Çfarë ndodhi me Ernest Sabaton në vilën e Enverit më 1996! Arratisja në mesnatë

Dokumentare

Çfarë ndodhi me Ernest Sabaton në vilën e Enverit më 1996! Arratisja në mesnatë

Më: 20 janar 2025 Në ora: 14:40
Foto ilustrim

Ernest Sabato mbetet një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të botës dhe në deje kishte gjak shqiptari. Sabato lindi më 24 qershor 1911 dhe u nda nga jeta në moshën 100- vjeçare, më 30 prill 2011.

Por ai nuk donte të vdiste pa parë Shqipërinë, vendin e origjinës së nënës së tij dhe mundësia i erdhi më 17 prill 1996. Ishte hera e parë dhe e fundit që personaliteti më i madh i kulturës botërore kishte ardhur në Tiranë, në tokën e Arbrit. Para se të merrte çmimin “Kadare”, shkrimtari Visar Zhiti, i solli një grusht dhe nga trualli i arbëreshëve të Italisë.

Gjatë qëndrimit në Tiranë ai u vendos në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha. Por sipas dëshmisë së kohës, ai as nuk arriti të flinte, sepse u zgjua në mesnatë dhe doli prej aty duke përfunduar në një nga hotelet e vjetra përreth qendrës së Tiranës së dikurshme. I pyetur për këtë arratisje, Sabato do të rrëfente se natën kishte parë hije nëpër shtëpi.

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me çmimin “Kadare”. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur. Në dorëzimin e këtij çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im “Engjëlli i skëterrës”. Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë…”.

Kështu e përshkruan në librin autobiografik “Përpara fundit” Sabato vizitën e tij në Tiranë në vitin 1996.

PREJARDHJA

Shkrimtari argjentinas me nënë shqiptare i cili me romanin e tij të parë “Tuneli” arriti njohjen ndërkombëtare duke e bërë atë një ndër shkrimtarët më të mirë në botë. “Nëna ime ishte shqiptare dhe fliste shqip. Ajo ishte si një perëndi për mua. Ajo ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë më bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino” shkruante shkrimtari Sabato.

JETA

Ernesto Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij. Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste dhe në atë kohë takoi Matilde Kusminsky Richter, që atëherë ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Të dy lanë familjet dhe studimet dhe filluan të jetojnë bashkë. Ernesto përdorte një emër konspirativ dhe ishte mjaft aktiv në parti. Në vitin 1933 ai u bë sekretar i Rinisë Komuniste, por po fillonte të zhgënjehej me partinë dhe kishte dyshime. Më 1934 ishte dërguar si delegat në Bruksel në Kongresin kundër fashizmit dhe luftës, prej aty duhej të udhëtonte për Moskë për një periudhë ‘spastrimi’. Në Bruksel Ernesto kuptoi natyrën e vërtetë të partisë komuniste dhe iku në Paris, ku jetoi i fshehur pasi partia po e kërkonte. Pa miq dhe pa para, ai fillon të shkruajë romanin e tij të parë.

RIKTHIMI

Në vitin 1935 Sabato kthehet në Argjentinë ku martohet me Matilden dhe vazhdon studimet në Universidad de La Plata. Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomik në Laboratorin Curie në Paris. Matilde dhe djali i tyre, Jorge Federico shkojnë me të. Gjatë qëndrimit në Francë ai vazhdon të shkruajë dhe të pikturojë. Më 1939 bursa iu transferua për Massachusetts Institute of Technology. Ai kthehet në Argjentinë dhe fillon të ligjërojë matematikë dhe fizikë në Universidad de La Plata. Ftohet t’i bashkohet revistës Jugu, ku takohet me Jorge Luis Borges dhe të dy bëhen miq. Më 1941 fillon të shkruajë për gazetën La Nacion. Në vitin 1943 ai kalon një “krizë ekzistenciale” dhe vendos të lërë shkencën dhe t’i përkushtohet krejtësisht vetëm shkrimit dhe pikturimit. Jep dorëheqje nga universiteti dhe bashkë me familjen zhvendoset në male (Provincia de Cordoba).

Fillon të shkruajë dhe shpejt përfundon librin Njëshi dhe gjithësia, që u botua më 1945. Në këtë libër Sábato haptas mohon shkencën dhe racionalen. Fiton çmime dhe nderime për këtë libër.

KRIJIMTARIA

Roman i parë i Ernesto Sabato “Tuneli” botohet më 1948. Më 1951 botohet libri tjetër “Njerëz dhe dhëmbëzorë”, me refleksione për paratë, arsyen dhe kalueshmërinë e kohës, një studim për konceptet e botës dhe jetës moderne duke filluar nga Renesansa. Në vitin 1953 botohet libri Heterodoxia, që është definuar si fjalor i njeriut në krizë. Më 1955 bëhet drejtor i gazetës Mundo Argentino. Në këtë kohë Argjentina ishte në trazira politike. Më 1956 botohen dy librat më kontraverse të Sábatos: “El otro rostro del Peronismo” (Fytyra tjetër e peronizmit) dhe “Torturas y Libertad de Prensa” (Torturat dhe liria e shtypit). Në vitin 1961 boton romanin e tij të dytë “Sobre héroes y tumbas” (Mbi heronjtë dhe varrezat), një studim psikologjik i njeriut i thurur me idetë filozofike të botuara më parë në librat e tij me ese. Kapitullin “Raport për të verbrit” shumë studiues e quajnë kryevepër të letërsisë botërore.

Në vitin 1971 fillon të shkruajë për gazetën La Opinion. Në vitin 1973 boton romanin e tretë “Abaddón, el exterminador” (Abadon, engjëlli i shkatërrimit), një libër për vizionin apokaliptik të botës moderne dhe për triumfin e të keqes.

VLERËSIMI

Në vitin 1977 Italia i akordon çmimin “Medicci”, ndërsa më 1978, në Spanjë e dekoron me urdhrin Gran Cruz de la Orden al Mérito Civil. Më 1984 presidenti i Argjentinës Raúl Alfonsín e emëron kryetar të Comisión Nacional sobre la Desaparición de las Personas (CONADEP), (Komisioni Kombëtar për Personat e Zhdukur), komision që ka hulumtuar rastet e personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. Libri Nunca Más (Kurrë më) në të cilin jepen dëshmitë e atyre që shpëtuan dhe të dëshmitarëve të zhdukjes dhe vrasjes së më se njëzetmijë njerëzve, është botuar si rezultat i hulumtimit të këtyre tragjedive. Organizata e Shteteve Amerikane (O. A. S.) i jep çmimin Gabriel Mistral, ndërsa mbreti i Spanjës, Huan Karlos, e dekoron me çmimin Miguel de Cervantes. Dekorohet prapë nga Italia më 1985 me Urdhrin për Merita dhe më 1987 Fransoa Miteran, kryetar i Francës e dekoron me gradën Komandant i Legjionit të Nderit. Ka marrë gradën “Doktor nderi” (Honoris causa) nga Univeristeti Murica, Spanjë, Universidad de Rosario, Argjentinë, Universidad de Campinas, Brazil, Universidad del Litoral, Santa Fe, Università degli Studi di Torino, Itali Më 1995 në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare, të ndarë nga fondacioni Velija. Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 prill 2011 në moshën 99 vjeçare./Panorama

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat