Të shtunën e kësaj jave, me 16 nëntor, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër do të mbahet Mesha e Shenjtë dhe Riti i Lumnimit të martirëve At Luigj Palaj dhe dom Gjon Gazulli. 38 martirëve shqiptarë të Kishës Universale katolike, që 8 vite më parë patën stolisur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vigjiljen e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, u shtohen edhe dy martirët e ri, shpallur si të tillë nga Ati i Shenjtë, më 20 qershor, 2024.
1) Dom Gjon Gazulli u dënua me vdekje nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”, më 2 janar 1927. U var në sheshin e Fushës së Druve të Shkodrës. Në ora 2 të natës, me datë 05 mars 1927. Ishte 34 vjeç
Ai, që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës, bashkëpunëtor i Gurakuqit e kundërshtar i Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër malësi. Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular kanë qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rrnoftë Krishti, Mbreti ynë! Rrnoftë Kisha Katolike, Nana jonë! Rrnoftë Papa, Ati ynë! Rrnoftë Shqipnia dhe shqiptarët e vërtetë!”… E varën tek “Fusha e Druve” në Shkodër.
2) Hollësitë e fundit tragjik të Dom Gjon Gazullit, gjinden në revistën gjermane Korrespondenz des Priestergebetsvereines im theologischen konvikte zu Innsbruck (Letërkëmbimi i Shoqatës së klerikeve të Seminarit të Insbrukut), Innsbruk ,nr. 4, korrik 1931, fq. 65. Aty është sjellë tekstualisht dëshmia e togerit të gjykatës Xhemal Dibra, i cili është i pranishëm në ekzekutimin e këtij martiri…
“U thirrën për të asistuar në sakramentet e fundit, të Nderuarit fretër Atë Çiprian Nika dhe Atë Martin Gjoka. Ishte ora 11, para mesnatës. Rrugët e Shkodrës ishin plot me njerëz, sepse ishte festa e Bajramit. Dhashë urdhër që famullitari (Dom Gazulli) të çohej në oborr, sepse me të donte të fliste ipeshkvi. Gazullin e zgjuan dhe, pasi u vesh zbriti poshtë. Këtu pa atë që po ndodhte. Një frat françeskan i rrinte përpara me Sakramentet. Dënimi me vdekje që u ishte dhënë të tjerëve para tij, i linte të kuptonte se çfarë donte të thoshte e gjithë kjo. Frati mbeti pa fjalë, ndërsa famullitarit, Gazullit nuk i ndryshoi ngjyra e fytyrës aspak. Këtë e dallova mirë. Kapi dorën e Atit dhe i tha: “Atë Martin, tani do të dëgjosh rrëfimin tim!” Atë Martini i luti ushtarët e mbledhur aty rrotull që të largoheshin dhe, meqenëse nuk po largoheshin, Ati i tha:
-Dom Gjon rrëfehu në latinisht ose në italisht!- Jo Atë- u përgjigj Gazulli- rrëfimin e fundit dua që ta bëj në gjuhën shqipe. Dua që ta dëgjojnë të gjithë !
Dhe kështu u rrëfye në praninë tonë. Ne myslimanët nuk i kuptojmë këto gjëra, po nuk dëgjuam të dilte prej buzëve të tija asnjë mëkat. Pastaj Atë Martini i dha një copë bukë të bardhë, rrumbullake, që e mori me devocion të madh… Pastaj u hap dera e burgut dhe u nisëm. Ushtarët rrinin përpara, prapa dhe anash tij… Pasi bëmë një copë rrugë në këmbë, arritëm në vendin e vdekjes, në Fushën e Druve. Aty gjindej shtylla, në të cilën do të varej. Unë, sipas praktikës i dhashë mundësinë të fliste. Thoni fjalën e fundit, i thashë. Në atë moment e çoi zërin më shumë dhe tha: “Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti Mbret…Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë ! “. Atëherë lexova dënimin me vdekje. I dhanë të vishte një këmishë të bardhë. Magjypi i vuri litarin në fyt dhe i hoqi stolin poshtë këmbëve. Kishte vdekur! Ishte 5 marsi 1927.
3) Dom Gjon Gazulli ishte pinjoll i denjë i Gazullorëve, origjina e mëhershme e të cilëve, siç deri më tani kumtohet është ky fshat i Zadrimës, qarkon me fill të argjendtë rreth gjashtë shekuj histori tonën. Histori që rrënjëzon brenda përbrenda një krahine, brenda përbrenda një fshati, madje në të njëjtin komunitet me lidhje të njohura gjaku, pra të të njëjtit fis. Daniel Gazulli (1944-2012) njëri prej pinjollëve të vonë që e ka sjellë përmbledhtasi historinë e gazullorëve na lë të shkruar kumtin se: Mbiemri Gazulli, ashtu si dhe më parë vazhdon të mbahet dhe sot e kësaj dite si mbiemër në disa fshatra të Zonës së Ulët të Shkodrës. Gazujt përmenden së pari më 1301 në “Liber Reformationis” (Libri i Reformave) të Raguzës, më pas në Kadastrën Veneciane të një shekulli më vonë 1416, ku dalin 4 shtëpi me mbiemrin Gazulli në një katund të Bregut të Bunës. Histori që fillon qysh në epokën e ndritur të Kastriotit. Një kontribut elitar në fushë të dijes e prosperitetit idenditar, me rezonim ndëreuropian e më përtej. Po shënjimi i lavdishëm i Gazullorëve në histori fillon me Gjon Gázullin (1400-1465). Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shekullit të XV, periudha më në shenj e kohës: e humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Astronom me famë europiane e diplomat i shquar i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këto fusha shkëlqeu porse veprimtaria e tij, është mjaft më e gjerë: në astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte; ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet. Gàzulli studioi në Raguzë, (Dubrovniku i sotëm) e mandej, në vitin 1422 shkon në Padova ku kryen studimet universitare më 1428. Mbas dy vjetësh mbron atje doktoratën në një moment solemn, në të cilin shkruhet se: morën pjesë shumë arbneshë të Italisë. Po një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, nga vitet 1433-1439. Këtu ai u emnue nga Këshilli i të Urtëve (Raguza ishte Republikë e pavarun) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom në zë në mbarë Europën sa, mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dergue Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike.
Diplomati. Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit) me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, sipas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besue ma të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë.
Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e fill mbas pak në Slloveni.
Në ato vite bashkëpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësue shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në atdhe, me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj. Duke qenë i përpimë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emëron në vend të tij Pal Gàzullin, të vëllain, që cilësohet ndër dokumente (lat.)“magister, prudens et literatus vir”(mësues, njeri i urtë dhe i ditur), çka do të thotë se kishte krye edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”(mësues Gjon Gazulli). (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllai tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Gjergj Kastriotit, Skënderbeu).
Përpos Gjonit, Pal Gàzullit, ambasador edhe ky i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës, në vitet 1452-1459 dhe Rektor i Shkollave të asaj Republike gjithashtu, Imzot Ndue Gàzullit, doktor në filozofi, Arqipeshkëv i Shkupit (1702- 1753), Abatit të Mirditës Ndre Gazulli (shek XVII), më pas Ipeshkëv i Zadrimës e kështu me radhë, deri në ardhjen në pushtet të komunistëve, ka pasur gjithmonë një pinjoll të familjes që do të shkonte për studime në Universitetet e Europës; katolike dhe laike…Kurse në fillim të shekullit XX, ishin tre vëllezër njëherësh, lauruar në Universitetet katolike të Europës; Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964)… 4)
Ndërsa vëllai i Dom Gjonit, dom Nikollë Gazulli, edhe ai i burgosur, iu shpëton torturave dhe vdekjes nga Ahmet Zogu, por nuk i shpëtoi dot pushkatimit në vitin 1946 nga Enver Hoxha. Edhe qeveria komuniste e nisi gjyqin special me akuzat për armë në kishë. Strategji e njëjtë në dy kohë të ndryshme, e cila shkroi fatin tragjik të dy vëllezërve meshtarë. Edhe dom Nikolla u pushkatua pas një gjyqi special politik në 1946-n. Ai, autori i “Fjalori i fjalëve të rralla të përdoruna në veri të Shqipnis” i njohur si “Fjalori i Gazullit” dhe “Fjalori toponomastik”…