Këtë herë personazh i shkrimit tonë është personaliteti i komunitetit shqiptar nëpër botë, z. Sakip Islam Skepi, publicist i njohur, me përvojë e kontribute 40-vjeçare si themelues e drejtues i radios “Jehona e Shqipes”, financier me eksperiencë të gjatë, aktivist i shquar shoqëror e politik, i kudogjendur, për t’i shërbyer vendit të vet dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Rrallë herë, ndofta dhe në mënyrë rastësore, te dikush mblidhen shumë të mira, të cilat shërbejnë për të faktuar prejardhjen e tij. Mbase kështu ka ndodhur dhe me Sakip Islam Skepin. Sakipi vjen nga Dibra-gjoksi i rezistencës kombëtare, treva e inteligjencës dhe e mençurisë. Z. Skepi vjen nga krahina e Çidhnës, e cila është e shquar në shekuj, dhe konsiderohet si “mezja e Dibrës”. Sakipi vjen nga fshati Blliçe-Nderi i Kombit, një fshat vërtetë i shquar, me histori publikisht të njohur. Ai, gjithashtu, vjen dhe nga një fisi i shquar Dedja-Skepi dhe nga një familje vërtetë nacionaliste, e ndershme e atdhetare, si biri i Islam Skepit, një kundërshtar i vendosur të regjimit komunist, i cili, për mos pajtueshmëri me këtë regjim, u arratis familjarisht në vitin 1958, dhe pastaj nga ish Jugosllavia, të gjithë jetën e kaloi në Bruksel të Belgjikës. I përmendëm këto, për të shpjeguar, sado përmbledhur, faktorët që mund të kenë ndikuar në formimin dhe edukimin e z.Sakip si qytetar, intelektual, publicist, humanist e aktivist shoqëror i shquar.
Më datë 11 dhjetor 2024, erdhi për të dhe një vlerësim i rëndësishëm publik, i cili nderonte veprimtarinë e gjithanshme të tij, në interes të komunitetit. Këtë vlerësim e bëri shoqata prestigjioze “Albanian Excellence”, e cila drejtohet nga gazetarja dhe aktivistja Flora Nikolla dhe publicisti e analisti Mentor Nazarko, që prej 12 vjetësh e zhvillon aktivitetin e saj në shërbim të komunitetit shqiptar të kudondodhur. “Albanian Excellence” i akordoi zotit Sakip Skepi certifikatën “Grand excsellence 2024”. Ky është një vlerësim plotësisht i merituar për aktivitetin e spikatur e 40-vjeçar të tij, në disa fusha njëkohësisht, si në publicistikë-gazetari, financa, politikë e komunitet.
Përmbajtja e kësaj certifikate dhe motivacioni i dekorimit për zotin Sakip ishte një sintezë e gjetur, si më poshtë: “ Si personalitet i botës shqiptare, i larguar kërthi në arratisjen spektakolare të vitit 1958, duke mbetur derë e hapur për shqiptarët dhe me radion 40-vjeçare “Jehona e Shqipes”, duke shërbyer si pikë referimi për medien ndërkombëtare mbi Shqipërinë e shqiptarët, duke ruajtur përherë vështrimin nga Dibra e tij.”
Certifikata iu dorëzua në një ceremoni të veçantë në mjediset e hotel “Plazza” në kryeqytet, në prani të shumë personaliteteve shqiptare nga të gjitha trojet tona, të cilët, gjithashtu, u vlerësuan me një certifikatë të tillë, në prani edhe të shumë të ftuarve nga ana e personaliteteve të vlerësuara.
Në këtë takim mbresëlënës, sallën e mbushur plot e elektrizoi këngëtari i shquar i trojeve shqiptare, z.Arif Vladi, i cili, interpretoi, siç di ai, këngën kushtuar Lam Skepit, babait të Sakipit. Sakipi, në këtë veprimtari vlerësuese e të veçantë në jetën e vet, shoqërohej nga Arif Vladi, bashkëshortja Anila, Lubjana Malaj, kushërira Dashuria Ferati Daci, unë, profesor Jordan Daci, mbesa gazetare Megi Iskurti, kushëriri jurist Sinan Skepi bashkë me bashkëshorten e tij Elvira Hasa- doktoreshë shkencash etj
KONTRIBUTI
Z.Sakip Skepi u lind në fshatin Blliçe, sipas dokumenteve shqiptare 28 prill 1953, por sipas dokumenteve belge më 2 prill 1953!
