Është e katërta herë, që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësi historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos kur ai dëshmon për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).
“Njerëz të ndryshëm,- shkruan ai në këtë libër, – më kanë bërë pyetjen: “A i dëgjonte Enveri shokët dhe ai pyeste ata, apo vepronte në kokë të të vet”? Të tilla pyetje bëhen, sepse propaganda e kundërshtarëve politikë, sidomos pas ngjarjeve të viti 1990, e përshkruan Enverin, si diktator të egër. Përgjigja ime për pyetjen e mësipërme është: “Po, Enveri i dëgjonte shokët, këshillohej me ta për probleme të ndryshme dhe vepronte sipas vendimeve që merreshin kolegjialisht”, (faqe 166).
Mirëpo, në kapituj të tjerë të librit, që do të analizoj në këtë dossier, me dëshirë, ose pa dëshirë, Ramiz Alia pohon për herë të parë, ashtu si edhe për veprime të tjera të Enver Hoxhës, të paktën pas vitit 1956, pra pas Konferencës së Tiranës, se ato nuk ishin aspak kolegjiale, aspak mendime të shtruara në mbledhje të Byrosë Politike, ose të Komitetit Qendror, të cilat gjatë kësaj periudhe u bënë edhe më shumë instrumente që ai i vërtiste në duart e tij si ‘t’ia kishte qejfi, por vendime të marra prej tij dhe vetëm prej tij, duke dëshmuar kështu, se nuk ishte veçse një diktator i egër i tipit hitleriano-stalinist.
Dhe këtë, siç do ta shohim, pas ngjarjeve tragjike të Konferencës së Tiranës, e dëshmoi qartë me Festivalin e 11-të të Këngës në RTSh,(22-25 dhjetor 1972), që pati pasoja gjithashtu tragjike, sepse ai nuk goditi vetëm këtë festival, nuk goditi vetëm artin, letërsinë, artistë e shkrimtarë, por më pas hobeja në duart e Enverit “Goliath” u vërtit, po aq vdekjeprurëse në fushën e ushtrisë, ekonomisë, duke bërë kurban anëtarë të Byrosë Politike, (midis të cilëve siç e pohon vetë, mund të kishte qenë edhe ai, por… u fal nga diktatori), të Komitetit Qendror, komunistë të thjeshtë, duke mbjellë tmerr te njerëzit e thjeshtë, me burgosje e internime, ose me të ashtuquajturin qarkullim kuadri.
Dhe për këto pasoja – shkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, ku madje zbulon se Enver Hoxha vuante, siç shprehet ai; “nga një farë paranoje, prej meje e justifikuar”, (faqe 199). Mirëpo, nga ana mjekësore, me fjalën “paranojë” (paranoja), nënkuptohet një psikozë e karakterizuar nga një delir kronik (gjendje e turbullt mendore), bazuar në një sistem bindjesh që nuk përkojnë me realitetin, si pasojë e persekutimit ose madhështisë që shfaqen tek i sëmuri. (Kjo fjalë vjen nga greqishtja e vjetër “paravous”- jashtë mendjeje, çmenduri). (“Webster’s & Dictionary and Thesaurus, United States Ëordle Atllas”, faqe 574).
Ja pra se në ç’gjendje mendore ndodhej prej vitesh Enver Hoxha,të cilën e pohon edhe vetë Ramiz Alia. Ç’ishte atëherë kjo paranojë,(gjithnjë sipas përcaktimit të Ramiz Alisë), që ndezi edhe më shumë trurin dhe mendjen e tij pas mbarimit të Festivalit të 11-të të Këngës në RTSh? Përse goditja që solli ndaj këtij festivali, nuk ishte e menjëhershme, siç kishte ndodhur dhe do të ndodhte në ndonjë rast edhe më pas, kur “vigjilenca” e tij, kishte qenë e rrufeshme edhe në fushën e artit dhe letërsisë, për të asgjësuar çdo dukuri që cënonin sipas tij; “mësimet e Partisë dhe te parimet e realizmit socialist”? Përse…?! Le ta shpjegojmë këtë dukuri, duke kundërshtuar plotësisht shprehjen e Ramiz Alisë, se; “Enveri i dëgjonte shokët, këshillohej me ta…”, pra nuk ishte diktator…!
Nën dritën e disa fakteve…!
“Në shfaqjen e dramës ‘Rrethimi i bardhë’, që u dha parmbrëmë në Korçë – më shpjegonte një pasdite shkurti të vitit 1964, shkrimtari Naum Prifti, ai, – ishte edhe shoku Enver. – Isha edhe unë në sallën e teatrit. Gjatë dhe pas shfaqjes ai duartrokiti, por kur doli në sallon, ai kishte pamje të ngrysur. Duke biseduar me shokët e Komitetit të Partisë që e rrethonin, u tha atyre se drama kishte të meta të mëdha ideore, ndaj nuk duhej të shfaqej më. Veç kësaj, ai shtoi ai, edhe kritika duhej të mbante qëndrim ndaj autorit dhe regjisorit Pirro Mani”! Dhe kështu ndodhi me të vërtetë. Kjo shfaqje u ndalua dhe kritikat në shtypin letrar, me sa mbaj mend, e ndoqën të ziun Naum për vite më radhë. Në fillim të nëntorit të vitit 1969, Mihal Luarasi, me dramën “Njollat e murrme”, të dramaturgut Minush Jero, të vënë si për ironi të fatit sërishmi në teatrin korçar, kishte fituar çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste, që kishte përfunduar para disa ditësh. Madje vetë kryeministri, Mehmet Shehu i kishte dhënë flamurin Teatrit “Çajupi”, duke e cilësuar këtë dramë; “me vlera të mëdha ideoartistike”.
Në librin “Kur kujtohem që jam”, (1997), poeti i njohur, Fatos Arapi, shkruan kështu lidhur më këtë dramë: “Kryeministri, Mehmet Shehu, ngriti dollinë, por më parë falenderoi autorin, Minush Jeron, që kishte pranë, lavdëroi dramën… me dorën e djathtë vizatoi një hark nëpër ajër. “Kjo është mjeshtëria e shkrimtarit. Ai ka ditur të kapë esencialen…”! Dhe foli gjatë e lirshëm. Në numrin e saj të 9 nëntorit të viti 1969, gazeta “Drita” dilte me një artikull të shkruar nga vetë kryeredaktori: “Një njollë e zezë” dhe për ne ishte fare e kuptueshme, se më shumë se sa për autorin e dramës, goditja e fyerja publike, i bëhej kryeministrit, Mehmet Shehu, të cilit nuk i lejohej të hynte “aq thellë” në rrethet e botës artistike, (faqe 266).
Ç’kishte ndodhur?! Pas disa ditësh në Teatrin Popullor, këtë shfaqje e kishte parë Enver Hoxha dhe e kishte cilësuar si; “vepër me të meta të dukshme ideoartistike”. Po përse atëherë Enver Hoxha, nuk veproi në të njëjtën mënyrë me Festivalin e 11-të, të cilin edhe atë, ai po e ndiqte atë natë të 22 dhjetorit të vitit 1972, në vilën e tij komode, në Vlorë?! Po përpiqemi ta rindërtojmë këtë skenë të hamendësuar, të cilën edhe unë e kam përshkruar në romanin tim; “Festivali i Njëmbëdhjetë”, botuar më 2003. Enver Hoxha, ndjek me vëmendje natën e parë të festivalit. Pranë duhet të këtë pasur pa tjetër të shoqen dhe bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë, për të gjitha problemet, Nexhmijen.
Në ekran shfaqen dy drejtuesit e festivalit, Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi, e shoqja e Mihalit, që është edhe regjisor i këtij festivali. Pastaj, në skenë dalin këngëtarë e këngëtare të veshura disi ndryshe, me fustane të gjata, unaza e byzylykë nëpër duar e, vathë të mëdhenj në veshë. Pjesa e mirë e këngëve, përshkohen nga ritme të gjalla. Këngëtarët, gjithashtu përpiqen t’u përshtaten më së miri këtyre ritmeve. Befas Enver Hoxha, i vrenjtur, i drejtohet Nexhmies edhe ajo e vrenjtur, si dy vëllezër siamezë: -“Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, ç’janë këto këngë”?! -“Vërtet, ç’po ndodh kështu në këtë festival”?! -befasohet Nexhmia. Logjikisht kështu duhet të këtë ndodhur, përderisa më pas u mor vesh se; udhëheqësi i madh, nuk e kishte pëlqyer festivalin.
Atëherë me të drejtë lind pyetja. “Përse ai nuk veproi si në dy rastet, kur me të parë dramat “Rrethimi i bardhë” e “Njollat e murrme”, dha urdhër që ato të mos shfaqeshin për arsyet që përmendëm, ndonëse dramën e dytë e kishte pëlqyer vetë Mehmet Shehu?! Përse, pas përfundimit të natës së parë të Festivalit të 11-të nuk mori menjëherë në telefon Ramiz Alinë, që ishte shefi i propagandës në Komitetin Qendror e nuk i tha:-“Ramiz, e pe natën e parë të festivalit”? Pas përgjigjes së tij pohuese, ai do të vazhdonte:-“Po si e ke lejuar këtë hata të zezë”?! Që nesër tërë këngëtarët të dalin me veshje të thjeshta, e ritmet e këngëve të bëhet ç’është e mundur, të zbuten”? A kishte mundësi ta bënte diktatori këtë veprim? Sigurisht. Çdo të kishte ndodhur më këtë rast?
Ramiz Alia do të kishte njoftuar menjëherë Todi Lubonjën, drejtorin e përgjithshëm të RTSh-së në atë periudhë, shokun e tij të ngushtë, që në vitet e fëmijërisë, që të merreshin masat e mësipërme. Si pasojë, që të nesërmen në mëngjes, drejtori artistik i Festivalit të 11-të, Nikolla Zoraqi, regjisori, Mihal Luarasi dhe organizuesit e tjerë, me Todi Lubonjën dhe Nefo Myftiun, drejtoreshë Radios (e shoqja e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike), do të kishin marrë masat më të mundshme, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej në tri netët e tjera të Festivalit të 11-të.
Atëherë, pas mbledhjesh e diskutimesh, që do të nisnin nga organizatat bazë të partisë, të Komitetit të Partisë së Tiranës e më lart, për drejtuesit e RTSh-së do të merreshim disa masa e me kaq çdo gjë do të merrte fund. Cilat mund të ishin këto masa? E shumta, Todi Lubonjës mund t’i jepej një vërejtje e rëndë, ose mund të transferohej të punonte diku në një sektor tjetër. E njëjta gjë mund të ndodhte me Nefo Myftiun, drejtoreshë e Radio Tiranës, Mihal Luarasin regjisor i festivalit…! Vetëm kaq.
Për të mos prishur atmosferën, kjo nuk do të ndodhte para Vitit të Ri, por, menjëherë pas tij. Mirëpo nuk ndodhi kështu…! Në kapitullin “Lufta kundër liberalizmit”, që përfshihet në librin “Jeta ime”, (botim i vitit 2010), Ramiz Alia, duke u ndalur te Festivali 11-të Këngës në RTSh, shkruan kështu: “Natën kur u bë festivali, unë e ndoqa atë drejtpërsëdrejti në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Më tërhoqi vëmendjen mënyra “e re” e qëndrimit në skenë të artistëve, veshja e tyre dhe veçanërisht manierizmat në ekzekutimin e këngëve.
Në pushimin e pjesës së parë dhe të dytë, bisedova me Todi Lubonjën, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i RTSh-së. I thashë se festivali i ishte kaluar kufijtë dhe binte në kundërshtim me vijën e partisë, qoftë përsa përket mënyrës së ekzekutimit të këngëve, qoftë përsa i përket veshjes së këngëtarëve. Ai pjesërisht më kundërshtoi, pjesërisht ishte dakord për ndonjë ‘ekzagjerim’. Të nesërmen bisedova edhe me Hysni Kapon e Mehmet Shehun dhe asnjeri nuk kishte ndonjë vërejtje të veçantë”. (faqe 262). Mirëpo, në librin e tij “Nën peshën e dhunës”, (botim i tretë, 2010), Todi Lubonja, këtë ngjarje e paraqet krejtësisht ndryshe.
“Natën e fundit, – shkruan ai, – asistoi Ramiz Alia. Ishim ulur së bashku në lozhë. Gjatë gjithë shfaqjes, bëri vetëm një vërejtje: “Të pëlqen ty ky fustan”? Vërtet, ishte një këngëtare që kishte veshur një fustan që nuk i shkonte fare…! Kur mbaroi shfaqja, me të dalë nga Teatri i Operës, Ramizi lëshoi një fjalë që as atëherë, as tani, nuk arrij ta kuptoj: – “Mos janë këto bonbone të veshura me sheqer, që mbajnë brenda helm”?! – “Jo, nuk besoj të ketë këtu ndonjë gjë me qëllim të keq”. – “Jo”,-u përgjigj edhe ai dhe iku. Ishte hera e parë, që më fliste kinezçe. Pa e prishur qetësinë, nuk bëra ndonjë vlerësim kushedi se çfarë për festivalin, por nuk e quajta as kataklizëm kombëtare”, (faqe 303,304 e veprës së mësipërme).
Që Ramiz Alia ka bërë një pyetje të tillë pas natës së fundit të këtij festivali, pra: “Mos janë këto bonbone…”, këtë ma ka pohuar mua personalisht, vetë Todi Lubonja. Kjo ndodhi kur në janar të vitit 1991, kur i bëja vizita në shtëpi, për të mësuar nga ai vetë ngjarje që lidheshin me Festivalin e 11-të, që do të më duheshin për të shkruar romanin me të njëjtin titull, që përmenda më sipër.
Madje te zbërthimi i kësaj pyetjeje, ndalet edhe Mihal Luarasi, në artikullin i tij; “Ballë për ballë, me vejushën e zezë”, (Rikujtim pa dashje i Festivalit të 11-të…pas 30 e ca vjetësh”), kur shkruan: “Fraza e mësipërme e Ramiz Alisë, shpreh edhe dyshim-mosbesimin e përhershëm, të gjerakëve të lartë partiakë ndaj artistëve dhe shkrimtarëve, frikën se mos ata në çdo kohë, mund t’i punojnë ndonjë rreng partisë, t’i futin ujë nën rrogoz”. (“Kujtesa që nuk fle”, faqe 205). Edhe unë ka bindjen, se kur ka bërë këtë pyetje, Ramiz Alia, në një mënyrë a në një tjetër, këtë qëllim ka pasur, por edhe nuk e ka zgjatur, aq më tepër kur pohon se pasi kishte biseduar me Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun, “asnjeri nuk ishte pasur vërejtje të veçantë”!
Pra, del se veç bisedës së mësipërme, Ramiz Alia nuk ka thënë tjetër rreth Festivalit të 11-të, sepse, po të kishte qenë ndryshe, pra sikur ai të kishte bërë vërejtje të ashpra për këtë festival, me fjalë të tjera, sikur të kishte thënë se: “Ai bie në kundërshtim me vijën e partisë”, atëherë do të ndodhte ajo që që kam shkruar më sipër: Që të nesërmen, Todi Lubonja dhe të tërë organizuesit e festivalit, do të kishim marrë masa të menjëhershme, që të këto të meta të mënjanoheshin. Pa le, pastaj, sikur vetë Enver Hoxha, të kishte bërë vërejtje nga Vlora…! Por kjo nuk ndodhi!
Edhe diçka tjetër: Ramiz Alia, siç e pamë, shkruan në librin e tij se e kishte parë natën e fundit të Festivalit të 11-të në sallën e TOB-it (Teatri i Operës dhe Baletit), duke pasur pranë Todi Lubonjën, të cilit në pushimin midis pjesës së parë dhe të dytë, i kishte thënë se; “Festivali, binte në kundërshtim me vijën e Partisë, qoftë përsa i përket mënyrës së ekzekutimit të këngëve, qoftë përsa i përket veshjes së këngëtarëve”!
Sipas këtij pohimi del se Ramiz Alia, ndryshe nga Enver Hoxha, nuk ka parë tri netët e para të këtij festivali në Radio-Televizion. Se po t’i ishte parë, vërejtjet e mësipërme, të cilat e përsëris, i hedh poshtë Todi Lubonja në librin e tij; “Nën peshën e dhunës”, duhej t’ia kishte bërë menjëherë pas natës së parë, të dytë ose të tretë të festivalit. Por vështirë të ketë ndodhur kështu. Ai i duhet t’i ketë ndjekur tri netët e para nga ekrani i RTSh-së-së dhe nuk ka bërë asnjë ve vërejtje, veç atyre të mësipërmve. Memorie.al