Në ligjërimin publik dhe akademik, sidomos pas viteve ’90, ka pasur në vijimësi një debat mbi antifashizmin. Shumë studiues e lidhin antifashizmin në mënyrë ekskluzive me komunizmin, duke e konsideruar atë si ideologjinë legjitimuese të regjimeve komuniste. U krijua një rrymë e tërë mendimi në botën akademike të cilën studiuesi Nigel Copsey (Naixhel Kopsei) e quan anti antifashizmi.
Do të ishte e vështirë të argumentoje kundërtezën, sipas së cilës komunistët ishin sui generis antifashistë, ashtu siç nuk mund të mos pranosh se antifashizmi është përdorur (dhe vijon të përdoret dhe sot e gjithë ditën) si legjitimues i pushtetit të partive komuniste në botën e pas Luftës. Do të ishte njësoj e pavërtetë nëse do t’ua mohosh rezistencën antifashiste grupimeve e partive politike me prirje liberale, demokratike, socialiste dhe socialdemokrate. Spanja, Franca, Italia pasmusoliniane e shumë fronte të tjera popullore, janë shembull i qartë i një kompromisi të madh ndërmjet grupimeve liberale (të majta e të djathta) dhe komunistëve në rezistencën e tyre kundër fashizmit. Ashtu siç nuk mund të mohosh se antifashizmit i dha Luftës së Dytë Botërore karakterin moral të bellum lustrum, të cilën nuk e pati konflikti i parë mbarëbotëror.
Edhe në Shqipëri, në këta 34 vjet pas rënies së regjimit komunist, opinioni akademik e shkencor vijon të jetë i mbërthyer në debatin mbi karakterin e rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse ka një sërë studimesh objektive, ata më të zhurmshmit, vijojnë ta mbushin opinionin publik me tezat e tyre ekstremiste që rreken, nga njëra anë, të glorifikojnë rezistencën antifashiste të shqiptarëve dhe, nga ana tjetër, ta mohojnë tërësisht këtë rezistencë, duke i veshur, thjesht dhe vetëm, petkun e një lufte civile, terroriste e të tjera epitete të tilla. Në këtë prezantim të shkurtër, brenda kohës së limituar, do të përpiqem të ndërmarr një rrugëtim në historikun e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, nga ngjizja e saj deri në krijimin e Frontit Nacionalçlirimtare, si një organizatë me pretendimin për të qenë organizatë politike e të gjithë shqiptarëve. Qëllimi im nuk është të bëj një historik të detajuar të Frontit Nacionalçlirimtar, pasi për të është folur e shkruar shumë. Unë do të doja të kontribuoja me mendime të cilat u japin përgjigje dy pyetjeve themelore: A ishte Lëvizja Nacionalçlirimtare në të vërtetë Partia Komuniste, apo Fronti, pavarësisht dominimit të tij nga ana e PKSH-së, mori karakterin e një lëvizje mbarëpopullore antifashiste dhe çlirimtare? Si mundën drejtuesit e PKSH-së të sapokrijuar e të papërvojë të gjeneronin një lëvizje të tillë të rezistencës, e cila i siguroi asaj jo vetëm vendin e partisë së vetme të rezistencës në Shqipëri, por edhe pushtetin e pasluftës?
Pas Luftës Italo-Greke situata politike në Shqipëri ndryshoi në mënyrë të dukshme. Dështimi i Italisë në konfliktin me Greqinë e zbehu mitin e pathyeshmërisë të fashizmit italian. Gjendja e vështirë ekonomike, pamundësia e administratës së pushtimit për të kompensuar të gjitha humbjet e pësuara nga popullsia shqiptare e rajoneve jugore për shkak të konfliktit me Greqinë; ulja drastike e investimeve publike, që do të thoshte rritje e papunësisë dhe thellim i krizës, kishin filluar ta bënin pakënaqësinë e shqiptarëve jo vetëm masive, por edhe më të shprehur. Rezistenca shqiptare kundër pushtuesit fashist kaloi nga faza e rezistencës pasive, në atë të organizimit të çetave të para të armatosura. Nga pranvera e vitit 1941, Myslym Peza, Ismail Petrela në Tiranë, Haxhi Lleshi e Abaz Kupi (i ndihmuar dhe nga britanikët) në Dibër e Mat, kishin filluar të regjistronin aksionet e para të brishta kundër pushtuesve italianë.
Ishte kjo koha, gjithashtu, kur më në fund grupet komuniste, vendosën t’i lënë mënjanë grindjet e tyre. Me ndihmën e dy komunistëve jugosllavë ata mundën të gjenin atë qendër graviteti, të cilën nuk kishin mundur ta prodhonin, përgjatë viteve ’30, komunistët shqiptarë të dërguar nga Moska dhe të krijonin, më në fund, Partinë Komuniste të Shqipërisë. Partia e re, e mbështetur pothuajse tërësisht në platformën e Grupit Komunist të Korçës, i vetmi i cili u kishte qëndruar besnik politikave dhe udhëzimeve të Komintern-it, lindi si një parti e bolshevizuar, çka nënkuptonte se ishte e prirë të vepronte nën udhëzimet e tij (de facto: Stalinit). Pas sulmit të Gjermanisë ndaj Bashkimit Sovjetik, Komintern-i ndryshoi sërish politikat e tij në raport me frontet popullore. Tanimë komunistët e Botës do të duhet të luftonin “për ta mbrojtur socializmin, jo për ta ndërtuar atë”, prandaj, përballë egërsisë fashiste, duhet të linin mënjanë ëndrrat e revolucionit socialist dhe t’i jepnin rezistencës së tyre karakter patriotik.
Drejtuesit e lartë të PKSH-së filluan përgatitjet për formësimin e një fronti të tillë, menjëherë sapo organizuan strukturat e unifikuara partiake lokale dhe morën masa ndaj atyre që i konsideronin “fraksionistë”. Në këtë proces, katër janë gurët kilometrikë më të rëndësishëm: Konferenca e Pezës, e Labinotit (4-8 shtator 1943), Kongresi i Përmetit dhe Konferenca e Frontit Nacionalçlirimtar e mbajtur në Berat më 26 tetor 1944. Tanimë të gjithë historianët seriozë bien dakord për rolin e PKSH-së në ideimin dhe organizimin e Konferencës së Pezës. Pjesëmarrësit në të përfaqësonin PKSH-në, organizatat e masave të lidhura me të (gruaja, rinia etj.), drejtues çetash të angazhuar në rezistencën kundër pushtuesit, individë me reputacion në komunitetet përkatëse, edhe këta të njohur për veprimtarinë e tyre patriotike. Të gjithë pjesëmarrësit shprehën nevojën që të gjendej një udhëheqje për revoltën gjithnjë në rritje të shoqërisë dhe për bashkim kombëtar në luftën kundër pushtuesit. Sipas fjalëve të Ramazan Jaranit, duhet t’i jepnin drejtim djalërisë shqiptare që ishte ngritur kundër pushtuesit, pasi “s’ka fillim revolucioni, ne jemi tue jetue revolucionin”. Toleranca dhe deklarata që tregonin pranimin e “tjetrit” e përshkruan mbledhjen e Pezës. Koço Tashko përmendi se bashkimi nuk do të pengonte secilin nga pjesëmarrësit dhe grupimet të vijonin të propagandonin pikëpamjet e tyre politike e ideologjike. Abaz Kupi deklaroi se ai donte në fillim Shqipërinë dhe pastaj Zogun. Sigurisht që pati edhe kundërshtime e debate. Ramazan Jarani nuk e pëlqeu propozimin e Enver Hoxhës për të përdorur simbolin internacionalist, pra yllin me pesë cepa si shenjën dalluese të formacioneve ushtarake partizane. Ai bënte thirrje për një bashkim jo në baza ideologjike, por kombëtare. Ndoc Çoba kundërshtoi gjithashtu propozimin e Hoxhës për adaptimin e modelit të fqinjëve për strukturimin e një shtatmadhorie (duke iu referuar Jugosllavisë), duke theksuar së tradita shqiptare kishte modele të sajat për këto organizime. Konferenca, ashtu siç dihet tashmë, u mbyll me vendimin për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, pasi në fjalët e Ymer Dishnicës, “liria fitohet me gjak, por nëse do të jemi të bashkuar do të derdhim më pak gjak”.
