Vërsuli drejt kufirit shqiptar mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë e tanke, si u dha urdhri për rezistencë ndaj agresionit të Greqisë më 2 gusht 1949

Dokumentare

Vërsuli drejt kufirit shqiptar mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë e tanke, si u dha urdhri për rezistencë ndaj agresionit të Greqisë më 2 gusht 1949

Nga: Halil Rama Më: 17 gusht 2024 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Dokumentet arkivore, por edhe dëshmitarë okularë vërtetojnë se, shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, në sulmin e 2 gushtit 1949, grekët përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çdo ushtri që synon të pushtoj një vend tjetër. Ushtria shqiptare iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve që u sulmuan. Ishte një luftë e përmasave dramatike. Ndërsa Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar. Kufiri shqiptar ishte bërë prej vitesh arenë e provokacioneve të shkaktuar nga shtetet fqinje, për qëllimet e tyre agresive apo pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë.

Viti 1949 është i veçantë. Vetëm gjatë këtij viti në kufijtë shqiptare u bënë gjithsej 747 provokacione të llojeve të ndryshme (tokësore, ajrore e detare), nga të cilët 612 në kufirin me Greqinë (303 tokësore, 299 ajrore e 10 detare); 130 në kufirin me Jugosllavinë (57 tokësore, 69 ajrore e 4 detare) dhe 5 (ajrore) në sektorët bregdetare me Italinë. Të gjitha këto provokacione, u paraprinë edhe nga një propagandë e shfrenuar që bënin vendet fqinje kundër Shqipërisë, veçanërisht në sektorët e Jugut. Ata jo vetëm hidhnin në territorin shqiptar libra, broshura e gazeta me thirrje kundër pushtetit popullor në Shqipëri, por arritën deri atje sa të fabrikonin dhe përhapnin trillime, sipas të cilave rreth kufirit shqiptar ishin krijuar baza, prej nga ku furnizoheshin partizanët grekë në luftën kundër andarteve (forcave të ushtrisë demokratike greke).

Robërit grekë të kapur nga Forcat e Kufirit Shqiptar, pohonin gjithashtu edhe përgatitjen psikologjike që u bëhej ushtarëve grekë për një sulm të afërt ndaj Shqipërisë. Provokacionet greke në kufirin me Shqipërinë, arritën kulmin e tyre më datë 2 gusht 1949, kur forcat e tyre ushtarake organizuan dhe kryen sulmin e armatosur kundër rojeve kufitare shqiptare në sektorin e Devollit, duke shkelur kështu edhe integritetin territorial të RPSH-së. “Veprime të tilla na kujtojnë metodat e nazistëve gjermanë dhe të fashistëve që krijojnë incidente në kufijtë me fqinjët e tyre me qëllim presioni e kërcënimi, për të krijuar pasiguri e armiqësi në mes të popujve ose për t`u hapur rrugë veprimeve më të gjera agresive”, shkruante ndër të tjera në kryeartikull, gazeta “Zëri i Popullit” në atë kohë, duke u prononcuar forcërisht për ngjarjet e 2 gushtit, në kufirin shqiptaro-grek.

Heroi i rezistencës ndaj monarkofashistëve grekë

Më 2 gusht 1949 do të ishte një centralist i thjeshtë nga Çidhna e Dibrës urdhëruesi i hapjes së zjarrit ndaj provokatorëve monarkofashistë grekë në kufirin shqiptar të Kapshticës. Adem Hoxha, centralist i postës kufitare në Kapshticë të Devollit, kishte radhën e shërbimit të gatishmërisë luftarake në natën e datës 1 (një) gusht duke u gdhirë 2 (dy) gusht i vitit 1949, kur rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 2 gusht 1949, ra zilja e telefonit. Mori receptorin dhe nga ana tjetër, personi që i fliste, u prezantua se ishte komandanti i Postës kufitare të Vidohovës. “Për momentin emri i tij nuk më kujtohet, – tregonte Ademi, – por mbaj mend se ai ishte një djalë i ri rreth të njëzet e dy-tre vjetëve, të cilit, sapo kishin filluar t’i dirsin mustaqet”. (Sipas bashkëkohësve, ai duhet të ketë qenë Memo Nexhipi Bejko, – pak çaste para se të binte dëshmor, i cili më pas është shpallur “Hero i Popullit”).