…. Në moshën 5 vjeç, në vitin 1958, bashkë me prindërit u largua nga Shqipëria (ikja ma e madhe në veri të Shqipërisë, gjithsej 26 veta ) dhe arritën në ish-Jugosllavi, në periferi të Shkupit. Aty filloi shkollën fillore, në gjuhë maqedone dhe tetëvjeçaren, në shkollën
Në nëntor të vitit 1966, arriti familjarisht në Bruksel. Aty, vazhdoi shkollën, ku mbaroi studimet për kontabilitet -financë! Pas një pune 10-vjeçare, në këtë fushë, iu drejtua specialitetit të sigurimeve me shkollë e punë. Si kreu këto studime, kaloi në punën që e drejton vetë, aty ku është dhe sot, në Real State.
Aktiviteti i tij shoqëror është i shumtë. Sakipi themeloi radion “Jehona e Shqipes”, me 20 shkurt 1986, të cilën e drejton dhe organizon edhe sot, transmetim për çdo të diel, me 15h-17h në valë FM! Kjo radio ka qenë dhe është zëri i atdhetarëve, i shqiptarëve në diasporë, që e duan atdheun, që e duan vendin e tyre, që e duan flamurin, gjuhën dhe kombësinë shqiptare. Radio “Jehona e Shqipes”, për 40 vjet e mbajti ndezur prushin e shqiptarisë.
Ndërkohë, nëpërmjet radios realizoi dhe shumë aktivitete të tjera.
Ka realizuar edhe bashkëpunimin për realizimin e filmit “Prill i Thyer”, në Korsikë të Francës, në tetor 1986, me regjisor Lirie Begeja, ku luajnë rreth 100 persona në role të ndryshme, kryesorë dhe episodikë. Ky film pati shumë sukses… Po me Lirie Begejën bashkëpunoi dhe për realizimin e filmit “Larg barbarëve”, që u realizua në vitin 1993.
Sakip Skepi ka dhe aktivitet politik të spikatur e të përhershëm, ndër të cilat do të përmendnim manifestimet për të drejtat e shqiptarëve në ish – Jugosllavi, në periudhën e vështirë të viteve 1980-90.
Gjithashtu, z.Skepi ka pasur dhe aktivitet humanitar të çmuar. Për herë të parë në Shqipëri ka ardhur më 12 maj 1991, me organizatën humanitare Franceze “Mjekët pa kufi”, me ç’rast solli ndihma humanitare, të cilat u shpërndanë në të gjithë spitalet e Shqipërisë. Organizata “Mjekët pa kufi”, në Shqipëri ka shërbyer falas për 7 vjet.
Në shtator të vitit 1992, Sakipi erdhi në Shqipëri me një organizatë belge të qytetit Sylli, me ç’rast solli shumë ndihma, të cilat u shpërndanë në veçanërisht në spitalin distrofik të Kombinatit dhe për Shoqatën e të Përndjekurve Politikë. Gjatë luftës në Kosovë, solli ndihma humanitare për refugjatët.
Aktivitete me gazetarë belg:
1. Përcjellja e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri më 19 mars 1992, dhe fitores së Partisë Demokratike.
2. Në qershor të vitit 1992, shkoi në Kosovë me gazetarët belg të gazetave “ Le Soir” dhe “De Standard”, më me emër në Belgjikë, për të përcjellë situatën policore në Kosovë.
3. Po në maj të vitit 1993, prapë u rikthye për gjendjen policore që ishte krijuar në Kosovë nga reprezaljet serbe.
4 Në qershor të vitit 1994, po me këta gazetarë erdhi në Shqipëri për të pa nga afër masakrën e Peshkëpisë, që kishte ndodhur. Pastaj, nga aty, kaloi në Maqedoni për të përcjellë evidentimin e popullsisë, që ishte aty, duke u interesuar për regjistrimin e shqiptarëve.
Sakipi, para dhe pas vitit 1990, ka pritur dhe ka përcjellë me shumë bujari, sedër e Z.Skepi ka nderuar grupet dhe këngëtarët e këngëtaret e para që trokitën në Belgjikë e Bruksel, pas shembjes së regjimit komunist, të cilët i ka sajdisur në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pra, Sakip Skepi, si shqiptar i vërtetë, personifikimi i traditave të shkëlqyera dhe i burrërisë së një malësori patriot, si të thuash, ishte epiqendra e vizitorëve shqiptarë në Belgjikë, jo vetëm e dibranëve, të cilëve ju kushtonte vëmendjen maksimale dhe për të cilët vinte në dispozicion dhe bujarinë e tij , të trashëguar nga treva që i përket, nga krahina e vet, fisi dhe familja e Islam Skepit. Dera e babait të tij dhe e vetë Sakipit qe përherë e çelë dhe shtëpia e tij qe një odë e ngrohtë e mikpritjes tradicionale shqiptare.
Aktiviteti, veprimtaria dhe kontributi i zotit Sakip Skepi për çështjen atdhetare e shqiptare ka qenë i gjithanshëm, i vlerësuar dhe i njohur publikisht.
ANTIKOMUNIZMI
Lam (Islam) Skepi, një emër tingëllues, i përmendur dhe i veçantë jo vetëm në Çidhën e në Dibër, por dhe më gjerë. Thuaj Lam(Islam) Skepi dhe ke thënë shumë gjera: nacionalist e patriot, antikomunist i vendosur, burrë i zgjuar e me nuhatje të spikatur ideologjike e politike, i vëmendshëm për të mbrojtur veten dhe familjen e tij, sy patrembur në rreziqe, i sulmuar brutalisht, deri në dënime me burgosje nga regjimi komunist, njeri i sakrificës.
Lami ishte pinjoll i denjë i një fisi të shquar në Blliçe të Çidhnës, fisi në të cilin mund të përmendim Met Skepin e Xhemal Skepin(Të dy ish oficerë), Haxhi Skepin, Aranit Skepin- disa mandate kryetar i komunës Fushë-Alie, Sinan Skepin-jurist etj. etj.
Lamin e kishte lindur motra e Abas Agës(Abas RatkesFeratit) nga Ratket e Sllovës, halla e vjehrrit tim, Shefit Ferati. Bazë Ratkja ishte burrë shumë i përmendur jo vetëm në Sllovë, me pasuri dhe autoritet, ndaj i kishin vënë edhe mbiemrin e dytë “Aga”.
Babai i Lamit, Ismail Skepi, ishte atdhetar e patriot, si dhe renditej ndër burrat e njohur, të mençur e autoritar të Blliçes dhe Çidhnës. Gjithashtu, kishte miq të shtëpisë të shumënjohurin Halil Alia, i cili kishte për grua motrën e Lamit, si dhe kishte miqësi direkte dhe me familjen Xhilagës së Deshatit, njëri nga tre Oxhaqet historikë të Dibrës së Poshtme, ose të Dibrës së Vogël.
U lind më 20 prill 1920, në Blliçe, fshatin “Nderi i Kombit”, fshati i martirizuar nga regjimi komunist, ku disa burra janë pushkatuar e shumë të tjerë janë arrestuar dhe dënuar rëndë politikisht, për të ashtuquajturën “vënie në shërbim të UDB-së jugosllave” apo “Tradhti ndaj Atdheut!…”
Fëmijërinë e kaloi në vendlindje. Në vitet 50, të shekullit kaluar, regjimi komunist e arrestoi, e burgosi dhe dënoi me tre vite burg, të cilat nuk i kreu plotësisht, pasi përfitoi nga një amnisti. U lirua dhe u kthye në shtëpi.
Pastaj, regjimi gjakatar komunist e shpalli kulak, duke i hequr triskat e Frontit Demokratik, pra anëtarësinë në këtë organizatë politike e shoqërore të madhe e të vetme, levë e diktaturës, ku elementët nacionalistë përjashtoheshin si “Armiq të Partisë”, “Sabotatorë te Pushtetit Popullor”, “Bashkëpunëtorë me pushtuesit” etj.
Kështu, vetë Lami ndiqej e përndiqej nga strukturat e shtetit totalitar, nga Sigurimi i Shtetit dhe policia politike, gjithnjë si armik i atij regjimi. Sikur të mos mjaftonin këto dhe gjendja e mjeruar ekomomike e familjes së Lamit, dhe motra e tij rrezikonte të ndiqej e burgosej, ose të internohej, si gruaja e një “krimineli”(sipas regjimit), pas vrasjes së bashkëshortit të saj, nacionalistit të shquar Halil Alia, në Ujmisht të Kukësit.
I ndodhur në udhëkryq, pas gjithë këtyre vuajtjeve e denigrimeve politike dhe mbledhjes diskredituese e demaskimit publik që iu bë në fshat nga partia dhe Dega e Punëve të Brendshme, si mundësi të vetme shpëtimi vlerësoi arratisjen nga vendi i tij, të cilën e realizoi më 11 maj 1958 dhe që zgjati 24 orë, kur 26 persona të familjeve të Lam Skepit, Haxhi Skepit dhe Xhelal Xhilagës, të xhaxhait dhe mikut të tij, arritën të kapërcenin kufirin e Shqipërisë. Me këtë grup ishin edhe 3 plaka, 2 fëmijë 6 javësh dhe dy fëmijë të tjerë 5 vjeç, ndër to dhe vetë Sakipi 5-vjeçar.
Autoritet maqedonase, ku kaluan, i mbajtën një natë në fshatin Tanushë dhe pastaj i dërguan në burgun më famëkeq, të Idrizovës. Të gjithë u intervistuan nga shërbimi sekret maqedonas, ndërsa Lami jo. Por, Lami ju kërkoi haptas që, më mirë ta vrisnin ata, se sa ta rikthenin në Shqipëri, ku e priste dënimi kapital. Njëkohësisht, Lam Skepi, ju deklaroi, se ai nuk pranonte që të rekrutohej prej tyre.
Nga Maqedonia e ish Jugosllavisë u largua më 11 nëntor 1966, dhe u vendos për banim të përhershëm në Bruksel të Belgjikës, ku jetoi deri sa vdiq. Këtu, asnjëherë Lam Skepi nuk u muar me punë të “pista” e spiunazh, punoi për të mbajtur familjen dhe për të jetuar me djersë dhe me punë të ndershme.
Në kondita të reja, ky ishte një patriotizëm i kulluar, sepse Lami urrente dhe nuk e donte regjimin komunist, por e donte shumë atdheun e tij, Shqipërinë. Gjithashtu, asnjëherë vendlindjen nuk e hiqte nga zemra e nga mendja. Dashuria për to, gjithnjë ia kishte kallur zemrën e i kishte djegur shpirtin.
Shembjen e regjimit komunist, Lami e priti me shumë gëzim, sepse, më e pakta, i hapej kështu mundësia të vinte në Shqipëri, për t’u cmallur me vendin dhe komunitetin e vet. Ndaj, në vitet e fundit të pleqërisë erdhi për t’u çmallur me vendlindjen, për të vdekur e për t’u varrosur në fshatin Blliçe, më 14 mars 1994, Ditën e Verës, dhe u përcoll për në banesën e fundit me lot, dhimbje, respekt e mirënjohje nga i madh e i vogël, për karakterin e tij antikomunist, burrëror, atdhetar e patriotik. Burra si Lam Skepi vdesin vetëm fizikisht, sepse ata nuk vdesin asnjëherë për jetën, veprat dhe mirënjohjen e respektin në komunitetin e tij. Ai la pas djalin e vetëm, Sakipin, dhe tri vajza, të cilët kanë plot nipër e mbesa, të cilët i deshi aq shumë.
Sakipi, vazhdimisht, ka punuar për çështjen kombëtare shqiptare dhe mban lidhje të ngushta me fisin, farefisin dhe komunitetin e vendlindjen, si dhe me politikanë, gazetarë, kineastë, artistë dhe personalitete të larta shqiptare./Gazeta Panorama