Peza ishte një përpjekje për krijimin e një fronti të vërtetë patriotik, por në të vërtetë, ajo vuri thjesht bazat e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, të drejtuar nga PKSH-ja. Vetëm dy muaj pas Pezës, nacionalistët u grupuan në Ballin Kombëtar, e cila lindi si një organizatë republikane, antifashiste, socialdemokrate dhe antikomuniste. Ekzistenca e dy grupimeve të rezistencës krijoi rivalitete politike dhe hera-herës edhe konflikte në rezistencën antifashiste shqiptare. Në frymën e përpjekjeve për ndërtimin e fronteve patriotike (të cilat u përforcuan me direktivat zyrtare të Komintern-it, të cilat iu mbërritën drejtuesve të PKSH-së në Labinot në dhjetor 1943), PKSH-ja bëri disa përpjekje për ta afruar Ballin të përfshihej në Lëvizje si organizatë, madje pranoi edhe propozimin e tij për bashkëpunim lokal (komisionet e bashkëpunimit lokal). Kjo deri në Mbledhjen e Mukjes.
Vera e vitit 1943, solli ndryshime si në frontet kryesore të Luftës, ashtu edhe në zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Rënia e Musolinit, zbarkimi i Aleatëve Perëndimorë në Sicili, thashethemnaja për hapjen e një fronti të dytë në Ballkan diktuan ndryshime edhe në skakierën e brendshme politike shqiptare. Ndoshta është koha të hapim një parantezë dhe për të folur për një tjetër model fronti që po formësohej asokohe në Ballkan, disi të ndryshëm nga ai që propozohej nga Komintern-i.
Drejtuesi i PKJ-së, Josip Broz Tito, kishte shfaqur vazhdimisht mosbesim ndaj platformave të fronteve popullore qofshin këto nga poshtë apo nga lart. Titoja besonte më shumë në qasjen e Leninit ndaj teorive “likuidatore” të menshevikëve, sesa te politikat pragmatiste të Stalinit. Në përpjekje për t’i dhënë një argument teorik pikëpamjeve të veta, Tito konkludoi se stalinizmi ishte ideologjia e “ndërtimit të socializmi”, ndërkohë situata në Jugosllavi, e ngjashme me Rusinë në Luftën e Parë Botërore, kishte nevojë për mësimet e Leninit “mbi luftën revolucionare në vendet kapitaliste”. Lenini kishte pranuar se lëvizjet nacionale mund të ishin revolucionare, nëse partia komuniste merr drejtimin dhe hegjemoninë e këtyre lëvizjeve. Këtë model po sendërtonte Titoja në Jugosllavi, duke organizuar një lëvizje nacionalçlirimtare tërësisht të dominuar nga PKJ-ja, e cila përjashtoi të gjitha grupet e tjera të rezistencës. Dhe nëse Titoja, – siç na kujton studiuesi Ivo Banac, – bëhej më i pavarur nga Moska pas çdo fitoreje të ushtrisë nacionalçlirimtare, PKSH-ja, për shkak të mungesës së përvojës revolucionare të liderëve të saj, varej më shumë nga këshillat e Titos dhe modeli jugosllav, sa më shumë zgjerohej lëvizja nacionalçlirimtare.
Në verën e vitit 1943, emisari i Titos për Ballkanin, Vukmanoviç-Tempo vizitoi Greqinë, Maqedoninë e Shqipërinë. Në një bisedë të tij me Koçi Xoxen, ai shpreh shqetësimin për oportunizmin që vinte re në lëvizjet nacionalçlirimtare greke, por dhe në atë shqiptare. Ai e shihte bashkëpunimin mes grupeve rivale të rezistencës si një pengesë për zhvillimin e revolucionit në kushte lufte dhe këtë kritikë ua paraqiti edhe drejtuesve të lartë të PKSH-së kur u takuan në Kucakë.
Mbledhja e Dytë e KANÇ-it, mbledhur në Labinot në shtator 1943, u zhvillua në frymën e luftës kundër oportunizmit. Ndryshe nga Peza, pjesëmarrësit ishin më të shumtë dhe të gjithë përfaqësues, sipas Naxhije Dumes, “përfaqësues të masave të gjera të popullit”, pra jo të elitës. Ndryshe nga Peza, Labinoti me vendimin e tij për të njohur këshillat nacionalçlirimtarë si pushteti i vetëm në Shqipëri, nuk fliste më për tolerancë, por për përjashtim. Labinoti bëri një ndarje të qartë midis “ne” dhe “ata”, një ndarje në të cilën “ne” ishin patriotët, dhe “ata”, pavarësisht ideologjisë, apo qëndrimeve ishin tradhtarët. Tanimë rrymat e ndryshme politike nuk do të pranoheshin në Lëvizje si grupime politike, por si individë, duke siguruar kështu dominimin pa rivalë të PKSH-së brenda saj. Ngjarjet që pasuan Konferencën e Labinotit sollën një ndarje pa kthim midis grupimeve politike, madje edhe midis aleatëve të dikurshëm, një ndarje që degjeneroi në një konflikt të armatosur e luftë vëllavrasëse.
Kongresi i Përmetit u mblodh në një kohë kur ishte gërryer tërësisht edhe miti i pathyeshmërisë së nazizmit dhe fitorja po u buzëqeshte Kombeve të Bashkuara. Aleatët e Mëdhenj kishin filluar bisedimet për të vendosur mbi rregullimet e botës së pasluftës. Në Shqipëri, Lëvizja Nacionalçlirimtare e kishte rritur së tepërmi prestigjin e saj duke rritur si numrin e luftëtarëve, ashtu edhe të organizimeve qeverisëse në formën e këshillave nacionalçlirimtarë, në një kohë që Balli Kombëtar, për shkak të bashkëpunimit të tij me gjermanët, kishte pësuar një rënie drastike të popullaritetit. Mungesa e një qeverie të njohur nga Aleatët në mërgim, e lehtësonte edhe më shumë rrugët drejt pushtetit për drejtuesit e PKSH-së, një këshillë që Tito ia kishte dhënë Enver Hoxhës që në nëntor 1943. Kongresi ishte mbledhur më shumë për të projektuar e legjitimuar të ardhmen, sesa për të menaxhuar të tashmen, e cila drejtohej si nga Shtabi i Përgjithshëm, ashtu edhe nga drejtuesit politikë të PKSH-së. Si i tillë, ai vuri bazat e pushtetit të nesërm të PKSH-së, duke i vendosur si aleatët, ashtu edhe shqiptarët jashtë lëvizjes përpara faktit të kryer.
Atmosfera e përfaqësuesve të zgjedhur nga formacionet ushtarake e nga këshillat nacionalçlirimtarë që merrnin pjesë në Kongres, mund të konsiderohet elektrizuese. Fjalimet e pjesëmarrësve ndërpriteshin vazhdimisht nga ovacionet e thirrjet “Rroftë”, komunistët përdorin thirrorin “shok”, ndërsa jokomunistët “zotëri”. Gjuha e Ezopit, e përdorur në Pezë e Labinot ishte lënë mënjanë. Faqet e procesverbalit të Kongresit, të japin përshtypjen e një forumi të mbledhur për të festuar fitoren. Të gjithë folësit evokuan rezistencën shqiptare, si pjesë e koalicionit botërore antifashist, duke bërë gjithsesi një dallimi të dukshëm midis Bashkimit Sovjetik dhe Aleatëve të tjerë, ndihmat e të cilëve nuk kishin qenë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat në rritje të UNÇ-së. Të gjithë folësit vinin në dukje, edhe me të drejtë, luftën e zhvilluar, sakrificat e bëra, situatat tejet të vështira që kishin përballuar, fitoret që kishin arritur.
Kongresi vuri bazat e kultit të “komunistit”, të PKSH-së dhe të udhëheqësit. Atje iu bë jehonë drejtimit të Luftës nga Partia Komuniste, duke i konsideruar komunistët si “bijtë më të mirë të popullit”. Nuk fshihej më qëllimi për një demokraci popullore e një Shqipëri të Re (Liri Gega), por në asnjë rast nuk u përmend as modeli sovjetik i qeverisjes, as sovjetizimi i Shqipërisë. Koncepti për lirinë u formulua si një çlirim nga të gjitha sundimet, jo vetëm nga pushtuesi, por edhe “Liri që bujku të gëzojë tokën e vet, liri që punëtori ta marrë shpërblimin e krahut të vet, liri që intelektuali t’i verë në dobi të kombit idetë e njohuritë e tij, liri që gruaja të jetë shoqe e burrit, në familje, në punë e në shoqëri, liri që populli ynë të derdhë çdo energji me guxim politik për të mirën e përbashkët dhe në harmoni me të gjithë popujt përparimtarë” (Medar Shtylla). Për herë të parë u fol edhe për Enver Hoxhën si komandanti gjenial i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ.
Sa i takon rezistencës, antifashizmi ishte sërish fokusi kryesor duke evidentuar të njëjtin koncept për antifashizmin si në Labinot, i cili i materializuar në fjalët e Gjin Marku “fronti nuk është komunist, pasi armiku i parë është gjermani dhe pastaj tradhtarët”, por pastaj shton se “lufta kundër tradhtarëve është gjithashtu luftë kundër fashizmit”.
Berati është guri i fundit kilometrik në sendërtimin e Frontit Nacionalçlirimtar, duke e shndërruar atë në një organizatë politike të mbarëshqiptarëve. Mbledhja e Beratit, u thirr në një kohë, kur sapo ishte shpallur formimi i qeverisë së përkohshme dhe kur Ushtria Nacionalçlirimtare kishte siguruar fitoren jo vetëm mbi pushtuesit, por edhe mbi grupimet kundërshtare, të lidhura ose jo me të. Partia Komuniste nuk kishte as peshën specifike, as mbështetjen për të dalë hapur si forcë drejtuese në vend. Asaj i duhej të legjitimonte pushtetin me anë të zgjedhjeve, por nuk ishte e bindur për mbështetjen që gëzonte në shoqëri. Për këtë arsye i duhej të ndiqte një politikë zgjerimi për Frontin. Koçi Xoxe, nënpresident i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, deklaroi në Konferencë se detyrë e Frontit, në kushtet e marrjes së pushtetit, do të ishte ta ngrinte “popullin në atë shkallë që të mund ay vetë të mbrojë pushtetin e tij” dhe për ta bërë këtë “populli duhet mobilizuar politikisht”. Politika e zgjerimit të Frontit ishte varianti shqiptar, në mungesë të grupimeve të organizuara politike, për krijimin e një koalicioni qeverisës, të cilin Aleatët e Mëdhenj po nxisnin të aplikohej në të gjithë vendet e çliruara të Evropës. Ishte kjo arsyeja që e shtyu Koçi Xoxen të deklaronte se “në front mund të vijnë edhe kundërshtarët tanë (kupto: të LNÇ-së), sepse edhe ata janë shqiptarë”. Fronti do të vijonte të kishte karakter antifashist, por tanimë fashistët nuk do të ishin pushtuesit, të cilët çdo ditë e më shumë po e linin territorin e Shqipërisë. Fashizmi që duhej luftuar tanimë do të ishte pakica “tradhtare”, e cila ose refuzonte t’i bashkohej Frontit, ose ai nuk i pranonte në radhët e tij, pasi “ata kanë duart me gjak, (pasi janë) tradhtarët e hapur, (janë) ata që shkaktuan vëllavrasjen, (janë) ata mbi të cilët rëndon mallkimi i popullit tonë”.
. . .
Lufta i dha mundësi PKSH nëpërmjet Frontit Nacionalçlirimtar të mobilizonte energjitë më vitale të popullit shqiptar, të siguronte suksesin e rezistencës dhe, në fund të ditës, të realizonte agjendën e saj politike, duke vërtetuar edhe në rastin shqiptar tezën e prof. Silvio Pons, se “asnjë ligj i hekurt i shoqërisë dhe ekonomisë nuk do të mund të ndalë vullnetin popullor, nëse ai ngre kokë në kohë lufte”. Nuk ka dyshim se Lëvizja Nacionalçlirimtare, jo vetëm u udhëhoq, por edhe u dominua nga Partia Komuniste e Shqipërisë, por etiketimi i Frontit si komunist nuk do të ishte tërësisht i saktë. Në Konferencën e Pezës, Partia Komuniste numëronte rreth 300 anëtarë, ndërsa në atë të Beratit numri i tyre nuk i kalonte 2600 vetë, pra një përqindje shumë e papërfillshme e shoqërisë shqiptare, por edhe e luftëtarëve në brigadat partizane. Shumica e anëtarëve të PKSH-së ishin rekrutuar në radhët e ushtrisë. Një pjesë e tyre vinin nga zonat rurale dhe aktiviteti revolucionar për shumicën kishte filluar gjatë luftës. Njohuritë e tyre për marksizmin ishin pothuajse inekzistente, ndërsa leninizmi ishte mësuar përciptazi nga kurset e organizuara në rreshtat partizane. Ishte PK, siç e ka shprehur figurativisht prof. Kristo Frashëri, “që veshi mantelin e Frontit” dhe, duke arritur të drejtojë rezistencën antifashiste, u shndërrua në një organizatë masash dhe në faktorin më të rëndësishëm politik në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. PK pa Frontin nuk do të kishte mundur të mobilizonte energji të tillë shqiptarësh dhe, do të duhet të ndalem shumë shkurtimisht për t’i dhënë përgjigje pyetjes së dytë që parashtrova në fillim të këtij prezantimi, pra, cilat janë mekanizmat e përdorur nga PKSH-ja për të siguruar këtë lloj mbështetjeje. Edhe në këtë proces, rasti shqiptar pasqyroi me përpikëri modelin jugosllav.
Së pari, ndryshe nga rivalët e saj, u tregua konsekuente ndaj rezistencës kundër pushtuesit duke konsideruar, përveç të tjerave, se “ministri i Jashtëm i popullit shqiptar është vetëm lufta”. Në këtë mënyrë, Lëvizja Nacionalçlirimtare arriti të sigurojë simpatinë, por edhe mbështetjen e Aleatëve të Mëdhenj, duke e bërë rezistencën shqiptare de facto pjesë të Koalicionit të Kombeve të Bashkuara.
Së dyti, Lëvizja Nacionalçlirimtare nuk propagandoi nacionalizmit irredentist, që ishte kali i betejës edhe i fashizmit, dhe në shumë raste u përqafua edhe nga nacionalistët shqiptarë. Në vend të tij, u elaborua një koncept patriotizmi i lidhur me lirinë si çlirim ndaj çdo lloj sunduesi, por edhe si vendvendosje për të zgjedhur qeverisjen, pasi në sytë e tyre “nacionalistë të mirë janë ata që vritet e vdesin për atdhe”. Kjo qasje i dha rezistencës karakterin patriotik.
Së treti, ndryshe nga grupimet e tjera, Fronti nuk u mbështet vetëm te personalitete me reputacion, apo në krerët e krahinave e fshatrave. Përkundrazi ai kërkoi të realizonte një ndarje me elitat politike të së shkuarës, në emër të një rinisjeje dhe rilindjeje politike në një Botë më të mirë. Në vend të tyre, shënjestra e Lëvizjes Nacionalçlirimtare ishin shtresat e paprivilegjuara, madje edhe të margjinalizuara të shoqërisë: gruas, fshatarëve, të vobektëve të qyteteve. Përfshirja e gruas në rezistencë i dha asaj (rezistencës) jo vetëm një fuqi vitale, por krijoi kushte reale për emancipimin e femrës shqiptare. Fronti targetoi e siguroi mbështetjen dhe energjinë e pjesës më aktive të shoqërisë, rinisë, e cila përbënte më shumë se gjysmën e numrit të partizanëve të UNÇ-së. Të gjitha këto i dhanë lëvizjes karakter mbarëpopullor.
Së katërti, ndryshe nga Balli Kombëtar, Fronti nuk u përqendrua në formacione territoriale të destinuara për të ruajtur fshatin apo krahinën e tyre. Ai krijoi formacione lëvizëse, të cilat qarkulluan në të gjithë Shqipërinë. Një organizim i tillë ushtarak krijoi mundësinë për kohezionin kombëtar midis shqiptarëve të krahinave të ndryshme, duke luftuar lokalizmin dhe rritur solidaritetin midis tyre. Nga ana tjetër, përveç disiplinës drakoniane që iu imponua formacioneve ushtarake, Fronti i ktheu ato në një shkollë të mirëfilltë, si për arsimimin e partizanëve, për luftën kundër analfabetizmit, ashtu edhe për ideologjizimin e tyre leninist, duke i kthyer ata në agjitatorë të vërtetë të parimeve të Frontit dhe një mekanizëm shumë efikas për të shtuar radhët e formacioneve të UNÇ-së.
Së pesti, që në fillimet e tij Fronti kombinoi kërkesën për rezistencë aktive e të armatosur, me mosbindjen civile. Popullsia në zonat e kontrolluara nga ai u nxit të mos i paguante taksa fashizmit, duke i hequr kështu popullsisë rurale barrën e të dhjetës. Kishte raste kur çetat partizane sulmonin depot e të dhjetave dhe një pjesë të tyre ua shpërndanin fshatarëve. Pas Konferencës së Labinotit, me thellimin e ideologjizimit të rezistencës, premtimet për zgjidhje të çështjeve sociale, së bashku me nxitjen e urrejtjes për beun e again, për tregtarin e kapitalistin, për klasën politike të kaluar dhe të ditës, të cilët fajësoheshin edhe si shkaktare për humbjen e pavarësisë, ishin lajtmotiv i propagandës së Frontit. Premtimi për një Shqipëri të Re, për një pushtet të popullit, për një shoqëri të drejtë e të barabartë rriti ndjeshëm mbështetjen për Frontin.
Së gjashti, drejtuesit e Frontit arritën të shfrytëzojnë me efikasitet të gjitha gabimet e kundërshtarëve: pasivitetin, indiferentizmin, lëkundjet në qëndrime, madje, me anë të propagandës, të mohonte edhe përfshirjen e tyre në rezistencën kundër pushtuesit fashist italian. Ata shfrytëzuan mungesën e vizionit të kundërshtarëve të tyre, të cilët as mundën të krijonin një perspektivë të qartë për Shqipërinë e pasluftës të lidhur me forcat ndërluftuese, as të bashkoheshin me të tjerë aktorë antikomunistë për të penguar rritjen progresive të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Bashkëpunimi i Ballit me gjermanët u dha armën më efikase drejtuesve të Frontit për të etiketuar të gjithë kundërshtarët e tij si tradhtarë, të cilët punonin kundër interesave të popullit. Sa me propagandë, aq edhe me luftë të armatosur, Fronti arriti të defaktorizonte kundërshtarët.
Ishin të gjitha këto arsye, që afruan me Frontin Nacionalçlirimtar, krahas komunistëve, një numër i madh personalitetesh të spikatura të së majtës jo radikale, si: Gjergj Kokoshi, Omer Nishani, Medar Shtylla, Riza Dani, Shefqet Beja, Konstandin Boshnjaku, Kol Kuqali, Enver Sazani e shumë e shumë të tjerë, të cilët nëse do t’i pyesje në atë kohë “Je komunist”, do të përgjigjeshin me zë të lartë “Jo, jam antifashist dhe patriot”.
* Instituti i Historisë (ASHSH), Tiranë. (Titujt janë të redaksisë)