Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË LIRIM PËLLUMBIT, ISH-ZV/DREJTOR I SIGURIMIT TË SHTETIT DHE KRYETAR I DEGËS SË BRENDSHME TË RRETHIT TË DURRËSIT, QË VUANTE DËNIMIN ME 10 VJET BURG POLITIK, NË SPAÇ, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË BRENDSHME, FLORIAN KOLANECI
PROÇES – VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Tiranë, më 30.5.1983.
Unë Florian Kolaneci, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, Lirim Ismail Pëllumbin, i datëlindjes 1943, me arsim të lartë, i martuar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, vuan dënimin në Repartin 303 në Spaç.
Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH-së, për dëshmi të rreme.
DËSHMITARI
Lirim Pëllumbi
Në lidhje me sa pyetem, kam për të thënë:
Në muajin gusht 1980, unë isha kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Durrës, kishte ardhur nga Ministria një ekip kompleks i saj. Për të ndjekur se deri ku kishte arritur me punë ekipi, erdhi vetë Feçor Shehu. Në zyrën time unë po i raportoja atij për disa nga treguesit e punës në Degë, midis të tjerash i tregova dhe për një dy raste që ne i kishim këshilluar objekt përpunimi, me anë të bashkëpunëtorëve. Feçori u çudit për këtë punë që kishim bërë ne dhe na pyeti se kush na ka thënë që të vepronim në këtë mënyrë, unë i shpjegova se kishim zbatuar porositë e dhënë në analizën vjetore të Sigurimit të Shtetit në vitin 1973.
Ai më tha se; raportin unë e mbajta dhe se atje një porosi e tillë nuk jepej! Unë i shpjegova se; këtë porosi e ka dhënë ministri dhe ndoshta ju nuk ju kujtohet dhe u ngrita dhe mora në kasafortë bllokun e shënimeve që kishim mbajtur në analizën dhe i lexova Feçorit porositë e ministrit. Ai tha: “Unë nuk mbaj mënd, por çuditem se vetëm këtu në Durrës, po shoh se keni vepruar sipas kësaj porosie. Mbasi gjetkë nuk e kam hasur, megjithatë ta shohim”!
Koha nuk më kujtohet, në se ka ndodhur para apo pas arrestimit të Beqir Ballukut, kur ai (Feçor Shehu) më thirri dhe më tha që të takohesha me Sami Muhametin, që në atë kohë ishte drejtor në Ministrinë e Tregtisë (Albimport), mbasi kishte diçka për të thënë rreth Beqir Ballukut. Unë në këtë kohë isha zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit dhe me urdhër të ministrit, isha ngarkuar përgjegjës i grupit operativ, për ndjekjen e komplotistëve. Në atë kohë grupi operativ, raportonte dhe merrte detyra nga Feçor Shehu, i cili ishte drejtor i Drejtorisë së Parë dhe zëvendësministër. Detyra për ta takuar Sami Muhamnetin, mua m’u dha meqenëse Feçori nuk kishte kohë për ta pritur.
Arsyen se përse ma caktoi mua dhe jo ndonjë tjetri, unë nuk e di. Unë, sipas urdhrit që më dha Feçori, e kreva detyrën. Unë në atë kohë Sami Muhametin, e kisha parë nja dy herë në korridoret e Tregtisë së Jashtme dhe në një rast tjetër drejtori i Artimpeksit, ma prezantoj, përveç kësaj i kisha parë nja tre katër herë hipur në makinë me Feçor Shehun. Si mbas urdhrave që mora nga Feçor Shehu, unë e mora në telefon Sami Muhamnetin dhe i thashë se; kishit kërkuar të bisedonit për disa probleme me zëvendësministrin dhe ai më tha; po, kam kërkuar. Unë i thashë se zëvendësministri nuk ka kohë t’ju presë dhe më ka ngarkuar mua, prandaj kur kini kohë dhe kur mendoni të takohemi. Ai më tha të takohemi rreth orës 10.00, te Kafe “Drini”, aty pimë ndonjë kafe dhe bisedojmë.
Në ora 10.00 unë vajta te Kafe “Drini” dhe aty gjeta Sami Muhametin, që qe ulur në një tavolinë dhe po më priste. Sa u takuam, ai më tha; “desha të takohesha me Feçor Shehun, për të biseduar mbi disa konstatime rreth Beqir Ballukut, kur ky kthehej nga shërbime të ndryshme dhe qëndronte në Romë, ku unë në atë kohë isha atashe tregtar”. Samiu më shpjegoj mesa mbaj mënd tani, për Beqir Ballukun, se ishte rraqexhi, donte ta çonin nëpër magazina për të blerë plaçka, tha dhe gjëra të tjera, por mua nuk më kujtohen.
Mbas bisedës bëra një informacion dhe ja çova Feçor Shehut, i cili pasi e lexoi, tha: “gjëra interesante paska thënë, prandaj studioheni për ta tërhequr në bashkëpunim”. Këtë informacion bashkë me porositë e Feçor Shehut, ja kalova njërit prej pjesëtarëve të grupit operativ, por se kujt, nuk më kujtohet. Sesi u veprua më vonë, unë nuk di gjë, mbasi nuk e kam ndjekur problemin dhe për arsyen tjetër, se unë u hoqa si përgjegjës i grupit operativ, përgjegjësi të cilën e mbajti vetë Feçori.
Faktin se Sami Muhameti ishte tërhequr……..unë e mësova më vonë në fund të vitit 1980, kur Kristofor Mërtiri (ish-kryetar i Degës së Veçantë në Drejtorinë e Parë të Sigurimit), më takoi para Shtëpisë së Oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë dhe më tha: “me porosi të ministrit (Feçor Shehut), duhet ta afrojmë nga Lushnja në Kavajë, ose në Shijak të rrethit të Durrësit Sami Muhametin, të cilin e kemi…………..prandaj ti bisedoje me sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit dhe më thuaj përgjigjen e tij, që unë pastaj t’i them kryetarit të Degës së Brendshme Lushnje, që të nisë dokumentet si kuadër”. Problemi u vu në lëvizje, por u zvarrit ardhja e dokumenteve nga Lushnja. Ato erdhën në dhjetorin e vitit 1981.
Duhet të ketë qenë fundi i vitit 1979, ose fillimi i vitit 1980, kur Feçor Shehu ishte bërë ministër dhe erdhi në Durrës për të analizuar një problem që nuk më kujtohet. Mbasi mbaruam analizën, Feçor Shehu më tha që: “të vemë një çikë tek sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, se më ka bërë vërejtje, se kur vij në Durrës, nuk e kam takuar”. Kur vajtëm në Komitetin e Partisë, midis të tjerave, unë ngrita disa probleme për Marjeta Shehun, siç janë: “Shëtitjet me ‘Volvo’ nëpër Durrës, bashkë me të shoqin, ndjekin modën duke u bërë shembull i keq, Marjeta shoqërohet me çdo njeri, i sjell ata në Hotel ‘Adriatiku’ dhe pi me ta në mënyrë të atillë, që s’është e hijshme për një femër, vjen vetëm në Turizëm dhe ulet midis të huajve; krushka, (mëma e Marjetës), mburret me Mehmet Shehun nëpër dyqanet e Durrësit dhe e trajton keq të shoqin”.
Për këto gjëra unë u thashë, është mirë që t’i thuhen Mehmet Shehut, që t’i dijë dhe në këtë mendim ishte dhe sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit. Në këtë kohë, Feçori tha: “Është me bela kjo punë, varet se si ta merr kryeministri, po t’ja thuash”. Gati në një kohë, unë dhe sekretari i Komitetit të Partisë, i thamë Feçorit që; “ti njofto udhëheqësin kryesor të Partisë”. Ai përsëri na u përgjigj: “Eh mor shoku sekretar, ti i di se sa delikate janë këto punë sepse, edhe njëherë kur ju ngrit diçka, udhëheqësi kryesor na tërhoqi vëmendjen; pse, Sigurimi me këto merret”?!
Në verën e vitit 1981, survejimi i jashtëm i Sigurimit të Shtetit, fiksoi një takim të një zbuluesi francez që voziste në det (me një varkë garash sportive me vela), me një person të panjohur. Francezi kishte ulur velat dhe varka kishte qëndruar në vend, personi i panjohur kishte vendosur dorën në varkë dhe të linte përshtypjen nga larg, se bisedonte me të huajin. Mbas rreth 20 minutash francezi ngrit velat dhe u largua, ndërsa personi i panjohur, me not, paralel me bregun, notonte për në drejtim të rajonit të banimit të udhëheqjes në plazh. Afër pistës “Iliria”, survejuesit panë se personi që kishte qëndruar me francezin në det, ishte Marjeta Shehu.
Ajo mbasi doli nga deti, u fut në shtëpinë e vet në ‘Bllokun’ e plazhit dhe për rreth një orë, duke qenë vetëm, shkoi dhe u ul në mes të të huajve, në pistën e Hotel “Adriatikut”. Të huajt ku ajo u ul, ishin të shteteve të huaja, si të ambasadave dhe turistë. Të nesërmen në mëngjes, përgjegjësi i grupit të survejimit, Ilia Bardhi dhe zëvendëskryetari i Degës, Bardhyl Çuçi, më erdhën në zyrë dhe më shpjeguan ngjarjen. Unë urdhërova të bëhej shënim operativ dhe si e bënë ma dhanë menjëherë, kërkova leje nga zëvendësministri që më priste për një problem urgjent. Rreth orës 11.00, mbërrita në ministri dhe takova zëvendësministrin që kish në vartësi Sigurimin e Shtetit dhe i dhashë për të lexuar shënimin operativ, ai pasi e pa, e lexoi dhe më tha t’ja shpija ministrit.
Mbi bazën e këtij urdhri, unë shkova te Feçor Shehu, i cili e lexoi shënimin operativ dhe më tha: “mos janë ngatërruar survejuesit, se atje në det mund të ketë pasur edhe njerëz të tjerë, se detin kur e shikon nga bregu, të krijon iluzione optike”! Unë insistova duke i thënë se këto pyetje ua bëra edhe unë survejuesve, dhe ata nuk kanë gabuar. Në këto kushte ai më tha: “mirë mirë, unë tani e mora vesh problemin, – ju më tha- asgjesojeni shënimin operativ, që të mos ngelet dokument në organet tona, për nusen e kryeministrit, që të jemi në rregull me Platformën” dhe në vazhdim të bisedës, theksoi se: “ne si Sigurim, nuk do të ngremë agjenturë, për të survejuar fëmijët e shokëve, por kur konstatojmë gjëra, duhet t’i ngremë”.
Mbasi u ktheva në Durrës, u thashë Bardhyl Çuçit, Ilia Bardhit dhe Mehmet Sejdarasit, se vajta në ministri dhe pasi u njohën me problemin, më thanë të mos mbajmë dokument dhe unë e dogja në sobë. Shtoj se në takimin e mësipërm, kur Feçor Shehu tha që të kemi kujdes, të ngremë gjëra për fëmijët e shokëve, tha se: “ka ardhur puna se po bëjmë autokritikë dhe për fejesat dhe martesat e fëmijëve të shokëve”. Unë nuk e kuptova se ku e kishte fjalën ai. Po këtë shprehje, ma përsëriti edhe njëherë kur erdhi në Durrës, një ditë të djelë të muajit shtator 1981, duke qenë prezent, unë, Bardhyl Çuçi dhe Hasan Caslli, si unë dhe dy shokët e tjerë, nuk e kuptuam se ku e kishte fjalën dhe për cilën fejesë…?!
Nga mesi i muajit tetor 1981, unë kisha çuar disa dosje në ministri për goditje dhe në korridor takoj Feçor Shehun, i cili pyet se pse kisha vajtur, pasi i thashë arsyen, më tha: “Pasi të mbarosh, të vish pak tek unë”, kur vajta ai më komunikoi se; “gjërat që kini ngritur ju të Durrësit, për fëmijët e Mehmet Shehut, e sidomos për Marjeta Shehun, unë ja raportova atij dhe ai më priti shumë mirë, Marjetën nuk do ta shikoni më të vij si më përpara në Durrës, prandaj ju ta keni ndërgjegjen e pastër, se detyrën e keni kryer dhe gjërat vajtën atje ku duhet”. Pas kësaj bisede vajta në Durrës dhe ja thashë këtë bisedë Bardhylit dhe Mehmet Sejdarasit.
Aty nga fundi i muajit dhjetor 1981, më thirri ministri Feçor Shehu dhe më kërkoi llogari, sepse nuk kisha informuar ministrinë për arrestimin e Xhovalin Velçës (vëllai i Marjeta Shehut), më 1979?! Unë ja shpjegova tërë veprimet si i kisha kryer. Ai kërkoi në telefon zëvendësministrin që merret me sigurimin e Udhëheqjes dhe i tha se; Lirimi të ka vënë në dijeni ty për arrestimin e vëllait të Marjetës, por në telefon ai tha se; nuk më kujtohet, ndërsa kur erdhi në zyrën e Feçorit dhe unë ia shpjegova ai e pranoi. Në këtë moment i thashë Feçor Shehut se: “Marjeta është si kalama, ti e di dhe rastin e takimit të saj në det me francezin, që për këtë solle dhe shënimin operativ”. Në këtë moment, Feçor Shehu mohoi dhënien e shënimit operativ nga ana ime.
Unë i thashë se shënimin ta kam sjellë dhe ti e ke lexuar, bile më përpara atë e pa edhe zëvendësministri përkatës. Ai (Feçori) më tha; nuk e di, jo. Unë nuk e zgjata debatin, për arsye se kisha njoftuar Komitetin Qendror për këtë problem. Pas kësaj bisede, u largova për në Durrës. Më datën 5 janar 1982, rreth orës 16.00, kur u thirra për një punë nga zëvendësministri që siguron udhëheqjen, dhe kur nuk rashë dakord me të, vajtëm te Feçor Shehu. Aty, mbasi u sqarua situata, zëvendësministri u largua dhe Feçor Shehu m’u drejtua mua; “dëgjo Lirim, të rashë në qafë kot atë ditë, u kujtova se ma ke sjellë shënimin operativ” dhe kërkoi që t’ja shpjegojë edhe njëherë takimin e Marjetës me francezin, mbasi ai më tha se e mbante mënd mirë, në vija të trasha.
Në vijim të bisedës, Feçor Shehu më tha: “Gjërat që keni ngritur ju për fëmijët e Mehmet Shehut, unë ja thashë Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë dhe ai më tha se; ‘Shumë mirë ka vepruar ai shoku i Durrësit, që ka ngritur këto gjëra”. Mbas kësaj bisede, unë u largova. Shtoi se, po më 5 janar 1982, me porosi të Feçor Shehut, unë bëra një shënim operativ për dy gjëra; për arrestimin e vëllait të Marjetës në korrik të vitit 1979 dhe për takimin e Marjetës me francezin në plazh. Ky shënim mbasi u shtyp, ju dha Kristofor Mërtiros në dorë nga vetë Feçori, me porosi që të vendosej në dosjen operative të saj, që po hapej. Memorie.al