Makfire Maqedonci Canolli, shqiptare me origjinë nga Kosova, ku ka lindur dhe është rritur, deri para se të mërgonte familjarisht në disa shtete të Evropës dhe së fundi në SHBA-ës, për shkak të luftës në Kosovën e pushtuar nga forcat serbe të Millosheviçit, poet dhe aktiviste e njohur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në këtë intervistë ekskluzive për ne, na njeh me historinë tragjike të familjes së saj, që nga koha e Jugosllavisë së Titos, para viteve ’90-të, ku asaj iu burgosën dhe persekutuan pothuaj të gjithë pjesëtarët e familjes, e deri në vitin 1998, kur ajo me bashkëshortin dhe dy vajzat e vogla, u detyruan që të largoheshin nga atdheu, për shkak të Luftës në Kosovë, duke kaluar peripeci të shumta, në Gjermani e disa shtete të tjera, për t’u vendosur përfundimisht në SHBA-ës, ku jetojnë aktualisht.
Znj. Canolli, ju keni vite që jeni në emigrim në Amerikë, si e përjeton Maki largimin nga Mëmëdheu dhe cilat ishin arsyet kryesore të largimit nga Kosova?
Në qershor mbushen 25 vite që ndodhemi në Amerikë. Më parë ishim në Gjermani afër tetë vite dhe largimin nga Kosova për herë të dytë apo, dalja në mërgim, për ne ishte sikur i burgosuri të kthehet sërish për herë të dytë në burg. Largimi nga vendlindja, më ka vrarë thellë në shpirt. Kjo, për vetë faktin, se jeta në mërgim, larg atdheut, është sikur jeta e fëmijës, që rritet larg nënës së vet.
Arsyet kryesore të largimit tonë nga Kosova për herë të parë në vitin 1991, ishin sepse bashkëshorti im, kishte punuar në minierën e Kishnicës dhe atë të Strezovcit, ku ishte udhëheqës i punëtorëve dhe teknik i xehetarisë me kualifikim të lartë dhe ishte njëri ndër organizatorët e minatorëve, të cilët protestuan dhe e mbajtën grevën në atë kohë dhe qëndruan shtatë ditë e net të mbyllur në thellësitë e minierës, në mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës dhe të atyre pak të drejtave që ne i gëzonim në atë kohë.
Serbia, pas përfundimit të atyre grevave, kishte shpërndarë fletë arrestime dhe pasi ne e bëmë ceremoninë e martesës, bashkëshorti im mori vendim që ne të largohemi nga Kosova, ose përndryshe, duhej të dorëzohej e të vuante dënimin, meqenëse atij i ishte caktuar masa e dënimit, pa praninë e tij në gjyq. Por pala gjermane edhe pse ne kishim dokumente dhe fakte, ata asnjëherë nuk na besuan për kërkesën e strehimit tonë aty, apo azilin e asaj kohe. Edhe pse dy vajzat tona lindën atje dhe qëndruam afër tetë vite, si dhe punonim pasi kishim të drejtë pune dhe nuk vareshin prej shtetit, sërish nuk e fituam të drejtën e lejes së qëndrimit përgjithmonë.
Pala gjermane e pati nënshkruar një marrëveshje me Millosheviqin për kthimin e shqiptarëve të Kosovës, ku me atë marrëveshje, Serbia ka marrë një shumë parash nga Gjermania, pasi kishte “garantuar” se; as një e keqe nuk ka për t’ju ndodhur shqiptarëve nga Kosova. Gjermania filloi t’i dëboj kosovarët, me arsyetimin se gjoja ne Jugosllavi, nuk ka rrezik për shqiptarët! Pra, bëheshin lojë pazaresh, me jetët tona!
E vërteta ishte se në Kosovë, lufta për çlirim kishte filluar. Pas dy ditësh, kur ne u kthyem në shkurtin e atij viti, ndodhi masakra e parë në zonën e Drenicës. Pastaj, ne qëndruam gjatë tërë luftës në Kosovë, pikërisht në vendlindjen tonë në Prishtinë. Më pas u detyruam që, si mijëra kosovarë, t’i lëshojmë vatrat tona dhe të largohemi nga toka amtare!
Cili është kontributi i familjes suaj gjatë luftës së Kosovës me Serbinë dhe disa nga momentet më të vështira dhe të dhimbshme të jetës suaj në Kosovë?
Kontributi i familjes sime për të mirën e çështjes kombëtare nuk ka munguar asnjëherë. Familja ime ka qenë gjithmonë në shënjestër të UDB-së jugosllave dhe kjo u dëshmua kur në pranverën e vitit 1982, u burgosën tre vëllezërit e mi, me qindra shokë të “Ilegales”, pasi u zbulua veprimtaria e tyre “armiqësore”, siç i quante asokohe Serbia! Ata u dënuan me heqje lirie, me 14, 6 dhe 5 vite burg, të cilët pjesën më të bukur të rinisë së tyre, e kaluan në burgjet serbo-sllave! Po ashtu u burgosën edhe dy kushërinj, të cilët e vuajtën dënimin me burg.
Për fat të keq, më shumë kam përjetuar momente të hidhura dhe të dhimbshme, se sa momente gëzimi atje në vendlindje dhe ato kanë lënë plagë në shpirtin tim dhe gjurmë në mendjen time! Për vetë faktin, se jeta më goditi shumë here, si dallgët e detit, qysh në fëmijëri, atëherë kur akoma kisha nevojë për lodra, si moshataret e mija, unë duhej ta luaja rolin sikur të isha e rritur sepse, kur u burgosën tre vëllezërit e mi, unë isha në moshën 11 vjeçare dhe pas një viti nëna jonë u paralizua e tëra, edhe pse ishte në moshë akoma të re, vetëm 48 vjeçe ajo nuk mundi t’u bëjë ballë atyre dhimbjeve, pasi sa herë shkonte të vizitonte djemtë e saj në ato burgje, e kuptonte qe torturat më çnjerëzore bëheshin ndaj tyre!
Pastaj sa ishte e dhimbshme, aq ishte trishtuese, kur ajo pas disa muajve e sëmurë, në moshë 49 vjeçe, ndërroi jetë dhe u varros pa praninë e djemve të saj, pasi ata nuk kishin të drejtë të dilnin nga burgu, qoftë edhe vetëm për t’ia dhënë lamtumirën e fundit nënës. Pastaj moment trishtues ishte, kur i vizituam vëllezërit në ato burgje, e ata prisnin lajme të mira me shpresën se nëna do të bëjë më mirë, e ne u thamë se ajo ka ndërruar jetë para disa ditësh apo javësh. Pastaj katrahurat tjera për vite me radhë, ku në çdo sekondë e minutë, ishim të përcjellur nga UDB-ja, qoftë edhe një lëvizje e vogël e jona, pavarësisht ishe i rritur apo fëmijë!
Po ashtu gjatë luftës kemi përjetuar momente të vështira dhe të dhimbshme, sepse kur u kthyem nga Gjermania, ishte gjendje lufte. I kishim afër tetë vite që nuk i kishim takuar familjarët e miqtë tanë dhe i gjetëm në një gjendje shumë të rëndë, qoftë psiqikisht, emocionalisht apo ekonomikisht! Përpiqeshim t’i ndihmonim sado pak, me veshmbathje apo gjëra ushqimore, sidomos ata banorë të zonave ku lufta kishte marrë përmasa të mëdha, por ishte e pamundur që t’u ndihmojmë të gjithëve.
Është e pamundur t’i them të gjitha këtu, por kulmi i gjithë atyre të këqijave qe i kam përjetuar që nga fëmijëria, ishte momenti më trishtues në jetën time, kur na erdhën policia dhe paramilitarët serb, të cilët i kishin shamijat e lidhura në kokë dhe fytyrat e ngjyrosura dhe tri tanke qëndronin para shtëpisë së babait tim, e ku brenda në shtëpi përveç familjarëve tanë, ndodheshin edhe shumë persona tjerë nga zona e Drenicës dhe zonave tjera, të cilët vëllezërit e mi i kishin marrë në mbrojtje, duke u ofruar strehim dhe u detyruam nën tytat e automatikëve, të dilnim nga vatrat tona, duke na sharë pse e kemi kërkuar ndihmën e Amerikës dhe NATO-s e, duke na kërcënuar se do të na vrisnin dhe kemi filluar të ecim pa e ditur se ku po na dërgojnë, apo çfarë do të ndodhë me ne.
Pas shumë orë ecjesh, ku gjatë rrugës shikoje njerëz të moshuar e të sëmurë, të cilët nuk mundnin të ecnin, ndërsa askush nuk lejohej t’u ndihmojë apo ta kthej kokën pas e t’i shikoj, qoftë edhe prindi yt, sepse ata të vrisnin! Ishte kolona e njerëzve e pafund dhe flitej se të gjithëve do të na çojnë te stadiumi i futbollit, e aty do të na pushkatojnë të gjithëve! Por, kur e kaluam stadiumin e kuptuam që akoma duhet të ecim dhe më në fund na ndaluan te stacioni i trenit në Prishtinë.
Ishte ora rreth 8 e mbrëmjes dhe pasi na grumbulluan aty, filluam të ulemi në tokë sepse, ishim të lodhur e të dërmuar, ata filluan të na shajnë e të dhe na thane; 50-të veta të ngrihemi në këmbë dhe ishim të bindur se aty do të na pushkatojnë. Kur i kam parë vëllezërit e mi që janë ngritur ndër të parët, jemi ngritur edhe unë e bashkëshorti im dhe aty kam thënë; nuk dua të jetoj më as një minutë. Donjeta ishte 6 vjeçe, ndërsa Dalina, ishte 16 muajshe.
I kam shikuar që të dyja dhe Donjetës ja kam shënuar nr. e telefonit të vëllait tim të madhit, i cili ishte në Gjermani dhe i kam thënë: “Zemër, këtu e ke numrin e dajës dhe nëse neve na vrasin e ti shpëton, mos harro kudo që të jeshë, përpiqu ta gjesh dajën dhe mbaje në mendje, të dua shumë dhe e kam puthur me lot në sy dhe e kam qit pas shpinës sime!
Dalinën e kishte zënë gjumi, ishte në karrocën e fëmijëve e kam shikuar dhe e kam qitur para vetës dhe i kam thënë: “Më fal o shpirti im, jo që mami ty të do më pak, por më mirë le të vrasin me mua, se sa të mbetesh në dorën e tyre”! Për fat, në ato momente qe ata kanë dashur të na marrin e, të na ndajnë nga turma, janë dëgjuar aeroplanët e NATO-s dhe ata kanë filluar të na bërtasin me të madhe; shtrihuni për toke.
Pas më shumë se gjysëm ore qe kemi qëndruar në atë pozitë dhe dikur kur atyre ju duk se kaloi rreziku nga aeroplanët e NATO-s, na thanë që të hipim në autobusë e në trena dhe i ndanin njerëzit, sa andej sa këndej. Ne na detyruan të hipim në një autobus, ku kemi qenë njëri mbi tjetrin, sa qe nuk besoj se do ta zinte më as një gjilpërë dhe dyert e dritaret e mbyllura, ku dikur kishim vështirësi edhe të merrnim frymë. Qanin gratë, fëmijët, dikujt i ishte zënë dora, apo këmba keq, e nuk kish s’i t’ja drejtoje, apo kah të lëvizje. Aty na kanë mbajtur gjer në ora 9 të mëngjesit, me ankth ku në çdo moment prisnim, kur do të na hedhin në ajër, me ndonjë bombë!
Pastaj jemi nisur për në Maqedoni dhe atë e kuptuam kur kemi mbërritur në vendin e quajtur Bllacë, vendi ku shumë shqiptarë e gjetën vdekjen, por për fat tonin, pasi aty nuk kishte pasur vende edhe për ne, na drejtuan në anën tjetër të kufirit, ku pasi kemi zbritur nga autobusi dhe kemi dashur ta kalojmë kufirin, aty ka filluar tmerri dhe torturat nga policia dhe ushtria sllavo-maqedonase, të cilët jo vetëm qe na pritën me sharje e fyerje, por kanë hyrë në mes të asaj turme të madhe me një autobus, duke dashur të na shtypin të gjithëve. Aty as vetë nuk e di, se si kemi shpëtuar të gjallë!
Dhe pas shumë orë pritjesh e malteretimesh, e kemi kaluar kufirin dhe na kanë pritur vëllezërit shqiptarë të asaj pjese, e na kanë marrë në vatrat e tyre! Por Dalinën u desh ta dërgojmë menjëherë në spital, pasi ishte dehidruar dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore! Dhe pas disa jave kemi kaluar në kampin e Stankovecit ku kemi qëndruar disa javë aty dhe jemi regjistruar në të gjitha shtetet, por ishte Amerika e para ajo që na mori në mbrojtje dhe erdhëm këndej oqeanit ku ndodhemi edhe sot!
Më befason përdorimi i gjuhës së bukur shqipe, në një kohë që ju keni qenë nën terrorin serb, si keni mbijetuar me gjuhën, me traditat, me kulturën?
Ruajtja e traditave tona dhe ruajtja e gjuhës, padyshim qe nuk kanë qenë aspak të lehta për ne, por ka qenë atdhedashuria, ajo qe na ka mbajtur gjallë! Për vetë faktin se ne sa kemi qenë në rrezik prej gjuhës sllave, aq kemi qenë rrezik edhe nga gjuha turke. Unë për vete nuk e njoh as sot gjuhën serbe, sepse e thash qe isha e vogël, kur u burgosën vëllezërit e mi dhe kjo ishte arsyeja kryesore, pse e urreja gjuhën serbe dhe nga ai moment, asnjëherë nuk jam munduar ta mësoj.
Edhe pse nëna ime insistonte qe ta mësoj, duke më thënë se çdo gjuhë është mirë ta njohësh, e sidomos një gjuhë nga e cila mund të kesh provokime gjatë jetës! Ne ishim të detyruar në shkollë të mësonim gjuhën serbe, dy herë në javë nga një orë, por unë në atë lëndë gjithmonë kam qenë e dobët dhe thuajse mezi e kam kaluar, sepse kurrë nuk doja ta flisja gjuhën e armikut të familjes sime dhe të kombit tim në përgjithësi!
Vajzat tuaja Donjeta dhe Dalina, janë vlerësuar si nxënëse shembullore, ndërsa Donjeta është përshëndetur dy herë nga presidenti Bush dhe Dalina dy here nga Presidenti Obama, si studente të shkëlqyera, si e kanë arritur këtë sukses?
Vajzat e mia janë dalluar gjithmonë si nxënëse të shkëlqyera në mësime dhe në orkestrën e shkollës, të cilat kanë qenë pjesë e asaj orkestre si instrumentaliste të dalluara me instrumentin e violinës. Dhe si rezultat i suksesit të tyre, janë dekoruar që të dyja me diploma nga Presidentët e Amerikës! Donjeta dy herë nga Presidenti Bush, po ashtu edhe Dalina dy herë nga Presidenti Obama!
Padyshim që këto suksese i kanë arritur me punë dhe përkushtim, por edhe përkujdesi prindëror nuk ka munguar asnjë herë, por mbi të gjitha, ka qenë vullneti dhe dëshira e tyre, që të arrijnë në majat e sukseseve dhe shpresojmë qe edhe në të ardhmen, të vazhdojnë njësoj! Donjeta vitin e kaluar e ka përfunduar fakultetin në Londër, drejtimin për avokate dhe tani pretendon t’i vazhdoj studimet për magjistraturë, ndërsa Dalina, pas përfundimit të shkollës së mesme vitin e kaluar, ka vazhduar studimet në Hartwick College & University në Oneonta të New York-ut, drejtimin për mjekësi!
Krijimtaria tënde ka më shumë temën e patriotizmit, atdhetarizmit dhe luftës për Liri në Kosovë, ndodh se i keni përjetuar dhe aty gjeni më shumë frymëzimin apo diçka tjetër? Kur keni filluar të shkruani për herë të parë?
Pjesa më e madhe e krijimeve të mia, ka të bëjë me patriotizmin dhe luftën tonë, si dhe me dashurinë ndaj Atdheut, por kam edhe krijime të tjera, qofshin ato për dashurinë, jetën, si dhe kushtuar vajzave të mija, apo tema të tjera. Padyshim ka ndikuar edhe fryma atdhetare, qe jam lindur dhe jam rritur në një vatër, ku gjithmonë është frymuar atdhetarisht! Por, Shqipëria nënë ka qenë gjithmonë ëndërr e imja qe nga fëmijëria, si e çdo kosovari, e ajo ëndërr ekziston edhe sot.
Në njërën anë qe sot jam shumë larg saj fizikisht, por shpirtërisht e kam gjithmonë pranë vetes dhe së dyti, akoma ne ëndërrojmë për bashkimin me nënën Shqipëri! Për herë të parë kam filluar të shkruaj poezi, ne klasën e dytë të shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë dhe ishte pikërisht mësuesja ime, Zejnije Syla, ajo që e zbuloi talentin tim!
Në poezitë tuaja digjet shpirti i një poeteje për të parë Kombin të bashkuar, shpresoni se do të arrihet një ditë?
Zemra e shpirti më qajnë prore për këtë dëshirë apo brengë që shumë herë e paraqes edhe me vargje dhe padyshim që shpresoj se një ditë do të bëhet realitet! Do të arrihet bashkimi ynë, kur të gjithë shqiptarët, si në Kosovë, Shqipëri e trojet tjera, do ta kenë në zemër një dëshirë të tillë, si dhe kur të gjithë t’i bashkojmë forcat dhe të punojmë me mish e me shpirt, për realizimin e kësaj ëndrre shekullore dhe për të mirën e çështjes sonë kombëtare! Nëse gjermanët e realizuan qëllimin e tyre dhe e rrëzuan Murin e Berlinit, pse ne të mos të kemi të drejtë ku ne, akoma jemi më keq të ndarë se sa ata, pasi ata e kishin Gjermaninë e ndarë në dy pjesë, ndërsa ne shqiptarët e kemi të ndarë atdheun tonë, në gjashtë pjesë!
Natyrisht ne nuk duhet të shpresojmë, se do të na bashkojnë ata që na ndanë, por ne duhet vetë të përpiqemi të bashkohemi dhe padyshim që duhet mund dhe sakrifica të reja, por besoj se nuk është diçka e paarritur, por duhet që në krye të shtetit, në të gjitha institucionet tona, që nga presidenca e tutje, të vendosen njerëzit që i kanë në shpirt e mendje interesat kombëtare, e jo ato personale! Me këta njerëz që ndodhen sot në krye të shtetit, natyrisht nuk shpresoj se një gjë e tillë do të ndodhë, flas më shumë për politikanët në Kosovë!
Ju drejtoni emisionin “Heroizmi i popullit në shekuj”, në radion “Zëri i Diasporës”, ku bazoheni për materialet dhe a mendoni se historianët, duhet t’i rishikojnë shumë gjëra?
Kam bashkëpunuar me Radio “Diaspora”, me seli ne Suedi, në valët e internetit dhe e kam drejtuar emisionin “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, ku kryesisht kemi shpalosur biografinë, pra jetën dhe veprën e luftëtarëve të Lirisë, të dëshmorëve të Kombit dhe Atdheut, si Adem Jashari me familje, pastaj Zahir Pajaziti, Tahir Sinani, Skerdilajd Llagami e, shumë e shumë dëshmorë tjerë.
Materialet i kam siguruar herë nga libra të ndryshëm kushtuar këtyre njerëzve, por natyrisht qe akoma duhet shkruar dhe ka shumë çka që duhet të shkruhet në atë drejtim. Padyshim qe historianët tanë, duhet t’i rishikojnë shumë gjëra, por edhe duhet të përpiqen që gjithmonë, historia jonë të shkruhet ashtu siç është përjetuar e, jo ashtu siç po duan të tjerët të na e shkruajnë!
Ju urojmë shumë suksese dhe vit i mbarë e nderuara Maki
Faleminderit shumë motër Kozeta, për kohën qe ma dhuruat dhe hapësirën qe e krijuat për mua, si dhe për ftesën e intervistës. Faleminderit që më bëtë edhe mua pjesë të intervistave tuaja të shumta, qe i bëni me njerëz atdhetarë, me njerëz të artit, muzikës, shkencës, politikës e fushave të ndryshme. Gjithashtu ju uroj edhe Juve mbarësi dhe suksese, në çdo sferë të jetës dhe ju përgëzoj për punën tuaj të palodhur, që gjithmonë jeni në shërbim të komunitetit tonë, sidomos këndej oqeanit dhe e mbani gjallë shpirtin shqiptar, qoftë me televizionin “Alba Life” qoftë përmes Shkollës Shqipe dhe aktiviteteve tuaja të shumta! Memorie.al
Janar, 2015
Staten Island, New York