Aleksandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara.
Ai lindi më 6 janar 1920. E ëma ishte shkodrane, ndërsa nga i ati kishin prejardhje vllehe, të ardhur në Tiranë nga Voskopoja. Drama e parë në të cilën mori pjesë është “Vilhelm Teli”. Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i përfundoi.
Sandër Prosin ndoqi ëndrrën, t’i shkonte nga pas yllit të fatit të gjeniut. Pasioni që kishte për skenën i dha shtysë drejt gjërave të mëdha, këtë shpirt të lindur për të mbetur i përgjithmonshëm. Ndonëse i sapokthyer nga studimet në Austri, dhe vetëm pak kohë angazhimi në profesionin e tij të stomatologut, merr pjesë në konkursin e Teatrit Kombëtar për të fituar. Dhe kështu nisi rruga e gjatë e roleve dhe karaktereve, për të qenë dhe për të mbetur rruga e famës, udha e llamburitur e emocioneve.
AKTRIMI
Më 1947 Sandër Prosi mori pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fitoi atë. Këtu nisi dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Sandër Prosi krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve si Andon Zako Çajupi, Kolë Jakova, Besim Levonja, Loni Papa, Ismail Kadare, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.
Interpretoi në rreth 30 filma ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e arte te kinematografisë tonë. Sandër Prosi ka lënë pas një galeri të rrallë personazhesh, një shkollë aktrimi, një pikë referimi për të gjithë brezat e rinj. Për të nuk kishte rol të madh apo të vogël. Ai dinte të ishte protagonist duke mishëruar në mënyrë të përkryer karaktere nga më ekstremet, që nga burri i shtetit, te hamalli; nga profesori, te luftëtari.
Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25- vjetorin e vdekjes, Sandër Prosi u nderuar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes.
ROLET
Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.
Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Horizonte të hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur”, filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.
VDEKJA
Më 25 mars 1985 Sandër Prosi ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur. Nën zë, gjithnjë është thënë se Sandër Prosi vrau veten, u hodh, se një nga tentativat e tij e çoi në fund. E kanë thënë kolegë dhe të afërt që nuk kanë pranuar kurrsesi këtë gjë ta pohojnë publikisht. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli.
Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thanë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekuilibri ka humbur shtratin e përhershëm dhe ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja përballen me njëratjetrën. Në ato momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty e mori vesh lajmin e kobshëm.
NGJARJA
Regjisori Muharrem Fejzo në librin e tij me titullin “Ta pathënat” tregon momentet e fundit të jetës së aktorit të madh dhe tronditjen që la pas. “Një trumë e hallakatur buburonte e heshtur. Policia kishte rrethuar vendin. Dritat e katit të parë ishin të ndezura.
Nga dera e qelqtë rrotulluese hynin e dilnin njerëz me bluza të bardha. Në trumë dallova disa persona të sigurimit. Përpara se të zbres, Josifi më zuri për krahu dhe më shkundi fort.– Mblidhe veten, pi një grykë raki. Sandri… zëri iu drodh e sytë iu skuqën,- Sandri, na la! Ka rënë nga kati i tretë i hotelit. Më vetoi në tru një vegim i munguar prej kohësh! Gjithçka që shihja përreth ishte akulluar krejt, mos ishte ndonjë Shajni, vagulli a çka tjetër…, por jo.
Vdekja e Sandit? Jo. Një pezim i pandierë kurrë më pushtoi të gjithin, me vështirësi çava korridorin e policëve që donin të më ndalonin. -Është regjisori i filmit, -foli në ecje Josifi, duke çarë përpara meje. Kisha ngrirë përpara derës së qelqtë dhe… Përpara syve më verboi çarçafi i bardhë me bllama gjaku të mpiksur. Nga grupi i mjekëve ligjorë u shkëput një grua e re. Erdhi drejt meje me pyetjen: Ju jeni regjisori? Pohova me kokë ngaqë më kishte mbytur thaurima.
–Aktori Sandër Prosi ka rënë nga kati i tretë, me pasojë vdekjen e menjëhershme. Shkaqet janë në shqyrtim e sipër. Mundet një marramendje ose një aksident pa paramendim. Më tërhoqi mënjanë dhe më pëshpëriti dhimbshëm.
– Nga vizita që i bëra trupit të kufomës, konstatova se mjerisht të gjitha organet e brendshme ishin të rrënuara krejt. Përfytyro guaskën bosh të një gjinkalle të mbetur në trung. Po dëgjoja me kokën lëmsh pa kuptuar thuajse asgjë. Ndjeva pickimin e zemrës dhe të trupit… Por, tani… ajo pëlhurë e bardhë në sytë e mendjes, m’u shndërruan në një ekran të madh ku i lanë vend njëra-tjetrës krijimet e tij të panumërta, të cilat do të jetojnë falë celuloidit në kufijtë e përjetësisë”,-shkruan regjisori në librin e tij “Të pathënat”.
ENIGMA
Vdekja e tij e papritur në sheshxhirim ka lënë pas shumë enigma. Është e natyrshme që çdo emër të madh ta shoqërojnë legjendat: vdiq, u vetëvra apo e vranë. Kjo ka qenë tema më e diskutuar që kur regjisori Muharrem Fejzo botoi një libër për aktorët shqiptarë dhe ka përshkruar atë ditë kur aktori Sandër Prosi vdiq në sheshxhirimin e filmit me regjinë e tij, duke e lënë megjithatë të dyshimtë çështjen e vdekjes së tij.
Xhirohej filmi “Pranverë e hidhur”. Libri “Ta pathënat” i regjisorit Muharrem Fejzo u publikua kohë më parë. Ai aty rrëfen edhe vdekjen e aktorit të njohur Sandër Prosi, vdekje që sipas tij, tronditi edhe vetë Enver Hoxhën.
“Ngjarja që mori dhenë sakaq kishte mbërritur deri në veshët e Nexhmie Hoxhës. Gjatë një shëtitje pranë Liqenit, ajo i kish thënë të shoqit: “Enver. Do të të jap një lajmë të keq, por ti mos u trondit. Aktori Sandër Prosi na la!”.
Ai kishte kthyer kokën më një vështrim pyetës: “Si, qysh”. Ajo i kishte futur krahun dhe i ishte përgjigjur: “Po. Gjatë xhirimit të një filmi në Durrës”. –”Në cilin film?”- Pranverë e hidhur”… Ai kishte ndalur duke gërvishtur dheun me bastunin e tij dhe më pas me vështrimin drejt askundit kish thënë: “Kjo pranverë, me gjithë mend do të jetë e hidhur”… mos mendoi vallë se humbja e Sandrit ishte paradigma e fundit e tij? Ditët e zisë duhet t’i shfrytëzonim për ripërpunimin e mëtejshëm të skenarit, por ishte e pamundur.
Mendjet tona ishin tharë. Skenari na dukej një gjë koti”,-shkruan regjisori në librin e tij. Aktori i madh Sandër Prosi vdiq në mënyrë aksidentale dhe disi të mistershme më 25 mars, 33 vite më parë, gjatë xhirimeve të filmit të ri “Pranverë e hidhur”. Titulli i filmit duket sikur “shkroi” fatin e jetës së tij./Panorama.al