Dëshmia e rrallë e kuzhinierit të Mehmet Shehut: Ç’përmbante menyja e udhëheqësve të lartë

Dokumentare

Dëshmia e rrallë e kuzhinierit të Mehmet Shehut: Ç’përmbante menyja e udhëheqësve të lartë

Më: 19 janar 2025 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Fare pranë qendrës së qytetit të Pogradecit, ndodhet një restorant i thjeshtë, por tepër i frekuentuar, aq sa është e vështirë të gjesh një tavolinë bosh dhe më pas të shijosh gatimet speciale dhe të rralla, të të mjeshtrit të madh të kuzhinës shqiptare, ish – kuzhinierit të ish- Kryeministrit Mehmet Shehu. Kopi Prifti, u ka shërbyer mbi 20 vjet si kuzhinier, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Adil Çarçanit, Abdyl Këllezit, deri tek delegacionet e larta qeveritare, si: Çu En Lait apo Nikita Hrushovit. Kopi Prifti pranon të rrëfejë ekskluzivisht për ne, preferencat dhe tekat e personave ‘VIP’ të asaj kohe, që u ka shërbyer mbi 20 vjet në “Bllok” në Tiranë dhe në vilat e Pogradecit.

Z, Prifti, çfarë hanin udhëheqësit e lartë komunistë?

Enver Hoxha ka patur kuzhinier personal, Stafi Laçi, (nipin e “Heroit të Popullit” Vasil Laçi), kurse unë kam qenë kuzhinier personal i Mehmet Shehut, por ne në “Bllok”, gatuanim së bashku me Stafi Laçin, sidomos kur vinim në Pogradec, së bashku me udhëheqjen e lartë. Siç dihet Enveri, vuante nga diabeti dhe ai hante çdo mëngjes dy thela pjepër dhe një copë djathë, me pak kripë, të pjekur në skarë.

Mëngjesi vetëm kaq ishte, më pas pinte një kafe turke, pa sheqer. Në drekë preferonte të parën një supë, shpesh herë me barishte dhe fileta peshku, ose mish viçi, të gatuar në furrë, me salcë të bardhë. Më pas përdorte fruta pa sheqer, si mollë të tharta ose, kumbulla, ndërsa në darkë hante vetëm një biftek të skarës dhe vetëm kos. Bukë, pothuajse nuk përdorte fare, mund të përdorte vetëm dy feta të holla, që peshonin 20 gr.

Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë që komunikonin direkt me ne, vetëm Enveri komunikonte nëpërmjet Sulo Gradecit. Desha të theksoj se Enverit i pëlqenin jashtë mase ëmbëlsirat, por nuk hante dot, pasi ishte i sëmurë nga diabeti. Pëlqente ëmbëlsirat gjirokastrite, petë të holla, të mbushura me krem pastiçerie dhe shurup.

Fillimi si kuzhinier, te Mehmet Shehu?

Sapo fillova kuzhinier pranë Mehmet Shehut, në vitin 1973, pas largimit të Fatmir Gjelit, më thirrën mjekët e tij dhe më thanë: “Kopi, me familjen e kryeministrit, duhet të jesh shumë i kujdesshëm, pasi shoku Mehmet dhe Fiqireti, vuajnë nga kolesteroli, prandaj ki shumë kujdes, me lyrën”. Por që ditën e parë, më vjen në kuzhinë Mehmeti dhe më thotë:

“Dëgjo, unë çdo mëngjes, dua palçinka të mbushura me gjizë dhe vetëm me të bardhë veze, se e verdha ka kolesterol. (Pallaçinka ishte një petë tepër e hollë, e mbushur me gjizë). Ndërkohë që në drekë, Mehmeti donte një supë dhe gjellë me zarzavate. Në darkë vetëm një kos dhe konsumonte shumë fruta, nga ato që kishte rreth vilës së tij.

Mehmeti dilte shumë për gjah dhe i pëlqente gatimi i shpendëve dhe kafshëve të egra, si; lepuri, derri i egër, thëllëzat apo fazanët, për të cilët kisha receta të veçanta gatimi…! Mehmet Shehu kishte hije shumë të rëndë, por ishte shumë njerëzor, po ta njihje nga afër, ishte shumë i dashur. Kur kishte kohë të lire, më vinte tek kuzhina dhe më thoshte: “Po hë, more Kopi, pa na llafos pak për andej nga Pogradeci”.

Bënim muhabet e shaka të ndryshme. Një natë isha duke punuar në kuzhinë, kur dëgjoj që i thirri me inat shoqëruesit: “Çfarë po bëni ju”?! – “Ja, – i thanë ata, – po shikojmë Festivalin e Gjirokastrës”. – “Po Kopin ku e kini, thirreni këtu”! Dhe më mori në sallonin e tij të vilës, me pjesëtarët e familjes, dhe ndoqëm festivalin së bashku.

Sa herë që Mehmeti ishte i shqetësuar, ecte me hap të shpejtë në korridorin e vilës. Kishte raste që dilte jashtë vilës dhe ecte zbathur, në një pjesë rrugice, që e kishte lënë me zhavorr; kjo ndodhte kur ishim tek vila në Dajt. Një natë mbarova darkën dhe po shëtitja pak rreth e rrotull vilës, në praninë e rojeve.

Befas fare pranë meje, kalon Mehmeti i veshur me tuta sportive, por shikoj që ishte zbathur nga këmbët dhe ecte mbi një copë rruge, që ishte me zhavorr. – “Eja Kopi, – më thotë, – hiqi këpucët dhe ec këtu mbi këtë zhavorrin, se të bën shumë mirë, të heq stresin dhe të çon në tru impulse shumë pozitive”.

Më pas urdhëroi edhe shoqëruesit rreth vilës edhe ata hoqën këpucët dhe filluan të ecin zbathur, në zhavorrin mbrapa vilës. Çuditërisht ai Mehmet, sa i hekurt e skrupuloz që ishte, në qoftë se dëgjonte zërin e kukuvajkës, që këndonte rreth vilës, ai jepte urdhër qoftë dhe në mesnatë dhe largoheshin prej andej për në vilën e Durrësit…! Shoqëruesit e dinin këtë zakon dhe kur shikonin ndonjë kukuvajkë, e qëllonin me snajper pa zhurmë, duke i vrarë ato.

Po ish-ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, si e kujtoni?

Ish-Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku ishte i dhënë pas peshkut. Jo vetëm që konsumonte shumë peshk, por kishte qejf që ta zinte vetë, rrinte me peshkatarët në gjueti, me orë të tëra. Një ditë kishte kapur me rrjetë, një peshk të vogël, që quhet “Pllasica” rreth 10 cm. i madh.

– “Eja Kopi, – më tha mua,- e na i piq, se edhe këta peshqit e vegjël, kanë lezetin e tyre”. E poqëm në një skarë dhe e hante peshkun direkt nga skara. Një ditë tjetër, kishte kapur me peshkatarët një krap të madh, rreth 10 kg. Ia gatova dhe hëngri një sasi të madhe peshku. Hapi më pas një shishe me verë, por ajo i doli e prishur. U shqetësuan të gjithë.

-“Ndodh edhe kështu”, u shpreh Beqiri, duke qeshur. Ishte tip shumë popullor Beqir Balluku dhe kur vinte me pushime, më tepër merrej me gjuetinë e peshkut. Një herë, Haki Toska, sapo hëngri drekë, i filluan dhimbje të gjoksit. Vjen mjeku i tij dhe i thotë: “Do të kesh ndonjë helmim, nga peshku që hëngre në drekë”. Hakiu nxehet dhe i thotë: “E kam të keqen nga zemra dhe jo nga stomaku”.

Pas çdo gatimi, ne linim një kampion ushqimi për analiza, që ata kishin konsumuar gjatë ditës. Kur erdhi Çu En Lai, më thirrën me urgjencë. “Kopi do t`i gatuash ti Çu Ee Lait”. Erdhi një nga shoqëruesit e tij në kuzhinë dhe më tha se preferonte shumë pulën me pilaf dhe frutat e detit, si të ftohta dhe ato të zgavrës. I gatova për ato ditë që qëndroi Çu En Lai në “Pallatin e Brigadave”.

Pasi bëri një foto me të gjithë pjesëmarrësit dhe shoqëruesit, më thirrën në një paradhomë, më dha dorën me përzemërsi dhe më fali një këmishë, një mbulesë tavoline dhe një stilograf…! Dhurata më ka bërë edhe Sianuku me Monikën. Medaljone të bukura, varëse si dhe disa copa basmash shumë të bukura, për gruan, nga e shoqja e Sianukut, Monika. Nga udhëheqësit e lartë që kanë ardhur në Shqipëri, në atë kohë kur unë punoja në kuzhinën e “Bllokut”, vetëm Hrushovi nuk ka ngrënë prej nesh.

Ai kishte sjellë me vete kuzhinierët e tij, madje edhe ushqimet që gatuan. Kur ata gatuanin për Hrushovin, ne na nxirrnin jashtë nga kuzhina. Madje ishin shumë të kujdesshëm, shoqëruesit e tij edhe kur ia servirnin ushqimin, ata vëzhgonin pjatat e Hrushovit, se mbase kishte ndonjë ngatërresë, në tavolinë. Kjo më ka mbetur në mëndje…!

Po ndonjë të veçantë nga ish-“Blloku”?

Qumështin që e merrnim për “Bllokun”, sigurohej çdo ditë në Korçë, tek një lopë e veçantë. Një ditë shoferi dhe shoqëruesi, u vonuan 5 minuta, nga koha që duhej të ishin në “Bllok”, dhe u pushuan nga puna. Gruaja e Abdyl Këllezit, ishte shumë tekanjoze në ushqim. Ne kuzhinierët e “Bllokut” me njëri – tjetrin thoshim: “Kush kënaq atë, është njëshi i kuzhinës botërore”. Ne, nuk duhet të shoqëroheshim me asnjeri, pas orarit të punës.

Flinim tek disa dhoma tek Klinika e Udhëheqjes. Dhe kur dilnim ndonjë shëtitje, në ditët e pushimit, oficerë të Sigurimit na ndiqnin këmba – këmbës, deri sa futeshe në dhomë për të fjetur. Kuzhinierit të Enver Hoxhës, Stafi Laçit, i ndodhi një fatkeqësi, i vdiq djali dhe ai filloi që të pijë në ndonjë lokal, nga dëshpërimi.

Kjo binte në kundërshtim me porositë që na jenin oficerët e Sigurimit dhe atë e hoqën nga puna si kuzhinier i Enverit. Po të shikosh albumin tim, kam foto me të gjithë, vetëm me Enver Hoxhën, nuk kam bërë foto, jo se nuk mund të bëja, se kur dilnin ata nëpër ambientet e “Bllokut”, po të afroheshe ai thërriste vetë; “eja na bëni një fotografi”. Por dëshira ime për të mos patur foto me Enverin, vinte nga një eksperiencë e hidhur e një shoqes tonë, që punonte në “Bllok”, në vilën e shërbimit të Enverit.

Një ditë Enveri ishte me humor të mirë dhe i thotë asaj punonjëses: “Eja ta bëjmë bashkë një foto”. Pasi bën foton, nga gëzimi që kishte dalë vetëm me Enverin, kjo e shumëfishon këtë foto dhe ua shpërndan të gjithë të afërmve të saj në Devoll dhe në Tiranë. E thërret një mëngjes një nga shefat e shërbimit dhe i thotë: – “Kush je ti që e ke shpërndarë surratin tënd në gjithë Shqipërinë, që nga ky moment je e pushuar nga puna”.

Si ishte kuota ushqimit për udhëheqjen e lartë?

Kuota e ushqimit për të gjithë funksionarët e lartë, ishte 360 lekë në ditë, ushqim, kur një punëtor që bënte punë fizike, merrte 140 lekë. Vetëm Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nuk kishin kuotë, ata mund të konsumonin sa të donin.

Enver Hoxha: Pushimet e mia në Pogradec

Ditari i panjohur familjar i ish-udhëheqësit komunist!

E shtunë, 16 tetor 1976

Sot kisha datëlindjen. Çdo vit e “mblidhet lëmshi”, siç thoshte Aneja, por jam mirë dhe do të rrojë më shumë se Aneja dhe xhaxhai, për t’i shërbyer Partisë dhe popullit. Erdhën shokët e Byrosë Politike, të Presidiumit dhe të Qeverisë, më uruan. Më erdhën dhe Valbona me Ermalin, si dy pëllumba. Valbona mbante në të dy duart, peshqeshin e parë që i bënte gjyshit, një sahat që e ka ndërtuar Sokoli, si dhe një metro, nga ana e saj.

Ermalushi si pionier, erdhi më dha letrën dhe peshqeshin e tij, një radio të vogël japoneze. I putha xhanet dhe u kënaqëm. Morën fotografi dhe film, në sallon. Për drekë kishim Munimenë, Haxhon me çupat e saj dhe këto me fëmijë, Dhurin dhe Zamirën. Nga Sanoja, vanë po ashtu njerëz për urim.

Pogradec, e enjte 17 gusht 1978

Po mbarohen edhe pushimet tona në Pogradecin e bukur. Nesër në mëngjes, më 18 gusht, kemi vendosur të shkojmë në Durrës. Kaluan afro 5 javë, në qoftë se nuk gabohem, në qytetin e bukur të Pogradecit. Si çdo vit tjetër, ne bëmë këtu një pushim të këndshëm, nga çdo pikëpamje. Nuk u mërzitën për asnjë moment, për arsye se me ne ishin me radhë të gjithë fëmijët, të mëdhenjtë dhe të vegjlit.

Të mëdhenjtë erdhën njëri pas tjetrit, sipas kohës së pushimit që merrnin. Sidoqoftë, të vegjlit i kishim marrë me vete ne, pse ata janë gëzimi ynë më i madh: Valbona, Ermali, Dritani, kurse “Shpati” i vogël, “picirruku” ose “miushi”, siç e thërret Sokoli, erdhi më vonë, ai erdhi më Liljanën dhe me Sokolin. Këta erdhën të fundit dhe po ashtu u larguan të fundit…!

Pogradec, e shtunë 14 korrik 1979

U bënë 8 ditë që tok me Nexhmijen dhe me , po pushojmë në qytetin e bukur të Pogradecit dhe në këtë vend klimaterik të mrekullueshëm. Shtëpia ku rrimë, është ndërtuar në një vend të zgjedhur, në mes të një parku të gjelbëruar me lule, pisha, shelgje lotonjës dhe përpara saj, shtrihet liqeni i bukur i këtij qyteti.

Çdo ditë shëtisim, veçanërisht në mëngjes para se të hamë bukë, si dhe para drekës e në mbrëmje. Shëtitja më e mirë është ajo e mëngjesit dhe e mbrëmjes, kur në rrugën e madhe të rrethuar nga të dyja anët me dru bliri, kundërmon era e luleve të tij. Në parkun përballë, kanë bërë një bisedkë të bukur, me një shatërvan në mes, të ndërtuar me gurë të skalitur prej mjeshtërve korçare.

Nganjëherë, pasdreke, rrimë atje me Nexhmijen e, diskutojmë çështje të ndryshme politike e, probleme të brendshme, gjë që për ne është një çlodhje, pavarësisht se diskutimet janë për probleme të rëndësishme. Diskutojmë me Nexhmijen, sidomos në lidhje me librin që jemi duke përgatitur për euro komunizmin, por edhe për vëllimin tjetër të librit “Shënime mbi Kinën”, të cilat duhet të përgatiten për botim.

E mërkurë, 15 tetor 1980

Nesër kam ditëlindjen, mbush 72 vjeç. Kujtoj me dashuri të thellë plakun dhe Anenë, prindërit e mi të dashur, që më lindën, më rritën dhe më edukuan, që u kujdesën që në vegjëlinë time, të isha i ndershëm dhe i drejtë si ata, të doja njerëzit, siç i donin ata, t’i shërbeja popullit dhe atdheut, me besnikëri.

Ata më mësuan me sjelljet e tyre të përditshme, të isha i thjeshtë, të mos isha kurrë fodull, pse; “fudullëku është gjë e keqe, – më thoshin, – nuk ekziston në gjakun tonë”. Xhaxhai dhe , nuk ishin njerëz me kulturë, por që të dy u përpoqën, që unë të mësohesha. Të varfër ishin, por nga goja e hoqën kafshatën e gojës, që të më mësonin.

Gjithë jetën time unë jam përpjekur dhe kam luftuar të ec në këtë rrugë të nderit, në këtë rrugë të popullit dhe për popullin, të cilit ia kam kushtuar dhe do t’ia kushtoj gjithë jetën time, derisa të jem gjallë. Mirënjohja dhe besnikëria ime, derisa të rroj, do t’u kushtohet Partisë sime të dashur, Mëmës së madhe e kurdoherë të re, që më edukoi dhe më edukon, që më qartësoi dhe më qartëson mendjen, që më tregon çdo ditë rrugën e lavdishme, nëpër të cilën duhet të ecim të gjithë, që më mësoi marksizëm-leninizmin dhe si ta zbatoj atë drejt, për ndërtimin e socializmit dhe begatinë e popullit tonë.

Pogradec, e martë 7 korrik 1981

Sot mora letër nga shoku Ramiz. Çdo gjë ecën mirë brenda. Korrjet vazhdojnë, po kështu vazhdon edhe punimi i direktivave të 5-vjeçarit. Ai më dërgoi po ashtu një artikull të gazetës së kosovarëve “Liria”, një letër nga Bujar Hoxha dhe artikullin për marrëdhëniet ekonomike serbo-sovjetike. Do t’i studioj dhe do t’i përgjigjem, po të kem vërejtje. Koha është e këndshme. Ca erë në liqen, por “Skriveci” ka pushuar. Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat