Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përkujtoi më 31 gusht Maks Velon, në ditën e tij të lindjes. Sipas Gonxhes, Velo ishte një prej figurave të shquara të artit dhe arkitekturës.
“Në ditën e tij të lindjes, përkujtojmë sot një prej figurave të shquara të artit dhe arkitekturës shqiptare, mjeshtrin Maks Velo! Kontributi i tij i pazëvendësueshëm në kulturën tonë është një frymëzim i përhershëm për të gjithë ne dhe veprat e tij do të vazhdojnë të flasin për të gjithë brezat që do të vijnë. I përjetshëm kujtimi i Maks Velos”, shprehet Gonxhja.
Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. U nda nga jeta në Tiranë në 7 maj 2020. Ai ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare. Deri në ditën e fundit Maks Velo ishte ndërthurje e vazhdueshme e artistit-arkitekt, që nuk bënte kompromis me të vërtetat që mendonte.
Promovimi
Më shumë sesa jetë paralele, ajo që mbruhej në terr të plotë prej Maks Velos gjatë viteve ’70 ishte një jetë e nëndheshme, si një lloj laboratori me qëllime djallëzore ku eksperimentohej një qenieklon, me vështrim ultravjollcë dhe dëgjim ultratinguj që vëzhgonte në hije , ndërsa ai do të vazhdonte jetën pa e ditur se ç’e priste… “Mendoja se kisha shokë, kisha artistë… Ata ishin përbindësha” – është shprehur Maks Velo, gjatë promovimit të librit me 106 dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, mbledhur në titullin “Jetë paralele”.
Në çdo faqe të dosjes së tij kolegët, miqtë, të afërmit i shndërroheshin në agjentë, bashkëpunëtorë sigurimi, kallëzimtarë, herë me nofka si “Energjiku”, “Motori”, “Shigjeta”, “Pisha” “Semani”. Edhe ato që Maks Velo i fliste si biseda dhe rrahje mendimesh mes miqsh e njerëz të artit në atë dosje ishin vijë sjelljeje të diskutuara më parë nga punëtorë operativë. Dosja, përmban një numër të madh dokumentesh sekrete dhe jo sekrete –aktakuza, ekspertiza, procesverbale të marrjeve në pyetje nga hetues dhe vendime të gjykatës.
Maksi e dispononte pjesën më të madhe qysh nga koha e hetuesisë dhe i pati me vete gjatë gjithë kohës së burgut – kalvar, i cili nisi më 14 tetor të vitit 1978. Materialet e arkivit të Sigurimit nuk i kishte e as nuk ishte në dijeni ,derisa aplikoi pranë Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit për ta marrë të plotë dosjen e tij.
Arkitekti Maks Velo u denoncua nga ish-gruaja dhe miqtë e tij, ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial. Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90 ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10-vjeçar. Por thikat pas shpine ndaj Maks Velos do të ishin edhe më të thella se kaq.
Vjehrra e tij, një austriake do të rezultonte bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit. Dosja, ka një numër të madh dokumentesh sekrete dhe jo sekrete –aktakuza, ekspertiza, procesverbale të marrjeve në pyetje nga hetues dhe vendime të gjykatës. Maksi e dispononte pjesën më të madhe qysh nga koha e hetuesisë dhe i pati me vete gjatë gjithë kohës së burgut – kalvar, i cili nisi më 14 tetor të vitit 1978. Materialet e arkivit të Sigurimit nuk i kishte e as nuk ishte në dijeni ,derisa aplikoi pranë Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit për ta marrë të plotë dosjen e tij.
Maksi do të mësonte gjëra që nuk i kishte ditur më parë për dramën e jetës së tij. Për të vjehrrën, austriakja Gertrudë Buheckes që ishte një nga ato gra të huaja, të cilat u martuan me burra shqiptarë dhe mbetën brenda kufijve gjatë regjimit komunist, Maks Velo ishte borgjez. Po ashtu do e cilësonin edhe dhjetëra bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe denoncues të Velos. Në denoncimin e vjehrrës në Sigurimin e Shtetit do të shkruhej: “Sot në datën 4.7. 75 pata një bisedë në prezencë të punonjësit operativ Gëzim Bejko, me qytetaren Gertrudë Buheckës që banon në rrugën Bajram Curri 36/4. Ap.10. Kjo është e vjehrra e Maks Velos që ndiqet nga ana jonë nën p. Paraprak për Agjitacion propagandë. Gertrudë u ankua për dhëndrin e saj si dhe për të bijën, se ata e trajtojnë shumë keq, bile edhe e rrahin. Gertrudë është me kombësi austriake. Ajo duke qarë fliste me një urrejtje të thellë për Maksin dhe familjen e tij. Për Maksin ajo thotë se është një njeri hipokrit, egoist, për familjen e tij, ajo është familje aristokrate.
Më ka qëlluar, tha ajo, në ndonjë rast kur kam shkuar në shtëpinë e tyre dhe kam dëgjuar fjalë e të së mës së Maksit, e cila më thoshte se Maksi im është rritur me çokollata, se ai ka lindur në Paris etj. Vajza ime, vazhdon më poshtë Gertrudë, qysh se është martuar me time bijë, Maksi nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, bile dhe tani që ka lindur djalë. Ai është një tip psikopati dhe shumë i ulët në karakter. Tani ka dy ose tre muaj që sjellë vajzën në shtëpi me gjithë djalin, dhe nuk interesohet fare për ta. Do që ta ndajë time bijë, por nuk do që ta padisi në gjyq.
Me një fjalë Maksi është një tip borgjezi që unë nuk gjej fjalë t’ia u shpjegoj karakterin e tij. Tani ai më quan mua spiune se kam dorëzuar dy librat e tij, në degën e brendshme, që kanë përmbajtje jo të mira. Unë në të vërtetë kam shpënë dy libra në lidhjen e shkrimtarëve, që më janë dukur jo të mirë dhe jo në degën e brendshme. Nuk di kush mund t’i ketë thënë Maksit për këto. Bile edhe ime bijë po më thotë që po që se do i ndodhë gjë Maksit, dije se kam për të zhdukur ty. Ime bijë bile më ka goditur mua, ajo është bërë si e luajtur mendsh. Në këtë gjendje atë e solli Maks Velo. Vajza ka rënë në një pesimizëm kaq të madh sa më ha meraku se mos ajo për shkak të Maksit mos kalon në vetëvrasje. Dua që ta bind që ajo të shtrohet në spital, por ajo nuk më bindet mua. I them që ta ndjek Maksin, por ajo përsëri nuk pranon.
Dosja
Në kallëzimet e tyre kundër arkitektit Maks Velo nuk lanë pa përmendur edhe luksin aristokratik të shtëpisë së tij në rrugën “Hoxha Tahsim”, me qilima, sixhade, shpata të varura në mure e servise të çmuara argjendi. Mes rreshtave të dosjes duket se lexohet se po të qe e mundur do të quhej faj edhe përkatësia e familjes së tij prej nëpunësish të lartë. I ati, Sotiri, ishte shkolluar në Francë ndërsa në vitin 1937 u kthye në Tiranë dhe ushtroi profesionin e mjekut okulist, po ashtu edhe i vëllai ishte mjek kirurg, i emëruar në Vlorë. “Kjo familje ka qenë e privilegjuar në regjimet e shkuara gjatë okupacionit kanë mbajtur qëndrim indiferent, nuk janë aktivizuar në jetën politike”, shkruhet në një prej dokumenteve në dosje. Dosja e Maks Velos është dosja e një artisti, dënimet ndaj të cilëve ishin të rralla në të gjithë kampin socialist, por mbase më të dendurat në vendin më të izoluar dhe fortesën e fundit të komunizmit në të gjithë Lindjen.
Ndëshkimi
“Vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.