Dëshmia e rrallë e ish-dënuarit të Spaçit për vdekjen e ushtarakut në qeli: Policët çuditërisht s’e hoqën kufomën dhe me ‘dekret’ burgu…

Dokumentare

Dëshmia e rrallë e ish-dënuarit të Spaçit për vdekjen e ushtarakut në qeli: Policët çuditërisht s’e hoqën kufomën dhe me ‘dekret’ burgu…

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 08:29
Zefi Ashta

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

Po t’i dija asohere këto, do kisha kursyer mundimet e tepërta, s’do më kishin sakatuar kësisoj. Ç’fatalitet! Fiks më 23 nëntor 1968, para pesë vitesh, më rrasën në një auto-varr, që e ledhatonin “bukuroshja e lalës”, me një tufë mjeranësh dhe më nisën humbellave të Mirditës. Po më 23 nëntor, pas pesë vjetësh, udhëtoja me paratë e xhepit, drejt Shkodrës, qytetit që më fali dashurinë, me sa mund t’i blatohet një të adoptuari, por më rezervoi ndëshkimin e rëndë, sërish me një tufë të rreckosurish për ibret.

Mbase po më rikthenin të plotësonte profecinë e munguar Thoma Tutulani, të realizonte pengun e kahershëm, ngaqë ia “hodha” me gjysmë dënimi dhe tash pas pesë vitesh, mezi priste të më shihte pas hekurave, që të kërkonte dënim maksimal e, të kënaqte epshin ideologjik.

“Kur më nisi vrimave të Mirditës, uroi të mbetesha kufomë nën masivët shkëmborë, i pakënaqur me fatin tim, shpreson të realizojë betimin e kahershëm tani”! Por i Madhi Zot e kish paraparë ndryshe fatin tim! Vërtet gjithë ç’tha patriot-prokurori, në një moment sinqeriteti, rezultuan të sakta; gjykata më dha dënimin që paracaktoi ai; burgun e mbylla kokërr më kokërr dhe tani, po më rikthenin aty…, të gjallë!

Pra qiraxhiu, priste të piqte hanxhiun! “Pse mos të ketë të drejtë tani që koordinuan veprimet dhe më rikthyen këtu”? Me këtë përfundim, përkuan edhe porositë e atit, kur më përcolli në Degën Ushtarake: “Uroj të vesh dhe të kthehesh shëndoshë, o bir! Eksperienca do të ndih të zgjedhësh udhën”! I ktheva përqafimin me një: “mirë u pafshim!”, por me vete thashë: “në më lënçin”, dhe i taksa vetes: “durim dhe vigjilencë, ndaj të njohurve dhe të panjohurve”!

Zhelan, bash si në burg, përshkova rrugën gjer në Shkodër, me kokën që më gjëmonte nga e qeshura cinike, e prokuror-patriotit. M’u riprodhua i plotë dialogu i para pesë viteve…dhe u betova: “Do ruhem si dreqi nga thimjanit”.

Rikthimi ku kisha njohje të shumta, s’ishte ogur i mirë. Qëllimi i autoriteteve u komprometua qysh në zanafillë. Ata mbase mëtonin të aktivizonin fijet e vjetra, për t’i përdorur si biçim alibie, të më shndërronin në strumbullarin e një mega grupi armiqësor, për ta finalizuar mbas hetuesisë special, me një gjyq ushtarak, kësisoj mbyllnin farsën e nisur para do vitesh.

Eksperienca e burgut më ndihu të dilja në këtë përfundim. Ndaj apelova vullnetin, ndërmenda spiunët e hetuesisë, shmanga njohjet e lashta dhe u ktheva në konspirator patologjik. U rreka të ruaja anonimatin, mesa mund të ruhej në komunizëm, duke ajgëtuar pas çdo të panjohuri, një të dyshuar, pas çdo ushtari, provokatorin dhe spiunin.

Sa për sy xhihane, u solla korrekt, po në fakt ruaja distancën duke vrojtuar secilin dhe sapo pikasja ndonjë lojë, qoftë edhe pa qëllim, mbyllesha në guaskë. Mbase e ekzagjerova paksa me zhguallin hermetik, por në ambientin e kontaminuar nga pabesia, s’më mbeti tjetër.

Ndërkaq muajt iknin. Përgjuesit u lodhën nga padurimi, për të vjelë frytin e kontributit (spiunllëkut), para se të piqeshin fiqtë dhe kur panë se “beneficet” po vononin, i akorduan vetes ndonjë “leje” në familje, apo liridalje jashtë radhe, etj.

Por në ushtri ndëshkohej çdo shkelje. Operativi që duhej t’i ndëshkonte, iu doli krah këtyre edepsëzëve, i shpëtoi nga ndëshkimi, njëherësh i nxori zbuluar, pa kaluar muaji dhe i katandisi karta pa vlerë. Kështu m’u lehtësuan pozitat një farë soj, por u detyrova të rrisja vigjilencën.

U ndrydha dhe u distancova pa dallim, ndërkohë për të mbajtur nën kontroll situatën, vrojtoja prapaskenat. E dija se isha nën shënjestër, ndaj këmbeja fjalët e domosdoshme të rastit dhe lozja naivin. Ballë gojë-kyçjes totale, u shpërqendrua vëmendja e fuksave, që vitin e parë. Mbase “ustallarët” menduan: “Këtij i ka hyrë lepuri në bark, sa s’guxon të shohë as ëndrra”!

U lodhën me “naivin pa të keq”, siç më quanin pas shpine, (dhe kishin të drejtë të më konsideronin të tillë, sepse edhe vetja m’u neverit, në rolin e teveqelit). “Por mirë të më bëhet, fundja këtë synova dhe ia mbërrita!” ngushëllohesha. Konsiderata “gjysmak”, mbase më nxori jashtë orbitës dhe më siguroi një farë çlirimi relative, që e shfrytëzova në formë të sofistikuar, për t’u lidhur me ndonjë të afërm, të miqve të mi.

E njihja karakterin shkodran, zemërgjerësinë dhe përzemërsinë e këndit më të shquar verior. Qysh kaherë, Shkodra njihet si kryeqendra e komplekseve, e artit dhe kulturës, me intelektualë liberalë e të mirë-arsimuar, dashamirë të së bukurës, të letrave, të poezisë, të muzikës dhe në veçanti të humorit të hollë. Vetëm atje mund bënte vaki, të dëgjoje barsoleta gazmore, që vinin në lojë regjimin dhe krerët, madje edhe te “Kafja e Madhe”, midis pjacës.

Kush më mirë se shkodrani, e vlerëson të bukurën mes shëmtisë, qëmton gazmendin, mes vajit, shijon jetën mes skamjes, kundron yjet mes reve?

Ushtar në repart pune, në Shkodër

Ndërtonim një pallat mes lagjes “Partizani”, ku punimet i drejtonte Gjovalin Dudushi, që siç do mësoja, vazhdonte fakultetin e inxhinierisë me korrespondencë, për shkak të një ceni biografik. Mbasi e studiova ca kobë karakterin e tij, i dhashë miqësi, natyrisht duke ruajtur me fanatizëm sekretin e lashtë.

Një tjetër “mik” ishte Jaku, shoferi rrondokop e llapaqen i repartit, që mburrej ashiqare, për bashkëpunimin me Sigurimin, por ishte tepër i leshtë, për të qenë i rafinuar. Njëherësh shfrytëzova “kofidencën”, me kapter Nduen, që për t’i bërë qejfin e thërrisnim; “shef”. Magazinieri avdall, tundte vend e pavend teserën e partisë dhe spekulonte me besimin e organizatës bazë, që i kish garantuar detyrën.

Në repartin tonë, që në fakt ishte brigadë e zakonshme pune, me tridhjetë argatë të veshur ushtar, kryenin zborin disa dhjetëra rezervistë shkodranë. Natyrisht shumica vinin nga familjet me biografi të “keqe”, gjë që e pikasa, kur komandant Gjeta dhe “shef” Nuja, i rreshtuan dhe lexuan emrat e mbiemrat.

Ndërkohë unë ruhesha dhe shmangia me të njëjtin kujdes çdo njohje apo bisedë publike, po kur mbetesha vetëm me ndonjërin, i hidhja fjalën larg e larg, për të afërmin që kisha njohur në burg, vilja informacionin që më interesonte dhe mund të thellohesha më tej, kur bindesha me kë kisha të bëja. Gjatë vitit, shkëmbeva disa dhjetëra libra me Gjovalinin, dhe e thelluam miqësinë, duke shfrytëzuar kontaktet e përditshme.

Nga entuziazmi për zbulimin, ai më prezantoi me miqtë e vet, dashamirë letërsie, arti, kulture, disa nga të cilët qëlluan të ishin, bijë apo nipër të dënuarish politikë, që, për hir të së vërtetës, gjendeshin me shumicë në Shkodër e rrethina. Nëpërmjet Leon Keqit, djalit të mikut tim, Gjeto Keqi, njoha një nipin e Zef Ashtës. Sërish, nëpërmjet Leonit, ai mësoi se kisha qenë në burg politik; sigurisht biseda u zhvillua pa prezencën time, por djali i mikut më vuri në dijeni, për t’i paraprirë një takimi të mundshëm.

Pas ca ditësh u gjendëm ballë për ballë, si “rastësisht”. Nipi i Zefit, me përmendi “shkarazi” të ungjin dhe u orvat të hetonte ndonjë shenjë pasigurie te unë, por i parapërgatitur për situata të tilla, i fola për të, kur u binda se s’më provokonte. Një buzëmbrëmje të ftohtë dezhurni më njoftoi se më kërkonin në takim.

Me jakën e kapotës ngritur, iu qasa portës së repartit pa imagjinuar kush më priste, ndonëse isha i bindur se të afërmit, s’mund të mermin udhën e largët nga Berati, pa më njoftuar më parë. Sidoqoftë, kapërceva derën pa ndonjë hamendësim dhe ajgëtova dy krahët e trotuarit, ku venin e vinin ca kalimtarë të rrallë.

Askush s’gjuante portën e repartit, edhe ndonjëri që ngulej në stacion, ngrinte jakën në pritje të autobusit për në “Fermentim” apo, për te ura e “Bahçallëkut”, pa i hedhur sytë nga muret e Korpusit. Mbase Shkodra e urrente “Lazaretin”, kampingun me sërën e kazermave, që iu kujtonte represionin dhe terrorin komunist.

Këqyra rreth e rreth, asnjë i njohur. Bëra të kthehem, kur shqova në pezulin e majtë të kabinës së dezhurnit, një të ri me kasketë mbi sy dhe një grua të moshuar, mbledhur me një manto të dalë mode dhe një shall leshi. Të kredhur në muzgun mbrëmësor, s’ua dallova tiparet, i pandeha udhëtarë të ngulur në stacion, ku ecejaket nuk shternin gjatë gjithë ditës.

U ktheva kundruall të këqyrja trotuarin, po s’kishte këmbë robi. Instinktivisht, u përqendrova mbi çiftin bizar, kur mbërriti gjer te unë një zë femre, në dialekt: “Nji ky a”? – një pauzë dhe sërish: – “Kenka krejt fmi, or bir”! I riu ia ktheu – “Ani, ani”! dhe dolën ballazi duke këmbyer replika. Edhe dy çapa më ndanin nga hyrja, kur më preu rrugën nipi i mikut tim, Zefit. Ja shtriva dorën, ia zgjata edhe shoqërueses plakë, për kortezi.

Tash në dritën e projektorit, u shfaq një fytyrë e hequr ku spikatnin dy sy të hirtë, me ca rrudha të thella e të shpeshta, që zinin fill në kënde dhe harkoheshin e thelloheshin në faqet e futura, zbrisnin nën mjekër, duke i dhënë shëmbëlltyrën e një martireje të përvuajtur, apo të një shenjtore përdëllimtare. Plaka shtangu me njërën dorë shtrirë dhe në tjetrën një strajcë: “Merre, o bir”! – foli butë.

Ëmbëlsimi i tipareve që i ngjiste çdo nëne apo motre, më rriti mirëbesimin. I kaptova kufijtë e dyshimit dhe e pranova “dhuratën”, si ta ma blatonte ime më, madje do ta kisha pranuar njësoj, edhe po të fshihej në strajcë ndonjë bombë.

Mbas përshëndetjeve të momentit, plaka më la trastën, më hodhi duart mbi supe dhe shpejtoi: “Tash po ndahena, ta po t’presin n’shpi, natën e mirë”! Pa më lënë kohë, më ktheu shpinën ndjekur nga i biri, iu afruan autobusit, që sapo ndali në stacion. Nga trotuari ndoqa një dorë të zhubrosur, që u tund në boshllëk. Motori uturiu dhe skrapamentua e rrangallës, më mbuloi me tym të hidhur.

Kur figura e plakës po tretej në terr, ngrita dorën e lirë dhe e luhata në ajër. S’di në më vunë re. Këqyra rreth për herë të fundit dhe kaptova derën. U struka në strehën pas bërrylit ku s’më rrihte era dhe hapa çantën. Një avull erëkëndshëm gufoi, më giciloi hundët dhe më lëbyri sytë, ndërkohë diç më përcëlloi majat e gishtave. “O Zot, aroma e nënës!”

Dora ndeshi ca petë byreku të sapodalë nga furra, ndërsa një shishe zbardhonte përfund strajcës dhe… s’kishte tjetër, asnjë letër, asnjë shënim, asnjë…! “Eh, nënat dhe motrat kudo njësoj”! – më regëtiu thellë trurit. Këputa një çapë dhe u mallëngjeva. “Oh, nënë”!

Goja m’u ngroh, teksa një ngrohtësi më sublime më kaploi shpirtin: “Lavdi NËNAVE! Ruaji dhe falu gëzime NËNAVE, o Zot! Ato janë zanafilla e dashurisë pa kushte”! Nën një rrebesh shiu, siç bie në Shkodër, i ktheva vizitën motrës plakë, të mikut tim.

Në hyrje të rrugicës, më priti i biri, që më shoqëroi nën hajatin e një shtëpie të ronitur, në një dhomë të së cilës tymoste një shporret llamarine. Ndanë qoshkut, plaka dyshimtare priste me mosbesim, gjë që e përligjte vërsa ime dhe e të vëllait, që s’përkonin kund.

Akulli u shkri që në fjalët e para. Mbas konsideratës për të vëllanë ajo m’u hodh në qafë dhe shpërtheu në lot. Ndërsa unë vazhdoja t’i flisja, për dashurinë që ushqente ai për ta, mes ngashërimit, ajo më kërkoi ndjesë për fukarallëkun, për pamundësinë materiale, “për të më pritur siç e meriton”, mandej s’reshti së pyeturi, për gati dy orë, për “vllaun e dashtun, që po e mbysnin n’çeli”! Nëpërmjet saj rivendosa kontaktet me Zefin, më dërgonte dhe i çoja të fala. Pastaj u lirova nga ushtria dhe haberet vinin më rrallë.

III

Kur ndeshja ndonjë bashkëvuajtës që lirohej nga burgu, interesohesha për të rejat e fundit. Prej tyre mora lajmin e  hidhur, për vdekjen e Zef Ashtës. U hidhërova pa masë. U ndjeva si të më kish lënë një i afërm. Ai, me personalitetin dhe dijet, ndikoi fuqishëm në formimin tim intelektual dhe politik, ato tre vite. Por lajmin e plotë, do ta mësoja kur liruan nga burgu Luan Myftiun, mikun tim dhe të Zefit.

Ja si ma përshkroi Luani këtë gjëmë: “Aty nga mesnata, Zefi mbylli sytë përgjithmonë! – e nisi rrëfimin. – “Mandata u përnda nëpër fjetore. Për gjithë natën gjersa u gdhi, të burgosurit e përgjëruan me radhë. Interesant, në mëngjes policët s’e hoqën kufomën e të ndjerit, siç vepronin zakonisht. Atë ditë sikur u bënë më të ndjeshëm, më njerëzorë, madje dukeshin edhe pak të pikëlluar dhe nuk ulërinë si çdo herë! Me ‘dekret’ burgu, shpallëm zi kombëtare. Natyrisht u mbështetëm në kodin tonë, paçka se komanda, s’do ta respektonte.

Në kujtim të burrit që sakrifikoi gjithë ç’kishte dhe dha gjithë ç’mundi për Atdheun, për lirinë, për prosperimin dhe për edukimin e brezit të ri, e shpallëm edhe zyrtarisht, domethënë një dezinjator, shkroi lajmërimin e me tush, si asnjëherë tjetër, njoftimin dhe nekrologjinë, mbi copa kartoni, kurse të rinjtë, i ngjitën në dyert e fjetoreve, në faqet e murit, në hyrjet e galerave, madje edhe në stendën e emulacionit.

Deri afër mesditës, miqtë e Zefit pritën ngushëllime, mandej u formua një procesion dy vargjesh nga të dënuarit, madje edhe polic i veçantë, ku e përcollën solemnisht kurmin e atij burri, që do linte emrin më të ndritur, në burgjet politike. Sigurisht, ai e meritonte respektin! Mbase edhe më shumë…! Por ne, aq mundëm, aq bëmë…”, përfundoi Luani.

Po, miku im, padyshim Zefi, e meritonte me tepri! U prehtë në paqen e amshuar! Amin! Psherëtiva mes lotëve…!

Miku “special” i të burgosurve!

Tani po përmend një mik “të veçantë”, që e lashë qëllimisht, sepse sado i njohur në burgje, mbeti i zhytur në anonimat. Të dënuar dhe police, pa përjashtim, e quanin MARROK. Burgjet e njohën “marrok”, e thirrën “marrok”, e trajtuan “marrok”, e liruan “marrok”, mbase ka vdekur dhe është varrosur si “marrok”.

Me siguri bashkëvuajtësit që rrojnë e kujtojnë “marrokun” ashtu siç ishte, por pak e dinë se cili qe ai dhe më pak ende e mësuan të vërtetën. Mbase edhe unë do isha liruar pa e marrë vesh kush fshihej pas petkave beterr, pas trupit të drobitur, gjer në rrënim, pas zhulit që të shtinte krupën, pas tipit herë të heshtur, gjer në vuvëri, herë llafazan, gjer në bezdi, pas zhargonit sarkastik e therës, banal e rrugaçëror, por desh Zoti pata mik Tomor Allajbeun dhe më pas Zija Lepenicën, vëllanë e Sadik Premtes, që veçan njëri-tjetrit dhe me terma të ndryshme, do të më rrëfenin ngjarjen, më poshtë:

“Enver Hoxha, nga student i dështuar universiteti të pakryer, në sekretar i dyshimtë legate në Bruksel, nga mësues me orë në liceun e Korçës në, gjoja revolucionar dhe kundërshtar i pushtimit fashist, nga shitës demek i “maskuar” cigaresh në mes Tiranës, deri në udhëheqës i lëvizjes pseudo-komuniste; mandej nga drejtues i Komitetit Central të Partisë Komuniste (lexo terroriste), gjer në triumfin e forcës që drejtoi, dhe më vonë, deri në fund të jetës, pati kundërshtarë personal (lexo armiq për pushtet), por në rrugë e sipër, i dolën edhe antagonistë brenda forcës që drejtoi dhe kur këta mungonin, i shpiku nën sindromën e paranojës dhe prodhoi armiq me shumicë, siç sajoi heronj me tepricë.

Sipas gjasave, kundërshtarët mund t’i klasifikojmë në tri grupe: armiq realë, të supozuar dhe imagjinarë. Me armiqtë e vërtetë qe përballë, po “trimi” Enver s’qe aq levend sa shtirej, madje s’mbahet mend ndonjë përballje, veç tradhtive dhe “budallenjtë” që i nxori në pritë dhe më pas i eliminoi me dredhi.

Armiqtë e supozuar, përbënin një skotë derbederësh, që mund t’i kërcënonin avenirin, për shkaqe pa shkaqe. Këta mund të ishin të njohur të viteve fëmijërore, të shkollës së mesme, dëshmitarë të dështimeve universitare apo, të dëfrimeve pafre dhe më vonë kolegë, që i njohën mangësitë dhe cenet morale, shokë lufte dhe pune, të aftë e karizmatikë, por që për një arsye apo tjetër, rrezikonin t’i eklipsonin figurën.

Ndërsa në grupin e armiqve imagjinarë, mund të klasifikoje çdo idiot politik, që mbasi i shtrydhi edhe pikën e fundit, në një moment vendosi ta flakte, duke e cilësuar armik, por që të merrte vlera etiketa, e “bindte” qyqarin, të vetë-shpallej “kundërshtar potencial”, i Partisë dhe Pushtetit Popullor.

Në burg dhe pas burgut, takova me duzina të tillë. Kur i shihje nga larg,krijoje bindjen se ishin të aftë dhe me karakter, po kur më poqi rasti, ndërrova mendim: “Mjerë populli, cilët e paskan drejtuar, për gjysmë shekulli”! Marionetat politike, që kishin zgjedhur të na udhëhiqnin, të ngjallnin neverinë, po edhe shpresën:

“Nëse të ngjashmit e këtyre dordolecëve tru-shpërlarë, janë të tillë, shpëtimi nga gërbula komuniste, do të jetë çështje kohe”, dhe vërtet s’isha gabuar, kur erdhi momenti shumica e shqiptarëve, i flaku si kukulla, shkelmoi dogmat marksiste dhe degdisi mirëqenien imagjinare-socialiste. Sa kapi shtetin dhe mori pushtetin, Enveri i eliminoi “kundërshtarët armiq”, o tek e tek, o në grupe.

Për ironi të fatit, dy më të rreptët, siguruan azil politik në Francë, vend ku i Madhi pat shtënë merakun rinor dhe s’u shkëput dot, gjersa mbylli sytë. Hija i tyre e torturoi, i prishi gjumin, humorin, gëzimet dhe i rriti fobinë.

Dy të njohurit e hershëm, nacionalisti fanatik dhe intelektuali brilant, profesor Abas Ermenji, me të cilin kish ndarë vitet e mësuesisë, në shkollën ku Enveri mbeti parveny dështak, teksa Ermenji i eklipsoi unin, me përsosmërinë intelektuale dhe atdhetarinë. Ndaj gagareli vanitoz dhe cinik, e urrente bash për shkak të vetive, që s’arriti të përvetësonte. Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat