Nuk ndodh shpesh, që në sipërmarrjen për të bërë jetëshkrimin (monografinë) e një personazhi historik me të cilin ke lidhje gjaku, sidomos kur ai është me një rëndesë të posaçme publike, të mos biesh në “kurthin” e përjetimeve ndiesore që ka organikisht kjo lidhje e për pasojë të mos biesh në njëanësi qëndrimi e përshkrimi përreth tij. Autori i librit për të, Ndoc Frroku, stërnip i At Ambroz Marlaskajt e ka tejkaluar mrekullisht këtë kurth.
Ai ka shkruar një libër arkiv; libri i tij është dokumente, është epistolar i pasur sa s’ka. Libri nuk është aspak empati për njeriun e fisit e qëndisi (qëndisje) me lule e lajle, siç na ndodh shpesh e masandej të na krijohen mite të rrejshme. E atëherë mëkati historik bëhet edhe më i madh kur marrim përsipër të jetëshkruajmë për personat e njimentë të trashëgimisë sonë më të mirë. Do të ishte mëkat edhe me i madh, gjithashtu të ndodhte kjo për njërin prej kombformuesve të Shqipërisë, siç ishte At Marlaskaj. Po jo e jo, kjo nuk ka ndodhë.
Libri është vetë Marlaskaj. Frat, mësues i sprovuar i të gjitha cikleve shkollore në Shqipëri e profesor i Universitetit Antonian në Romë, gjuhëtar e përkthyes, publicist e veprimtar publik, deputet asambleist i zgjedhur me plebishit (dhjetor 1923-qershor 1924). I emërtuar me përkëdheli si “gozhda e Parlamentit”, prej kolegëve elitë për shkak të opozitarizmit të thekur. Me një formim juridik, që e përtejson njohjen e thellë të së drejtës kanonike, me zemër të madhe në shërbesë vetëm të së drejtës e të dobishmes, që nuk e shet shpirtin asnji grimë, për asnji rrethanë. Me dyzinën e letrave e halleve të njerëzve të popullit , që përfaqëson, të cilën e shpraz në asamble e në qeveri, me ngulmimin që të ofrojë zgjidhjen për ta.
Pader Ambrozi është mirditori që përtej Republikës së Mirditës, shumë përtej saj hedh të pamin (vizionin) e vet te Republika e Shqiptarisë. Madje e qorton si të damshme fort atë krijesë, me forcën e pashembullt të arsyes e me arsyen e pashembullt të forcës morale e shpirtnore. Sikundërse gjindet në krah të opozitës e “lobit shkodran” siç i pagëzonte grupin e madh asamblist opozitar një shkrues i “Diellit” të Bostonit (Ledio Xhoxhi), përkundër “klikës’’ konservatore të udhëheqësisë së kohës. Sepse te e para, ku qenë rreshtuar vërsnikët e tij, ajka e mendimit dhe shërbesës kombëtare, Gurakuqi, Fishta, Mjedja, Hilë Mosi, Xhemal Bushati e Halid Rroji, po edhe Avni Rrustemi që printe shoqninë “Bashkimi”, dallon prosperitetin e dheut të vet, Shqipnisë, drejt oksidentalizmit e jo në ndalesën e prapambetjen e atavizmave të perandorisë së vjetër otomaniste. Sikurse qe gjëndur më heret , qysh në shtatorin e 1916-ës në këtë krah me njerëzit më të iluminuar të Shqipërisë, si Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, në themelimin e Komisisë Letrare të Shkodrës dhe më pas me pjesëmarrës dhe të ftuar të tjerë, po kështu të shquar si dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Anton Paluca, Hafiz Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberci, Rajko Nahtigal, Emzot Vinçens Prenushi, Sali Nivica, Josif Haxhimima dhe Luigj Naraçi.
Gjithsa më sipër e shumçka më përtej, vjen përmes gjuhës së ftohtë të fakteve e dokumenteve të bollëshme. Për të shërbyer përkushtimin e tij autori ka përzgjedhë tjetër mënyrë; atë të të rrëfyemit nëpërmjet gjuhës së ftohtë e të pa emocion të fakteve, të dokumenteve, të letrave. Për autorin sentenca e vjetër e latinëve: “Verba volant, scripta manent”, (fjala fluturon e shkruara mbetet) si duket, ka qenë busulla e saktë që e ka orientuar prej fjalës së parë e deri tek fjala e fundit e librit të tij. Për të, që librin e vet e çmon qysh në krye të herës si mision, misioni fillon te gjurmimi e hulumtimi i dokumenteve, si e vërteta më e pranueshme. Dhe misioni faktmbledhës zgjat shumë më shumë sesa vetë shkrimi, masandej i librit. Kështu besoj unë. Ndaj e gjithë përpjekja e tij më e peshueshme ka qenë mbledhja e sistemimi i fakteve e dokumenteve, në radhë të parë; në Tiranë, a në Romë, kudo ku ato janë gjindur. Vetëm nga letërshkëmbimi i Marlaskajt, autori ka hulumtue e i kalon në laboratorin e vet krijues rreth 300 prej tyre, qysh prej kohës së tij studen tore në Salsburg-Austri e deri sa mbyll sytë në Itali me 1939. Letra me popullin e zgjedhësit e vet, me mësues anë e kand nga Shkodra në Lushnje, me sivëllezërit françeskanë, me Anton Harapin e me Fishtën, me Justin Rroten për nevojë gjuhësore e me shumë e shumë të tjerë personazhe qytetëse të dijes, të politikës e atdhetarisë. I bindur se gjuha e tyre do të ishte më e besueshme se gjuha e rrëfimeve të të afërmve të tij apo edhe e rrethit më përtej të bashkëvllazënve e vërsnikëve të tij. Krejt ndryshe prej ravijëzimit të portretit të Marlaskajt që na vjen prej librit “Françeskanët e mëdhaj”, bie fjala, të një mjeshtri “par exellence” të rrëfimtarisë si At Zef Pllumi, ku portreti ndërtohet me metafora e simbolika të epërme e krahasime nga eposi i vjetër “me Gjergj Elez Alinë që ndeshet në fushë të bejlegut me Harapin e Zi.”…
Edhe kur i duhet me lidhë dokumentet gjithnduershe e të bollëshme me fillin e interpretimeve të veta, autori ruan të njëjtën marrëdhënie ndërmjet gjendjes emotive dhe racionale, duke vënë në rend të parë, gjithherë racionalen e duke konkluduar sipas asaj, për të vjelë të vërtetën më të besueshme e të pranueshme. E bën këtë deri në detajet më të imta të narrativës së vet, qoftë edhe me fakte të ndëvarura që i synon me këmbëngulje për më të bindshmen e saj. Bie fjala , sjell edhe autopsinë e mjekëve në vrasjen e Avni Rrustemit, për të zgaqë (zbuluar) prej më së afri ngjarjet e rrafshit të politikës e saktësisht ato të parlamentit, mis (anëtar) i të cilit ishte Marlaskaj. Por sjell në libër, gjithashtu edhe fjalët e përkundërta të shkruara të Eqrem Bej Vlorës, nipit të Esat pashë Toptanit për vrasësin e njeriut të tij. I bindur se mënyra më e mirë për korrektësinë historike është përballja e dokumenteve.
Ose, në rastin e formimit të qeverisë së Nolit , sillet në libër ky kumt i shkruar i At Marlaskajt, dëshmitar okular e aktiv i asaj ngjarjeje :”… u shenjuen si kandidatë për Kryeministri: Noli, Gurakuqi, Koculi, Delvina. Nder këta të kater u qit short e, si diehet duel Noli”. I panjohur ky fakt, a më saktë i pashënuar në asnjë cep të historiografisë shqiptare të deritashme. Megjithatë autori, me paanësinë e ftohtë të zgjedhur si metodë analitike qysh në krye të herës, e shumta dërgon një ftesë për nxitjen e autoriteteve shkencore për të hedhur më shumë dritë mbi këtë moment.
E momente si ky ka shumë e shumë në libër, edhe në të tjera fusha të dijes e atdhetarisë, ku shkëlqen Marlaskaj ynë që mund të bënin vargun e shembujve e prej ku na vjen më i plotë se gjithherë më parë, njëra prej figurave-shtylla të rëndësishme të ngrehinës së kombit tonë e të palcës së tij, At Ambroz Marlaskaj.
“Na nuk kena mandat prej popullit”, reagimi i deputetit për Lëvizjen e Qershorit 1924
At Ambroz Marlaskaj, lindi në Mirditë në 1884 dhe u shua, në Romë në 1939. Pjesëmarrës në Komisinë Letrare të Shkodrës më 1916, së bashku me Gjergj Fishtën, prifti franceskan Marlaskaj ishte autor i shumë shkrimeve në revistën “Hylli i Dritës”
Botoi disa vepra, por la dhe disa të tjera në dorëshkrim, si: “Predke për ushtrime shpirtit”, “Historia e Kishës”, “Gramatikë Shqipe”. Mësimet e para dhe kryen rishtarinë në Kuvendin Françeskan të Rubikut duke e nisur vitin e provës më dt. 10 tetor 1900, mësimet bazë të teologjisë i bëri gjegjësisht në Gjuhadol dhe Troshan. Nga eprorët u nis më pas në Perandorinë AustroHungareze për të përfunduar studimet në teologji e filozofi, kreu këndimet më 1907. Më 26 dhjetor të 1907 merr emrin Ambroz dhe merr gradën e priftërisë. Më 6 shtator 1909 emërohet sekretar i Provincës Françeskane në Shkodër, mbas një viti dha dorëheqjen për t’u zëvendësuar nga P. Zef Gici OFM.
Qe kryetar i një grupi pune për shqyrtimin e teksteve shkollore të hartuara nga Gaspër Beltoja dhe Gaspër Mikeli, në të cilin bënin pjesë fretnit françeskanë Marin Sirdani, Justin Rrota dhe Gjergj Fishta më 1910. Gjatë viteve 1913- 1914 Marlaskaj do të shkojë në Vjenë dhe Pragë, gjithnjë me detyra fetare dhe më 1915 do të kthehet përsëri në Shkodër. Caktohet anëtar më 1916 në Komisinë Letrare në krah të Pekmezit, Gurakuqit, Gjeçovit, etj; në fillim me funksionin sekretar, por shpejt i zëvendësuar nga Luigj Naraçi. Me 1916 caktohet Drejtor i Kolegjit Françeskan të bartur në Troshan nga mungesa e nozullimeve më 24 dhjetor 1918. Zbatoi me përpikëri programin e shkollave të Austrisë dhe për ndihmë të profesorëve e të nxënësve nxori prej ministrie të gjithë librat e përshtatshëm së bashku me metodat, i ndihmuar prej profesorëve tjerë për t’i përkthyer tekstet shkollore në dobi të nxënësve. Me hapjen e liceut “Illyricum” iu bë ndihmës Fishtës, duke qenë se ky i mbrami qe drejtor i të gjitha shkollave françeskane. Krijoi “Lidhjen e Mësuesavet” që kishte për qëllim lartimin pedagogjik të mësuesit dhe mbrojtjen e të drejtave të tij. Diskutohej në vitet 1922-’23, me propozimin e Imzot Mjedës të bashkoheshin gjimnazet e françeskanëve dhe të jezuitëve në një gjimnaz të vetëm katolik me program të përbashkët. Marlaskaj u emërua me Rrotën në komisionin e caktuar, nga paria e provincës. Merr pjesë në grupimin “Ora e Maleve” të themeluar në pranverën e 1923.
Me zgjedhjet e mbajtura më dt. 27 dhjetor 1923 del deputet i prefekturës së Shkodrës nga 21 janari gjer më 2 qershor 1924 duke zëvendësuar kësodore P. Fishtën si përfaqësues i klerit. Pas Lëvizjes së Qershorit 1924, me daljen e qeverisë Noli nuk u bënë zgjedhje. Kur u mblodhën në Vlorë për Lëvizjen e Qershorit, e ftuan edhe Marlaskajn me firmosë, por nuk pranoi dhe shtoi “na nuk kena mandat prej popullit për kyt”. Me të ashtuquajturin “Triumfi i Legalitetit” më dt. 24 dhjetor 1924 zë e fshihet ndër katundet e Zadrimës, ku më pas i veshur si katundar largohet jashtë vendit. Nëndrejtor i gjimnazit bëhet ndërkohë Harapi. Me amnistinë e shpallur më 1926 kthehet në Shqipëri së bashku me provincialin e asokohshëm Pal Dodajn. Më 1934 Universiteti Pontifik Antonjan i Françeskanëve në Romë i kërkoi Provincialiatit të Shqipërisë t’i dërgonin për të mbajtur katedrën dogmatike. Në dhjetor të 1934 viziton Shqipërinë dhe në letërkëmbimin e tij thekson hapjen e ritit latin në Shqipërinë e Jugut. I laureuar në Universitetin Gregorian të Romës e mbajti atë katedër gjer në vdekjen që e gjeti gjatë një operacioni apendisiti. Gjikam do të shkruante te “Hylli i Dritës” artikullin nekrologjik Pater Ambrozi më 1939. P. Ambrozi vetë përktheu pjesë prej tekstit të matematikës Jakob e ushtrimet e librit të parë të greqishtes së bashku me gramatikë. Përgatiti edhe një gramatikë të vogël origjinale për gjuhë shqipe. Përktheu të dyja pjesët e “Ushtrime për gjuhë latine” nga August Scheindler më 1921-’22 e i botohet më 1930.
Në gjysmën e dytë të 1921 boton shkrimet “Mbi ortografi të sotshme” si kritikë ndaj rregullave të çanësuara pesë vite më parë nga KLSH duke iu referuar Kamardës, “Si duelën të zgjedhun deputetët katolikë të Shkodres” , “A âsht’ qeveria e Tiranes nji Turkì e Ré a Jo?” etj. Boton broshurën “Nji monument pazotsie në lamin e arsimit në Shqipni” më 1922 që i binte ndesh reformave arsimore të Rexhep bej Mitrovicës. Revista “Hylli i Dritës” bëhet për Marlaskajn tribuna e ideve të tij ku shpesh përdor pseudonimin Nji i mirditas. Sipas memuaristikës së P. Zef Pllumit, qe i mendimit me përshtatë Kanunin e Maleve duke përpunuar konceptet juridike si mësues i të Drejtës Kanonike që ishte, e të formohej ashtu Kodi Civil shqiptar. Por i kundërshtuar nga politikanët e tjerë në parlament, sipas tij donin të shartonin Sheriatin me Kodin Napoleonik. La shënime në filozofi dhe teologji morale (studimi “Mbi monizmin dhe materializmin”), në histori “Historia e Pedagogjisë”, “Ipeshkëvinjtë e Shqypnisë”; shkrime të tjera, në gjuhësi (ka botuar gramatikë latine, një fjalor latin, studimin “Mbi ortografinë e sotme”)./Gazeta Panorama