“Mbi gropën ku u varrosën 17 të pushkatuarit ishte ngritur një shtëpi”- Urdhri i Enverit për vrasjen e kunatit - Si u gjet varri...

Dokumentare

“Mbi gropën ku u varrosën 17 të pushkatuarit ishte ngritur një shtëpi”- Urdhri i Enverit për vrasjen e kunatit - Si u gjet varri...

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 06:35
Foto ilustrim

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi intelektualin, publicistin, veprimtarin, politikanin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Bahri Omari (10 shkurt 1889-14 prill 1945).

Bahri Omari lindi në Gjirokastër dhe mësimet e para i mori në vendlindje. Studimet për Shkenca Politike-Administrative i kreu në Stamboll dhe me përfundimin e tyre u caktua nënprefekt i Himarës. Omari pati një kontribut të veçantë në organizimin e çetave për mbrojtjen e territorit shqiptar nga sulmet në jug të andartëve. Më 1915, Bahri Omari u zhvendos në SHBA ku mori drejtimin e gazetës “Dielli”, organi i shtypit të federatës shqiptare “Vatra”.

Në vitin 1919 u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh dy herë deputet i prefekturës së Gjirokastrës në Këshillin Kombëtar, organi legjislativ asokohe, përkatësisht në vitet 1921 dhe 1923. Mbështeti qeverinë e Fan Nolit në vitin 1924. Me kthimin në pushtet të Ahmet Zogut, Bahri Omari u largua nga Shqipëria dhe bashkohet me opozitën shqiptare në ekzil. Në vitin 1939 u kthye përsëri në Shqipëri dhe në 1942 u bë pjesë e Ballit Kombëtar dhe u emërua ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë viteve 1943-44. Me ardhjen e regjimit komunist, Bahri Omari arrestohet dhe dënohet me vdekje nga i ashtuquajturi “Gjyq Special” më 13 prill 1945.

U ekzekutua tek Kodra e Priftit në Tiranë. Është dekoruar nga shteti shqiptar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Ka qenë kunati i Enver Hoxhës, diktatorit të ardhshëm komunist të Shqipërisë, i cili pas gjyqit special firmosi dënimin me vdekje të Omarit.

KONTRIBUTI

Më 1915 Omari shkoi në ShBA, ku ai u bë drejtor i gazetës “Dielli” të shoqatës pan-shqiptare Vatra. Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës duke i qëndruar përballë partisë së Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Omari lëvizë nëpër Europë gjatë kohës u formua dhe “Bashkimi Kombëtar” ku aderoi. Në Bari u ngulit ku ai qëndroi deri më 1939. Këtë vit ai u kthye në Tiranë, i survejuar nga italianët. Në 1942 u bë anëtar i organizatës Balli Kombëtar.

Enver Hoxha strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë që ia kishte marrë me qira Ali Mulletit. E ndihmoi shumë Enver Hoxhën ekonomikisht gjatë kësaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë gjatë studimeve të tij të paplota në perëndim. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës 5 nëntor 1943-16 qershor 1944. Për këtë pozicion që ai mbajti u arrestua dhe u burgos pas ardhjes në pushtet të partizanëve. Gjatë burgut luante shah, siç kishte bërë edhe gjatë emigracionit sipas Kol Tromarës – mik i ngushtë i tij qysh nga kohët e emigracionit antizogist.

GJYQI

Në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special. Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot ish-”Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme në një hendek tek Kodra e Priftit në Tiranë. Para pushkatimit u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Në 31 seanca, nga 1 marsi deri në 13 prill 1945, do të gjykoheshin 60 nacionalistë të akuzuar si kriminelë të luftës, prej tyre 17 vetë u dënuan me pushkatim duke përfshirë Bahri Omari, 8 me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme. Trupi gjykues përbehej nga 9 veta, kryetar i saj u emërua gjeneral lejtnant Koçi Xoxe. (Teneqexhi, me 5 klasë shkollë), dhe anëtarë: kolonel Hysni Kapo, nënkolonel Beqir Balluku, kapiten i Parë Hajdar Aranitasi, partizan Gaqo Boboshtica, dr. Medar Shtylla; Faik Shehu, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar; Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë; Gaqo Floqi, gjykatës.

Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu, gjeneralmajor. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë të Gjyqit Special edhe Bilbil Klosi, major Gjon Banushi dhe major Haki Toska. Kjo sallë teatri do të shërbente për të njëjtin funksion edhe një vit më vonë, kur do të zhvillohej gjyqi i dytë special në shkurt 1946, ku u dënua me vdekje edhe At Anton Harapi. Pas këtyre dy gjyqeve politike, kjo godinë do të vijonte funksionin e saj si Teatër deri në ditët e sotme. Gjyqi nuk vërtetoi asnjë krim, por dënoi 17 vetë me pushkatim, 8 me burgim të përjetshëm, 10 me 30 vjet burg, 3 me 20 vjet burg, 5 me 15 vjet burg, 5 me 10 vjet burg, 5 me 5 vjet burg, 2 me 3 vjet dhe 3 me 2 vjet burgim. Vetëm dy persona u shpallën të pafajshëm.

TË AFËRMIT

Bahri Omari nuk ishte i vetmi nga rrethi i familjarëve të Enverit që u pushkatua me urdhër të tij. Në kujtimet e panjohura të Hoxhës bëhet e ditur se fati i keq i kunatit ka ndjekur një duzinë të tërë nga të afërmit që u bashkuan me të. Në krye të kushërinjve “të pabindur”, Hoxha përmend Abaz Omarin, nipin e xhaxhait, Hysenit. I rritur me të në sokakët e Gjirokastrës, Enveri, siç shkruan, kishte ndarë mendime të njëjta në Liceun e Korçës dhe më vonë në Tiranë, kur Abazi ishte kthyer nga studimet në Francë. Po kreshentoja e vizioneve të njëjta kishte ndryshuar papritur me pushtimin e Shqipërisë.

“Kur unë prisja të më mbështeste në përpjekjet për luftën kundër okupatorit, -shprehet Hoxha duke iu referuar një takimi në shtëpinë e së motrës, Fahrijes, -Abazi ishte tjetërsuar dhe kishte zgjedhur tjetër rrugë: nga i majtë ishte bërë i djathtë; nga antifeudal, qe bërë mbrojtës i zjarrtë i të pasurve. E kishte bërë për vete Bahri Omari dhe Ali Këlcyra. Ishte bërë një qelbësirë, -shkruan me urrejtje Hoxha, -u bë ballist; u bashkua me gjermanët, po e hëngri kokën pas çlirimit; e kapëm në Tiranë dhe gjyqi e pushkatoi si tradhtar”.

Pak a shumë një histori të tillë përshkruan Enveri për vëllezërit Reiz e Surja Selfo dhe Nexhat e Manush Peshkëpia, të cilët ishin të afërm të familjes Hoxha, por që i ndau qasja për luftën. Fakti që ata s’shkuan me Enverin, por me Bahriun, me nacionalistët, shënjoi fatin e keq të tyre, ashtu siç ndodhi me kushërinjtë e tjerë. Kjo ndodhi jo vetëm me ata që i kthyen krahët Enverit gjatë luftës, por edhe me të tjerët që e mbajtën afër dhe i vunë në dispozicion pasurinë e tyre. Njëri ndër ta, Surja Selfo, -pohon për herë të parë Hoxha në këto kujtime, -bëri shumë për mua në vitet e luftës, por pas çlirimit ra viktimë e grupit të Koçi Xoxes dhe u pushkatua.

Pjesa në vijim e shënimeve të Enverit fokusohet te “misioni i pamundur” për të përfshirë në nismën për Konferencën e Pezës grupin e “demokratëve nacionalistë”, që drejtohej nga Kol Tromara, Bahri Omari dhe Sheh Karbunara. Me mënyrën e tij, ai përshkruan debatet e tensionuara në takimin që ka pasur me “Treshen e pabindur” në një bazë ilegale në Tiranë, në verën e vitit 1942. “Më herët, -shkruan Hoxha, -ia kërkova këtë Bahriut, megjithëse isha i bindur se do të refuzonte. I thashë se duhet të shkëmbejmë mendime me njëritjetrin, se duhet të sheshojmë mosmarrëveshjet dhe të arrijmë në një mbledhje të përbashkët kundër pushtuesit, por nuk e pranoi. Më tej i shtriva negociatat në një takim të zgjeruar, por sërish dështova, se ishte e pamundur që Kol Tromara, Sheh Karbunara dhe takëmi i tyre të shkëputeshin nga bashkëpunimi me okupatorin”…

LUTJA

Fahrija, lutje zyrtare t’i falej jeta Bahriut Dënimi me vdekje i Bahri Omarit bëri bujë të madhe asokohe dhe aq më shumë ajo gjë ishte e papritur dhe nga motra e Enverit, e cila menjëherë pas vendimit shkoi takoi të vëllanë, (në vilën e tij) duke i kërkuar që t’ia falte jetën Bahriut dhe ai të paktën të dënohej 25 vjet burg, apo qoftë dhe me burgim të përjetshëm. Sipas dokumenteve të publikuara nga gazetari Dashnor Kaloci në ato pak minuta që Enveri e priti motrën e tij në këmbë, i tha asaj, që ai nuk kishte asgjë në dorë, pasi ai ishte gjykuar nga “Gjyqi i Popullit” që kishte dhënë dënime te merituara për “armiqtë e popullit”.

Ndërsa Fahrija nuk po u besonte veshëve me ato fjalë që dëgjonte nga goja e vëllait të cilat i ranë si bombë, me lot në sy, i kërkoi të vëllait, se ku mund “të përplasej” për atë gjë…?! Dhe më shumë për ta larguar, Enveri i tha se ajo mund t’u bënte një lutje dhe atë t’ia dërgonte zyrtarisht me postë, Këshillit të Përgjithshëm Antifashit Nacional-çlirimtar, siç ishte ligji dhe të priste përgjigje nga organet kompetente.

RAPORTET

Raportet e Enver Hoxhës me Bahri Omarin kanë qenë sa problematike, aq edhe misterioze. Së paku për aq sa ka lënë të dokumentuar në gjallje ish-kunati i këtij të fundit. Përveç atyre që ka artikuluar zyrtarisht dhe në memoristikën historike të serisë “Kujtime” për kunatin Omari, Enver Hoxha ka koleksionuar një dosje tjetër me shënime konfidenciale, ku përshkruan ngjarje e situata të panjohura, që, me sa duket, kanë qenë të destinuara për familjen dhe rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve.

Ndër materialet e rezervuara aty, gazeta “Panorama”, kohë më parë ka publikuar të plotë dorëshkrimin “Takimi në Tiranë me pseudodemokratët, pseudonacionalistët, agjentët e pushtuesve, kuislingë dhe krerë të ‘Ballit Kombëtar’: Bahri Omari, Kol Tromara, Sejfi Vllamasi”. Në fabulën e kujtimeve është një takim i Hoxhës me këta të fundit pas rikthimit të tyre në Shqipëri, në fillimin e viteve ’40. Bahri Omari, Kol Tromara, Sheh Karbunara dhe Sejfi Vllamasi kishin qenë deputetë në parlamentin shqiptar para ardhjes në pushtet të qeverisë së Nolit dhe me rrëzimin e saj ishin larguar jashtë shtetit, ku kishin krijuar emigracionin politik antizogist.

Një pjesë ishin vendosur në Bari të Italisë, shkruan Hoxha, dhe aty “uzurpuan” kafene “Stopani”-n, ku qëndronin me orë të tëra duke konsumuar politikë pa bereqet. Shkonin nga shkonin dhe pyesnin Bahri Omarin, i cili njihte disa gjuhë, po kishte kulturë konfuze. Dukej i leshtë, por ishte budalla. I kishte hedhur “trutë e gomarit” Ali Këlcyra dhe e bëri një nga njerëzit më të egër dhe më të poshtër. Pjesa tjetër e bandës së “demokratëve antizogistë”, Ali Këlcyra, Qazim Kokoshi, Rexhep Mitrovica etj., u vendosën në Paris. Në krye kishin, gjoja, Kol Tromarën, por asnjë nuk e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë udhëhiqnin. “Këtyre myteberëve”,- shkruan Hoxha me përbuzje, “u qe mbushur mendja top se ishin antizogistët më të shquar dhe politikanët më të zotë që kishte njohur Shqipëria”. Rikthimi i tyre pas pushtimit fashist të vendit dhe debatet me Hoxhën dhe të tijtë, përbën pjesën më intriguese të kujtimeve të këtij të fundit, ku pjesën më të rëndësishme e zë përballja me Bahri Omarin, të porsashtegtuar, siç shkruan Hoxha me tufën e “lejlekëve” që lanë kafenetë e Europës…

FATI TRAGJIK

Bahri Omari u arrestua bashkë me 60 figura të tjera të rëndësishme të jetës politike dhe publike shqiptare në nëntor të vitit 1944 dhe doli përpara Gjyqit Special, një prej gjyqeve të para të diktaturës komuniste, më 15 dhjetor 1944. Në listën prej 60 personalitetesh përfshiheshin nënshkrues të Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ish- kryeministra, ish- kryetarë të Parlamentit shqiptar, ish-ministra, shumica prej tyre të diplomuar në Europën perëndimore. Por, pa asnjë dyshim, pothuajse të gjithë të implikuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve: pa e ditur shkakun dhe pa u hyrë justifikimeve, ata qenë shndërruar në kolaboracionistë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. 17 veta u dënuan me vdekje, të tjerët me burg nga 20 deri në 30 vjet. Vetëm 5 veta u liruan. Midis të dënuarve me vdekje ishte edhe Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës.

Ai kishte besuar deri në fund se jeta do t’i kursehej. Këtë ia kishte përforcuar edhe më shumë dhurata që kishte marrë më 31 dhjetor 1944: në qelinë e tij në burgun e Tiranës kishin mbërritur tri racione bakllava dërguar nga nusja e kunatit, Nexhmije Hoxha, si urim për vitin e ri dhe për martesën me gjeneral-kolonel Enver Hoxhën. 4 muaj më pas po merrte një dhuratë të dytë: dënimin me vdekje. Bahri Omari mori dënim kapital edhe pse shumë të tjerë, që kishin mbajtur funksione më të rëndësishme, si kryeministri i fundit Ibrahim Biçakçiu, u dënuan vetëm me burgime të gjata. Dënimi i tij të bën të mendosh se ishte gjesti i parë që shpallte simbolikisht se regjimi i ri nuk do të tregohej tolerant ndaj asnjërit prej kundërshtarëve të tij, qofshin edhe njerëz të afërt të drejtuesve të tij, siç ishte kunati i Enver Hoxhës, njeriu që e kish ndihmuar kaq shumë në vitet e studimeve në Francë dhe gjithnjë më vonë.

Në librin “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut shkruhet se Bedri Spahiu, shok klase i Enver Hoxhës, Prokurori i çështjes në fjalë, njëri prej “duarve të forta” të regjimit që do të përfundonte edhe vetë në burg për 30 vjet më radhë. Më 1991 ai u bë ndër të paktat figura të atij regjimi, të ndëshkuar ose jo, që shpreh publikisht pendimin për atë që ndodhi. Në një letër të hapur të botuar në gazetën “Republika” më 6 qershor 1991 me titullin “Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun”, shprehej: “Dy herë Enver Hoxha ka caktuar prokuror të gjyqeve më të rëndësishme historike të vendit tonë një injorant të fushës së drejtësisë si Bedri Spahiun. Herën e parë si Prokuror të Gjyqit Special, për të dënuar të ashtuquajturit armiq të popullit dhe herën e dytë prokuror të gjyqit të Koçi Xoxes. Sot ndjehem i turpëruar që kam luajtur rolin e Prokurorit të atyre gjyqeve. Komunistët e dinë këngën që këndonte populli atë ditë të zhvillimit të gjyqit: “Tradhtarët porsi miu/ i dënoi Bedri Spahiu”.

Sot unë do të thosha: shumë lavdi për njerëz të palavdishëm!”. Bedri Spahiu e kujton kështu momentin kur Bahri Omari dhe 16 të dënuarit e tjerë u pushkatuan: “Kur komandanti i skuadrës së pushkatimit dha urdhër, një lëvizje u pa në rreshtin e të dënuarve, të cilët i kthyen krahët tytave të armëve, siç kish urdhëruar komandanti. Vetëm një njeri pati guximin t’i kundërvihej urdhrit: “Jo, askush nuk duhet t’i kthejë krahët nga tytat, pasi pas shpine vriten vetëm tradhtarët. Këtë do ta vërtetojë historia”. Ky ishte Bahri Omari, një burrë i zgjuar dhe patriot”. Të 17 të dënuarit u varrosën në një gropë anonime, për t’u zbuluar rastësisht 60 vjet më pas, në një lagje në periferi të Tiranës. Mbi të ishte ngritur edhe një shtëpi.

NDERIMET

Më 2004, me interesimin e të dënuarve të Gjyqit Special dhe me kujdesin e Institutit të të Përndjekurve, nga qeveria Berisha u akordua një fond për ndërtimin e një përmendoreje në një varr simbolik në varrezat e Sharrës. Në atë varr të përfunduar më 2007 u depozituan ato pak eshtra të gjetura. Në përmendore u shënuan emrat e të dënuarve të Gjyqit Special, si dhe emrat e P. Anton Harapit, Maliq bej Bushatit dhe Lef Nosit. Më 24 nëntor 2014, me propozimin e Federatës Panshqiptare Vatra për të nderuar martirët e Vatrës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i akordoi Bahri Omarit si edhe vatranëve të tjerë të martirizuar nga regjimi totalitar komunist, urdhrin “Nderi i Kombit”./Gazeta Panorama

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat