“Oj nënëzo, çfarë kam bërë!” - Rrëfimi rrëqethës i një 24-vjeçari çam të pushkatuar nga regjimi komunist

Dokumentare

“Oj nënëzo, çfarë kam bërë!” - Rrëfimi rrëqethës i një 24-vjeçari çam të pushkatuar nga regjimi komunist

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 16:33
Foto ilustrim

Në një natë të errët të vitit 1954 në vendin e quajtur “Bishti i Krastës” në Elbasan, plumbat e togës së pushkatimit i morën jetën një djali 24- vjeçar nga Çamëria. I njohur si vendi ku janë pushkatuar me gjyq a pa gjyq shumë shqiptarë të mirë, “Bishti i Krastës’ është dëshmitari i pamanipuluar që ka përjetuar makabritetin e një regjimi që nuk kursente asnjë jetë njeriu për kënaqësinë e bishës kriminale. Nustret Alizoti nga Çamëria ishte njeri nga viktimat e intrigave që kurdiste dhe sajonte sigurimi i shtetit dhe vetë diktatori ndaj kujtdo njeriu që kishte dinjitet e dhe integritet shqiptari përballë injorancës dhe harbutërisë komuniste që përzgjidhte pushteti vrasës i Enver Hoxhës. Për këtë rast të veçantë, Zenel Isa nga Galbaqi i Çamërisë, një punëtor i gurores që atë natë ishte roje i depos së dinamitit te “Bishtit të Krastës” të asaj kohe, bashkëmoshatar me Nustret Alizotin, u bë pa dashur dëshmitar i asaj nate të zezë si vetë sistemi.

Në bisedë e sipër më me gojën e tij më ka thënë për atë vrasje, se “e njoha nga zëri Nustretin kur klithte fjalët “Oj nënëzo, çfarë kam bërë, ç’keni me mua”. Ishin fjalët e fundit të njeriut që u gdhi në një gropë të mbuluar me ferra e mbi të të vendosur ca gurë. Zeneli vajti dhe ia tha nënës së tij, Merushes, se babai i kishte vdekur që në Çamëri më 1939. Zeneli më tregonte mua si gazetar dhe patriot se “bashkë me të shkuam në vendin ku ishte lënë i vrarë Nustreti. E qau me zë e shkreta nënë, e pa mirë djalin e saj që plumbat i kishin marrë jetën. E hapi më shumë gropën dhe e mbuloi djalin mes lotëve dhe ngashërimeve të pafund që të këpusnin shpirtin dhe mezi e duroja.

Ishte një nënë fatkeqe që mezi i kishte sjellë gjallë fëmijët nga Çamëria deri në Elbasan (siç e cilësonin çamët Elbasanin) pas masakrave greke. – I shpëtova nga greku dhe nuk ma merrte mendja mua fatzezën që të ma vriste shqiptari. Ç’është kjo mënyrë për ne kështu, kaq të mallkuar paskemi qenë. I rrita jetim se më vdiq burri e djemtë i ruajta nga greku. Oi, oi, djali im, çe pate këtë fat kështu, fatzeza unë ç’më gjeti,” – më kujtonte Zeneli fjalët e asaj gruaje çame, nënë fatkeqe, janë fjalët që më ka thënë në ligjëratë të drejtë Zenel Isa.

Nustret Alizotin ishte djali i dytë nga tre që kishte Qazim Alizoti. Dhe, si të mos mjaftonin fatkeqësitë, vetëm 8 vjet më pas nëna e Nustretit, ndërroi jetë me një maraz në shpirt se jo vetëm iu vra djali, por iu njollos familja me etiketimin e fjalëve që thuhen në këto raste. Aliu, djali i tretë Qazimit dhe Merushes, banues në Elbasan, me shqetësimin për vëllanë e tij që u vra aq pabesisht nga sistemi, shprehej se “një ditë në shtëpinë tonë erdhën dy oficerë të sigurimit dhe folën me nanën dhe i thanë se nuk do të kishin ngacmime të tjera, se po tu thoshte dikush ndonjë fjalë, të vinin e të takonin ata. Nuk e kuptova se çfarë donin të thoshin me këto fjalë, por vetëm një gjë munda të kuptoja se im vëlla ishte vrarë pabesisht dhe si rezultat i intrigave dhe pabesive që thureshin në atë kohë, kur Shqipëria ishte në krizë ushqimore se vepronte sistemi i triskimit me pika. Ka qenë kjo që e ngatërruan vëllain tim me të ashtuquajturat përvetësime, kur ne në shtëpi jetonim në varfërinë e plotë si gjithë të tjerët. Kontrollet e bëra nga policia dhe hetuesia nuk gjeti asgjë, por u habitën për varfërinë që kishim. Ç’të të them o djalë, keq e më keq. I shpëtuam grekut dhe u vramë në Shqipëri. Këtë gjë nuk e kuptoja përse ndodhte në atë kohë, veç sot i kuptoj të gjitha”. Kësaj i thonë “më fal se të vrava” dhe këtë dinin ta thoshin ata që të vrisnin natën e të qanin ditën, sigurimsat e drejtuar dhe frymëzuar nga vetë diktatori.