Kur Komandanti i postës së Vidohovës, z.Memo Nexhipi Bejko i ka kërkuar centralistit Hoxha që ta lidhte me komandantin e regjimentit, Ademi, iu përgjigj se “Komandanti i regjimentit në këtë orë është në shtrat, duke fjetur në shtëpinë e tij, në Korçë. Ai nuk ka telefon në shtëpi”. Më pas, komandant Memoja i ka kërkuar kufitarit nga Dibra që ta lidhte me Ministrinë e Mbrojtjes, por sërish ka marrë përgjigje refuzuese: “Përderisa nuk mundem me të lidhur me Korçën, si mundem me të lidhur me Ministrinë në Tiranë?! Ne nuk kemi lidhje me radio, por vetëm një central të thjeshtë, me tel !”, – i është përgjigjur Adem Hoxha. Dhe në kushtet kur forcat greke kishin shkelur 500 metra në territorin tonë kufitar, komandant Memoja, i zënë ngushtë, i ka kërkuar një mendje centralistit nga Dibra se si duhej të vepronte.

-Zjarr! – i është përgjigjur Ademi.

-Si të hap zjarr?! Me urdhër të kujt të hap zjarr?! – i tha komandanti i postës së Vidohovës.

-Me urdhrin tim! – i është përgjigjur rrufeshëm kufitar Ademi.

-Si me urdhrin tënd?! – ka vijuar komandanti?!

-Po të them: Me urdhrin tim! Kur forcat greke do të të vijnë te posta, ti a do t’u japësh cigare e duhan dhe t’ua ndezësh me shkrepëse, me dorë në zemër?! Zjarr mbi agresorët, se vetëm kështu mbrohet atdheu!

Vetëm këto ishin fjalët e fundit që këmbyen komandant Memoja dhe centralisti Adem Hoxha ndërmjet tyre, në mëngjesin e 2 gushtit 1949, para se të fillonte lufta mbrojtëse në Vidohovë kundër agresionit të monarkofashistëve grekë të 2 gushtit 1949. Pra, e thënë ndryshe, urdhrin luftarak për fillimin e zjarrit të parë, të pushkëve të para në Vidohovë më 2 gusht 1949 e ka dhënë, me iniciativën e vet, një ushtar i thjeshtë dibran, Adem Islam Hoxha, ish-centralist i postës kufitare të Kapshticë-Vishocicës. Më saktë, me atë arsyetim logjik të pjekur, tepër bindës, në ato rrethana të jashtëzakonshme bindi me të drejtë komandantin e Postës së Vidohovës për të hapur zjarr mbrojtës kundër agresionit të monarkofashistëve grekë, më 2 gusht 1949, në atë situatë të nxehtë luftarake. Një arsyetim i tillë, si ai i Adem Hoxhës, është tepër bindës dhe i drejtë edhe tani, pas 75 vitesh në kohë paqeje dhe në një situatë tjetër marrëdhëniesh krejt të ndryshme nga ajo e asaj kohe, kur Shqipëria dhe Greqia janë të dyja shtete anëtare të NATO-s (ndonëse Greqia vazhdon të mbajë ende në fuqi Ligjin absurd të Luftës me Shqipërinë). Nuk mund të kishte asnjë zgjidhje tjetër, përveç asaj të Adem Hoxhës, të mëngjesit të 2 gushtit 1949: për të hapur zjarr mbi agresorin. Kjo është një e vërtetë historike, ndonëse e pashkruar ndokund, ashtu si shumë të vërteta të tjera të pashkruara të historisë së popullit shqiptar, e rrëfyer qartë nga protagonisti i kësaj ngjarjeje në vitin 1993, kur ishte në moshën 76-vjeçare.

Çfarë shkruante "Zëri i popullit" më 6 shtator 1949 

Akti heroik i çidhnakut Adem Hoxha jepet fare qartë, qoftë dhe nga një fragment i reportazhit të të dërguarit të posaçëm të “Zërit të Popullit”, Dhimitër Tona, me titull: “Në piramidën 33, në sektorin e Bilishtit”, botuar më 6 shtator 1949. Ndër të tjera në të shkruhet: “…Centralisti ndërlidhës, Adem Islam Hoxha nga Çidhën e Poshtme i Dibrës, në mes mijëra predhash të artilerisë armike, ku s’mbeti pëllëmbë toke pa u qëlluar, ka kryer me heroizëm detyrën e tij: tri herë natën u këput linja, por të tri herët ai e lidhi përmes zjarrit të artilerisë dhe breshërit të plumbave të mitralozit. ‘Në luftën LANÇ-thotë ushtari Adem Hoxha, i dekoruar me Medaljen e Trimërisë,- nuk pata fat të luftoja kundër armikut, tashti jam edhe unë kryelartë midis shokëve të mi se kam luftuar ashtu si vëllezërit e mi dje për çlirimin e atdheut; sot unë luftova për mbrojtjen e tij nga monarkofashistët grekë, që duan ta skllavërojnë popullin tonë dhe të sjellin në fuqi armiqtë tanë….”.

Kush ishte Adem Hoxha?

Njëqind shtatë vjet më parë, më 9 janar 1917, në Çidhën të Dibrës lindi Adem Islam Hoxha, emri i të cilit hyri në historinë e kombit për aktin e pashembullt heroik në rezistencën ndaj monarkofashistëve grekë, gjatë provokacioneve të njohura të gushtit të ‘49-ës. I mbetur jetim që 6 muajsh, pasi babai Islami dhe nëna, Lihja i vdiqën nga epidemia e tifos e vitit 1917, Ademi do të rritej dhe edukohej nga gjyshi i tij, Abdurrahmani (Hoxhë Kuta). I njohur me titullin “Hoxha i 12 mijëve” në Shehër të Thatë, njëri ndër udhëheqësit popullor për organizimin e rezistencës të krahinës të Çidhnës e të mbarë Dibrës kundër pushtuesve serbo-sllavë në fillim të shekullit XX (gjatë viteve 1912- 1920), do të përkujdesej që këto virtyte t’i mishëronte edhe nipi, Ademi. Edukimin e parë atdhetar me dashurinë për atdhe dhe urrejtjen kundër armiqve pushtues e mori qysh në moshën 3-vjeçare, në vitin 1920, në kohën e pushtimit serb për të shpëtuar nga masakrat e pushtueseve, kur për tre muaj rresht u strehua në një shpellë në Gjalica të Çidhnës, në një kohë që pjesa tjetër e popullsisë së Dibrës u shpërngul drejt Tiranës, ashtu si në vitin 1913. Që nga ajo kohë, dhe sot e kësaj ditë, ajo quhet “Shpella e Hoxhës”.

Në vitin 1940 për veprimtari atdhetare antifashiste, u burgos nga pushtuesit italianë dhe u internua më pas në kampin e përqendrimit nazifashist në Ventotene të Italisë ku u dënua me 2 vjet dhe qëndroi nga janari 1940 deri në dhjetor 1941. Ky fakt, vërtetohet edhe nga regjistri që gjendet pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Tiranë në faqen nr.3 të të cilit me nr.rendor 21, z.Adem Hoxha (atëherë Kuta) figuron të ketë qenë i internuar prej nazifashistëve në kampin e përqendrimit në Ventotene, Itali, prej datës 11.02.1940 deri në dhjetor 1941, duke mos u përfshirë këtu koha e paraburgimit në Peshkopi, para transferimit në Itali dhe ajo e qëndrimit prej 24 ditësh të tjera në burgun e Barit në Itali. Në kampin nazifashist të Ventotenes Ademi u njoh dhe u miqësua me atdhetarë të tillë, udhëheqës të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve nazifashistë, si Nazmi Rushiti, Sadik Bekteshi, Ibrahim Dervishi, Abdyl Këllezi, Zef Mala etj., apo dhe me nacionalistët Safet Butka, Abas Ermeni, Prof.Isuf Luzaj etj..

Shoqëria dhe miqësia e tij me figura të tilla, ia rriti Ademit eksperiencën dhe pjekurinë politike. Në dhjetor 1947, Adem Hoxha, nga Çidhna, Dibër, kur i kishte kaluar 30 vjeç, u mobilizua për të kryer shërbimin ushtarak të detyruar në Qarkun e Korçës, (gjatë viteve 1947-1950), prej të cilëve, dy vjetët e fundit në kufi, në Bilisht. Pra, në kohën kur dha urdhrin luftarak për të hapur zjarr mbi forcat agresive të monarko-fashistëve grekë, Ademi i kishte të gjitha cilësitë dhe aftësitë si dhe ngritjen ideo politike dhe përgatitjen ushtarake për të komanduar e për të dhënë një urdhër luftarak me peshë të tillë që ishte vendimtar për fatet e atdheut. Adem Hoxha, i biri i Islamit dhe i Lihes (1917-1993), nga Çidhna, Dibër, luftëtari i vijës së parë të frontit të luftimeve për mbrojtjen e kufijve të atdheut tonë nga provokacionet e monarko-fashistëve grekë në gusht të vitit 1949, ishte tepër modest, ndaj nuk ka lënë kujtime të shkruara, por vetëm këto rrëfime gojore që nuk na shqiten lehtë nga kujtesa. Për aktin heroik ish-centralisti dibran i postës kufitare “Guri” në Kapshticë të Devollit, Adem Hoxha është dekoruar me “Medaljen e Trimërisë”.

Kjo vërtetohet me certifikatën e lëshuar nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor të RSH me nr.6749 dhe nr.i Dekretit 911, datë 23 gusht 1949 që mban nënshkrimin e ishPresidentit Dr.Omer Nishani dhe të ish-Sekretarit Sami Baholli. Në këtë medalje është shënuar ky motivacion: “Gjatë luftimeve për mbrojtjen e kufijve t’Atdheut në sektorin e Trestenikut nga agresioni i monarko-fashistave grekë, është dalluar për trimëri, vendosmëri e besnikëri”. Kjo certifikatë është një argument tjetër më shumë që vërteton katërcipërisht se Adem Hoxha ka qenë i saktë në rrëfimet e tij të para dy dekadave. Përpos kësaj, autoriteti i tij i padiskutueshëm në jetën civile, kur ka shërbyer mbi 60 vjet si imam, drejtues fetar dhe shoqëror, nuk lë asnjë shteg për asnjë fije dyshimi mbi të vërtetën e tregimeve të tij për organizimin e rezistencës ndaj provokacioneve të monarko-fashistëve grekë të 2 gushtit 1949. Si bashkëbisedues i para dy dekadave ruaj në memorien episode të rrëfyera mjeshtërisht nga Ademi për Provokacionet e 2 gushtit 1949. Shpeshherë, ai thoshte se jetën në atë luftë ia ka shpëtuar ish-Komandanti i Regjimentit, z.Baki Starja.

“Gjatë luftimeve unë kisha detyrë që të mbaja ndërlidhjen me central fushor, të lëvizshëm, atje ku zhvilloheshin luftimet. Pozicioni i centralit nuk mund të ndryshohej pa urdhrin e komandantit. Në një moment të caktuar, gjatë luftimeve ra një predhë murtajë e armikut vetëm disa metra larg, ngjitur me pozicionin, ku unë kisha vendosur centralin. Pranë meje ndodhej edhe z.Baki Starja, më vonë gjeneral. Fill pas atij momenti, komandant Bakiu më urdhëroi: Adem, shpejt spostoje centralin mu në gropën që hapi predha e murtajës së armikut. Sapo unë instalova aparaturën e telefonit në vendin e caktuar, vetëm disa sekonda më pas, ra predha e murtajës së armikut, pikërisht në vendin ku unë pata më parë pozicionin e centralit. Po të mos kisha ndërruar pozicionin e instalimit të centralit, unë do të isha vrarë në atë luftë”, – tregonte Ademi, duke shprehur njëherësh edhe respektin dhe mirënjohjen për Gjeneral Baki Staren që ka qenë oficer madhor në Provokacionet e gushtit 1949. Gjatë një takimi të rastësishëm, gjenerali në pension, Baki Starja, jo vetëm ma konfirmoi plotësisht atë çka treguam më sipër, lidhur me spostimin e centralit fushor, por pasi më shprehu edhe konsideratën e lartë dhe kujtimet që ruante për ish-ushtarin e tij 32-vjeçar, nga Dibra, bashkëmoshatarin Adem Hoxhën, më tregoi edhe arsyen e dhënies së atij urdhri dmth., eksperiencën e tij luftarake.

Rrëfimi i gjeneral Baki Starja

Gjeneral Baki Starja që kishte kryer shërbimin e detyruar ushtarak në kohën e luftës italo-greke, kujton gjithashtu kohën kur ka qenë i mobilizuar në repartin e ushtrisë shqiptare dhe shoqërinë me bashkushtarin Vesel Bushi (Spata) nga Blliçja e Peshkopisë. Nga përvoja e asaj lufte ata kishin mësuar se ushtria greke, artilierët i kishte ushtarë të karrierës me rrogë dhe jo rekrutë të shërbimit të zakonshëm të detyruar. “Artilierët grekë, si profesionistë të kualifikuar, predhat e artilerisë nuk i shpërdoronin, prandaj ata nuk shenjonin me gjuajt dy herë në të njëjtin vend, por për çdo qitje e lëviznin gradimin e shenjimit, për të mos rënë dy predha radhazi në të njëtin vend. Duke ditur këtë eksperiencë, unë e urdhërova Ademin që menjëherë të spostonte instalimin e aparaturës së centralit pikërisht në vendin kur ra predha e mëparshme, pasi e dija se aty ishim të sigurt nga goditjet e armikut”, – tregon gjeneral Starja.

Ndërsa centralisti Adem Hoxha, me krenari pohonte faktin që të gjithë ushtarët dibranë që morën pjesë në luftimet kundër provokacioneve të gushtit, shkëlqyen, duke u dalluar ndër të tjerët. Kjo sipas tij edhe për faktin se asnjë ushtar dibran nuk u largua nga pozicioni i luftimeve, ku e kishte caktuar komanda, por të gjithë ata, në përfundim të luftimeve u gjetën në vijën e parë të frontit. Kjo, ndoshta u bë shkak që më pas dibranët të shiheshin me një sy tjetër më të mirë, nga komanda, ndryshe nga më parë, pasi deri para provës që dhanë në luftime, ata shiheshim si të dyshimtë, për shkak të luftës që qe bërë në Fushalie të Dibrës, në korrik të vitit 1944. E thënë ndryshe, luftimet e provokacioneve të gushtit 1949 u bënë shkak që të rehabilitoheshin dibranët. Në këtë aspekt, ndër më të dalluarit, përveç oficerëve Bajram Hysen Kovaçi (gazetar dhe shkrimtar i njohur) e Isuf Daci, nga Grykë-Noka, ai kujtonte edhe Arif Pitarkën po nga Grykë-Noka, që shërbente në postën e Vidohovës, si dhe të tjerët nga reparte të tjera si Fali Konozi nga GrykëNoka, i plagosur, Sulë Daci po nga Grykë-Noka, Sali Pana nga Kodër-Leshej (i plagosur); të gjithë të dekoruar me “Medaljen e Trimërisë” etj..

Ndër shokët dhe kuadrot drejtues të rezistencës kundër agresionit të provokacioneve greke të 2 gushtit ’49, Ademi ruante respekt të veçantë për kolonel Skënder Malindin. Kjo edhe për faktin se kolonel Malindi, i sapokthyer nga Akademia Ushtarake e Bashkimit Sovjetik, në vitin 1947, e konsideronte Ademin jo si ushtar të thjeshtë, por si shok, të barabartë me të. Ndaj dhe organizatorët dhe pjesëmarrësit e asaj rezistence të pashembullt ndaj agresionit të monorkofashistëve/ grekë, meritojnë nderim të veçantë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat