Dëshmia e oficerit në hetuesi: Marjeta pinte dhe vetëm me këmishë nate, bashkë me Ismail Kadarenë e Elenën, dilnin...

Dokumentare

Dëshmia e oficerit në hetuesi: Marjeta pinte dhe vetëm me këmishë nate, bashkë me Ismail Kadarenë e Elenën, dilnin...

Më: 20 janar 2025 Në ora: 07:59
Foto ilustrim

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË ASTRIT NAMIK VELIU, ISH – OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA

P R O Ç E S – V E R B A L

(I PYETJES  SË  DËSHMITARIT)

Sot më datën 10.6.1983, në qytetin Tiranë.

Ne, Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, morëm në pyetje si dëshmitar, Astrit Namik Veliu, i datëlindjes 1952, lindur në Verri të Sarandës dhe banues në Lagjen Nr. 10, “Rruga Qemal Stafa”, Pallati 585, Shk. 4, Apartamenti 60, Tiranë, arsim të lartë (mbaruar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme – Kufi), oficer në Gardën e RPSSH-së, i paorganizuar, i padënuar, marrëdhëniet me të pandehurin – nuk ka lidhje familjare, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.

Hetuesi më paralajmëroi lidhur me përgjegjësinë penale të bazë të nenit 202 të Kodit Penal, për dëshmi të rreme.

Dëshmitari                                                                                                             

Astrit Veliu

Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:

Unë, kam që në vitin 1978, që kam punuar si oficer pranë armikut Mehmet Shehu, deri ditën që ai vrau veten. Unë bëja shërbim roje, në hyrje të oborrit të shtëpisë së Mehmet Shehut, ku kanë bërë shërbim me turne, edhe Baki Hakrama, Nysret Rama, Petrit Dema dhe kohët e fundit, edhe Asim Bejo.

Deri nga nëntori i vitit 1980, ne vareshim nga Komanda e rajonit të banimit të Udhëheqjes, pastaj me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kaluam në varësi të grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut, që kryesohej nga Ali Çeno.

Që kur kam vajtur në këtë shtëpi dhe sidomos vitet e fundit, kam parë një degjenerim shumë të madh, sa mua që jam lindur e rritur në fshat, më ka bërë shumë përshtypje. Përveç asaj që Mehmet Shehut dhe Fiqrete Shehut, nuk i qeshte buza kurrë, të bërtisnin e të shanin kot së koti, por fëmijët e tyre vinin të dehur çdo natë në shtëpi dhe visheshin ekstravagante. Kjo veshje e degjeneruar, spikaste më shumë te Marjeta Shehu.

Ajo, sidomos natën, në ora 24.00, 02, e 03.00, dilte në oborr të shtëpisë, deri në bulevard te cepi i Komitetit Qendror të PPSH-së, edhe në bulevard e veshur vetëm me këmishë nate, e duke mos pasur asnjë rrobë tjetër, as mbathje, etj.,………………..!

Më kujtohen dy raste, kur Marjeta mbasi kishte pirë në shtëpinë e saj bashkë me Bashkim Shehun, Ismail Kadarenë dhe Elena Kadarenë, dolën në ora 0.2, 0.3, të mëngjesit, shëtitje në bulevard, ku Marjeta ishte e veshur vetëm me një këmishë të hollë nate, ku dukej trupi lakuriq i saj.

Ka pasur raste kur Marjeta ka dalë në ora 24.00, 0.2.00, nëpër oborrin e shtëpisë së saj, e veshur vetëm me një këmishë të hollë nate të tejdukshme dhe krejt lakuriq nga brenda, pasi ka bërë ndonjë xhiro nëpër oborr, ka ardhur brenda në kabinën e oficerit të rojes, ku isha unë me shërbim dhe pasi ulej gjatë e gjerë aty, duke bërë naze tamam si prostitutë, më ka rënë me dorë në këmbën time, duke më thënë: “Hë mo, si je, si ja çon”?!

Unë në këto raste që i kam konsideruar si provokime të saja ndaj ne oficerëve e, sidomos ndaj meje, i kam raportuar menjëherë Ali Çenos, Farije Koçiajt, dhe i kam biseduar me shokët e mi të shërbimit. Edhe ushtarët e shërbimit që bënin roje rrotull shtëpisë së Mehmet Shehut, na thonin kur vinin me shërbim në ora 24.00, 01.00, që e kishin parë fare vetëm Marjetën, nga kodrat e liqenit të Tiranës……………………………………..!

Të gjithë fëmijët e Mehmet Shehut, merrnin me orë dhe me ditë të tëra makinat që ishin për shërbime të Mehmet Shehut, deri “Benz”, “Volvo”, “Citrojen”, e shkonin nga u deshte qejfi! Meqenëse këta vinin në orët e vona të natës (darkës), çelësin e derës anësore të shtëpisë, që e mbanim këto muajt e fundit ne oficerët e rojes, këto dy – tre javët e Dhjetorit 1981, një kopje e mori Vladimir Shehu dhe një kopje rrinte te dhoma e oficerëve të shërbimit të brendshëm të shtëpisë, ku flinte çdo natë një oficer, si i gatshëm për çdo gjë.

Më kujtohet se javën e fundit, para se vret veten Mehmet Shehu, kanë ardhur mbas dite rreth orës 17.00, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Feçor Shehu. Në të tria rastet, ata i priste dhe i përcillte, Ali Çeno. Si në rastin kur ka ardhur Nesti Nase, ashtu dhe kur ka ardhur Feçor Shehu, unë nuk i kam parë kur kanë hyrë brenda në shtëpi, se s’kam qenë me shërbim, por shoku im që e ndërrova nga shërbimi, Baki Hakrama, më tha se ndodhen brenda në shtëpi te Mehmet Shehu, me rastin e datës 11 apo 14 dhjetor, për Nesti Nasen dhe për datë 16 dhjetor, Për Feçor Shehun……!

Më datën 11 apo 14 dhjetor 1981, rreth orës 20.30, pashë që Nesti Nase doli nga dera kryesore e shtëpisë e, po vinte për të ikur nga hyrja kryesore e oborrit. Në dorë ai mbante një çantë ngjyrë kafe me të kuqërremtë, me verigë të gjerë në fund, e cila dukej që ishte mbushur, nga pozicioni që e mbante Nesti Nase. Sapo e pashë Nestin, njoftova me zile Ali Çenon, i cili doli nga dhoma e oficerëve dhe e shoqëroi Nesti Nasen, deri te cepi i shtëpisë së Partisë, pastaj Nesti Nase iku vetëm në drejtim të ish-Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku e priste një veturë e zezë, e ç’lloj ishte nuk e vura re mirë, e pasi i hipi asaj, iku……………………………………..!

Më datën 16 dhjetor 1981, unë pasi u ndërrova përsëri me Baki Hakramën, ai më tha që brenda në shtëpinë e Mehmet Shehut, është Feçor Shehu. Pasi kishte kaluar pakë kohë, del nga dhoma e oficerëve, Ali Çeno dhe më thotë që: “a doli Feçor Shehu”? unë i thashë; jo. Aliu më tha që; kur të dalë, më lajmëro dhe vetë qëndroi përpara portës së dhomës së oficerëve të shërbimit.

Pas pak u hap dera kryesore e shtëpisë dhe doli Feçor Shehu i shoqëruar nga Fiqret Shehu. Unë ndeza dritat e oborrit të shtëpisë, që Feçori të zbriste shkallët, se ishte errësuar dhe ndërkohë unë i fola Aliut, që e pa vetë Feçorin, që po dilte nga shtëpia.

Me mua në atë kohë, ishte dhe shoqëruesi i Feçorit, Besnik Kasaj, Aliu erdhi aty tek ne dhe e shoqëroi Feçor Shehun, deri tek shatërvani i lulishtes, që ndodhet përballë shtëpisë së Mehmet Shehut, nga iku Feçori. Feçori kishte nën sqetull një çantë të hollë të zezë, dhe pasi i hipi një “Gaz”-i që e priste tek cepi i rrugës në bulevard, iku në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme…………………………………….!

Edhe dy tre ditë para kësaj date, Feçor Shehu ka ardhur përsëri në shtëpinë e Mehmet Shehut, rreth orës 18.30 deri në orën 19.00, ku isha unë me shërbim. Atë e priti Ali Çeno, i cili më kishte lajmëruar mua më përpara, se do të vinte Feçor Shehu dhe e shoqëroi atë deri tek hyrja kryesore e shtëpisë.

Aty Feçor Shehu qëndroi rreth 20 minuta dhe kur doli që andej, iku me hap të shpejtë dhe i vërejtur, po në drejtim të lulishtes që ka shatërvanin, e nuk i foli as njeriu, as mua, e as Aliut. Edhe këtë radhë, Feçori kishte po atë çantë si dosje e zezë nën krah, por ishte vetëm pa shoqërues. Nëse kishte makinë jashtë në bulevard dhe e ç’lloi, unë nuk e pashë………….!

Po këto 5-6 ditët e fundit, para se Mehmet Shehu të vriste veten, ka ardhur rreth orës 18.30 – 19.00, Llambi Ziçishti. Ky ka ardhur një apo dy ditë para se të vinte Nesti Nase herën e fundit në shtëpinë e Mehmet Shehut. Para se të vinte në shtëpi Llambi Ziçshti, më ka marrë në telefon Fiqret Shehu, me numrin 85-95 që kishim tek Baraka e rojes dhe më tha: “do të vij Llambi Ziçishti, prandaj thuaj Ali Çenos, ta bjeri tek unë”.

Unë e vura në dijeni Ali Çenon, për këtë porosi të Fiqrete Shehut. Llambi Ziçishti, erdhi nga lulishtja me shatërvan që ndodhet para shtëpisë së Mehmet Shehut, ku, pasi e priti aty Ali Çeno, e futi brenda tek hyrja kryesore e shtëpisë dhe pastaj e çoi nga ana anësore e shtëpisë (tek qershia), që ndodhet përballë Shtëpisë së Partisë nr. 1.

Pasi e futi atë brenda, Aliu u vonua pak dhe pastaj erdhi nga dhoma e oficerëve. Nga ora 19.30, ose dhe më tepër, Llambi Ziçishti dolli nga shtëpia e Mehmet shehut dhe Ali Çeno, e përcolli deri tek lulishtja, nga Llambi Ziçishti erdhi. Nuk më kujtohet, nëse Llambi Ziçishti kishte ndonjë gjë në dorë, apo jo………………………..!

Më datën 17 dhjetor 1981, unë kam qenë me shërbim nga ora 8.00, deri në ora 14. oo, Baki Hakrama, nga ora 14.00, deri në orën 20.00, ka qenë Petrit Dema nga ora 20.00, deri në orën 02, kam qenë unë dhe nga ora 02, dhe nga ora 02, deri në orën 8.00, ka qenë me shërbim, Asim Bejo………………………………!

Në ora 20.00, unë vajta dhe mora shërbimin nga Petrit Dema, i cili më tha se nuk kemi asgjë gjatë shërbimit. Pas pak vjen Mehmet Shehu nga mbledhja e Byrosë Politike, i shoqëruar nga Ali Çeno dhe Llesh Rroku. Mehmet Shehu dukej i ngrysur në fytyrë dhe nuk na foli fare neve. Pasi Ali Çeno i dha çantën e zezë Mehmet Shehut, aty te hyrja kryesore, Mehmet Shehu u fut brenda në shtëpi, i shoqëruar nga mjeku Llesh Rroku. Në këtë kohë ishte aty pranë edhe Pëllumb Rusta dhe unë me Pëllumbin e pyetëm Aliun: “A do lozim nesër me top”? Dhe Ali Çeno u përgjigj: “Ju nuk e shikoni se ç’po bëhet”?! dhe u largua i zëmëruar tek dhoma e oficerëve.

Mbasi Mehmet Shehu mbylli grilat e dhomës së tij të gjumit e studios së tij në katin e dytë dhe pasi mbylli dhe grilat e dhomës dhe studios së tij që kishte në katin e parë, thirri Llesh Rrokun për ta vizituar. Mbas 15-20 minutash, del nga shtëpia e Mehmet Shehut Llesh Rroku, ku unë e pyeta se ç’kishte dhe Lleshi m’u përgjigj se; i mata Mehmet Shehut tensionin dhe u fut tek dhoma e mjekut, që ishte ngjitur me dhomën e oficerëve.

Pas pak del nga dhoma e oficerëve Ali Çeno, kalon para meje pa më folur dhe u fut tel dera kryesore e oborrit e, drejtohet nga dera anësore e shtëpisë, që ndodhet përballë Shtëpisë së Partisë Nr.1.

Se ç’bëri Aliu aty, ku vajti dhe a u fut në shtëpi, e dolli jashtë nga dera anësore e oborrit, nuk e di e nuk e pashë. Pas ndonjë 20 minutash, ndjeva një të kërcitur te dera kryesore e shtëpisë së Mehmet Shehut, ktheva kokën dhe pashë që dolli aty Mehmet Shehu, i cili ishte veshur me një kostum të zi dhe pasi më pa mua, më pyeti që: “ç’po bën ti”?!, unë i thashë se: “po kryej shërbimin”, ai më tha përsëri: “ki kujdes” dhe u fut brenda në shtëpi, e dëgjova që u kyç brava e shtëpisë dy herë.

Mbas kësaj nuk më kujtohet se nga ka dalë Aliu, por unë e pashë Ali Çenon, përballë hyrjes së dhomës së oficerëve dhe e pyeta: “po ti këtu je”? dhe Aliu m’u përgjigj: “do të fle këtu sonte, se kam punë”. Pastaj u fut tek dhoma e mjekëve ku ishte mjeku Llesh Rroku dhe Milto Kostaqi, ku kanë ndenjur duke bërë muhabet, deri nga ora 01, e datës 18 dhjetor 1981. Deri pranë orës 02, që unë lashë shërbimin, nuk pashë ndonjë gjë tjetër, apo dëgjova ndonjë zhurmë.

Përsa i përket Ali Çenos, ai ishte njeriu më i afërt dhe më i besuar i Mehmet Shehut. Për çdo gjë, Mehmet Shehu vetëm me të bisedonte, e thërriste në zyrën e tij në Kryeministri, në shtëpi, dhe aty bisedonte për një kohë të gjatë me të. Më kujtohet se para se Mehmet Shehu të dilte jashtë shtetit, për të shoqëruar fëmijët e Mehmet Shehut, si në Paris dhe në Suedi, atë e ka thërritur atë ditë Mehmet Shehu në shtëpinë e tij dhe ka bërë goxha muhabet me të.

Më kujtohet dhe një rast tjetër ku Aliu kishte mosmarrëveshje me Servet Backën dhe Viktor Kolanecin, se kush do të dilte jashtë shtetit, ku Aliu u shpreh para ne oficerëve, se: “sa të jetë Mehmet Shehu, mua s’ka ç’më bën njeri”…………………!

Për sa thashë më lart, i lexova thëniet e mija dhe janë shkruar drejt dhe i firmos……………………………! Memorie.al

Dëshmitari       H E T U E S I T

Astrit Veliu      Bashkim Caka  Sokol Koleka 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat