin flakue në gropë të ujnave të zeza, vrasësit provuen, për herë të fundit, ta lëkundshin fenë e tyne. U propozuen: ‘Pohoni se Zoti nuk ekziston, e do ta fitoni menjëherë lirinë!’. Forca e jashtzakonshme, që nuk pritej prej atyne trupave të martirizuem, i habiti komunistat.

E ndërsa ata flitshin, shokët e mjerimit, pështetë në dritaret e burgut e ndiqshin ngjarjen e tmerrshme e, në kundërshtim të plotë me synimet e kriminelave, merrshin zemër. Ata u përgjegjën se dëshirojshin ma mirë me dekë e me fluturue të lirë atje nalt, sesa me jetue si tradhtarë, këtu poshtë. ‘Nuk mund ta mohojmë Zotin, vëllazën. Zoti ekziston. Zoti ekziston! Na besojmë!’- ishin fjalët e tyne të fundit”. Tue i ndigjue këto fjalë, një roje i shtyu me cfurk, derisa krenat e tyne u zhdukën në ujnat e zeza. Dikush pati mëshirë e u hodhi sipër një grusht me dhe. Ndërsa komunistat nisën vallen rreth gropës së zezë. Mandej i detyruen të burgosunt e tjerë me i krye nevojat mbi trupat e tyne. Derisa një natë i hodhën në përrue, ku u hupën edhe eshtënt”. Në veprën “Rrno vetëm për me tregue”, të Atë Zef Pllumit, gjejmë dëshminë e Atë Bonë Gjeçajt për fundin e dy meshtarëve. Frati plak ia la trashigim diakonit të atëhershëm françeskan, Zefit, me shpresë se ai do të jetonte e do të tregonte…Ishte 75 vjeç Atë Bona, kur e arrestuan dhe e burgosën në Koplik duke e akuzuar se kishte themeluar demokristianen. Njeri shumë i thjeshtë e i pahile, Atë Bona u përgjigj se çdo meshtar katolik ishte natyrisht demokristian. Këtë përgjigje komunistët e morën si pohim të krimit dhe e torturuan mizorisht.

Së fundi, një ditë e nxorën nga qelia dhe e lidhën tek një pemë në oborrin e nevojtores provizore të burgut. Përpara syve të tij u zhvillua një nga skenat më tragjike të martirizimit, tejet e panjohur në martiriologun e Kishës universale, ku regjistrohen torturat më të sofistikuara që ka mundur të shpikë truri i sëmurë i njerëzimit. Fill pas Patër Bonës plak, nxorën nga qelitë dy meshtarët e rinj: Dom Pjetrin e Dom Aleksandrin dhe i shtynë egërsisht në gropën e ujërave të zeza. E kur ujërat e qelbura i gëlltisnin dalë–nga– dalë, “shokët” e sigurimit komunist shqiptar i godisnin me shkelma e me shkopinj. Atë Bonë Gjeçaj pësoi krizë të rëndë nervore. U çmend! E mori veten pas shumë kohe, në burgun e Shkodrës, aq sa të ishte në gjendje për t’i lënë trashëgim Atë Zef Pllumit këtë dëshmi gati të pabesueshme: të llahtarshme e të ndritur”. Duke kujtuar këto dëshmi, nuk mund të mos pyesim: ku shkuan ata njerëz, që e bënë gjithë këtë shëmtim? Nuk ua kemi dëgjuar më emrin! Ndërsa miqtë e dashamirët e Martirëve vijojnë t’i bëjnë vetes pyetjen: “Pse i mbytën kështu, vallë. Vranë shumë meshtarë, po vdekja e tyne asht ma e shëmtuemja, mbas dekës së Krishtit”. Dom Pjetër Çuni, me studime të kryera në Seminarin Papnor, në Shkodër e në Kolegjin e Propaganda Fide, në Romë, famullitar në Shkrel, Rrjoll, Reç e Lohe, u burgos më 27. 07.1948 në Koplik, ku i përfundoi ditët jetës më 31. 07. 1948, me vdekjen, për të cilën sapo folën dëshmitarët. Dëshmitë e para janë marrë nga libri i Regjina Lulashit “Dy vëllezër dëshmorë”(Due fratelli martiri, 2007), Grafiche Panico Galatine (Lecce), fq 70-71; e treta, është ritregim i dëshmisë së Atë Zef Pllumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat