“Naseri kapitulloi me turp, i thyer, i mundur keqas nga ushtritë e Izraelit”- Ditari politik i Enver Hoxhës

Dokumentare

“Naseri kapitulloi me turp, i thyer, i mundur keqas nga ushtritë e Izraelit”- Ditari politik i Enver Hoxhës

Nga: Dashnor Kaloçi Më: 13 tetor 2024 Në ora: 08:11
Foto ilustrim

Publikohen disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967,  e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj.

Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?!

A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al

E PREMTE, 9 QERSHOR 1967

NASERI KAPITULLOI

Dje Naseri kapitulloi me turp, i thyer, i mundur keqas nga ushtritë e Izraelit. Disfatë e një borgjezi blofist, mendjemadh dhe sharlatan. Mori më qafë popullin egjiptian, i cili do të vuajë akoma më shumë, nga ç’ka vuajtur deri tani. Fuqitë imperialisto-revizioniste, do t’i imponojnë Egjiptit, kondita skllavëruese, do (të ndajnë sferat e influencës. Revizionistët sovjetikë në Egjipt, anglo-amerikanët në vendet e tjera të Orientit, do të futin kthetrat sa më shumë, në vendet arabe. Është e qartë se ç’kalbësira, qëndrojnë në krye të këtyre popujve trima dhe liridashës. Në këto ditë të vështira, ku i çuan udhëheqësit e tyre reaksionarë, kapitullues dhe imperialisto-revizionistët, ne duhet të vazhdojmë t’i mbrojmë popujt vëllezër arabë. Revizionistët sovjetikë, haptazi luajtën rolin e ndyrë, të aleatit besnik të imperializmit amerikan. Ata në gjithë veprimtarinë e tyre, ndihmuan agresorin izraelit, demoralizuan, dekurajuan dhe kërcënuan RAB-in, pavarësisht ç’kalbësirë është Naseri.

Rezoluta e përbashkët sovjeto-amerikane, e marrë në Këshillin e Sigurimit, vetëm për pushimin e zjarrit, pa përcaktuar agresorin, pa bërë përgjegjës për bashkagresion Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë dhe pa kërkuar tërheqjen e trupave të Izraelit, e vërteton katërcipërisht, ujdinë sovjeto-amerikane. Kërkesa e Këshillit të Sigurimit, kur Izraeli kishte arritur objektivat, natyrisht nga dobësia e ushtrisë egjiptiane dhe e Naserit, do të thoshte “kapitullim i Egjiptit”. Dhe kështu ngjau. Mësim i madh për popujt revolucionarë, që tregon se në radhë të parë, duhet të luftosh vetë trimërisht deri në fund, të kesh besim në radhë të parë, në forcat e popullit tënd, në organizimin tënd. Kjo nuk do të thotë se nënvleftëson ndihmën internacionaliste (flasim për ndihmën e vërtetë dhe të sigurt të miqve). Revizionistët sovjetikë, vepruan tradhtisht me popujt arabë, siç vepruan me Kongon, me Kubën, me Santo-Domingon. Kështu ata, do të veprojnë me të gjithë, vija e tyre është e qartë, antirevolucionare, kapitulluese, imperialiste. Sovjetikët më tej, do të bëhen edhe agresorë të hapët dhe jo më të maskuar, siç përpiqen të veprojnë tash.

Logjika e tradhtisë, atje do t’i çojë. Në këto situata ndërkombëtare të koklavitura dhe të vështira për popujt, Kina nuk është aspak në rregull. Ajo është në anarki, në rrëmujë, në luftë civile. Popujt në botë, janë të dëshpëruar prej saj, pse nuk mund të kenë përkrahjen e saj si duhet. Kina, kërkon vetëm që të thuash se; “Mao Ce Duni udhëheq të gjithë revolucionarët e botës”. Por në fakt, ai nuk bën dot zap shpejt kundërrevolucionarët brenda në vendin e tij. Kur brenda nuk vë dot rregull, atëherë, si do të ndihmosh të tjerët dhe as që duhet të kesh pretendime “të drejtosh revolucionin botëror”?! Kjo është një fatkeqësi, një minus i madh, por fakti është fakt. Naseri është Naseri. Por ai, në këtë kohë të rëndë për RAB-in, Kinës i kërkoi vetëm bukë, dhe as armë, as aeroplanë, as mbështetje diplomatike. Pse e bëri kështu? Pse e di që Kina, s’mund të ndihmojë më tej mundësive të saj.

Maoja dhe shokët e tjerë të udhëheqjes kineze, duhet sa më parë të bëjnë kthesë, të largohen nga taktika; hiq e mos e këput; se qëndrimi i tyre; nuk është veprim revolucionar, dëmton Kinën dhe të gjithë botën. E shfrytëzon shumë këtë situatë armiku. Kam përshtypjen se shokët kinezë, nuk janë realistë, as kanë zgjuarsi politike, pale shkathtësi. Ata të japin përshtypjen dhe këtë bile e thonë: “Kjo do të zgjatë, kemi kohë, gjithë bota i ka sytë te ne, këtu do të vijnë, ne bëjmë punën tonë, por kjo punë do një shekull, tre shekuj, ne presim”! Çfarë filozofie! S’bie erë marksiste! Ne i kemi shokë të mirë kinezët, por këto veprime, këto pretendime të bujshme dhe pa baza, ne nuk mund t’i pranojmë. Ne ua kemi thënë hapur mendimet tona, u kemi bërë vërejtje, por kam përshtypjen se atyre, disa herë nuk u vjen mirë. Ambasadori i tyre këtu, ndjek gjurmët e paraardhësve të tij!

Asnjë kontakt nuk mban me ne, as që vjen të pyesë, ose ta pyesim dhe mendoj se nuk vjen të pyesë nga frika, se do ta pyesim ç’po ngjet në Kinë, si zhvillohen atje punët, etj. Aleatin e vetëm dhe besnik të tyre, Shqipërinë, as që e mbajnë fare në korrent! Atëherë si shpjegohet kjo? S’ka tjetër shpjegim, veç asaj filozofie, që thashë më lart. Mirëpo kjo nuk është e drejtë, as e rregullt dhe as shoqërore. Një qëndrim i tillë të pret, gjithashtu, rrugën e bisedimeve më të hapëta e, të shkëmbimit të mendimeve për shumë probleme akute ndërkombëtare, të cilat, as janë “të mrekullueshme”, siç thonë kinezët dhe as që lejojnë të mos mbash qëndrime. Kjo ne s’na ka ndaluar dhe as do të na ndalojë të mbajmë qëndrime të drejta, të guximshme për çdo gjë. Ne do të luftojmë deri në fitore, kundër çdo armiku, do të luftojmë edhe vetëm për vetëm. Këtë e dinë mire kinezët, prandaj na duket dhe kjo nuk mjafton për ne. Unë i dua dhe i respektoj popujt arabë, pse janë përparimtarë, luftëtarë dhe revolucionarë. Ata kanë luftuar për lirinë dhe independencën e tyre, ndaj kolonialistëve imperialistë.

Kjo disfatë që pësuan, do të jetë për ta një mësim i madh. Ata do të shohin më qartë, se kush janë udhëheqësit e tyre borgjezë të korruptuar, ata do të njohin akoma më mire, imperialistët, lojën dhe dredhitë e tyre të reja, ata do të njohin më mire, çfarë tradhtarë të ndyrë të popujve, janë revizionistët modernë sovjetikë, titistë e të tjerë. Këta popuj, do të zhdukin shumë nga iluzionet që ua krijonin dhe gënjeshtrat që ua thonin të tjerët. Fatkeqësitë, do t’i kalitin. Ata nuk do t’i hedhin armët. Kjo është një disfatë provizore. Revolucioni në popujt arabë, në Afrikë e gjetkë, ecën dhe do të ecë përpara. Pra me të gjitha forcat, për revolucionin! Këto disfata ne s’na mposhtin, këto janë të llogaritura, në revolucion. Këto kurrsesi, nuk mund ta pengojnë revolucionin. Armiqtë po demaskohen dhe po munden me luftën tonë dhe këto fitore sporadike të tyre, kanë në vetvete, demaskimin e egërsisë dhe të kalbësirës imperialisto-revizioniste. Disfata e përkohshme e arabëve, demaskoi në sy të’ popujve amerikanët, sovjetikët, anglezët dhe këlyshët e tyre. Pra kjo është një fitore për revolucionin, dhe kjo do të sjellë fitore më të mëdha nesër.

E SHTUNE, 10 QERSHOR 1967

NASERI DHA DORËHEQJEN DHE PASTAJ E PEZULLOI

Dorëheqja e Naserit, është një tërheqje tjetër, si ajo e ushtrisë së tij përpara presionit të armikut, Izraelit. Kjo dorëheqje, bëhet nga dëshpërimi që i shkaktoi disfata, apo është rezultat i presionit të brendshëm, nga ana e kundërshtarëve të tij? Do ta shohim. Mundet që ajo, është rezultat i të dyjave. Por fjalimi i tij, përpara popullit, përveç tonit demagogjik, ka edhe pranimin e disfatës ushtarake, edhe shfajësimet. Natyrisht këto shfajësime, kanë baza, në atë që Izraeli është ndihmuar nga amerikano-anglezët dhe që këta ishin në komplot me sovjetikët. Këtë e thotë hapur. Ai tregon për presionet e Kosiginit, i cili i tha Naserit, që të mos sulmonte i pari, sepse edhe Izraeli, nuk do të sulmojë. Por fakt është se Izraeli, e sulmoi RAB-in. Shfajësimi për befasi dhe mosmarrje masash të duhura, nuk pi ujë. Njëkohësisht dorëheqja, e lidhur me veprimet e kaluara të tij “revolucionare” dhe demagogjia tjetër, bëri atë që synonte Naseri në fjalimin e tij: U ngritën turmat në demonstratë pro tij, u mblodh me urgjencë asambleja dhe nuk i pranoi dorëheqjen. Mendoj se u bë mirë. Naseri nga të këqijtë, është më i mirë. Ata që do të vinin pas tij, do të ishin njerëz të kompromisit, njerëz të amerikanëve, të anglezëve dhe të sovjetikëve. Naseri u gjakos me ta, nuk e harron këtë disfatë dhe do të përpiqet ta vërë nderin e tij, në vend.

Kjo nuk do të thotë, se më vonë nuk do të bjerë me ta në ujdi, sepse borgjez është, por ka njëfarë sedre dhe kjo sedër, nuk do ta lërë të bëhet lepitkë. Zaten, ai s’e uli kryet edhe më përpara, perandor donte të bëhej dhe avaze u nxirrte, derisa siguronte këste, etj. Rëndësi ka që ai, i njohu sovjetikët, deklaron se ata e tradhtuan dhe tash, do të jetë më prudent dhe më ekzigjent, ndaj tyre. Sovjetikët do të detyrohen, të paguajnë më shumë. Rëndësi ka që Naseri, të rezistojë. Sa më shumë të rezistojë ai, aq më shumë do të demaskohen revizionistët sovjetikë. Revizionistët janë mbledhur dje në Moskë, tok edhe me Titon. Sot lëshuan një komunikatë fendë, që i demaskon më shumë. Në Algjer e në Kajro, po sulmohen ambasadat sovjetike, në Algjer turmat hedhin slogane: “Kosigini të japë dorëheqjen”. Kosigini s’e jep dorëheqjen, por revizionistët sovjetikë, po demaskohen keqas. Kjo është një fitore. Kina iu përgjigj menjëherë, kërkesës së Naserit. I dha 115 mijë tonë grurë dhe 100 milionë dollarë devizë. Naseri mbeti shumë i kënaqur dhe u tha kinezëve se sovjetikëve, u kishte kërkuar 10 herë, 100 aeroplanë, por ata i dhanë vetëm 6 dhe këta ai nuk i pranoi. Ne vazhdojmë dhe do të vazhdojmë t’u japim, gjithë ndihmën tonë të mundshme.

E HËNE, 12 QERSHOR 1967

TITOJA, AGJENT I AMERIKANEVE DHE MIK I RREME I POPUJVE ARABE

I dërguam gazetës “Zëri i popullit”, për ta botuar nesër artikullin me titull: “Agjent i amerikanëve dhe mik i rremë i popujve arabë”.

E HËNE, 12 QERSHOR 1967

KARAKTERI I USHTRIVE TE VENDEVE ARABE

Sulmi izraelit kundër vendeve arabe, vuri mirë në dukje gjendjen e ushtrive të këtyre vendeve, të Lindjes së Mesme. Ato nuk janë ushtri të organizuara dhe shumë larg, të jenë ushtri popullore çlirimtare. Ato u thyen me lehtësinë më të madhe nga ushtria e Izraelit, e cila, si një armë e borgjezisë sioniste, u tregua shumë më e organizuar, shumë më e fortë, e disiplinuar, luftarake dhe sulmuese, sesa ato të vendeve arabe, që, të marra së bashku, në numër, janë shumë më të mëdha. Karakteri i ushtrive arabe, është antipopullor. Ato janë ushtri të klikave borgjeze reaksionare në fuqi, ushtri në shërbim të puçeve të pallateve. Kuadrot e këtyre ushtrive në përgjithësi, janë me prejardhje borgjeze — vijnë nga agallarët, çifligarët. Ushtria në këto vende, është e krimbur nga agjentura imperialiste anglo-amerikane, e cila lëviz fijet e saj në çdo kohë, për interesat e veta të përfaqësuar nga njëra ose nga tjetra klikë. Pra në drejtimin kryesor, ushtria e këtyre vendeve, është mbrojtja e veprimeve të asaj klike reaksionare, që është në fuqi dhe bëhet e një tjetre, kur kjo rrëzon të parën.

Me dhjetëra puçe të tilla ushtarake, janë bërë në Siri, në Irak, në Jordani, në Liban dhe gjetkë, dhe në krye të këtyre puçeve, kanë qenë gjeneralë, dhe prapa gjeneralëve anglo-amerikanë. Edukimi dhe armatimi i kuadrove të këtyre ushtrive, është bërë pikërisht, jo vetëm për të shtypur popujt e tyre, por për t’u shërbyer veglave të ndryshme të imperialistëve. Nuk ka ekzistuar kurrë një unitet i vërtetë, në mes shteteve të ndryshme arabe të Lindjes së Mesme. Ndjenja e arabizmit dhe feja islame, sido që janë për ta, një nyjë lidhjeje, nuk kanë shërbyer për këtë unitet brenda përbrenda tyre. Aleancat dhe miqësitë në mes shteteve arabe, kanë qenë sporadike, të përkohshme, formale, të rastit, për interesa klikash, ose vetë mbrojtjesh nga ambiciet dhe intrigat e njëri-tjetrit. Imperialistët me agjenturat e tyre, kanë ndihmuar shumë në këtë gjendje. Natyrisht, me çlirimin e këtyre popujve, intrigat e imperialistëve, nuk veprojnë dot si më parë, por vepron vetë borgjezia e këtyre vendeve, me karakterin e saj antipopullor, për ta dobësuar këtë unitet arab.

Por fakt është se ky unitet, ka filluar të ndihet, të bëhet i nevojshëm përballë imperializmit, që kërkon të mbajë situatën e vjetër “përçaj dhe sundo”. Imperializmi e shikon këtë rrezik dhe është për këtë arsye, që goditi me anën e Izraelit. Në të kundërtën Izraeli, si shtet borgjez reaksionar, është kompakt dhe i organizuar shumë mire, për luftë agresive. Pavarësisht nga kundërshtimet e tyre brenda përbrenda, përpara “rrezikut arab”, izraelitët janë kompakt, deri në vdekje. Për çdo gjë dhe në çdo kohë, ata e drejtojnë vëmendjen në mbrojtjen e shtetit të tyre dhe, si çifutë, nuk lënë asnjë rast pa e shfrytëzuar në interesin e tyre.  Imperialistët e ushqejnë, e ndihmojnë dhe iu pëlqen fort kjo vijë e Izraelit, dhe e kanë këtë, sikur kanë një kobure të mbushur në brez dhe, si gangsterë që janë, e zbrazin kur ju duhet.

Kjo disfatë, do t’u japë shumë mësime shteteve arabe, dhe në radhë të parë, për nevojën e forcimit të atij, uniteti të dëshiruar, kundër armikut të tyre të përbashkët, imperializmit. Natyrisht kjo, nga vetë natyra e këtyre shteteve, nuk arrihet menjëherë, por fakt është se, disa premisa të para u arritën këtë herë, të gjithë hynë në luftë, prenë marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Anglinë, u prenë naftën, etj. Në rast se amerikano-sovjetikët, u imponojnë arabëve një Munih të ri, në favor të Izraelit, atëherë arabët, do të egërsohen më shumë dhe lufta do të vazhdojë, do të vazhdojë përgatitja për goditje të reja, do të përgatitet më mirë unitetin popujve arabë, kundër imperialisto-revizionistëve.

E MARTE, 13 QERSHOR 1967

PALLAVRAT REVIZIONISTE NUK DO T’I MASHTROJNË POPUJT ARABE

Më 9 qershor, në Moskë u mblodhën udhëheqësit më të lartë të vendeve revizioniste të Evropës për të shqyrtuar “gjendjen në Lindjen e Afërt”. Deklarata e botuar pas kësaj mbledhjeje, është një dëshmi e kapitullimit të tyre të paturpshëm, përpara imperializmit e reaksionit dhe e sabotimit të luftës së drejtë, të popujve arabë. Lidhur me këtë, i dërguam një artikull gazetës “Zëri i popullit”. Ai mban titullin “Pallavrat revizioniste, nuk do t’i mashtrojnë popujt arabë”.

E HENE, 6 JANAR 1969

KRIZA E LINDJES SE MESME

Lindja e Mesme, është e populluar me popuj e me fise të ndryshme arabe. Të gjithë quhen arabë, por origjina e tyre, nuk është e njëllojtë. Feja që i nanuris e i gënjen dhe gjoja i bashkon, është myslimanizmi, por një myslimanizëm i ndarë në sekte të ndryshme, të vjetra, që gjatë shekujve janë grirë me njëra-tjetrën, kanë shkaktuar gjakderdhje popujsh dhe bënin bajrakun e udhëheqësve të ndryshëm të mesjetës dhe të kohëve moderne, bile dhe të kohës sonë. Aktualisht, feja në Lindjen e Mesme, megjithëse është akoma akute dhe i frymëzon këta popuj, nuk paraqitet e përçarë nga sektet, sido që këto ekzistojnë dhe praktikohen. Në mes tyre, ekziston si me thënë njëfarë bashkekzistence, nën mbulesën e përgjithshme të fesë myslimane. Por zhvillimi modern, përhapja e ideve materialiste dhe e shkencës, e kanë dobësuar shumë ndikimin e fesë dhe e kanë detyruar atë, të predikojë ide të përgjithshme dhe të ruajë formalisht, zbatimin e praktikave të saj tradicionale.

Megjithatë jemi larg asaj që të themi, se popujt arabë të Lindjes së Mesme, u kanë shpëtuar zinxhirëve të besimit fetar. Në gjirin e këtyre popujve, rrojnë edhe njerëz me besime ortodokse (koptët) dhe sionistët. Këta të fundit, me ndihmën e imperialistëve amerikano-anglezë, kanë krijuar shtetin e tyre të Izraelit, pjellë e manovrave të kapitalit ndërkombëtar e, të sionizmit. Feja myslimane, ka qenë toleruese dhe liberale karshi besimeve të tjera, dhe gjatë historisë, nuk ka pasur probleme akute dhe të zjarrta në mes tyre, e kam fjalën për kohët moderne dhe jo për kohët e kryqëzatave. Tash konflikti arabo-izraelit, është bërë një problem akut, në Lindjen e Mesme. Sipas mendimit tim, shkaku kryesor i krizës në Lindjen e Mesme, nuk është shteti i Izraelit. Shteti i Izraelit, ishte një nga arsyet, pse si një shtet kapitalist agresiv, dinamik, ai është rreshtuar në mënyrë aktive, në planet skllavëruese të imperializmit botëror, dhe veçanërisht të atij amerikan, për ta mbajtur Lindjen e Mesme, nën skllavërimin e imperializmit amerikan.

Në këtë prizëm, shteti i Izraelit, dhe ky nuk është i vetmi, është bërë “maja e shigjetës” e imperializmit amerikan. Izraeli, ka qenë një satelit plotësisht i bindur, i amerikanëve, ai është i detyruar të ndjekë dhe të zbatojë në vija të përgjithshme strategjinë amerikane, por kjo nuk ekskludon të ketë disa here, edhe taktikat e veta, që ia imponojnë rrethanat dhe konditat tokësore të veta. Arsyeja kryesore e krizës në Lindjen e Mesme, është përpjekja për dominim e imperializmit amerikan dhe e forcave të tjera kolonialiste, të cilat luftojnë të ruajnë dominimin e tyre të vjetër në këto zona, dominimin kolonialist ekonomik, politik, ushtarak, etj. Këto fuqi imperialiste, përpara e kishin më lehtë të bënin ligjin në këto vende, pse jo vetëm kishin plotësisht në zap ekonominë e këtyre vendeve, por, politikisht, ato kishin plotësisht të tyret mbretërit, feudalët, kishin, gjithashtu, ushtritë e veta të pushtimit. Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat