Nga Sabiha Kasimati te doktori Llambi Ziçishti, si u burgosën dhe u vranë ish-liceistët e Korçës! Pushkatimet me urdhër të Enverit

Dokumentare

Nga Sabiha Kasimati te doktori Llambi Ziçishti, si u burgosën dhe u vranë ish-liceistët e Korçës! Pushkatimet me urdhër të Enverit

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 14:53
Foto ilustrim

Nëse ish-liceistët e Korçës do të jetonin, me njohuritë e tyre në fusha të ndryshme do të mund të ndërtonin bazat e një shteti shqiptar europian.

Por ata që renditeshin mes personaliteteve të kombit u burgosën dhe u internuan për vite të tëra duke i damkosur si antikombëtarë. Kontributi i tyre intelektual do të kishte qenë aq i çmuar dhe i vyer për Shqipërinë e pasluftës nëse diktatura nuk do t’i godiste pa mëshirë. Idetë e tyre perëndimore ranë ndesh me ideologjinë bolshevike të Lindjes. Kjo ideologji iu diktua Shqipërisë në atë periudhë nga Enver Hoxha, një ish-liceist i Liceut Francez të Korçës, i cili u kaloi tangjent studimeve të tij për biologji në Montpellier. Të konsideruar si kundërshtarë politikë, edhe pse me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ish liceistët u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën, menjëherë pas vendosjes të diktaturës në Shqipëri. Midis tyre edhe Sabiha Kasimati (1912-1951), vajza e parë shqiptare e diplomuar në Liceun Francez të Korçës, e cila përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos në Itali.

Megjithëse nuk u angazhua në politikë, ajo mbajti një qëndrim protestues ndaj regjimit diktatorial. U arrestua në vitin 1951, pas incidentit të bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë dhe u pushkatua pa gjyq më 26 shkurt 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë. Doktori Llambi Ziçishti ishte një tjetër liceist I Korcës I cili u pushkatua nga diktatori Hoxha. Pas diplomimit ai caktohet kirurg në spitalin e kryeqytetit, ku rritet profesionalisht nën kujdesin e dr. Frederik Shirokës. Për shumë kohë drejtoi katedrën e kirurgjisë së Përgjithshme. Në vitin 1968 u caktua Dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe në vitin 1971 u emërua Ministër i Shëndetësisë duke zëvendësuar dr. Ciril Pistolin. Më 1974-1982 ka qenë deputet. Pas kësaj ai akuzohet në vitin 1982 si bashkëpunëtor i grupit armiqësor të drejtuar nga Mehmet Shehu. Llambi Ziçishti u akuzua, gjithashtu, se në vitin 1973 kishte dashur të helmojë Enver Hoxhën. Pas një procesi hetimor, që zgjati nga nëntori i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar më 9 shtator 1983 së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun dhe Llambi Peçinin. Më 5 qershor 1945, Enver Hoxha urdhëroi ekzekutimin e ish-shokut të tij të ngushtë që nga fëmijëria në Gjirokastër, me të cilin si bashkëmoshatarë, kishte qenë shok dhome për disa vite, në konviktin e Liceut francez të Korçës.

Ish-liceisti Fahredin Angoni u pushkatua më 6 qershor të vitit 1945 me pesë të tjerë në gështenjat e Zërvaskës në Pogradec. Fati i keq e ndoqi edhe mjekun Enver Zazani, bashkëliceist edhe ai në të njëjtën klasë me Hoxhën dhe Kasimatin në Liceun Francez. Pas studimeve për mjekësi në universitetin e Lyon-it në Francë, Zazani, kthehet në atdhe. Ai u lidh në ato vite me lëvizjen Nacional Çlirimtare dhe u zgjodh deputet pas zgjedhjeve të para në Shqipëri. Por nuk vonoi shumë dhe arrestohet me grupin e parë të deputetëve, me akuzën “veprimtari armiqësore ndaj pushtetit popullor”, dhe pushkatohet më 4 shtator 1947. Po kështu pushkatohet edhe juristi Qenan Dibra (1910-1946), i cili pas mbarimit të Liceut të Korçës përfundoi studimet e larta në fakultetin e Drejtësisë në Sorbonë-Francë, e më pas shërbeu si atashe në Legatën Shqiptare në Paris. Menjëherë pas kthimit në atdhe ai punoi si jurist duke qenë njëkohësisht edhe përkrahës e përfaqësues i organizatës së Legalitetit. Arrestohet në vitin 1946 dhe pushkatohet së bashku me 6 shokë të tjerë. I njëjti fat tragjik me të do të ndiqte edhe Hilmi Hysin (1913-1947), i pushkatuar në moshën 35 vjeçare.

Pas përfundimit të Liceut Francez të Korçës, në profilin e filozofisë ai diplomohet në Fakultetin Juridik të Sorbonës dhe pas kthimit në atdhe shërbeu si Gjyqtar Paqtues në Burrel, Berat e Tiranë dhe njëkohësisht aderoi në radhët e Organizatës Balli Kombëtar. Arrestohet në gusht të vitit 1947, për “veprimtari kundër regjimit diktatorial” të sapo ardhur në pushtet dhe pushkatohet në janar të vitit 1948. Abdulla Rami menjëherë pas përfundimit të studimeve në Francë dhe kthimit në atdhe, Rami shërbeu si jurist e gjyqtar në jugun e Shqipërisë dhe më pas në Kosovë. Arrestohet në dhjetor të vitit 1944 dhe vuan 18 vjet burg në burgun e Burrelit së bashku me vëllain e tij Hasan Rami.

Një tjetër liceist Foto Bala vuajti 17 vite burg kurse Myslim Çarçanit, dënimi me burg iu kthye në burgim të përjetshëm, por u dënua me 7 vite në burgun e Burrelit. Aleko Turtulli arrestohet dhe burgoset për veprimtari armiqësore e vuan 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës. Inxhinieri Adem Beli arrestohet në vitin 1946 me grupin e deputetëve dhe dënohet me 20 vjet burg nga të cilat vuajti 8 vjet. Tragjedive të liceistëve të mësipërme do t’ju shtoheshin edhe plot emra të tjerë. Mes tyre edhe Nedin Kokona, Xhevdet Kapshtica, Aziz Vrioni, Asllan Ypi, Felatun Vila, Fetih Selenica, Xhelal Shënapremte, Alqi Nushi e tj.

KRIJIMI

Prej vitit 1916 e deri më 1920-ën, Korça qeverisej si Republikë Autonome dhe administrohej prej nëpunësve vendas nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Administrata e re shqiptare që u vendos në krye të krahinës autonome i kushtoi kujdes të veçantë çështjeve që lidheshin me arsimin. Kështu, më 25 tetor 1917 me vendim të qeverisë së Republikës Autonome të Korçës, u çel Liceu Francez. Rrugëtimi i këtij institucioni të arsimit të mesëm u shoqërua me barriera të shumta që vinin si pasojë e Luftës së Parë Botërore. Megjithatë Liceu Francez i Korçës arriti të kapërcejë pengesat dhe të luajë një rol të rëndësishëm në arsimimin e të rinjve të ardhur nga mbarë vendi. Në vitin 1921 u emërtua si “Liceu Kombëtar i Korçës”. Veprimtaria e tij do të shtrihej përgjatë periudhës së para pushtimit italian, deri në vitin 1939.

Liceu Kombëtar i Korçës ose Liceu Francez (Liceu Kombëtar Shqiptar) ishte një shkollë e mesme në qytetin e Korçës, e financuar nga qeveria Shqiptare, por që përhapte kulturën franceze dhe vlerat evropiane. Shkolla funksionoi plotësisht në vitet 1917-1939. Liceu hapi dyert e tij më 25 tetor 1917 si Liceu francez me vendimin e qeverisë së Republikës Autonome të Korçës. Në 1921 ai u riemërua në Lice Kombëtar. Ishte një shkollë laike, ku të gjitha lëndët ishin në gjuhën frënge me përjashtim të lëndës së gjuhës shqipe. Drejtori i Liceut nga viti 1932 deri me 1938 ishte Xavier De Courville (De Kurvil) 1894-1984. Një nder profesorët e njohur ishte Andre Brezho (Andre Bregeault), ish ambasador i Francës ne Rusi, martuar me një spanjolle, e cila vritet gjate një bombardimi te një kishe ne Rusi. Liceistët themeluan më 5 nëntor 1922 shoqërinë “Shpresa”, e cila zhvilloi një veprimtari të gjerë kulturore, artistike dhe sportive, si dhe botoi revistën e saj me të njëjtin emër.

Në korrik të vitit 1936, studentët e viteve të larta dhe mësuesit e tyre botuan numrin e vetëm të revistës “Lyceum”. Liceistët organizonin shfaqje teatrale, shfaqje konceptore, si dhe merrnin pjesë në të gjitha festat tradicionale. Liceistët, idealistë të pastër, i gjejmë prezentë në momente me rëndësi historike. Ata ishin prezentë në Luftën e Vlorës më 1920, gjatë ditëve të Kryengritjes së Qershorit më 1924, në demonstratat e fuqishme kundër pushtimit të vendit nga fashistët italianë dhe në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Profesorët e Liceut Kombëtar, si Sotir Kuneshka, Kristo Fundo, Niko Stralla, Gjergj Canco e shumë të tjerë dhanë kontributin e tyre të çmuar në ngritjen e nivelit arsimor të vendit. Nuk janë të paktë studentët ekselentë, të cilët ishin figura të shquara të botës akademike dhe jetës shoqërore në vend, si Llazar Treska, Petraq Fundo, Selahudin Mborja, Aleko Tashko, Gaqo Tashko, Aleks Buda, Behar Shtylla, Koço Lubonja, Mahir Domi, Koço Gliozheni, Misto Treska, Medar Shtylla, Nonda Bulka, Sokrat Mio, Thoma Kacori, Vedat Kokona, Zija Xholi, Stiliano Nosi, Shemsi Totozani, Viktor Stratobërdha, Anton Mazreku, Dhimitër Shuteriqi e shumë të tjerë Në vitet e pasçlirimit, shumë mësues dhe liceistë u përndoqën dhe u persekutuan nga regjimi totalitar. U burgosën dhe u internuan për vite të tëra duke i damkosur si antikombëtarë, ata që renditeshin mes personaliteteve të kombit.

Një homazh sot vjen për martirët e Liceut Kombëtar, për Sabiha Kasimatin, për Safet Butkën, për Foto Balën, për Abdullah Ramin, për Gani Berberin, për Mihal Ballkamenin, për Andon Frashërin, për Qani Panaritin, për Xhevat Korçën, për Vangjush Tushin, për Kristaq Venetikun, për Fahredin Angonin e shumë e shumë të tjerë. Nderim dhe respekt për Liceun Kombëtar të Korçës, një nga vatrat arsimore më të rëndësishme të emancipimit tonë shoqëror; përulje ndaj figurave të arta që e themeluan këtë institucion, ndaj profesorëve shqiptarë dhe francezë, ndaj dëshmorëve të luftës, ndaj martirëve e të persekutuarve, idealet e të cilëve sot më shumë se kurrë duhet të jenë busull orientimi e përparimit tonë shoqëror.

Nga liceu I Korcës dolën shumë emra të njohur si: Ymer Dishnica, Stefanaq Pollo, Nonda Bulka, Vangjush Mio, Stavro Skëndi, Foto Bala, Vedat Kokona, Medar Shtylla, Koço Theodhosi, Behar Shtylla, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Abaz Ermenji, Ptoleme Xhuvani, Selman Riza, Bilbil Klosi, Kolë Paparisto, Llambi Ziçishti etj. Liceu përgatiti nxënës me nivel të lartë, të cilët një pjesë u bënë inxhinierë, ekonomistë, mjekë.

Në prill të 1939-ës pushtimi fashist u prit me protesta në Korçë, ku profesorët prinin para liceistëve dhe popullit. Flamurin kombëtar e mbante Abaz Ermenji. Liceu nuk u hap në shtator të vitit 1939 kështu që shënon dhe mbylljen e tij, pas largimit të profesorëve francezë. Në vitin 1945 u rihap, por si gjuhë u fut serbokroatja e më vonë gjuha ruse. Liceu si vazhdim sot është gjimnazi “Raqi Qirinxhiu”, si ish- nxënës dhe profesor matematike dhe dëshmor i Atdheut./Panorama

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat