Dushkaraku, ky fshat i Labërisë, që nxjer kryet në brigjet plot blerim në krahun e majtë të rrjedhës së Vjosës, ka qënë përherë përgjatë shekujve, një sofër bujare dhe trimërie, me tradita dhe zakone të pasura, e mbi të gjitha me njerëz fisnik, që i kishin miqësitë e tyre në tërë Labërinë, në Mallakastër e Zagori, Berat e Janinë… Zëri kryengritës e liridashës i banorëve të Dushkarakut, gjëmon ende në historinë shqiptare, në kryengritjet antiturke të shekullit XV, si dhe ato të fshatarsisë së Jugut 1834, 1847, 1911, deri në prag të shpalljes së Pavarsisë Kombëtare, duke u bërë një mbështetje e fuqishme për Ismail Qemalin dhe shtetin e pavarur shqiptar.
Në kohët e këngës epike popullore, ngrihen me flatra edhe luftëtarët popullor të Dushkarakut, në Luftën e Vlorës 1920, kundër pushtuesve italian, e sidomos në epopenë e madhe Çlirimtare, kundër pushtuesve nazi-fashistë, në vitet e luftës së Dytë Botërore. Në hapësirat e reja të jetës demokratike shqiptare, dushkarakasit me mendjen e tyre të kthjelltë, shpirtin e tyre të dlirë, kanë rrahur flatrat hapsirave të integrimit europian, me krenarinë dhe mençurinë e tyre proverbiale… Sigurisht njeriun edhe dushkarakasit, fëmijëria dhe vendlindja, i ndjekin prapa kudo që vejnë, qoftë në Shqipëri, qoftë kudo venë, qoftë në emigracion… Dhe duam, apo nuk duam kjo është një kujtesë që lidhet me shpirtin e njeriut dhe vjen dalëngadalë dhe shprehet në ato zakone, ato tradita të mrekullueshme që ka Dushkaraku, në çdo vatër familjare. Sigurisht Dushkaraku ashtu si fshatrat e tjerë të Labërisë, dëshmohet në dokumente qysh në kohën e bizantit, por sidomos në regjistrin atoman 1431,1432 të Halil Inaliçikut-Ankara 1954, ku përmendet edhe Dushkaraku edhe Pronoviku.
Por, unë do të thosha se Dushkaraku nuk përmendet vetëm në këto dokumente, por përmendet edhe në dokumentet e Kuvendeve të Labërisë, në Zhulat, në Tatzat, Kuç, Mesaplik, në kuvendet e kryengritjeve të mëdha dhe më kujtohet tek kronika që jep ambasadori, konsulli anglez Viet, për ardhjen e Tafil Buzit në Sevaster, ku thuhet që edhe përfaqësuesit e Dushkarakut thanë fjalën e tyre. Sigurisht qoftë nga njëra anë e lumit me; Rrapo Hekalin, qoftë me Tafil Buzin, Cane Miftarin, Zenel Gjolekën, dushkarakasit kanë shkruar historinë e tyre atdhedashëse dhe liridashëse, qysh në shekujt e mëparshëm! Jo pa interes paraqiten dokumentet e Rudin Bojnes, ku marrin pjesë kudhësiotë, grehotë dhe dushkarakas, ose dhe të Gjergj Arianitit, edhe pse na duken kohë të largëta, po përcaktojnë fatin dramatik të shqiptarëve dhe shpirtin e tyre nëpër kohë.
Një moment tjetër që duhet të përmendet në të është edhe koha e Ali Pashë Tepelenës.
Jo pak dushkarakas kanë qenë përkrah këtij pashallëku, por unë do të kujtoj një gjë të vogël.
Në këtë zonë, një qytet që quhej Ylnec dhe kishte 42 dyqane argjendi, punime argjendi, ka pasur edhe një urë guri mbi lum, ka pasur edhe një qendër administrative të fuqishme.
Takimi me konsullin grek, me mbiemrin Kokoshi
Në Gjirokastër kur takova konsullin grek me mbiemër Kokoshi i thashë: Ku kanë banuar të parët e tu? Ai më tha: “Në Drimadha. Jemi grek”- më tha. I thash: Drimadha nuk është Greke, është nga Dhërmu i bregdetit, që i çoi Ali Pasha atje.
Nuk u ndje.
Po ti je nga Ylneci.
“Ku e dini ju Ylnecin”- më tha ai mua?
I thashë: Familja Kokoshi dhe Mezini që janë në Vlorë, janë një familje, që kanë ikur nga Ylneci, pas shkatërrimit të Ylnecit nga pushtuesit turq. Dhe disa fise janë vendosur në Janinë, me mbiemrin Kokoshi. Ai bëri sikur nuk dëgjoi fillimisht. Dhe pas një muaji erdhi në Vlorë dhe më kërkoi, dhe më tha një gjë të bukur: “Edhe pse ne kemi jetuar në Janinë dhe pastaj në Artë; Gjyshërit dhe babai im kokën e mbanin nga malet e Sevasterit”! E shikoni sa interesante është jeta e njerëzve! Dihet kontributi i Dushkarakut në luftën për Liri dhe Pavarësi; në kryengritjet e viteve 1912, 1920, me dëshmorët dhe heronjtë e vet, në luftën Nacional Çlirimtare.
Po unë do të kujtojë diçka tjetër, të vogël? Si është e mundur që neve të mos ngremë në qiell 3 djemtë e Ismail Qemalit që erdhën në Dushkarak, në kohën e luftës me grekët dhe i shoqëronte Mehmet Fega, me parësinë e fshatit?! Si është e mundur që gazetari gjerman, Shuls shkruan për vizitën në Dushkarak të Edit Durham dhe muhaxhirëve që kishin ardhur nga jugu i Shqipërisë në këtë fshat?…
Mis Durhan, në Dushkarak dhe Topcinjtë…
Në korrik 1914, Mis Durham, i shoqëruar nga Tol Arapi, Ibrahim Selimi dhe Memo Mete- Brati, ndërmori udhëtimin për të parë muhaxhirët në Vllahinë, Dushkarak dhe Shkozë, shoqëruar nga gazetari gjeraman Hejz. Dhe pasi vizitoi, muhaxhirët në Tepelenë, Përmet dhe Vllahinë, udhëtoi për në Dushkarak, ku u prit nga Mehmet Fega dhe kryeplaku i Dushkarakut, Balil Haxhaj! Dhe në mëngjez herët u habit, që në fushën midis Shkozës dhe Dushkarakut ishin dhe 800 muhaxhir të tjerë, të cilët iu ankuan për mungesë ushqimesh.
Atë e shoqëruan dhe 7 vetë nga Dushkaraku, të cilët shkuan deri në Malin e Dhëmblanit, ku ishin forcat ushtarake shqiptare dhe artileria e Qeverisë së Vlorës, ku dhe kishin bllokuar ushtrinë greke.
Topçinjtë ishin; Abdurramën Çiraku dhe 3 djemtë e Ismail Qemalit; Et’hem Beu, Qamil Beu dhe Muhamet Beu.
Në Shkozë dhe në Dushakarak; qeveria e Ismail Qemalit kishte ngritur Qëndrën Administrative të Ushtrisë Kombëtare, me ministër Mehmet Pash Dërralla.
Ata qëndronin në dispozicion të luftës, dhe komandanti i frontit të jugut ishte; Memo Mete Brati, zv ministri i luftës Xhelal Koprëncka, Osmën Haxhiu, Hamza Isai, Çerçiz Sihati, Kanan Maze, Mane Aliu. Mis Durham, pasi vizitoi frontin e luftës në Dhëmblan, zbriti në Shkozë dhe një natë fjeti në Dushkarak, tek Mehmet Fega. Dhe gratë e shtëpisë, në Dushkarak i bënë një byrek me lakëra, dhe për ta përshëndetur sollën dhe një nuse që ishte martuar ato ditë në fshat. Dhe Mis Durham, e fotografoi me veshjen e saj, të martesës!
Në mëngjes e përcollën Mis Durham deri në qafën e Karamënit, me kuaj për në Vllahinë e Vlorës. Më 1913 gjatë dimirit, Mehmet Pash Dëralla, u kërkoi pleqësisë të fshatit edhe 9 gra që u kujdesën për të plagosurit e Janinës, në spitali i Shkozës. Dhe nga 129 të plagosur, u bën 400 të plagosur. Aty ishin në shërbim e tyre mjeksor; Doktori i famshëm Ali Mihali, Dr. Mborja. Dr. Loloçi dhe 20 infermier. Mbi të gjitha është vetë dushkaraku, që edhe Agim Jazaj, një publicist dhe poet i hershëm, ky bir i këtij vendi ka ndërtuar një libër, që i shërben këtij komuniteti për kulturën dhe historinë e vet”. Ndër ngjarjet më të rëndësishme, të vendit; shënohet dhe mbetet në faqet e historisë: Mbajtja e Kuvendit Kombëtar në Dushkarak, në Shtator të Vitit 1943, ku dhe u krijua; Këshillit Nacional Çlirimtar i Qarkut të Vlorës./Gazeta Panorama