Ali Alizoti, vëllai i vogël i Nustretit, i ka bërë të gjitha dermashet, siç i thonë fjalës, për të gjetur arsyetimet e dënimit të vëllait, por edhe të mësonin se ku ndodhet varri i tij tani. Ai i ka shkruar edhe Ministrisë së Drejtësisë duke i renditur shumë fakte dhe duke kërkuar drejtësi për pafajësinë e vëllanë e tij. Ndër të tjera Ali Alizoti shprehet se “në ato vite nuk mund të kërkonim drejtësi se do të kishim të tjera presione, ndaj heshtëm, ulëm kokën e punuam, ja ashtu, me brengë, me frikë, duke humbur edhe vendin se ku ishte varri i tim vëllai që nuk e gjetëm më. U rritëm keq e keq në Elbasan, megjithëse nga qytetarët elbasanas kishim mbështetje dhe na e qanin hallin. Ishim të detyruar të ulnim kokën duke pranuar pa dashje padrejtësinë e treguar ndaj vëllait tim Nustretit”.

Si e mendon Ali Alizoti vrasjen e të vëllait të tij Nustret Alizoti? Të flasësh për vrasjet e popullatës çame, duhet thënë se ato janë të shumëllojshme dhe në çdo kohë, sepse aty ishte porosia greke që strehohej në ish Byronë Politike të kohës së bashku me antishqiptarizmin e vetë diktatorit. Por ajo që mbetet ende si një mister për këtë familje nga Çamëria, është fakti se ka një seri kontradiksionesh në dokumentacionet e dërguara pas kërkesave të Ali Alizoti për të mësuar për vrasjen e vëllait të tyre. Në një letër drejtuar Ministrisë së Drejtësisë ndër të tjera ai shprehet se :

Nustret Qazim Alizoti për nivelin e tij intelektual dhe kulturor nuk mund të lëshonte veten e tij në nivel të vjedhësit, (siç gjente akuza sigurimi i shtetit), pasi kjo vërtetohet me faktin se si djalë intelektual dhe shumë i rregullt, menjëherë, pas mobilizimit ushtarak, u vendosa kujdestar në repartin 3700 në Tiranë. Nga të gjitha verifikimet tona të bëra dhe për të cilat disponojmë dokumente, na bindin se gjyqi dhe vendimi i dënimit të tij me vdekje është i sajuar ose i montuar sipas modeleve që përdorte sigurimi i shtetit të diktaturës, sepse:

Dy certifikatat e vdekjes që disponojmë, njëra nxjerr nga gjendja civile e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Elbasan që nuk i lexohet data, por që është e para viti 1990, ka datë vdekjeje 2 prill 1954, ndërsa certifikata e marrë nga ana jonë në gjendjen civile të Rrethit Elbasan më datë 28. 12., 2007 shënon si datë vdekjeje 2 gusht 1954.

Vërtetimi i komisariatit të policisë Elbasan lëshuar më 21.10.1993 thotë se nuk ka asnjë dokument për ekzekutimin e tij.

Vërtetimi i Gjykatës së Rrethit Elbasan datë 03. 03. 2008 thotë se nga kontrolli i indeksit penal të vitit 1953-1954 nuk figuron i dënuar zoti Nustret Qazim Alizoti.

Në shkresën përgjigje të Drejtorisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme me numër 293/3 prot. datë 03. 10. 1994, thuhet se nuk gjendet dosja penale e zotit Nustret Qazim Alizoti, por vetëm vendimi nr. 2 datë 13. 06. 1954 i dënimit me vdekje.

Në shkresën përgjigje dhënë familjes nga ana e drejtorisë së Arkivit të Ministrisë së Rendit Publik me Nr. 1925/1 prot, datë 24. 11. 1993, thuhet se për zotin Nustret Qazim Alizoti nuk kemi asnjë të dhënë në burimet tona arkivore.

Në vërtetimin e datës 13. 12. 1993 të degës Ushtarake Elbasan nga ku është mobilizuar zoti Nustret Qazim Alizoti më 03. 11. 1953, thuhet se nuk disponohen dokumente. (Nustret Alizoti dhe vëllezërit e tij, ashtu si të gjithë burrat çamë që ishin deri në moshën e ushtrisë, u thirrën që të bënin shërbimin ushtarak, fill pas heqjes së shtetësisë greke dhe dhënies me forcë të shtetësisë shqiptare, duke mbyllur kështu me dashje një kapitull kërkesash me dashje të qeverisë komuniste ndaj shtetit grek që më 1953 kishte bërë amnistinë e pasluftës dhe popullata çame kishte të drejtën të kthehej në vendin e vet. Në këtë mënyrë shteti monist i Enver Hoxhës u bë bashkëpunëtor me shtetin grek).

Vërtetimi datës 12. 12. 1993 i përgjegjësit të varrmihësve ku thotë se në regjistrat e varrimit të periudhës 1953-1954 zoti Nustret Qazim Alizoti nuk figuron i varrosur.

Vërtetim i zyrës së gjendjes gjyqësore të Ministrisë së Drejtësisë me Nr. Prot. 49-2008, i datës 07. 01. 2008 se është dënuar veç të tjerash për të paguar dënimin në lekë prej 202.105 lekë të vjetra, ndërsa në shkresën përgjigje të datës 03. 10. 1994 me Nr. 293/3 prot, të Drejtorisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se është dënuar për përvetësim të pasurisë shtetërore për 103.560 lekë të vjetra.

Sipas vendimit të Gjykatës thuhet se konfiskohet pasuria dhe se zhdëmtohet shuma e mësipërme. Në fakt në familjen dhe shtëpinë e Nustret Alizotit nuk ka ndodhur asnjë konfiskim i pasurisë së tij dhe familjes dhe nuk është paguar kurrë asnjë lloj vlerë leku ose malli.

Në kontrollin e bërë pas arrestimit të tij në familje dhe pa dijeninë e familjes për arrestimin e tij, kontroll i bërë në befasi në orën 01 të natës pa prezencën e familjarëve, në shtëpi nuk u gjet asnjë provë e fajësisë së tij si materiale, para apo ndonjë gjë tjetër. Në këtë kontroll ka qenë Këshilli i Lagjes, Dega e Punëve të Brendshme dhe punonjësi i konfiskimit Qazim Kuqashi.

Të gjitha provat shkresore duket hapur se janë në kontradiksion të plotë me njëra -tjetrën dhe me mungesën totale të dosjes së tij penale dhe të provave për fajësinë e tij. Janë këto fakte që të çojnë në konkluzionin se dënimi i Nustret Qazim Alizoti ka qenë fals, i sajuar dhe me ndonjë qëllim dashakeqës që asnjëherë familjes së tij nuk iu është bërë kurrë i njohur.

Është ky realitet që familjarët e tij nuk janë dakord dhe as të bindur në fajësinë e dënimit e Nustret Qazim Alizoti, jo vetëm për faktin se familja Alizoti gjithnjë e ka mbështetur jetesën në ndershmëri, mbi të gjitha në mungesën e plotë të provave për fajësinë e tij. Lidhur me këtë ngjarje familjarët Alizoti kërkojnë pafajësinë e tij dhe gjendjen e eshtrave të tij, pasi ai nuk ka një varr.

Është ky fati i shumë e shumë çamëve që erdhën në Shqipëri për të gjetur shpëtim nga plumbat e pabesisë dhe gjenocidi antishqiptar grek, por që gjetën këtu një pabesi tjetër dhe u bënë viktimat e gjenocidit komunist, ashtu si edhe shumë bashkëkombës shqiptarë. Ndaj dhe vargjet e shkrimtarit Adem Istrefi në poezinë “Çamërisë ç’i panë sitë”, ku shkruan :

“… Rri, o zot, mos fol,

në bri të kaut s’u fshihka dhembja

dhe as ndër kisha s’u shkruaka historia,

mizori si kjo kujt tjetër i panë sitë,

atje çam i ndyrë, këtej çam i djegur,

vallë veten të bindnim se hak kishim

mizorinë?!” /Panorama

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat